Lufta në Siri dhe Irak, në fillim ishte kryengritje për liri dhe demokraci, e cila më vonë u shëndrrua në luftë sektare, kishte ndikimin e saj në shumë vende të botës duke përfshirë edhe Kosovën. Mungesa e mbështetjes nga ana e shteteve perëndimore për opozitën siriane, e cila angazhohej për largimin e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, rezultoi në dobësinë e potencialit të saj politik e ushtarak. Si rrjedhojë, primatin në konfliktin siriane morrën organizata terroriste si Jabhat al Nusra dhe ISIS. Këto organizata transformuan trajektoren fillestare për vendosjen e demokracisë në një luftë thjesht sektare.
Rritja e rolit të organizatave terroriste në luftën e Sirisë dhe Irakut, dhe fuqia e tyre propaganduese në përdorimin e mediave digjitale dhe sociale si Twitter, Facebook, dhe Youtube, ndikoi që shumë të rinj nga shumë vende të botës, të joshen dhe udhëtojnë drejt konfliktit sirian dhe ti bashkohen kauzës së tyre, e cila rreshtohej përreth narracioneve siç ishin: “krijimi i Kalifatit”,“lufta kundër të pafeve” si dhe“luftimi i armiqëve të Islamit”. Si shkak i saj deri më tani vlerësohet se organizatave terroriste të cilat janë aktive në Siri dhe Irak i janë bashkuar mbi 25 mijë luftëtarë të huaj nga mbi 70 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe 317 qytetarë të Kosovës që i janë bashkuar konfliktit sirian në përiudha të ndryshme (burra, gra dhe fëmijë)
Trendi më i madh i udhëtimit të luftëtarëve të huaj në konfliktin në Siri dhe Irak, në nivel global është viti 2013 dhe 2014, periudha kur ISIS ishte në kulmin e rritjes së fuqisë. Pra, në vitet 2013-2014 ISIS ishte simbol i një organizate të fuqishme, të pamposhtur, e cila thirrej si “mbrojtëse kryesore e Islamit”, dhe të cilët zotëronin një territor ku jetonin miliona banorë. Kjo organizatë për cak kryesor të rekrutimit kishte të rinjtë ndërmjet moshave 18-26 vjeç, dhe të cilët ndiheshin të përhuajësuar në vendet e tyre të origjinës, të gatshëm për të sakrifikuar për një ndryshim që e kërkonin në jetën e tyre, dhe me aktivitetet i jepnin një kuptim më të madh të jetës së tyre. ISIS uav“ofroi” këtyre të rinjve mundësinë që të jenë protagonist të themelimit të “Kalifatit”, dëshirë kjo e dhjetëra mijëra qytetarëve të cilët iu bashkuan konfliktit, dhe realizuan “qëllimin” jetësor të tyre. Kjo ishte arma kryesore propaganduese e ISIS, e cila me instrumente të përsosura rekrutimi, arriti të bëhet një ndër organizatat më të mëdha dhe më të fuqishme terroriste në historinë e njerëzimit.
Mirëpo, duhet t’i përgjigjemi pyetjes se pse në vitin që po e lëmë paska rënë numri i luftëtarëve të huaj që iu bashkuan ISIS-it? Dhe për më konkretisht, pse ra numri i qytetarëve të Kosovës? Masat e ndërmarra nga ana e institucioneve kosovare kanë ndikuar deri në një pikë në rënien e numrit të qytetarëve të Kosovës, të cilët u bashkohen organizatave terroriste në Siri dhe Irak. Fillimisht, Policia e Kosovës ka bërë një numër të madh të arrestimeve si pjesë e aktiviteteve të saj në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Është arrestuar një numër i madh i qytetarëve si të dyshuar për pjesëmarrje, organizim dhe mbështetje të organizatave terroriste me 83 prej tyre tani më në procedura gjygjësore. Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 ka miratuar Ligjin nr 05/L-002 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit. Poashtu, Qeveria e Kosovës ka miratuar strategjinë shtetërore për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, si qasje e butë për adresimin e problemit të terrorizmit. Pra, Kosova ka apikuar një qasje të kombinuar të masave, represesive (ligji dhe arrestimet) si dhe qasja e butë (strategjia), si mënyra për tu përballur me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin në vend.
Punë të rëndësishme në drejtim të luftimit të ekstremzimit të dhunshëm kanë bërë edhe organizatat e shoqërisë civile, mediat, komunat e prania ndërkombëtare në Kosovë të cilët bashkërisht kanë organizuar aktivitete të rëndësishme me qëllim të vetëdijësimit të komunitetit rreth kërcenimeve dhe rreziqeve nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi. Mirëpo, këto masa të ndërmarra, edhe pse të rëndësishme, nuk kanë qenë përcaktuese në rënien e numrit të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në organizatat terroriste si ISIS. Pra, rënia e trendit të shkuarjes së qytetarëve tanë drejt vatrave të luftës në Siri dhe Irak, ka rënë më shumë si rezultat zvogëlimit të fuqisë rekrutuese të ISIS, si dhe dobësimit të saj në përgjithësi, se sa masat e ndërmarra nga institucionet e vendit dhe akterët tjerë jo-shtetëror në drejtim të adresimit të këtij fenomeni. Trendi i rënies së numrit të luftëtarëve të huaj, po ndodhë në të gjithë botën, dhe jo vetëm në Kosovë.
Dëshira për rithemelimin e “Kalifatit” është shumë popullore dhe e kërkuar tek qarqet muslimane për një kohë të gjatë. Dhe pikërisht këtë “mundësi” ISIS ua ofroi një numri shumë të madh të të rinjve në botë, duke i bërë dëshmitarë, dhe protagonistë të themelimit dhe mbrojtjës të “Kalifatit”. Pra kjo ka qenë një utopi shumë e madhe, nëpërmjet të cilit ISIS ka fituar zemrat e shumë qytetarëve të rinj nga e gjithë bota. Rrjedhimisht, sllogani “është detyrë e të gjithë muslimanëvë që ta mbrojnë, dhe ndërtojnë kalifatin” më nuk është duke funksionuar, për arsye se ISIS nuk është ajo organizata e pamposhtur, apo nuk e zotëron fuqinë rekrutuese e propaganduese nëpermjet të cilës kishte rekrutuar mijëra luftëtarë të huaj. Mungesa e një territori të cilin e kontrollon, mungesës së fuqisë financiare të saj, si dhe zbehjes së utopisë që kjo organizatë kishte ofruar për një numër të madh të rinjsh, rezultoi në rënien e numrit të luftëtarëve të huaj, në ISIS apo organizata tjera terroriste. Për më shumë, humbja e “Betejës së Dabiqit” e cila ka rëndësi shumë të madhe në Islam ishte një goditje shumë e madhe për ISIS, si dhe fuqinë e saj të rekrutimit.
Edhe vetë ndryshimi i qasjes së organizatave terroriste, duke deklaruar se nuk kanë më nevojë për pjesëtarë të ri që të udhëtojnë në zonat e luftës në Siri dhe Irak, dhe se është mundësia që “xhihadin” ta bëjnë edhe në vendet e tyre, ka ndikuar në rënien e numrit e luftëtarëve të huaj që udhëtojnë në zonat e luftës. Kjo në anën tjetër përbën sfidë për sigurinë nacionale në territorin e gjerë të Evropës sepse sulmet sikurse ato në Belgjikë, Francë, Gjermani e Turqi priten të shpeshtohen.