Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Fakelajme dhe Fakefushata

Kur publicisti anglez Benjamin Harris, më 1690, botoi gazetën Publick Occurrences Both Forreign and Domestick, në hyrje të saj shkroi se do të raportonte “asgjë tjetër, përveç asaj që kemi arsye të besojmë se është e vërtetë”.

Arsyeja për të besuar në të vërtetën është po aq e nevojshme sa edhe atëherë, megjithëse në kontekstin aktual nëpër të cilin kalojmë si shoqëri termet arsye, besim dhe e vërtetë, kanë pësuar një shkëputje totale nga njëra-tjetra.

Ka gjithnjë e më pak arsye, gjithnjë e më pak besim në nevojën e përbotshme të quajtur e vërtetë.

Ka kaq shumë burime, kaq shumë informata, por gjithnjë e më pak interesim për të vërtetën.

Kësisoj, beteja e dikurshme për të vërtetën sot është transformuar në betejë kundër dezinformatave. Humbja e relevancës së të vërtetës ka gjetur terren perfekt në dy kampe: në atë të medias dhe në atë të politikës.

Derisa përhapja e fake news vite më parë ishte tipar i mediave sociale, të cilat në përpjekje për rritjen e audiencës nuk kurseheshin nga to, tashmë është mjet në duar të një pjese të partive politike, të cilat pa asnjë hezitim janë bërë pjesë e kësaj vorbulle.

Prandaj, dezinformimi më nuk është fenomen medial, por ka marrë konotacion të fenomenit politik.

Subjekte politike apo grupe të lidhura me to shfrytëzojnë besimin e ulët politik të grupeve të caktuara, duke përdorur dezinformimin me synim për të përfituar politikisht.

Slopaganda dhe manipulimi digjital

Dezinformimi në Kosovë, sikurse edhe në shumë pjesë të botës, nuk është më vetëm devijim medial, por instrument i organizuar politik, ndaj në këtë funksion, prodhimi i përmbajtjeve masive dhe të paverifikuara duke përdorur AI-në është shndërruar në mjet elektoral.

Kosova përbën terren të përshtatshëm për një gjë të tillë, duke ditur shtrirjen e internetit në nivel shtetëror.

Të dhënat flasin për përdorim të internetit në masën 96.6 për qind të popullsisë.

Kjo statistikë është sinjal i qartë se mundësia për të krijuar percepcion elektoral është e madhe nga grupet që synojnë këtë gjë.

Stuhia e përdorimit të profileve fake tashmë është bërë e zakonshme dhe është shndërruar në slopagandë – përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që shpërndahet për t`i manipuluar bindjet për qëllime politike.

Prodhimi i përmbajtjeve të tilla e ka karakterizuar fushatën elektorale të dhjetorit të vitit të kaluar, teksa vazhdon edhe kësaj radhe me prezencë më të madhe.

Politikanë që grushtohen, të veshur me uniforma ushtarake, interpretim këngësh apo fjalime në të cilat devijohet qëllimshëm esenca e deklarimit, po e dominojnë sferën e mediave sociale, me përqendrim më të madh në Facebook, TikTok, por të shpërndara edhe në platforma të tjera.

Mark Alfano, filozof amerikan dhe profesor i asociuar i filozofisë në Universitetin Macquarie, thotë se demokracitë në mbarë botën po vuajnë nga mashtrimi i gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Një mashtrim i tillë ndodhi në Amerikë, në vazhdën e fushatës së zgjedhjeve të mesmandatit. Përfaqësuesi demokrat i shtetit të Teksasit, James Talarico, në një video të bërë me AI, pretendohet të ketë dhënë deklaratë shokuese. Dëshmitë thonë se një video e tillë është gjeneruar nga AI-ja.

Sipas ekspertëve të politikës dhe një analize të Reuters-it mbi reklamat publike elektorale, republikanët deri më tani duket se po e përdorin teknologjinë më intensivisht sesa demokratët gjatë këtij cikli zgjedhor.

Të tilla video, me përmbajtje tjetër, po prodhohen edhe në Kosovë.

Video, anketime dhe opinione qytetarësh me AI, shpërndahen në vazhdimësi nga një profil në Facebook, i cili në ballinë të tij afishon titullin “Lajmet e fundit nga Peja, në kohë reale”.

Në fakt, ky profil as nuk merret me lajmet e as me Pejën, sikurse edhe profili tjetër që mban emrin Kosova.info +.

Me profilin publik, përgjatë kësaj parafushate, është regjistruar rasti i një kandidati, i cili ka postuar një video të punuar me AI.

Megjithatë, pavarësisht akuzave ndërmjet subjekteve politike, ende nuk ka ta dhëna nga organet përgjegjëse nëse prapa këtyre profileve qëndrojnë individë apo grupe të lidhura me cilëndo parti politike.

Në të njëjtën mënyrë janë prodhuar edhe sondazhe fake. Një  rast i tillë është përgënjeshtruar nga platforma Hibrid.info.

Deri tash, nga përdorimi i profileve të tilla, vetëm në një rast është konfirmuar se kush qëndron prapa tij.

Por, shumë sosh që operojnë në rrjete sociale mbeten enigmë. Një aksion për revidimin e profileve të tilla është zhvilluar në vitin 2019 nga ana e Facebook-ut.

Në mesin e llogarive fake që ka reviduar FB atëkohë janë edhe 212 faqe nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, të cilat thuhet se “kanë bërë shpërndarjen e përmbajtjes së përgjithshme, jo specifike për vendin”.

Kjo që po ndodh në Kosovë nuk është fenomen i izoluar. Raportet ndërkombëtare kanë identifikuar se përdorimi i AI-së dhe propagandës digjitale ka cenuar proceset zgjedhore në disa shtete ballkanike.

Modeli hungarez

Përdorimi i këtyre profileve për të zhvilluar beteja politike tashmë mund të konsiderohet një veprim gjithnjë e më “i normalizuar”. Synimi është i qartë, të diskreditohen kundërshtarët politikë, të shkaktohet manipulim emocional, të krijohet konfuzion publik apo të delegjitimohen rivalët politikë.

Por, a do të mbetet AI-ja mjet vetëm në fushëbetejën ndërmjet partive politike, apo do të kthehet e tëra kundër tyre, është vështirë të parashikohet.

Rreziqet janë të mëdha, në kohën kur në shumë vende janë evidentuar raste të interferimit në procese zgjedhore nëpërmjet AI-së.

Rasti më i freskët është me zgjedhjet e fundit në Hungari. Sipas Euronews, dezinformimi, propaganda digjitale dhe AI-ja, u përdorën masivisht në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë më 2026.

Të dy kampet, pozitë dhe opozitë, rivalizuan nëpërmjet dezinformatave të prodhuara me AI në rrjete sociale.

Kësisoj, partia e Viktor Orbán-it krijoi një program të rremë elektoral për opozitën, sipas të cilit pretendohej se ndër të tjera do të ketë taksa edhe për mace e qen. Për ta bërë të besueshëm këtë pretendim, u krijuan dokumente të rreme në mënyrë që propaganda të dukej e vërtetë.

Përveç kësaj, partia në pushtet krijoi grupe private masive në Facebook, si “Fighters Club” dhe “Digital Civic Circles”, të cilat përbëheshin nga dhjetëra-mijëra anëtarë për koordinim të komenteve, shpërndarje të organizuar dhe përmbajtje artificiale. AI-ja u përdor edhe për manipulim emocional. U gjeneruan video me AI, në të cilat politikanë të opozitës paraqiteshin me uniforma ushtarake, apo të rinjtë hungarezë duke shkuar në luftë, me të cilën synohej krijimi i frikës se opozita do ta fuste Hungarinë në luftën Rusi-Ukrainë.

Në të kundërtën, edhe opozita përdori mjetet e njëjta për t`u qëndruar përballë rivalëve politikë.

Partia opozitare Tisza përdori AI-në duke krijuar imazhe me modelin e ballinës së TIME Magazine, ku liderët e tyre paraqiteshin si persona të vitit.

Ndërmjet këtyre dy blloqeve politike hungareze, siç pritej, pati ndërhyrje edhe Rusia. Operacionet e koduara ruse “Matryoshka” dhe “Storm-1516”, gjeneruan video false, imituan media reale, shpërndanë lajme manipuluese, shumë prej tyre në gjuhën angleze.

Duke e parë shembullin e Hungarisë, mbajtja në sipërfaqe e përplasjeve nëpërmjet të përdorimit të AI-së si armë elektorale në parafushatë apo fushatë zyrtare, mund të shkaktojë probleme më serioze sesa akuzat reciproke.

Tendencat e vazhdueshme serbe dhe ruse për të interferuar në zhvillimet në Kosovë nuk manifestohen më vetëm nëpërmjet kërcënimeve tradicionale ndaj sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial, por gjithnjë e më tepër nëpërmjet metodave të sofistikuara të luftës hibride, që përfshijnë dezinformimin, manipulimin digjital, propagandën dhe ndërhyrjet në proceset demokratike

Rrjedhimisht, ky polarizim mund të instrumentalizohet nga faktorë destabilizues të jashtëm, të cilët, siç është parë në Hungari së fundi, përdorin ndërhyrjet hibride për të interferuar në zgjedhje, me tentimin për të nxitur kaos politik e shoqëror.

Përvoja e Hungarisë dëshmon se rreziku nuk është as i largët e as abstrakt, sikurse që nuk janë larg as zgjedhjet tona. Prandaj, subjektet politike, pavarësisht dallimeve ideologjike apo pozicionimit politik, duhet të reflektojnë mbi pasojat që sjell normalizimi i dezinformimit dhe ta zhvillojnë garën elektorale mbi premisën e premtimeve reale, qëndrimeve autentike dhe ballafaqimit të ideve me argumente, e jo me manipulim.

Me fjalë të tjera, siç do të thoshte filozofi skolastik Thomas Aquinas: E vërteta nuk humb nga fakti që disa s`e besojnë, sikundër që as gënjeshtra nuk bëhet e vërtetë sepse disa e besojnë.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.