Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tri pikat kryesore nga vizita e Macron-it në Serbi

Vizita dyditore e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Serbi në gusht 2024, me ftesë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shënon një moment të rëndësishëm në peizazhin diplomatik të rajonit.

Pika kryesore e vizitës ishte nënshkrimi i kontratës për blerjen e 12 avionëve luftarakë “Rafale”, gjë që e bën Serbinë vendin e parë europian, duke mos qenë anëtar as i BE-së, as i NATO-s, që e nënshkruan një marrëveshje të tillë me Francën. 

Kjo marrëveshje bart implikime të konsiderueshme. Së pari, pasqyron qasjen pragmatike në rritje e sipër të Francës për Ballkanin Perëndimor. Së dyti, tregon qëllimin e Serbisë për modernizimin e ushtrisë së saj, duke u larguar nga varësia ndaj kapaciteteve ruse. Së treti, mund të jetë shenjë se Serbia gradualisht po zhvendoset nga ekuilibrimi i ndjeshëm i saj midis Perëndimit dhe Lindjes, e kësisoj po anon më tepër kah Perëndimi. 

Nxitja e marrëdhënieve Francë-Serbi

Franca, nën udhëheqjen e presidentit Emmanuel Macron, e ka rritur ndikimin e saj ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Kjo është në përputhje me Strategjinë për Ballkanin Perëndimor, që është miratuar në vitin 2019. Strategjia, përveç tjerash, parasheh rritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit në siguri, drejtësi dhe mbrojtje. 

Kompanitë franceze kanë prani të fuqishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndikim të veçantë në Serbi. Në Serbi veprojnë mbi 120 kompani franceze, me rreth 12,000 të punësuar. Kompanitë franceze kanë siguruar disa nga projektet më madhore infrastrukturore në Serbi. Për shembull, kompania “Vinci” ka fituar koncesionin për Aeroportin e Beogradit, kurse “RATP Dev” po e ndërton metronë e Beogradit.

Për më shumë, një nga kontratat e nënshkruara në vitin 2024 përfshin zhvillimin e energjisë nukleare. Këto zhvillime tregojnë se Franca po i përmbush gati të gjitha synimet e përcaktuara në strategjinë e saj me Serbinë dhe se ajo po bëhet sponsori dhe mbështetësi kryesor i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. 

Rritja e konsiderueshme, si numër dhe si vlerë, e marrëveshjeve biznesore midis Francës dhe Serbisë, do të thotë se po i jepet përparësi bashkëpunimit ekonomik kundrejt vlerave të BE-së, siç janë: demokracia dhe sundimi i ligjit. Gjithashtu, presidenti Macron, gjatë vizitës së tij, diskutoi për anëtarësimin e Serbisë në BE, duke theksuar se parimi i bazuar në meritë mbetet kryesori në procesin e integrimit.

Bashkëpunimi ushtarak: hap i rëndësishëm larg Rusisë

Marrëveshja për avionët luftarakë “Rafale” paraqet një hap shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet Francë-Serbi. Ky bashkëpunim ushtarak dërgon disa mesazhe të rëndësishme. 

Së pari, Serbia po e ndryshon forcën e saj ajrore nga “MiG-29s” të epokës sovjetike, në teknologjinë e përshtatshme me NATO-n, gjë që, më shumë sesa blerje ushtarake, dërgon mesazh politik lidhur me orientimin gjeopolitik të Serbisë.

Së dyti, shitja e pajisjeve të avancuara dhe të shtrenjta ushtarake lyp garanci se teknologjia dhe njohuritë për të nuk do të transferohen në shtetet dhe aleancat ushtarake jo-mike. Kjo tregon se Serbia po largohet nga mbështetja e saj në kapacitetet ushtarake ruse, që është shumë e rëndësishme marrë parasysh gjeopolitikën aktuale globale, duke përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin izraelito-palestinez. Veprimet e Macron-it tregojnë se Franca e sheh Serbinë si partner të besueshëm.  

Megjithatë, vetëm garancitë politike nuk mjaftojnë. Tani Franca ka një nxitje më të madhe për ta përkrahur fuqishëm hyrjen e Serbisë në BE dhe, potencialisht, në NATO. Pak ditë pas vizitës së Macron-it dhe nënshkrimit të kontratës për avionët luftarakë, i dërguari i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajcak, deklaroi se Serbia mund t’i bashkohet BE-së më së afërmi në vitin 2028. Sa interesant që avioni i parë luftarak “Rafale” është përcaktuar të dorëzohet në vitin e njëjtë! 

Zhvendosje graduale kah Perëndimi?

Me këtë bashkëpunim të fuqishëm ekonomik dhe në mbrojtje, me një nga vendet kryesore të BE-së dhe NATO-s, mund të shtrohet pyetja: a është kjo pjesë e strategjisë së mbrojtjes së Serbisë, apo tregon një zhvendosje graduale kah Perëndimi? 

Kjo përputhet me strategjinë e Vuçiq-it, duke i mundësuar atij të dërgojë mesazhe të ndryshme për audienca të ndryshme. Për ata që e favorizojnë afrimin me Perëndimin, kjo marrëveshje mund të shërbejë si provë bindëse e zhvendosjes së Serbisë. Në anën tjetër, për akterët pro-rusë, mund të prezantohet si ruajtje e ekuilibrit të kujdesshëm midis Lindjes dhe Perëndimit.

Megjithatë, kur e shohim kontekstin, kontrata për avionët “Rafale” duket se peshon kah Perëndimi. Marrëveshja, si e tillë, përbën rreth 3.6% të GDP-së (Bruto Prodhimit Vendor) të Serbisë. Për më shumë, buxheti për mbrojtje i Serbisë për vitin 2024 është 1.43 miliard dollarë, që e bën këtë blerje si shpenzimin më të madh ushtarak – sa dyfishi i shpenzimeve aktuale ushtarake. Gjithashtu, është e rëndësishme të ceket se avionët ushtarakë vijnë me armatim të sofistikuar dhe transferim të teknologjisë dhe njohurive rreth tyre. 

Derisa Serbia do të vazhdojë ruajtjen e ekuilibrit midis Lindjes dhe Perëndimit, rëndësia e kësaj marrëveshjeje sugjeron një përputhje më të thellë me Perëndimin. Vitet vijuese do të jenë kritike për të përcaktuar nëse kjo shënon zhvendosjen graduale, por definitive të Serbisë në pozitën e saj ndërkombëtare.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.