Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Disinfo

Deepfakes humoristikë dhe forcimi i bindjeve politike nëpërmjet argëtimit

Qytetarët nuk qeshin sepse binden, por binden më shumë sepse qeshin. 

 

Gjatë fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit në Kosovë, një mori deepfakes të politikanëve qarkulluan në media sociale. Deepfake argëtues me politikanë që këndonin, vallëzonin ose shfaqeshin në situata që nuk kishin ndodhur. Disa prej tyre u bënë virale, duke arritur mijëra shikime. Pavarësisht se shumica prej tyre ishin argëtuese, kjo nuk do të thotë se ato nuk kishin ndikim. Zgjedhjet e fundit në Kosovë, sikurse edhe fushatat zgjedhore nga vende të tjera të botës, tregojnë se si prodhohen përmbajtje të caktuara me qëllim që përmes argëtimit të forcohen bindje të caktuara te qytetari. Kur një politikan paraqitet vazhdimisht si i paaftë, arrogant apo qesharak, qytetarët nuk kanë nevojë ta besojnë videon. Mjafton që videoja të përputhet me bindjen e tyre ekzistuese, ndërkohë humori e bën mesazhin më të pranueshëm dhe më të lehtë për t’u shpërndarë.

Studimet nga fusha e psikologjisë kanë treguar tashmë se njerëzit janë të prirë të pranojnë dhe të besojnë më lehtë informacione që konfirmojnë bindjet e tyre ekzistuese. Kjo njihet si paragjykim i konfirmuar dhe është dukshëm i përhapur edhe në shoqërinë e Kosovës, siç e tregon edhe një studim i publikuar së fundi, ku trajtohet fenomeni i dezinformimit në Kosovë. Sipas gjetjeve të këtij studimi të publikuar në revistën shkencore “Central European Journal of Communication”, qytetarët kanë më shumë gjasa të pranojnë narrativa që përputhen me bindjet e tyre paraprake, ndërsa ekspozimi i përsëritur ndaj një narrative rrit gjasat që ajo të perceptohet si e besueshme.

Inteligjenca Artificiale ka mundësuar që në pak minuta të krijohen video, audio apo fotografi të politikanëve duke kënduar, duke vallëzuar apo duke u përfshirë në situata qesharake. Përmbajtja shpërndahet menjëherë në TikTok, Instagram, apo Facebook dhe brenda pak orësh mund të arrijë mijëra apo qindra-mijëra shikime. Ky viralitet patjetër se ndikon te qytetarët. Ndikimi manifestohet në mënyrën se si zhvendoset vëmendja e publikut dhe politika perceptohet si një formë argëtimi, jo si një proces vendimmarrjeje që prek jetën e gjithsecilit. Qytetarët nuk qeshin sepse binden, por binden më shumë sepse qeshin. Prandaj, edhe pse ato duken thjesht për argëtim në shikim të parë dhe ndoshta mendohet që nuk duhet të merren seriozisht, rreziku i manipulimit nëpërmjet humorit dhe argëtimit është real.

Rastet e Deepfakes humoristikë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore

Në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, fushata zgjedhore u karakterizua me numër rekord të përmbajtjeve të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale, që u publikuan gjithandej nëpër media të ndryshme sociale. Shumica prej tyre ishin deepfakes humoristikë, që ndoshta nuk kanë krijuar opinione të reja, por shpesh ato i kanë forcuar opinionet e bindjet që tashmë ekzistojnë te publiku – video dhe fotografi të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale, ku liderët politikë paraqiteshin në situata të ndryshme, nga “martesat” mes partive politike, deri te marrëdhënie hierarkike të imagjinuara mes kundërshtarëve politikë. Fakti që këto përmbajtje arritën dhjetëra e qindra-mijëra shikime, tregon se ndikimi i tyre nuk buronte nga mashtrimi, por nga aftësia për të përforcuar bindje ekzistuese politike. Votuesit që tashmë besojnë se një parti është e afërt me një tjetër, do ta gjejnë “martesën politike” qesharake dhe bindëse në të njëjtën kohë. Votuesit që mendojnë se një lider kontrollohet nga figura të tjera do ta interpretojnë menjëherë metaforën e kukullës si konfirmim të asaj bindjeje. Në këto raste, humori është përdorur si një mekanizëm përmes të cilit stereotipat, paragjykimet dhe perceptimet mbi liderët politikë u bënë më të lehta për t’u pranuar dhe shpërndarë.

 

Përtej mashtrimit: si e formëson humori perceptimin politik?

Prandaj, diskutimi mbi Inteligjencën Artificiale dhe ndikimin e saj në zgjedhje nuk duhet të kufizohet vetëm te pyetja nëse një video apo përmbajtje mediale është e vërtetë apo e rreme. Duhet të pyesim edhe diçka tjetër: Çfarë po i bën ky përdorim i teknologjisë perceptimit të qytetarëve për politikën? Në të ardhmen, krahas sfidës për të detektuar një deepfake, sfidë serioze do të jetë ruajtja e një sfere publike ku qytetarët interesohen për idetë, programet dhe politikat, e jo vetëm për spektaklin. Duke e perceptuar politikën si humor, atëherë rreziku më i madh nga deepfake nuk është mashtrimi sepse është përmbajtje e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, mirëpo fakti që qytetarët argëtohen aq shumë me ato video apo fotografi të gjeneruara me AI, saqë, dalëngadalë, harrojnë pse zgjedhin një parti të caktuar për ta votuar.

Suksesi i këtyre përmbajtjeve nuk varet nga besueshmëria e tyre, por nga aftësia për të aktivizuar dhe përforcuar perceptime ekzistuese te publiku. Një mashtrim i thellë humoristik nuk ka nevojë të jetë i besueshëm për të qenë efektiv, por mjafton që ai të përputhet me bindjet, paragjykimet ose emocionet që shoqëria tashmë i ka. Në këtë kuptim, deepfakes humoristikë nuk funksionojnë si instrumente të gënjeshtrës, por si instrumente të përforcimit të bindjeve politike, duke kontribuar në polarizim dhe në normalizim të narrativave të caktuara politike.

Për këtë arsye, është e domosdoshme që në shoqëri të kultivohet kultura e verifikimit dhe e të menduarit kritik. Krahas aftësimit për të dalluar atë që është artificiale, është po aq e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se si të reflektojmë edhe mbi arsyet pse e pëlqejnë apo besojnë atë që e shohin.

Author

  • Dren Gërguri

    Dren Gërguri, Ph.D., është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, Fulbrighter dhe ish-gazetar. Agjenda e tij kërkimore është në kryqëzimin e dezinformimit, gazetarisë dhe komunikimit politik. Ai ka shërbyer si redaktor i asociuar në revistën shkencore, “Central European Journal of Communication” në periudhën 2023-2025. Gërguri është i angazhuar si konsulent në projekte të ndryshme të organizatave vendore e ndërkombëtare. Gërguri ka botuar katër libra, tre kapituj librash, mbi dhjetë artikuj shkencorë dhe dhjetëra op-ed në fushën e medias. Disa nga op-ed janë përkthyer në rreth 10 gjuhë të huaja, duke përfshirë anglishten, gjermanishten, frëngjishten, rusishten, japonishten, etj.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.