Më 31 tetor 2025, qeveria në detyrë e Kosovës mori një sërë vendimesh për rritje të shtesave, pensioneve dhe ndoshta vendimi më i rëndësishëm ishte ai për pagën minimale.
Albin Kurti vendosi për rritjen e pagës minimale të ndarë në dy faza, fillimisht në 425 euro në janar 2026 dhe më pas në korrik 2026 parashihet të bëhet 500 euro në muaj për të gjithë punëtorët me orar të plotë. Ky vendim pritet t’i prekë 150 mijë të punësuar.
Rritja e pagës minimale është një nevojë e domosdoshme, sepse e lehtëson jetën e qytetarëve në përballje me vështirësitë ekonomike dhe përmirëson mirëqenien e tyre. Megjithatë, mënyra se si qeveria në detyrë e miratoi këtë vendim vendos shumë pikëpyetje. Jetësimi i kësaj politike duhet të realizohet përmes analizimit të gjendjes në treg, në mënyrë që pasojat negative për konsumatorët dhe tregun të jenë sa më të vogla.
Vendim politik në prag të zgjedhjeve, pa konsultimet e nevojshme dhe me shumë pikëpyetje ligjore
Ligji i Punës rregullon caktimin e pagës minimale përmes dialogut social të Këshillit Ekonomiko-Social, që përfshin Qeverinë, sindikatat dhe bizneset. Sipas ligjit, gjatë përcaktimit të pagës minimale duhet të merren për bazë disa faktorë, siç janë: kostoja e shpenzimeve jetësore, përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.
Por, qeveria në detyrë nuk duket se është interesuar t’i zbatojë dispozitat ligjore. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ky vendim bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme, IKD-ja konstatoi se anëtarët e Qeverisë që janë certifikuar si deputetë kanë humbur mandatin e tyre si anëtarë të Qeverisë. Të njëjtët nuk mund të mbajnë dy pozita, atë të deputetit (legjislativit) dhe të qeveritarit (ekzekutivit).
Gjithashtu, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e ka konsideruar këtë vendim ad-hoc, duke thënë se Oda në parim nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por thonë se nuk janë konsultuar nga Qeveria, duke shprehur shqetësim për pasojat potenciale.
Në këtë kontekst, IKD-ja thotë se pretendimi i ministrit Hekuran Murati se vendimi është marrë në mungesë të një propozimi nga Këshilli Ekonomik dhe Social është i pasaktë, e kjo pasi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ende nuk e ka funksionalizuar këtë këshill dhe, për këtë arsye, një propozim i tillë nuk mund të ishte bërë. Pra, vendimi për pagën minimale, që duhet të burojë nga dialogu social, është shndërruar në vendim politik që ndikon direkt në operimin e subjekteve private afariste.
Kalkulimi politik ka kuptim duke marrë parasysh faktin se ky vendim nga qeveria në detyrë u bë në prag të balotazhit të 9 nëntorit të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Opozita ka akuzuar pushtetin se ky vendim ka për qëllimin “blerjen e votave”.
Efektet pozitive dhe negative të rritjes së pagës minimale
Me gjithë problemet me mënyrën se si u mor vendimi, ngritja e pagës minimale ndikon direkt në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Njëkohësisht rrit kërkesën në treg, duke qarkulluar kapitalin, pasi një person që deri sot ka shpenzuar 350 euro në muaj, me rritjen e pagës minimale do të shpenzojë 500 sosh, duke rritur kështu qarkullimin e përgjithshëm.
Por, ngritja e pagës minimale ka edhe efekte negative. Ekzistojnë teza klasike të ekonomisë së punës që rritja e pagës minimale mbi ekuilibrin e tregut e rrit papunësinë te të rinjtë dhe personat e tjerë me pak përvojë pune. Kjo ndodh sepse punëdhënësit nuk shohin leverdi të mbajnë në punë një punëtor që nuk ka përvojën e duhur.
Rritja e pagës minimale ndikon më së shumti te bizneset e vogla të cilat kanë qarkullim të ulët. Një rritje e lartë e pagës minimale bën që këto subjekte afariste të largojnë disa punëtorë nga puna, për ta përballuar koston. Ndërsa bizneset e mesme dhe të mëdha mund të fillojnë t’i rrisin çmimet për ta mbuluar koston shtesë, gjë që pason me inflacion për të gjithë.
Nga rritja e pagës minimale ekziston rreziku që të rritet informaliteti në treg – persona që punojnë pa kontrata pune dhe paguhen me cash (para të gatshme). Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), mbi 56% e popullsisë në moshë pune janë joaktivë në treg, statistikë që dëshmon për një numër të lartë të atyre që punojnë, por nuk figurojnë të tillë.
Rritja e pagës minimale ndikon pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve, por vendimet politike, sado pozitive që janë, duhet t’u nënshtrohen procedurave ligjore dhe dialogut social – e assesi të shndërrohet në vendim politik për qëllime elektorale.































































