Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Krizë pas krize: sagës së votimit të presidentit po i afrohet fundi

Ilustrimi nga Big Eye.

Ende pa tejkaluar nga përfundimi i krizës politike rreth formimit të qeverisë, për të cilën u deshën dy palë zgjedhje, Kosova po kalon drejt një krize të re.

Duket sikur është bërë e vështirë të çlirohemi nga kriza si mendësi, sikur kemi krijuar një varësi nga drama politike për konsum ditor.

Tashmë kemi hyrë në javën e fundit për zgjedhjen e presidentit. Edhe pse po afrohemi drejt fundit të afatit kushtetues, ende nuk kemi ndonjë kandidat konkret, përveç gatishmërisë së presidentes Vjosa Osmani për një mandat të dytë.

Por, kandidatura e presidentes Osmani nuk po duket e sigurt. Partia në pushtet, ndryshe nga herët e kaluara, ka hequr dorë nga arroganca e numrave dhe po shfaqet e hapur për bashkëpunim me opozitën për një kandidat konsensual.

Kjo sinjalizon një strategji të mirëfilltë politike për ta hequr barrën e përgjegjësisë nga mosmbështetja për kandidaturën e presidentes Osmani, por edhe për të hedhur topin në fushën e opozitës, e cila edhe një herë po dëshmon pamundësinë për të krijuar ofertë konkrete politike, qoftë edhe duke sjellë një emër në tavolinë.

Paqartësia si taktikë politike

Vetëvendosje po vazhdon të shmangë pyetjen thelbësore: A e mbështet realisht Osmanin si kandidate të saj? Kjo mospërgjigje nuk është thjesht hezitim, por kalkulim milimetrik politik, që edhe duket shumë parimor, se për presidentin vendoset bashkërisht me opozitën.

Këtu qëndron thelbi i problemit: raporti i Osmanit me opozitën gjatë mandatit të saj ka qenë i tensionuar. Ajo nuk ka investuar kapital politik për të ndërtuar ura bashkëpunimi; përkundrazi, në disa momente, ka antagonizuar hapur opozitën.

Përtej afrimit me partinë në pushtet, presidenca e saj është karakterizuar edhe nga qëndrime të perceptuara si të paqëndrueshme dhe inkonsistente në momente kyçe politike, si dhe nga një mungesë e qartë e përpjekjeve për të ndërtuar unitet institucional.

Në raste të caktuara, janë ngritur pikëpyetje edhe mbi respektimin strikt të parimeve kushtetuese dhe rolin e presidentit si figurë mbi-partiake. Për më tepër, tensionet e theksuara me Donika Gërvalla-Schwarz kanë prodhuar tashmë një pasojë të prekshme politike.

Lista Guxo, subjekti politik të cilin vetë Osmani e krijoi, nuk ka shfaqur gatishmëri për ta shtyrë apo garantuar mbështetjen për kandidaturën e saj për presidente brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Edhe pse në një marrëdhënie shumë delikate politike me kryeministrin Kurti, presidentja Osmani i ka ‘vendosur të gjitha vezët në shportën e Vetëvendosjes’ si shumicë parlamentare. Mirëpo, kjo strategji rrezikon ta lërë pa garanci as për 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim, e aq më pak për 80 votat për kuorum. Për më tepër, mbështetja e Vetëvendosjes për presidenten Osmani asnjëherë nuk ka qenë e garantuar gjatë mandatit të saj.

Tani, pyetja kryesore është nëse i leverdis Kurtit një figurë me lidership të fortë, e cila ushtron mandatin e saj pavarësisht, duke balancuar pushtetin dominant të Vetëvendosjes, apo një president që, megjithatë, nuk vendos qeverinë nën hije për sa i përket lidershipit, politikës së jashtme, dhe nuk sfidon qeverinë në politikën e brendshme?

Osmani në mandatin e dytë mund të jetë një figurë që nuk mund të parashikohet lehtë. Ajo ka shkëlqyer në politikën e jashtme dhe shpesh ka lënë nën hije kryeministrin dhe ministren e Jashtme. Kjo sidomos në suksesin për njohje të reja (Siria dhe Bahamas) dhe anëtarësimin në Bordin e Paqes, ku shpesh u prodhuan faits accomplis, duke e vendosur Kurtin përballë një realiteti të kryer.

Përtej kritikave në politikën e brendshme kosovare, presidentja Osmani ka pasur një performancë relativisht të mirë në politikën e jashtme, duke i sjellë vendit njohje të reja, takime bilaterale dhe përfaqësim dinjitoz diplomatik, gjë që ka munguar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministrisë së Jashtme.

Në këtë kontekst, një mandati i dytë për Osmanin do t’i shërbente asaj në zhvillim të thellimit të figurës së saj politike, që do t’i shërbente pozitivisht karrierës së saj politike.

Pra, Osmani paraqet një dilemë reale politike për Kurtin. E lënë jashtë Presidencës, ajo mund të rikthehet në politikë partiake dhe të shndërrohet në një figurë të rëndësishme opozitare. Në një vakum lidershipi në opozitë, Osmani mbetet figurë me kapacitet mobilizues dhe me rrjet ndërkombëtar që pak politikanë në Kosovë e kanë.

Lënia e saj jashtë Presidencës mund të rikonfigurojë skenën opozitare dhe të krijojë një dinamikë të re përballë një pushteti të konsoliduar. Në këtë skenar, balanca politike në vend do të hynte në një fazë më konkurruese dhe potencialisht më pluraliste.

Konsensusi si simbolikë boshe

Në mungesë kandidatësh konkretë, debati ka rrëshqitur drejt simbolikës. Instrumentalizimi i sakrificës së familjes Jashari për të treguar “gatishmëri për konsensus” është shembulli më i qartë. Përdorimi i historisë për konsum politik, pa e materializuar realisht, tregon mungesë ndjeshmërie dhe e kthen procesin në shfaqje.

Distancimi i familjes Jashari nga kjo lojë duhet të jetë pikë përmbyllëse e këtij manipulimi.

Por, çfarë nënkuptojmë me “kandidat konsensual”? Konsensual për kë? Për partitë? Për qytetarët? Apo për realitetin e ri global që kërkon diplomaci të sofistikuar për të naviguar Kosovën në ujëra të stuhishme ndërkombëtare?

Kosova nuk ka kohë për të humbur me një kandidat pa përvojë dhe pa eksperiencë ndërkombëtare.

Megjithatë, partia në pushtet dhe partitë opozitare kanë vendosur që të taktizojnë deri në momentet e fundit, duke mos publikuar emrat e kandidatëve.

Strategjia e mospublikimit të emrave të kandidatëve deri në fund është taktike. Me numrat që ka në Parlament dhe me faktin që opozita nuk ka interes për zgjedhje të reja, Kurti megjithatë është në avantazh politik dhe psikologjik.

Ndërkohë, opozita duket e paralizuar. LDK-ja kërkon marrëveshje politike, por është e paqartë nëse me shpresën për bashkëqeverisje apo për të shtyrë kandidatin e vet përpara, ani pse nuk ka përmendur asnjë emër publikisht.

PDK-ja mbetet e paqartë dhe e bllokuar nga propozimi për familjen Jashari, si dhe vazhdon bllokimin pa strategji, ngjashëm si vitin e kaluar, pasi deklaroi që nuk ka votë për Osmanin, por as nuk ka propozuar asnjë emër konkret. Si duket, PDK-ja nuk ka mësuar mësimin që barrikadimi nuk sjell asgjë. Për më tepër, tash duket edhe si levë e Kurtit për të anashkaluar Osmanin si kandidate.

Ndërsa AAK-ja nuk e ka peshën politike për të imponuar alternativë, por as nuk ka treguar angazhim politik përtej propozimit sporadik për Ramush Haradinajn.

Megjithatë, bashkë me numrat që kanë, opozita së paku mund të propozojë një emër për ta hapur procesin. Por, të presësh bashkëpunim nga opozita në Kosovë është luks.

Në fund, diskutimi për propozimin e presidentit konsensual duhet të kthehet te profili.

Presidenti konsensual nuk është një figurë që thjesht “nuk refuzohet” për shkak të mbiemrit apo simbolikës familjare. Konsensusi nënkupton mbështetje ndërpartiake për një kandidat që shërben si balancë pushteti, veçanërisht në një kontekst dominimi të një partie, siç e kemi në Kosovë.

Profili duhet të ketë kapacitet unifikues, jo vetëm ndërpartiak, por edhe ndëretnik. Duhet të jetë diplomat i spikatur, me aftësi navigimi në diplomacinë komplekse të kohës.

Dhe në një moment kur Kosova ka nevojë për stabilitet, autoritet dhe orientim të qartë ndërkombëtar, zgjedhja e presidentit nuk është thjesht procedurë, por një test i pjekurisë politike në vitin kur Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.