Sipërfaqja e Liqenit Griffy vezullonte nën diellin e vonshëm dimëror. Dita ishte e po aq e këndshme sa ato ditët e ngrohta të shkurtit kur s’të duhet fare xhaketa. Kishte rënë shi të djeshmen, toka ishte e butë ndërsa copëzat e hijes mbanin gjallë kujtimin e borës së javës së kaluar. Unë dhe gruaja ecnim përgjatë një shtegu afër liqenit nga Rruga Headley derti te Rruga Dunn për herë të parë. Uji, i cili shquhej ndërmjet drurëve, ishte plotësisht i tejdukshëm tek rrihte bregun. Pylli ma kujtonte atdheun. Në atë çast, një mendim më goditi sikur rrufeja. Si ishte e mundër që unë, nga thellësitë e Evropës Juglindore, të përfundoja në thellësitë e Indianës rurale? Kur ndodhi kjo?!
Ishte viti i tretë i Ndalimit famëkeq të Punësimit në Sektorin Publik kur më erdhi shansi. Koalicioni i ri qeverisës mes SNS-së (Partisë Progresive Serbe) dhe SPS-së (Partisë Socialiste Serbe), i drejtuar nga zëvendëskancelari (sado kontradiktore që mund të tingëllojë), shpalli këtë masë për t’i luftuar pasojat e krizës (së rënduar) ekonomike që tronditi vendin pas përplasjes globale të vitit 2008. E ndërtuar për ta kufizuar sektorin publik në një madhësi të arsyeshme si dhe për t’i rritur kursimet monetare, dukej se kjo masë arriti gjithçka tjetër përveç qëllimit fillestar. Nuk besoj se kam autoritet të flas për përfitimet e mundshme ekonomike nga ajo; sidoqoftë, ndjenja subjektive ishte që funksioni parësor i masës qe t’i ofronte kastës së Partisë një mekanizëm punësimi. Ndërsa kërkoja njerëz që t’i intervistoja për këtë çështje, ishte e vështirë ta gjeja një shtëpi ose një familje pa së paku një anëtar që ishte t’i bashkohej Partisë Progresive Serbe a të merrte pjesë aktivisht si kusht për një pozitë në sektorin publik – qoftë në edukim, shëndetësi, shërbim publik ose institucione të sigurisë. Shumica kanë kontrata me gjysmë orari për ta siguruar besnikërinë dhe degjueshmërinë e tyre. Një pjesë e madhe që atëhermë ishin të punësuar në sektorin publik është dashur ta bëjnë hapin e njëjtë për t’i mbajtuar vendet e punës. Natyrisht, dëshmitë për t’i mbështetur këto pretendime janë gjithmonë rrethanore dhe njerëzit që vuajtën këtë fat nuk janë kurrë të gatshëm të flasin haptas nga frika e humbjes së pozitës. Në rrugë, parqe dhe media sociale, këto informata qarkullojnë më lirshëm.
Gjatë gjithë këtyre viteve, përveç himneve të koalicionit qeverisës për zhvillimin ekonomik, begatinë e përgjithshme, rritjen e standardit të jetëses, investimet dhe vendet e punës, kemi dëgjuar vazhdimisht – diku nga prapa – për zvogëlimin konstant të popullsisë dhe emigrimin. Duke bërë shpesh krahasime me eksodin masiv gjatë luftrave të viteve të 90-ta, po dëgjomë se qindra mijëra njerëz (kryesisht të rinj) kanë lënë vendin në vitet e fundit. Me gjasë kurrkush nuk nuk e di numrin e vërtetë të atyre që kanë lënë Ballkanin përkohësisht ose përgjithmonë, por edhe shifrat që kemi në dispozicion japin një imazh të zymtë. Sipas uebsajtit Eurostat, rreth 200,000 njerëz nga Serbia kanë marrë lejeqëndrim të BE-së mes viteve 2013 dhe 2018, kurse 52.049 vetëm në vitin e kaluar.1 Të dhënat nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Turqia (shtete që janë në proces të anëtarësimit në BE) janë po aq të rënda.
Mbase nuk do ta dimë kurrë sa njerëz kanë ikur jashtë mënyrave formale të emigrimit. Sa i përket brezit tim, ata që janë lindur në vitin 1990 e tëhu, më shumë shokë të mi punojnë në anije, si mësues të anglishtes në Kinë, ose që kanë vendosur të rrinë ilegalisht në ShBA pas programit Work & Travel sesa që janë në Serbi. Për më shumë, vazhdojmë të dëgjojmë për mjekë dhe punëtorë të shëndetësisë që lënë Serbinë njëherë e mirë sepse nuk kanë mundur të punësoheshin para heqjes së Ndalimit të Punësimit në vitin 2020. Saktësia e numrave dyshohet. Drejtori i Odës Mjekësore të Serbisë Millan Diniq, vlerësoi në vitin 2019 se vendi humb rreth 300 mjekë çdo vit.2 Na përket neve individualisht ta pyesim veten se sa raste i dimë? Në lidhje me pasojat, situata e tanishme me COVID-19 shpërfaq shkallën e plotë të problemeve të grumbulluara. Në këtë kontekst, thirrjet e qeverisë për doktorët e mërgatës që të kthehen si vullnetarë në “mëmëdhe” për të ndihmuar janë veçanrësht hipokrite kur vjen nga institucioni i njëjtë që përpiqej fort t’ua hiqte këtë ndjenjë të përkatësisë gjatë viteve të fundit.
Deri në vitin 2016, mes vitit të parë dhe të dytë të studimeve të mia të doktoraturës, duke pasur diplomë baçelor dhe master, unë nuk kisha asnjë ditë përvoje pune në asnjë pozitë. Dërgoja qindra CV (shpesh të zbukuruara ose madje të rreme) për punë të ndryshme në të gjithë sektorët – por pa rezultate. Sipas Statista, papunësia e të rinjve në Serbi në vitin 2016 ishte mbi 34%. Një rënie nga 43 përqindëshi i vitit të kaluar, ky numër është testament i një gjendjeje të rëndë që është shumë larg nga mesatarja evropiane.3
Duke qenë skajshmërisht negative dhe të paepura, këto statistika na tregojnë vetëm një pjesë të rrëfimit pikëllues mbrapa boshatisjes së vendeve të Ballkanit. Pjesa e dytë e rrëfimit është përgjigjja ndaj pyetjes, “Cili është shkaku?” Çfarë mund të identifikohet si tipar i përgjithshëm i rajonit është mungesa e plotë e një vizioni për të ardhmen ose një strategji për të pasur standarde më të larta në të gjitha aspektet e jetës. Duke jetuar nën sundimin e regjimeve tepër të korruptuara, të cilët bazohen në parime shumë të diskutueshme demokratike – në mos fare demokratike në disa raste4 – është vështirë ta paramendosh veten si anëtar produktiv i shoqërisë.
Shkaku i frustrimit i shprehur përmes rezistencës aktive apo apatisë nga rinia është mungesa e një mburojë ndaj ndikimeve të rënda të politikës që s’kërkon asgjë më shumë veç bindje dhe shërbim për interesat e kastës sunduese, menjëherë! Në atë rast, krejt çfarë mund të shpresosh në afatin e shkurtër janë dromcat që mbeten në tryezë. Në anën tjetër, hapësira publike (si dhe ajo private në kohën e fundit) mbeten të mbyllura për të gjithë ne në shtegun e aktualizimit personal dhe kolektiv. Duke mos mundur ta gjejmë atë, e lëre më një punë adekuate, për t’u avancuar, për të marrë pjesë në hapësirën publike ose për t’u ndier i vlerësuar dhe i respektuar, rinia ballkanase po e humb shpresën për progres dhe besimin në ndryshim. Dhe kjo është vetëm një pjesë e arsyeve përse të rinjtë vazhdimisht po i bojkotojnë zgjedhjet dhe po votojnë me këmbë. Përderisa nuk ka ndonjë ndërrim thelbësor për punën dhe mundin që vlerësohet, dhe përderisa cilësia personale nuk bëhet virtyt, situata nuk do të ndryshojë. Për shumë, si dhe për mua, situata ndryshoi kur lamë Ballkanin. Fatkeqësisht, ne ende po i diskutojmë shkaqet dhe ndikimet – kurse zgjidhjet nuk shihen gjëkundi.
[1] https://ec.europa.eu/eurostat/documents/4031688/10361659/KS-03-20-002-EN-N.pdf/26f0dc16-4a08-2707-f8d5-8b1b84794169
[2] http://rs.n1info.com/Vesti/a462779/Dinic-Srbiju-godisnje-napusti-300-lekara-to-se-mora-spreciti.html
[3] https://www.statista.com/statistics/812963/youth-unemployment-rate-in-serbia/
[4] https://freedomhouse.org/report/freedom-world/2020/leaderless-struggle-democracy
—
Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.
Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon.
—–
Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.