Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Serbia drejt zgjedhjeve të parakohshme: a është kjo beteja e fundit e Vuçiqit?

Më 27 qershor, në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se do të japë dorëheqje në javët në vijim, më pak se një vit para se t’i përfundojë mandati presidencial. Njëkohësisht, ai deklaroi synimin e tij për të kandiduar për kryeministër, kësisoj duke e konfirmuar një nga parashikimet e mia të fundit se Serbia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme këtë vit.

Ndonëse që nga fillimi i vitit 2025, Vuçiqi e ka zënë ngoje disa herë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, veçanërisht pas masivizimit të protestave studentore dhe dorëheqjes së kryeministrit të atëhershëm, Milosh Vuçeviq, këto deklarime në masë të madhe shërbyen si mesazh politik drejtuar mbështetësve të tij.

Megjithatë, këtë herë, njoftimi është ndryshe. Duke u zotuar publikisht për t’u dorëhqur nga posti i presidentit, Vuçiqi e ka krijuar terrenin për zgjedhje të parakohshme presidenciale.

Zgjedhjet e parakohshme mund të ofrojnë një shtegdalje nga kriza politike që e ka kapluar Serbinë që nga nëntori i vitit 2024. Për afro dy vjet, shmangia e zgjedhjeve ka qenë një strategji logjike për Vuçiqin për shkak të protestave masive, bllokadave dhe rënies së mbështetjes publike.

Kjo ngre disa pyetje të rëndësishme. Pse të shpallen zgjedhje të parakohshme presidenciale kur lëvizja studentore ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare? Cili është kalkulimi politik i Vuçiqit? Si dhe, a paraqesin këto zgjedhje sfidën më të madhe të pushtetit të tij për më shumë se një dekadë?

Rreziku elektoral i Vuçiqit

Së pari, shtyrja e vazhdueshme e zgjedhjeve do ta dobësonte përherë e më shumë imazhin e Vuçiqit si lider, veçanërisht në një kontekst të protestave të zgjatura, bllokadave dhe lodhjes politike në rritje. Me kalimin e kohës, mungesa e zgjedhjeve bëhet më e vështirë për t’u arsyetuar dhe opozita e ka më të lehtë ta paraqesë si shmangie.

Së dyti, zgjedhjet e rregullta presidenciale duhet të mbahen deri më 1 maj 2027, por meqë EXPO 2027 hapet më 15 maj, Vuçiqi nuk ka gjasa të rrezikojë e të mbajë zgjedhje aq afër prej nisjes së një nga projektet kryesore të tij. I konsideruar si projekt i rëndësisë kombëtare dhe me vlerë 18 bilionë euro, EXPO 2027 përfshin infrastrukturë të madhe, si, ndër të tjera, hekurudha, autostrada dhe një stadium kombëtar.

Së treti, pasi Kushtetuta ia ndalon Vuçiqit kandidimin për mandatin e tretë presidencial, pritet që ai të shpallë zgjedhje të njëkohësishme, të kandidojë për kryeministër dhe ta shfrytëzojë efektin tërheqës për ta ndihmuar kandidatin e ardhshëm të SNS-së ta fitojë presidencën.

Së fundmi, kjo është një lojë “gjithçka ose asgjë” për Vuçiqin. Ai ka gjasa të përpiqet t’i diskurajojë votuesit e papërcaktuar duke i përmendur rreziqet e ndryshimit politik. Kjo mund të jetë efektive, me sondazhet që tregojnë se deri një e treta e qytetarëve mbesin të papërcaktuar. Gjithashtu, ai mund të llogarisë edhe në mbështetjen e jashtme, pasi disa shtete kyçe anëtare të BE-së kanë qenë të lidhura ngushtë me qeverinë e tij dhe mund të preferojnë që të vazhdojnë tutje për të siguruar përmbushjen e zotimeve të qëmotshme.

Çka mund të pritet nga zgjedhjet e mundshme të parakohshme në Serbi?

Zgjedhjet e parakohshme të vitit 2026 në Serbi pritet të jenë ndër më vendimtaret në dekada, ndoshta më të rëndësishmet që nga rënia e Slobodan Milosheviqit. Ato vijnë në një moment tensioni politik, protestash të zgjatura dhe pasigurie të thellë për trajektoren demokratike të vendit dhe për udhëheqjen e tij të ardhshme.

Sfida më e madhe për Vuçiqin mund të mos vijë nga partitë tradicionale opozitare, por nga Lista Studentore, një lëvizje politike e paregjistruar e Studentëve në Bllokadë, strategjia politike e së cilës është të mos i zbulojë udhëheqësit e saj dhe të mos regjistrohet deri në momentin kur zgjedhjet të shpallen dhe të caktohen zyrtarisht.

Madje, edhe agjencitë e sondazheve që konsiderohen të afërta me partinë në pushtet e vlerësojnë mbështetjen për këtë listë rreth 30 për qind. Kjo tregon se, për herë të parë, Vuçiqi mund të përballet me një sfidues të fortë dhe të besueshëm jashtë sistemit të konsoliduar partiak.

Ajo që shkon në favor të Listës Studentore është se SNS-ja nuk ka një kandidat të fortë përveç Vuçiqit, i cili pritet të kandidojë për kryeministër. Kjo e ekspozon një dobësi kyçe të partisë në pushtet. Rektori i Universitetit të Beogradit, Vladan Gjokiq, shihet në masë të madhe si kandidat i mundshëm presidencial. Ai ka fituar popullaritet të madh dhe mund të shfaqet si një konkurrent serioz.

Modeli historik pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale në Serbi

Historikisht, ndryshimet e mëdha politike në Serbi kanë ardhur përmes zgjedhjeve presidenciale. Slobodan Milosheviqi humbi presidencën në vitin 2000, ndërsa Boris Tadiqi e humbi në vitin 2012. Të dy udhëheqësit shpallën zgjedhje të parakohshme duke besuar se ishin në pozitë të fortë, por të dy u mposhtën.

Milosheviqi kishte shumicë të qëndrueshme parlamentare dhe madje kishte ndryshuar Kushtetutën para se papritur të shpallte zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq, Tadiqi e nënvlerësoi pakënaqësinë publike dhe humbi ndaj Tomislav Nikoliqit.

E përbashkëta është se të dy morën rrezikun e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, e të njëjtën strategji Vuçiqi po e ndjek sot. Kjo ngre pyetjen kyçe që po bëjnë shumë analistë politikë në Beograd: a po e bën Vuçiqi të njëjtin gabim?

Shpresat e Vuçiqit për një fitore të shpejtë mbështeten te fragmentimi i opozitës, te listat e shumta konkurruese, disa prej të cilave mund të mos e kalojnë pragun zgjedhor prej 3%, si dhe te prania e kandidatëve më të dobët, listave të mundshme të rreme dhe presioneve e parregullsive më të gjera që mund t’i sigurojnë atij mjaftueshëm mbështetje për një fitore të ngushtë.

Zgjedhjet e parashikueshme të parakohshme në Serbi mund të shënojnë një pikë kthese vendimtare. Teksa Vuçiqi synon ta ruajë kontrollin mbi pushtetin përmes një riorganizimi strategjik, dalja në skenë e një sfiduesi të besueshëm dhe pakënaqësia publike në rritje e bëjnë rezultatin më të pasigurt se në çdo moment tjetër që nga viti 2000.

Zgjedhjet do të testojnë jo vetëm qëndrueshmërinë e pushtetit të tij, por edhe të ardhmen e demokracisë në Serbi.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.