Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

ZRRE-ja injoron obligimet ligjore për mbrojtjen e konsumatorit, prioretizon shtrenjtimin e energjisë elektrike

Foto: Radio Evropa e Lirë, Rrahman Osmani. Qytetarët duke protestuar kundër shtrenjtimit të rrymës më 5 prill në Prishtinë.

Në katër vitet e fundit, energjia elektrike në Kosovë është shtrenjtuar tre herë. Fillimisht, në shkurt 2022, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) mori vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë (kWh). Ndërsa, në prill 2023, energjia elektrike u shtrenjtua për 15% për të gjithë konsumatorët. 

Dy vite më vonë, në mbledhjen e 11 prillit, ZRRE-ja e shtrenjtoi përsëri energjinë elektrike për 16%. Me gjithë kërkesat dhe protestat e shumta të qytetarëve kundër shtrenjtimit, ZRRE-ja injoroi këto thirrje duke rënduar edhe më shumë standardin e jetesës në Kosovë. Ngjashëm, Qeveria dhe Opozita injoruan qytetarët dhe zgjodhën të heshtin.

Qytetarët injorohen nga partia në pushtet dhe partitë opozitare

Shtrenjtimi i energjisë elektrike do të ketë efekt zinxhiror në ekonomi dhe do t’a rëndojë edhe më shumë jetesën në Kosovë. Qytetarët po përballen me inflacion të lartë dhe paga të ulëta, përfshi edhe nivelin e larte të papunësisë. 

Përkundër kësaj gjendjeje të rënduar sociale, qytetarët duket se janë të vetmuar. Këtë e dëshmon fakti se në konsultime publike lidhur me këtë vendim, asnjëra parti politike nuk mori mundin që të dorëzojë komente, që do ta kundërshtonin këtë nismë apo të ofronin zgjidhje më të përshtatshme.

Është dëshpërues fakti se kjo gjë ndodhi pa ndonjë refuzim nga partitë opozitare të cilat nuk kanë ndërmarrën pothuajse asnjë veprim konkret për ta parandaluar një gjë të tillë.

Po ashtu, në protestën e 5 prillit dhe 11 prillit, të cilat u organizuan për ta kundërshtuar këtë vendim, politikanët e partive opozitare nuk u panë fare.

Edhe pse partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte në opozitë kishte kritikuar çmimin e energjisë elektrike dhe kishte premtuar mosngritje të çimimit, kësaj radhe, LVV-ja e mbështeti atë.

Në vend të mbrojtes së konsumatorit, Zyra e ZRRE-së ofron cinizëm

Përveç injorimit që qytetarët e Kosovës e përjetuan nga përfaqësuesit e tyre, ata po përballen edhe me fyerje e arrogancë nga autoriteti relevant: ZRRE-ja. “Gjejeni vetë më lirë dhe blejeni” i’u përgjigj shefi i ZRRE-së Ymer Zejnullahu, protestave dhe kritikave ndaj vendimit për shtrenjtim të energjisë.

Por, ZRRE-ja ka përgjegjësi ligjore që t’i mbrojë konsumatorët. Fushëveprimtaria, kompetencat dhe ngritja e tarifave nga ZRRE-ja përcaktohen në Ligjin nr. 05/L-084 (Neni 15, Paragrafi 2.1). 

“Gjatë zbatimit të përgjegjësive të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, Rregullatori, po ashtu merr parasysh: 2.1. zbatimin e masave të duhura për përforcimin e kohezionit social dhe ekonomik në tërë Kosovën…”

Përmes kësaj dispozite ligjore ZRRE-ja detyrohet që, në rastin e ngritjes së tarifave dhe aplikimin e masave tjera, të marrë parasysh aspektin ekonomik dhe mirëqenien qytetare, e cila është e ndërlidhur ngushtë me çmimin e energjisë elektrike. 

ZRRE ende nuk ka kompensuar qytetarët për energjinë e faturuar jashtëligjshëm në Veri

ZRRE-ja ende nuk ka kompensuar 40 milion euro qytetarëve të Kosovës, të cilëve në mënyrë të jashtëligjshme i’u faturua energjia e shpenzuar në katër komunat e veriut (Mitrovicë veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok).

Vendimi i ZRRE-së i vitit 2012, i cili u mor me qëllim të reduktimit të humbjeve në shpërndarjen e energjisë elektrike, për serbët e katër komunave të lartëpërmendura të cilat nuk paguanin energjinë e shpenzuar, e për të cilën u detyruan të paguanin qytetarët nga rajonet tjera të Kosovës.

Këtë e konfirmuan të tri nivelet e sistemit gjyqësor. Verdiktin final e dha Gjykata Kushtetuese e cila konstatoi se ky vendim shpreh pabarazi mes qytetarëve dhe se qytetarët duhet të kompensohen për faturimin jo të rregullt që iu është bërë në përiudhën 6 shkurt 2012 – 20 tetor 2017.

ZRRE-ja pas këtyre vendimeve gjyqësore vendosi që t’i kompensojë qytetarët, duke i’u zbritur faturat e rregullta si kompensim. Sipas vendimit të 5 prillit 2024 të ZRRE-së, kompensimi fillon nga 1 qershori 2024 deri më 28 shkurt 2030.

Megjithatë, ende pa u bërë 10 muaj nga vendmi për kompensim e faturave, ZRRE-ja mori vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke shkelur vendimet e të gjitha hallkave gjyqësore dhe duke privuar qytetarët nga e drejta e tyre për kompensim.

Avazi për kundërligjshmëri në dëm të konsumatorëve po vazhdon edhe me shtrënjëtimin e fundit të energjisë elektrike, duke mos përfillur dispozitat ligjore që rregullojnë vetë veprimtarinë e këtij institucioni.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.