Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Shëndeti mendor në Kosovë: mes stigmës, heshtjes dhe nevojës për ndryshim

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

Përkundër faktit se secili prej nesh mund të jetë duke kaluar një sfidë me shëndetin mendor, apo njohim dikë që është i prekur nga problemet e shëndetit mendor, shumë njerëz në Kosovë ende ndihen të turpëruar të flasin për këtë temë.

Kjo ndodh kryesisht për shkak të nivelit të lartë të stigmatizimit dhe paragjykimeve që kanë shoqëruar shëndetin mendor në Kosovë dhe vazhdojnë ta shoqërojnë, me gjithë përmirësimin e gjendjes në vitet e fundit.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në stigmatizmin e shëndetit mendor

Fillimisht, nisur nga faktorët kulturorë, problemet e shëndetit mendor janë parë tradicionalisht si çështje të brendshme familjare, që duhen mbajtur të izoluara brenda familjes. Përtej izolimit dhe mosdiskutimit mbi këto çështje, njerëzit shpesh janë ndier të pasigurt dhe të turpëruar të kërkojnë ndihmën e nevojshme.

Tutje, diskutimi publik për shëndetin mendor ka qenë shumë i kufizuar dhe kërkimi i ndihmës profesionale i rrallë, për shkak të numrit të ulët të profesionistëve të shëndetit mendor.

Psikologu nuk është adresa e parë për kërkimin e ndihmës. Shpeshherë, shqetësimet ndahen me anëtarë të caktuar të familjes ose rrethit shoqëror, duke supozuar se mund të tejkalohen pa u adresuar në mënyrë profesionale.

Në shumë raste, personat që kërkojnë ndihmë tregojnë se fillimisht janë “trajtuar” nga një person apo persona që nuk kanë kompetencë profesionale për ta bërë një gjë të tillë, të tillë si mjekët popullorë apo prijësit fetarë. Ky mbetet një shqetësim serioz për shoqërinë kosovare.

Por, mbi të gjitha, mungesa e ndërgjegjësimit dhe edukimit të mirëfilltë është një ndër faktorët kryesorë që e mban të gjallë stigmën.

Në përgjithësi, qytetarët kanë njohuri të kufizuara mbi problemet e shëndetit mendor dhe mungesa e informacioneve të sakta mund të çojë në keqkuptime, frikë dhe përhapjen e stereotipave të dëmshëm.

Disa mënyra efikase për të reduktuar stigmën

Së pari, edukimi përmes fushatave ndërgjegjësuese është i domosdoshëm. Aktivitetet promovuese në nivelin lokal, si dhe atë shtetëror, janë shumë të rëndësishme për rritjen e ndërgjegjësimit karshi shëndetit mendor.

Gjithashtu, shkollat duhet të fusin në kurrikulat e tyre edukimin mbi shëndetin mendor, në mënyrë që brezat e rinj të familjarizohen me rolin e psikologut dhe ndihmën psikologjike ta konsiderojnë si diçka normale.

Me rëndësi të veçantë është edhe përmirësimi i infrastrukturës së shëndetit mendor. Duke themeluar më shumë qendra për shëndet mendor, sidomos qendra me bazë në komunitet, duke trajnuar profesionistë dhe duke ofruar shërbime të qasshme në mënyrë që të normalizohet akti i kërkimit të ndihmës.

Po ashtu, inkurajimi i njerëzve për të ndarë historitë personale mund ta humanizojë çështjen. Dëshmitë e jetës reale mund të sfidojnë stereotipat dhe t’i nxisin për ndihmë ata që luftojnë në heshtje.

Kjo do të kishte impakt, sidomos nëse njerëz me influencë në shoqëri do t’i ndanin me publikun sfidat që kanë kaluar me shëndetin mendor.

Një shembull i mirë është Majlinda Kelmendi, e cila në një dokumentar ndau me publikun përballjen e saj me sfidat e shëndetit mendor, duke dëshmuar se shëndeti mendor na prek të gjithëve, edhe kampionët botërorë. Kjo qasje ndikon në ndryshimin e perceptimit te njerëzit për këto probleme.

Kosova, si shumë vende të tjera, përballet në vazhdimësi me sfidën e stigmës ndaj shëndetit mendor. Megjithatë, me një përpjekje të përbashkët nga institucionet shtetërore, profesionistët e shëndetit mendor, komuniteti dhe popullata e përgjithshme, është e mundur të krijohet një mjedis ku shëndeti mendor trajtohet me të njëjtin seriozitet dhe ndjeshmëri si shëndeti fizik.

Përqafimi i një qasjeje gjithëpërfshirëse është çelësi për nxitjen e ndryshimeve dhe mbështetjen e mirëqenies së të gjithë qytetarëve.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.