Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Incizimi dhe fotografimi i telefonit të deputetit në Kuvendin e Kosovës: liri mediale apo shkelje e privatësisë?

Prej vitesh, mediat në Kosovë kanë publikuar përmbajtje nga telefonat e deputetëve duke fotografuar dhe incizuar telefonat e tyre gjatë seancave në Kuvendin e Kosovës. Kështu, mediat kanë përfituar nga pozicionimi i kamerave në pjesën e sipërme të sallës, prapa deputetëve.

Kjo praktikë ka ngritur shqetësime serioze lidhur me privatësinë, duke qenë se telefoni konsiderohet mjet personal dhe pjesë e komunikimit të mbrojtur.

Kjo ngre një pyetje thelbësore: a po e shkelin mediat të drejtën për privatësi të deputetëve, apo po ushtrojnë funksionin e tyre të informimit në interes publik?

Rasti më i fundit që ka tërhequr vëmendjen e publikut lidhet me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, të cilit gjatë seancës së Kuvendit më 27 prill për zgjedhjen e presidentit iu publikuan mesazhe nga telefoni. Në njërin prej tyre, ai shkruante: “Po e zgjedhim ‘karate’ [presidentin], pastaj të shohim çfarë thotë Kushtetuesja.”

Në seancën e 20 majit 2021, deputetit Xhavit Haliti iu publikuan në media disa mesazhe lidhur me çështje pronësore, për të cilat ai më pas deklaroi se po komunikonte me vëllain e tij për ndarjen e trashëgimisë.

Në të dyja rastet, deputetët Bardiqi and Haliti kanë deklaruar se u është cenuar e drejta e privatësisë, duke argumentuar se gazetarët nuk kishin të drejtë t’ua fotografonin telefonat. Megjithatë, rastet dallojnë në përmbajtje: në rastin e Bardiqit, mesazhet lidhen me situatën politike, ndërsa në rastin e Halitit bëhet fjalë për komunikim privat.

Por, në cilin rast kemi shkelje të së drejtës së privatësisë? A cenohet kjo e drejtë edhe kur mesazhet kanë interes publik, apo natyra e përmbajtjes nuk ndryshon vlerësimin juridik të rastit?

Fillimisht duhet sqaruar se kemi të bëjmë me dy të drejta kushtetuese: të drejtën për privatësi në njërën anë dhe lirinë e shprehjes dhe shtypit në anën tjetër, si të drejta të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe me akte ndërkombëtare.

Por, në rastet kur këto dy të drejta janë në konflikt njëra me tjetrën, duhet bërë balancën se cila është mbi të tjetrën dhe kjo bazohet varësisht nga rrethanat e rastit konkret.

Pavarësisht mungesës së praktikës gjyqësore në Kosovë për raste të tilla, Neni 53 i Kushtetutës obligon institucionet që interpretimin e të drejtave të njeriut ta bëjnë në përputhje me vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ). Kjo e fundit ka trajtuar raste ku figura publike pretendojnë shkelje të privatësisë sipas Nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa mediat mbrojnë publikimet e tyre në bazë të Nenit 10, që garanton lirinë e shprehjes që përfshin lirinë e shtypit.

Një nga standardet e vëna nga kjo Gjykatë për balancimin e këtyre dy të drejtave është përcaktuar në rastin Standard Cerlags BMBH kundër Austrisë: “Një element vendimtar në arritjen e ekuilibrit mes lirisë së shprehjes dhe të drejtës së privatësisë është se deri në çfarë mase teksti kontestues ka kontribuar në një debat me interes publik”.

Ndërsa se çka konsiderohet interes publik, GjEDNJ-ja në rastin Satakunnan Markkinaporssi Oy dhe Saramedia Oy kundër Finlandës, ka përcaktuar: “Interesi publik lidhet me çështjet që prekin publikun në një masë të tillë që i legjitimon të kenë interes për to, të cilat tërheqin vëmendjen e publikut ose e shqetësojnë në një shkallë të konsiderueshme, veçanërisht kur ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve ose në jetën e komunitetit. Kjo vlen edhe për çështjet që janë në gjendje të krijojnë polemika të mëdha, të cilat kanë të bëjnë me një çështje të rëndësishme shoqërore ose një problem për të cilin publiku do të kishte interes të informohet”.

Por, jo çdo gjë që i intereson publikut mund të konsiderohet interes publik – pra çështje me rëndësi publike që i shërben debatit shoqëror.

Kështu, me qëllim të mbrojtjes së jetës private, GjEDNJ-ja në rastin Couderc dhe Hachette Filpacchi Associes kundër Francës ka përcaktuar: “Interesi publik nuk mund të përfshijë etjen e publikut për informacion në lidhje me jetën private të të tjerëve edhe nëse të njëjtit janë të njohur apo figura publike me qëllim që ta plotësojë dëshirën e lexuesit për bujë apo edhe soditje”.

Në këtë rast, Gjykata ka shtjelluar qartë se e drejta e figurave publike për të mbajtur sekret jetën e tyre private në parim është më e gjerë kur nuk mbajnë ndonjë funksion zyrtar dhe është më e kufizuar kur e mbajnë një funksion të tillë. Fakti i ushtrimit të një funksioni publik ose i aspiratës për post politik e ekspozon patjetër individin në vëmendjen e bashkëqytetarëve të vet.

Është gjithashtu me rëndësi vendi ku fotografohen deputetët, pra nëse është vend privat apo vend publik. Në këto rrethana, Kuvendi nuk mund të konsiderohet vend privat dhe marrë parasysh se të gjithë deputetët e dinë vendin ku pozicionohen mediat brenda sallës së Kuvendit dhe pritjet për privatësi i kanë më të vogla, duhet të jenë të kujdesshëm për veprimet e tyre, pasi mbizotëron liria e shtypit.

Në këtë kuptim, bazuar në standardet e lartcekura të GJEDNJ-së, në rastin e deputetit Naim Bradiqi, mund të konstatojmë se nuk ka shkelje të privatësisë sepse mesazhet e fotografuara i shërbejnë debatit të përgjithshëm publik.

Ndërsa rasti i Xhavit Halitit është një shkelje e pastër e privatësisë, pasi tema e mesazheve të publikuara ka qenë private dhe një komunikim normal mes anëtarëve të familjes – përkatësisht ndarja e pronave të trashëguara, andaj privatësia e deputetit në këtë rast është mbi lirinë e mediave.

Megjithatë, lidhur me këtë formë të raportimit nga mediat, duhet të sqarohet se rasti i deputetit Haliti është më i rrallë, për të mos thënë i izoluar sa i përket publikimit të artikujve me përmbajtje private, pasi të gjithë artikujt me mesazhe të deputetëve në Kuvend lidhen me funksionin dhe përgjegjësitë e tyre si të zgjedhur të popullit.

Në përgjithësi, mediat në Kosovë, deri më tash, kanë qenë të kujdesshme për respektimin e standardeve etike dhe detyrimeve ligjore lidhur me privatësinë e deputetëve.

Si përfundim, balancimi mes lirisë së privatësisë së deputetit dhe lirisë së mediave duhet të nxirret varësisht nga rrethanat e rastit konkret, duke u bazuar në standarde të GJEDNJ-së – si “Rojtari” kyç institucional për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Europë.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.