Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mundësitë e humbura: E-mësimi krahas të rinjve dhe të rejave romë, ashkalinj dhe egjiptianë

Ilustrimi: BigEye

Nxënësit kosovarë hasën në vështirësi të përshtaten me “realitetin e ri” të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Mbyllja e shkollave shtyu institucionet arsimore që të implementojnë mësimin në distancë, duke e parë teknologjinë si të vetmen alternativë për vazhdimin e procesit mësimor. Mirëpo, të dhënat e nxjerra nga KCDE kanë treguar se jo të gjithë fëmijët kanë përfituar nga ky intervenim. Në veçanti, personat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian u përballën me një mori sfidash, siç janë infrastruktura e papërshtatshme digjitale e deri te njohuritë e kufizuara digjitale, të cilat penguan shumicën prej tyre të kenë qasje në arsim. Këto probleme e bënë të pamundur adaptimin e teknologjisë mësimore. Si rezultat, u ngritën shqetësime të mëdha në lidhje me humbjen e mësimit që e përjetuan grupet e margjinalizuara në Kosovë.

Mungesa e disponueshmërisë së pajisjeve elektronike qëndron të jetë një nga arsyet pse “mësimi në distancë” nuk ishte implementuar nga të gjithë. Shumë familje rome, ashkalike dhe egjiptiane nuk posedonin pajisje (tabletë apo laptopë), të cilat pajisje janë të domosdoshme për mësimin në distancë, dhe kështu nuk ishin të përfshirë në programe të E-mësimit. Për shembull, Admovere, një organizatë jofitimprurëse e cila fokusohet në promovimin e arsimit në Kosovë, ka publikuar një raport ku thuhet se rreth 51% e nxënësve të grupeve të lartcekura në Komunën e Ferizajt nuk kanë marrë pjesë në këto programe. Si rezultat, këto statistika kanë bërë që shumë në këto komunitete të arrijnë në përfundim se mospërfshirja e nxënësve ishte për shkak të mungesës së burimeve. Kjo situatë shqetësuese i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës të krijojë mekanizma për ta lehtësuar shpërndarjen e pajisjeve për familjet e margjinalizuara.

Është e domosdoshme që institucionet relevante në Kosovë të sigurojnë që nxënësit t’i kenë pajisjet e nevojshme për mësimin në distancë apo E-mësimin. Të njëjtit po ashtu duhet të jenë të vetëdijshëm se posedimi pajisjeve nuk mjafton. Shumë prindër përdorën burimet që kishin në dispozicion duke ndarë telefonat e tyre në mënyrë që fëmijët të mund të ndiqnin E-mësimet. Një studim i nxjerrë nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) vuri në pah se kjo marrëveshje stresuese vendosi një barrë të papërballueshme për familjet rome, ashkalike dhe egjiptiane. Me fjalë të tjera, mungesa e dukshme e pajisjeve elektronike shtesë bëri që shumë njerëz të besonin se këto programe mësimore nuk ishin zgjidhje praktike. Investimi në pajisje elektronike duhet të bëhet për shkollat dhe familjet me fokus në këto komunitete, meqë mungesa e ofrimit të mbështetjes së nevojshme do ta dëmtonte procesin e digjitalizimit të sistemit arsimor në Kosovë.

Megjithëse sigurimi që pajisjet të jenë në duart e nxënësve është thelbësor, zyrtarët në Kosovë duhet të bëjnë më shumë për nxënësit nga këto grupe që dëshirojnë të arsimohen. Veçanërisht, ata duhen të fillojnë duke pranuar se problemet që u shfaqën gjatë pandemisë u përkeqësuan nga shkalla e varfërisë që është e pranishme në këto komunitete. Joqëndrueshmëria socio-ekonomike, ndër çështjet e tjera strukturore, u citua në një raport të fundit të nxjerrë nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) mbi komplikimet më të mëdha që kufizuan iniciativat e mësimit në distancë për të rinjtë në Kosovë. Pabarazitë e gjetura jashtë këtyre institucioneve, siç është diskriminimi në punësim me të cilin përballen prindërit, ndikuan negativisht në produktivitetin e fëmijëve. Mbi të gjitha, politika e zbatuar nga qeveria nuk llogariti pabarazitë e shkaktuara nga kriza COVID-19. Një qasje gjithëpërfshirëse për promovimin e mësimit në distancë, e përqendruar në ofrimin e zgjidhjeve teknologjike të përshtatura për nevojat e komuniteteve, duhet të miratohet nga institucionet relevante të arsimit.

Megjithëse mësimi në distancë është formë e mësimit që mund ta bëjë mësimin më të qasshëm, është e qartë se për të rinjtë dhe të rejat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nuk ka qenë gjithmonë opsion adekuat. Si fillim, politikëbërësit duhet të luajnë rolin e tyre që t’i drejtojnë burimet e nevojshme te shkollat të cilat u shërbejnë këtyre komuniteteve. Të njëjtit po ashtu duhen të ofrojnë ndihmë për familjet nga këto komunitete, duke vendosur masa që do t’u ofronin atyre mbështetje në rast se shkollat mbyllen përsëri. Përfundimisht, ndërhyrjet duhet të jenë të zgjeruara në fushëveprimin e tyre, duke propozuar rrugë drejt digjitalizimit të sektorit arsimor, rrugë të cilat janë praktike dhe të përshtatshme për këto komunitete.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.