Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pushtimi rus i Ukrainës: Mësimet për Kosovën

Java e kaluar shënoi fillimin e pushtimit rus në territorin ukrainas. Kjo ngjarje shokoi tërë botën dhe krijoi një emergjencë humanitare në Europë, duke krijuar qindra mijëra refugjatë dhe qindra të vdekur e të plagosur. Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij që armët bërthamore të vihen në gatishmëri të lartë. Ndonëse operacioni rus për pushtimin e Ukrainës është duke vazhduar, është e rëndësishme të nxirren disa mësime për Kosovën.

Ky aksion i madh ushtarak ka rikthyer luftën ndër-shtetërore në Europë duke zhbërë iluzionet për një paqe të përhershme në kontinent. Përkundër ndërtimin e një bote post-moderne, nëpërmjet ndërhyrjes ruse po ri-kuptohet se lufta është ende një nga opsionet për zgjidhjen e problemeve.

Në botëkuptimin liberal, në hapësirën gjeografike ku sundon bota post-moderne, lufta është bërë e paimagjinueshme, sepse siguria bazohet në bashkëpunim, transparencë dhe ndërvarësi. Por, siç argumentojnë Paul Viotti dhe Mark Kauppi, për gjatë gjithë historisë njerëzore lufta ka qenë mekanizmi kryesor për ndryshime. Ndikimet e luftës ne rendin nderkombetar përveç të paparashikueshme, janë gjithnjë shumë shtresore.

Ndryshimet tektonike në rendin botëror do të përshpejtohen si pasojë e luftës në Ukrainë duke theksuar nevojën për një riorganizim të shteteve dhe aleancave politiko-ushtarake. Një botë e paqëndrueshme prodhon probleme strategjike për secilin vend, ndërsa ato mund të kthehen në sfida ekzistenciale për Kosovën, e cila ende nuk ka krijuar legjitimitet ndërkombëtar si rezultat i mungesës universale të njohjes dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Kosova duhet t’i rikthehet botëkuptimit klasik të sigurisë duke e konceptuar atë, para së gjithash, në terma ushtarak e pastaj në terma të sigurisë njerëzore. Afërsia gjeografike me vatrën e krizës dhe rreshtimi serb me Rusinë, duhet t’i alarmojnë institucionet e Kosovës.

Bota po riarmatoset dhe buxhetet për ushtri në vitet e fundit janë gjithnjë në rritje e sipër. Vetëm gjatë vitit 2020, bota ka shpenzuar gati 2 trilionë dollarë për ushtri. Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht Serbia dhe Kroacia, kanë ndjekur të njëjtin trend duke zmadhuar buxhetet e ushtrisë dhe shpenzuar më shumë për armatosje.

Sado paqësore të jetë orientimi kosovar, zeigeist-i (shpirti/fryma e kohës) nuk lë shumë hapësirë përveç ndjekjes së logjikës së armatosjes. Armatosja e Serbisë krijon dilemën e sigurisë për Kosovën dhe si e tillë ajo duhet të balancohet ushtarakisht. Kosova duhet të vazhdojë me rritjen e buxhetit të mbrojtjes si dhe reformimin e Forcës së Sigurisë (FSK) me synim anëtarësimin në NATO.

Në veçanti, lobimi i vazhdueshëm për t’ju bashkëngjitur programit Partneritetit për Paqe (PfP), i cili synon të krijojë një marrëdhënie partneriteti ndërmjet NATO-s dhe vendeve pjesëmarrëse.

Tutje, institucionet e Kosovës duhet të fillojnë të mendojnë për alternativat përtej NATO-së duke nënshkruar traktate bilaterale ose multilaterale të mbrojtjes së përbashkët me vendet e rajonit. Një traktat i sigurisë kolektive me vendet ballkanike aleate të Perëndimit duhet të shqyrtohet si mundësi reale për Kosovën.

Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të fuqizohet me burime njerëzore, në veçanti Divizioni i NATO-s, i cili duhet të zhvillojë komunikime më të shumta me instancat relevante të Aleancës.

Institucionet e vendit duhet të lobojnë për krjimin e Planit të Veprimit për Anëtarësim për Kosovën në NATO, përgatitjen operacionale të FSK-së dhe kornizimin e afatit për anëtarësim në aleancën politiko-ushtarake transatlanike.

Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë një komunikimi të drejtpërdrejtë me Zyrat Qendrore të Aleancës në Bruksel, një kërkesë që u refuzua vite më parë nga NATO¸ e cila duhet të riaktualizohet pasi që potenciali për përgjigje pozitive ekziston në horizont.

Kriza në Ukrainë na mëson se përkundër ndihmës ushtarake, informimit të inteligjencës e sanksioneve ekonomike, Perëndimi nuk është i gatshëm të luftojë për territoret të cilat nuk janë pjesë e NATO-s. Në këtë kontekst, rritja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së, zhvillimi i një trajnimi gjithë-kombëtar për mbrojtje territoriale dhe avancimi i armatimit mbrojtës, duhet të jenë objektiva afatmesme të Kosovës.

Mirëmbajtja dhe thellimi i marrëdhënieve me NATO-n dhe vendet anëtare veç e veç është edhe shënjues ekzistencial për Kosovën. Anëtarësimi në Aleancë nënkupton kundërpeshë ndaj agresionit të mundshëm nga jashtë pasi që Presidenti Biden e bëri të qartë se NATO do të mbrojë secilin inç të tokës së vendeve anëtare të NATO-s.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.