Sipas Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), të gjithë përfituesit e pensioneve të kategorive të luftës (veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve, viktimat civile, viktimat e dhunës seksuale), të cilët mbushin moshën 65-vjeçare, detyrohen të zgjedhin mes pensionit të luftës apo pensionit bazik të moshës, pavarësisht faktit se legjislacioni ua njeh të dyja pensionet.
Zakonisht qytetarët zgjedhin pensionin e luftës për shkak se është më i lartë, ndërkaq për fitimin edhe të pensionit të moshës detyrohen që këtë të drejtë ta kërkojnë përmes rrugëve gjyqësore.
Por, jo të gjithë arrijnë ta gëzojnë, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre, duke pritur epilogun e proceseve të gjata gjyqësore, vdesin. Në këtë mënyrë u mohohet e drejta themelore në gëzimin e pensionit të moshës.
Çfarë thonë legjislacioni dhe praktikat gjyqësore për pensionet e dyfishta?
Ligji nr. 04/L-054 , për statusin e të drejtave të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre, krahas pensionit si kategori e luftës, ua njeh të drejtën edhe për beneficione të tjera (te të cilat bën pjesë edhe pensioni bazik i moshës).
Ndërsa, në anën tjetër, Ligji nr.04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, ndalon që përfituesit të gëzojnë dy pensione nga skema pensionale.
Marrë parasysh faktin se Ligji për skemat pensionale ka hyrë në fuqi më vonë se Ligji për kategoritë e luftës, e njëkohësisht nuk e ka shfuqizuar dispozitën me të cilën garantohet e drejta në pension, të gjitha nivelet e gjyqësorit e deri në Gjykatën Supreme, kanë konstatuar se këtyre kategorive që kanë mbushur moshën 65-vjeçare u takon edhe pensioni bazik i moshës, pasi kjo përbën të drejtë themelore dhe nuk mund të kushtëzohet me faktin se merr një pension tjetër.
Me fjalë të tjera, pensioni si pjesëtar i njërës nga kategoritë e luftës u takon bazuar në faktin se të njëjtit kanë kontribuar dhe kanë sakrifikuar për lirinë e shtetit të Kosovës, ndërsa pensioni bazik i moshës bazohet në faktin se të njëjtit kanë mbushur moshën 65-vjeçare.
Që nga viti 2021, përmes aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ nr. 77/2021, është ndërtuar praktika gjyqësore ku të gjitha këtyre kategorive u njihet e drejta për dy pensione, por, pavarësisht kësaj, MFPT-ja nuk e zbaton këtë të drejtë themelore.
Rrjedhimisht, të gjithë të privuarit duhet të zvarriten nëpër procese gjyqësore me vite të tëra, për ta gëzuar një të drejtë të përcaktuar me ligj e të konfirmuar tashmë nga të gjitha nivelet e gjyqësorit.
Mohimi i së drejtës themelore përmes keqpërdorimit të së drejtës për mjete juridike
Pavarësisht faktit se e drejta për dy pensione është e pakontestueshme nga të gjitha nivelet e gjyqësorit, MFPT-ja, përmes avokaturës shtetërore, në vazhdimësi ushtron ankesa dhe mjete të tjera juridike, duke kundërshtuar të drejtën për pensione të dyfishta, edhe pse epilogu i vendimit përfundimtar është i njohur.
Parashtrimi i mjeteve juridike të paefektshme në këtë rast nga avokatura shtetërore stërzgjat proceset gjyqësore dhe, marrë parasysh faktin se paditësit në këto raste janë moshat e shtyra mbi 65 vjeç, jo rrallëherë të njëjtit vdesin para se ta gëzojnë pensionin e moshës.
Me një kërkim të thjeshtë te vendimet gjyqësore të publikuara në uebfaqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjejmë dhjetëra aktvendime të gjykatave (p.sh. A.nr.1175/2025, A.nr.1136/2024) përmes së cilave është ndërprerë procedura në këto çështje, për shkak se pala paditëse ka vdekur.
Marrë parasysh praktikën gjyqësore të ndërtuar me qindra aktgjykime aprovuese, zvarritja e këtyre proceseve përmes ankesave dhe mjeteve të tjera juridike, përveçqë mohon të drejtat themelore të këtyre kategorive, nënkupton edhe keqpërdorim të së drejtës për mjete juridike.
Por, nga të gjitha vendimet aprovuese të gjykatave, MFPT-ja, krahas borxhit kryesor, detyrohet që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore, shpenzimet e avokatëve të palës paditëse, kamatën ligjore dhe shpenzimet përmbarimore.
Andaj, kjo qasje nga MFPT-ja, përveçqë vazhdon të shkelë të drejtat themelore të këtyre kategorive, njëkohësisht dëmton buxhetin e shtetit duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në stërzgjatjen e proceseve gjyqësore, e që në fund të gjitha shpenzimet po i faturohen buxhetit të Republikës së Kosovës.




























































