Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rebelët pa kauzë

Ilustrimi nga Big Eye.

Luftimi i Albinit nuk është prioritet i ri. Ai, siç dihet nga kushdo, ka qenë prioritet i të gjitha regjimeve të para-luftës dhe të pas-luftës. Fillimisht, siç mund ta mbani mend, e pat luftuar regjimi fashist dhe ekspansionist i Miloševiq-it. Më pas, specifikisht pas largimit të forcave serbe nga Kosova në vitin 1999, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur ndryshe si UNMIK; si dhe pas vitit 2008 e këtej, Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, apo, siç njihet ndryshe, EULEX.

Krahas regjimit të Miloševiq-it dhe misioneve të huaja, sidoqoftë, nga viti 2008 e tutje luftimi i Albinit filloi të bëhej prioritet kryesor edhe i institucioneve tona; të cilat, për fatin tonë të mjerë më shumë e luftonin atë dhe Lëvizjen Vetëvendosje, sesa pasardhësit e Miloševiq-it dhe Serbinë.

E megjithatë, duke e ditur që Albini ka qenë dhe vazhdon të mbetet mishërimi më kuptimplotë i mendimtarit, idealistit dhe aktivistit politik në botën shqiptare, kjo gjë edhe pritej nga këto regjime, misione dhe institucione.

Mirëpo ajo që nuk pritej – dhe këtë gjë, më duhet ta pranoj, nuk e kisha imagjinuar kurrë në jetën time – ishte që luftimi i Albinit të bëhej prioritet edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Meqë shumë shokë dhe shoqe që kam në Lëvizjen Vetëvendosje ishin pozicionuar tashmë kundër Albinit, sidoqoftë, vendosa të hesht, me shpresën se, në këtë mënyrë, hatërmbetjet midis tyre do të gjenin zgjidhje.

Mirëpo pardje, teksa pashë lajmin për graffiti-t me mbishkrimin “Ska babë, ka Ide,” si dhe akuzën e një njeriu që e kam çmuar shumë, Dardan Molliqajt, që kinse Albini ka instaluar “figurën e babait” në Lëvizjen Vetëvendosje, thashë atë që Hoëard Beale (Peter Finch) te filmi i mrekullueshëm Netëork (1976) na porosit të themi: “I’m mad as hell, and I’m not going to take it anymore.”

Të merremi vesh: nuk jam duke thënë që nuk duhet kritikuar Albinin. Madje, këtë gjë e kam bërë edhe vetë. Mirëpo ta akuzosh atë se gjoja ai ka instaluar “figurën e babait” në Lëvizjen Vetëvendosje, siç janë duke bërë disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në rrjete sociale dhe paraqitje të ndryshme televizive, është një nga gjërat më të pështira që kam dëgjuar këto ditët e fundit.

Albini, vërtet është baba, sepse ka një vajzë, e cila quhet Lea. Mirëpo ai është thellësisht politik, thellësisht historik për ta parë veten në rolin e babait në politikë. Albini nuk është Hobsian. Ai është Hegelian.

Po përse i gjithë ky investim për ta paraqitur Albinin si “baba” atëherë? Sepse, të merremi vesh, kjo nuk është e rastësishme.

Në mendimin tim, janë pesë arsye kryesore. Së pari, dhe ndofta më me rëndësi se të tjerat, mendoj që, duke paraqitur Albinin si “baba,” “rebelët pa kauzë” (që të huazoj titullin e një filmi klasik) duan të legjitimojnë luftën e tyre kundrejt tij në rrafshin diskursiv. Me fjalë të tjera, të krijojnë përshtypjen sikur Albini është “babai” dhe Pushteti, kurse këta që janë duke iu kundërvënë atij janë në anën e Rezistencës dhe Rebelimit. Dhe, kësisoj, “kauza” e tyre të shihet si legjitime.

Tjetra dhe që, në njëfarë mënyre, lidhet me këtë që përmendëm më lart, duke thënë “Ska babë, ka Ide,” këta duan të krijojnë përshtypjen sikur Albini është e kundërta e ideve, dhe jo mishërimi i tyre. Ndërkaq këta që janë të pozicionuar kundër tij janë duke e bërë këtë luftë të udhëhequr nga idetë dhe idealet për të cilat Albini vetë dikur qëndronte, kurse tash gjoja i ka braktisur ato.

Së treti, së paku nga ajo që kam mbërritur të shoh nga disa postime të bëra në rrjetet sociale, përmes një akuze të tillë “rebelët pa kauzë” duan ta përkthejnë këtë si luftë midis pushtetit të një burri (në këtë rast, Albinit), dhe të drejtës së një gruaje, Aida Dërgutit, me shpresën se, kësisoj, regjimi mediatik do të jetë në anën e tyre dhe, me këtë, do të fitojnë zemrat e ndonjë feministe që ka lexuar ndonjë fletushkë idiotike për atë se si mund të arrihet “barazia gjinore në dhjetë hapa.”

Së katërti, sidomos shikuar nga një këndvështrim psikoanalitik, këta, duke e quajtur Albinin “babë,” janë duke e projektuar, si duket, vetën e tyre në rolet e tilla. Pra si “figura të babait” në Lëvizjen Vetëvendosje. Ama le ta bëjnë të qartë. Jo t’ua veshin të tjerëve. E, në këtë rast, Albinit.
Dhe së fundmi, por assesi për nga rëndësia, këta, por edhe disa të tjerë që nuk kanë arritur të kuptojnë siç duhet atë për çfarë qëndron Albini, edhe mund ta shohin ashtu: pra, si baba, por ky nuk është problemi i Albinit. Është problem i tyre, në analizë të fundit, apo jo? Sepse Albini, siç e thashë më lart, gjithë jetën e tij ka vepruar në terrenin politik dhe historik, jo në atë biologjik. Dhe për aq kohë sa do të jetë i tillë, është mirë të ecim përkrah tij. S’po them ta ndjekim, apo të ecim mbrapa tij. Por përkrah tij, sepse në fakt kjo është ajo që dëshiron edhe ai vetë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.