Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Për një ajër që nuk vret

Ilustrimi: Big Eye

Në botën e industrializuar, ndotja e ajrit është një problem serioz për shëndetin e njeriut dhe vetë ambientin. Prandaj BE-ja ka zhvilluar standarde për të mbrojtur shëndetin e njeriut. Standardet quhen ndryshe si standardet e cilësisë mjedisore për ajrin në ambient të jashtëm. Në këto standarde janë përcaktuar nivelet brenda të cilave sasia e ndotjes së ajrit është e lejuar. Nivelet janë vendosur duke u bazuar në kufijtë që njerëzit dhe natyra mund t’ju bëjë ballë dhe vijnë si përgjigje ndaj ndotjes së madhe në mjediset urbane ku emisionet që vijnë nga trafiku janë kontribuesi më i madh për ndotjen e ajrit.

Forma sesi qytetet janë planifikuar ndikon dukshëm në sasinë e ndotësve. Njerëzit në qytete janë më shumë të ekspozuar për shkak të rrugëve të ngushta dhe të mbyllura ku ajri nuk mund të lëvizë lirshëm. Planifikimi i mirë urban mund të kontribuojë në më pak trafik dhe një dizajn të zonës urbane që nuk ndihmon në mbylljen e ajrit të ndotur. Prandaj, planifikimi urban është një mjet i rëndësishëm për autoritetet lokale në përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Duke qëndruar në ambientet ku cilësia e ajrit është e dëmshme me përqendrime të larta të substancave të dëmshme në ajër mund të shkaktojë përkeqësime të shëndetit me rritje të rrezikut si p. sh. probleme me frymëmarrje, kanceri i mushkërive, astma dhe shkurtimi i jetëgjatësisë. Të dhënat e BE-së tregojnë se jetëgjatësia shkurtohet nga tetë muaj për individ si rezultat i ndotjes së ajrit. Më të goditurit janë fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të frymëmarrjes dhe sëmundje kardiovaskulare. Ndotësit e ajrit që shkaktojnë problemet shëndetësore janë grimcat e ashtuquajtura (pm10) dhe ozoni. Dëmet e ndotjes së ajrit janë jo vetëm tek njerëzit, por edhe në ambient dhe në vegjetacion, acidifikimi i ujtit dhe tokës etj.

Problemi me nivele të larta të ndotjes së ajrit është kryesisht një problem urban. Kjo e bën planifikimin urban si një mjet kritik në dispozicion për të parandaluar dhe luftuar cilësinë e dobët e ajrit. Format sesi qytetet dhe komunitetet janë të dizajnuara ndikojnë drejtpërdrejt në sasinë e ndotjes së ajrit në nivelin e rrugës. Duke planifikuar dhe ndërtuar qytetin e dendur, zvogëlon mundësinë që era të bëjë ajrosjen e rrugëve, ku shkaktari kryesor i ndotjes është trafiku i dendur. Kjo vlen edhe për rastin e Prishtinës dhe të gjitha qyteteve tjera. Planifikimi urban mund të ndikojë në mënyrë direkte në cilësinë e ajrit duke planifikuar në mënyrë që transporti me vetura të jetë sa më i vogël.

Përveç trafikut, si burime potenciale për ndotjen e ajrit në Prishtinë janë edhe termocentralet elektrike në Obiliç (jashtë domenit të Komunës), përdorimi i ngrohjes qendrore në Prishtinë në sezonin e dimrit, përdorimi i qymyrit për nxemje në ekonomitë familjare, mungesa e mjaftueshme e hapësirave gjelbëruese etj.

Çfarë mund të bëjnë komunat në përmirësimin e kualitetit të ajrit?

Në bazë të Ligjit për Planifikim Hapësinor Nr.04/L-174, komunat kanë monopol sa i përket planifikimit të hapësirës së tyre gjeografike. Në bazë të këtij ligji, Neni 5, pika 1.2 komunat janë përgjegjëse për planin zhvillimor komunal, harta zonale e Komunës dhe planet rregulluese të hollësishme. Duke u nisur nga ky ligj dhe direktivat e BE-së për standardet e kualitetit të ajrit, komunat kanë hapësirë ligjore për të ndërmarrë hapa konkretë që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në zonat urbane.

Problemi i cilësisë së ajrit është edhe në qytetet e vendeve të BE-së. Por, komunat atje punojnë intensivisht në zvogëlimin e këtij problemi, pasiqë ndikon drejtpërdrejt në shëndetin qytetarëve. Po flas për vendet e Evropës përendimore. Në këto vende çdo plani rregullues i duhet bashkëngjitur edhe një Analizë e Ambientit. Kjo analizë shtjellon qartë impaktin në ambient të çdo projekti i cili parashihet të implementohet në planet rregulluese. Gjithashtu tregon edhe hapat që duhet ndërmarrë si preventiv që ky impakt të mos jetë shumë negativ për ambientin.

Si derivat i Analizës së Ambientit vijnë edhe vendimet politike, konkrete që duhet të ndërmerren. Këto vendime, zakonisht hasin në kritika dhe janë jopopulliste. Por, me kalimin e kohës qytetarët e kuptojnë se ato janë për të mirën e tyre. Një ndër vendimet që ka treguar rezultate të prekshme është zvogëlimi i qarkullimit të automjeteve private në zonat urbane. Zvogëlimi bëhet duke krijuar barriera fizike dhe barriera ekonomike.

Në kuadër të barrierave fizike përfshihen intervenimet fizike në gjeometrinë e rrugëve për qarkullimin e automjeteve duke zvogëluar korsitë për automjete dhe ridizajnimin e tyre duke u dhënë më shumë hapësirë trafikut urban, biçiklistave dhe këmbësorëve.

Komuna e Prishtinës me plot të drejtë mund të aplikojë një tarifë ditore për të gjitha automjetet që hyjnë brenda në qytet dhe ndalimin e të gjitha automjeteve me peshë më të rëndë se 4.5 ton e që janë më të vjetra se 10 vite. Qymyri, si ndotës masiv, do të duhej të ulej përdorimi i tij si lëndë për nxemjen.

Një tjetër politikë me rëndësi është ngritja e tarifave në parkingjet urbane. Në të njëjtën vijë efektive, edhe turet e linjave të autobusëve urbanë duhet të shpeshtohen, dhe të zvogëlohet numri i taksive.

Por padyshim hapi më i lehtë që mund të ndërmarrë komuna, pa hasur në kritika, është të mbjellë vegjetacion.

Gjelbërimi është pastruesi më i mirë i ajrit. Duhet të ketë shumë më shumë drunj dhe vegjetacion në zonat urbane, sepse ndër tjerash, gjelbërimi është shumë efikas edhe në absorbimin e zhurmave urbane, të cilat janë të larta në Prishtinë. Gjelbërimi gjithashtu i kontribuon uljes së temperaturave duke i freskuar hapësirat prej betoni. Përveç gjelbërimit klasik, tashmë përdoren edhe mënyrat inovative të gjelbërimit vertikal në fasada, si dhe kulmet e gjelbërta.

Prishtina sot aktualisht shënon ndotje që ka kapur shifrën 161, e cila cilësohet si e pashëndetshme. Në vend se të flitet për cilësinë e ajrit si një dukuri e jashtme të cilën nuk mund ta ndryshojmë, është koha që këta parametra të jenë pjesë e mënyrës si e planifikojmë jetesën tonë dhe si i ndërtojmë politikat qendrore e lokale.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.