Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Ndikimi i fushatave zgjedhore në mirëqenien psikologjike të fëmijëve

Tashmë zgjedhjet kanë përfunduar, por në debatin publik po mungon trajtimi i mjaftueshëm i një fenomeni serioz në shoqërinë kosovare: keqpërdorimi i fëmijëve në fushata zgjedhore.

Ky fenomen, i cili shpesh normalizohet ose kalon pa vëmendje kritike, ngre shqetësime të mëdha etike dhe ligjore, pasi përfshirja e fëmijëve në aktivitete politike jo vetëm që cenon mbrojtjen e tyre, por edhe dëmton standardet demokratike dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Mungesa e reagimit institucional dhe shoqëror ndaj kësaj praktike tregon nevojën për një diskutim më të thellë mbi përgjegjësinë e partive politike dhe të prindërve, si dhe mekanizmat e mbrojtjes së të miturve.

Fëmijët si pjesë e komuniteteve tona jetojnë në të njëjtin mjedis social e politik sikur të rriturit. Ata dëgjojnë diskutimet në familje, shohin reklamat politike në media e rrjete sociale dhe ekspozohen ndaj atmosferës që krijohet gjatë fushatave zgjedhore.

Është lehtësisht e evidentueshme prania e fëmijëve në aktivitete zgjedhore. Edhe pse kjo mund të duket e padëmshme, ekspertët e të drejtave të fëmijëve theksojnë se fëmijët nuk duhet të përdoren si “mjete” politike.

Rasti i vajzës së vogël që mori pjesë në një tubim politik gjatë zgjedhjeve që sapo lamë pas, tregon, ndër të tjerash, mungesën e vetëdijesimit të prindërve për privatësinë e fëmijëve të tyre dhe pasojat e mundshme psikologjike që mund të sjellë ekspozimi publik i një fëmije.

Fëmijët mund të mos jenë në gjendje të kuptojnë plotësisht mesazhet politike apo pasojat e pjesëmarrjes së tyre në këto aktivitete. Për më tepër, ekspozimi ndaj turmave të mëdha dhe situatave të tensionuara mund të krijojë pasiguri ose stres të nivelit të lartë.

Edhe pse në Rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) thuhet se pjesëmarrja e fëmijëve në fushatë zgjedhore mund të bëhet vetëm me prezencën ose pëlqimin e prindërve, për profesionistet e shëndetit mendor, pjesëmarrjet e tilla me prezencë apo pa prezencë të prindërve nuk rekomandohen, me qëllim të ruajtjes së shëndetit emocional të tyre.

Literatura për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve tregon se nëse debati politik karakterizohet me gjuhë agresive, konflikte, polarizim apo përhapje të frikës, ndikimi te fëmijët mund të jetë shumë i madh dhe me pasoja afatgjata.

Ata mund të ndihen të shqetësuar kur dëgjojnë debate të ashpra mes të rriturve, ose kur përballen me mesazhe negative në media dhe rrjete sociale. Fëmijët më të vegjël shpesh nuk arrijnë t’i kuptojnë plotësisht këto situata, por reagojnë ndaj emocioneve që perceptojnë në mjedisin e tyre.

Kështu, kur një fëmijë ekspozohet publikisht në një kontekst politik, ai mund të bëhet pjesë e një debati që nuk e kupton dhe për të cilin nuk ka dhënë pëlqim të vetëdijshëm. Kjo mund ta vendosë atë në një pozitë të pakëndshme, sidomos kur imazhi apo deklaratat e tij shpërndahen në media apo rrjete sociale.

Në raste të tilla, fëmija nuk përballet vetëm me momentin e pjesëmarrjes në një tubim, por edhe me pasojat që mund të zgjasin përtej atij momenti. Komentet publike, interpretimet politike dhe reagimet emocionale të të rriturve, mund të krijojnë ndjenjë pasigurie, turpi, frike ose konfuzioni.

Në gjithë këtë proces mediat kanë një rol të rëndësishëm. Sipas Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-Vizuele, publikuar nga Komisioni i Pavarur për Media, është shumë e rëndësishme mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve nga përmbajtjet që mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mental dhe moral, ose që mund të zbulojnë identitetin e tyre.

Pra, raportimi i përgjegjshëm gjatë fushatave zgjedhore duhet të respektojë privatësinë dhe dinjitetin e fëmijëve.

Fotografitë, intervistat apo pamjet e tyre nuk duhet të publikohen pa kujdes dhe pa marrë parasysh interesin, në të mirë të fëmijës. Në epokën digjitale, kur informacioni shpërndahet me shpejtësi, mbrojtja e identitetit dhe e privatësisë së fëmijëve është më e rëndësishme se kurrë.

Fëmijët nuk janë votues, por janë qytetarë me të drejta sipas ligjit. Si rrjedhojë, ata meritojnë të rriten në një mjedis ku proceset demokratike zhvillohen me respekt, përgjegjësi dhe kujdes për mirëqenien e tyre.

Fushatat zgjedhore nuk duhet t’i shohin fëmijët si “mjete promovimi”, por si individë që kanë nevojë për mbrojtje dhe për mundësi që zëri i tyre të dëgjohet në mënyrë të përshtatshme. Duke i mbrojtur dhe respektuar fëmijët gjatë fushatave zgjedhore, ne kontribuojmë në ndërtimin e një kulture demokratike më të shëndetshme dhe më të drejtë për brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm.

 

 

Author

  • Violeta Zefi

    Violeta Zefi ka ndjekur studimet themelore dhe ato master, në fushën e Psikologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2017 ka përfunduar studimet e doktoratës në Masaryk University, Republikë Çeke. Aktualisht është ligjëruese në Kolegjin “UBT”, dhe në të njëjtën kohë ndjek specializimin në fushën e “Psikologjisë Klinike”. Nga viti 2006 ka punuar për organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Përpos ligjërimit ajo punon edhe si Psikologe në Asociacionin Kosovar të Personave që Jetojnë me HIV/AIDS (në kuadër të Global Fund për HIV/AIDS) dhe njëkohësisht është e angazhuar si psikologe, konsulente dhe trajnere në projekte të ndryshme.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.