Dezinformimi në Kosovë nuk përhapet sepse mungon e vërteta. Ai përhapet sepse përsëritet, sepse përputhet me bindjet tona dhe sepse shpesh nuk vihet në dyshim. Kjo tregon se nuk duhet të trajtohet si problem mediatik, sepse nuk është thjesht çështje e përmbajtjes së rreme dhe të manipuluar apo të mungesës së informacionit të saktë. Ajo se çfarë përmban informacioni është vetëm një pjesë e problemit. Situata bëhet më komplekse për shkak të mënyrës se si njerëzit e kuptojnë apo përpunojnë atë, si e lidhin me bindjet e tyre ekzistuese dhe, në fund, pse vendosin ta besojnë.
Shpesh mendohet se rritja e besueshmërisë në media do të zvogëlojë ndikimin e dezinformimit, por të dhënat tregojnë të kundërtën. Në një studim të publikuar së fundi në revistën shkencore Central European Journal of Communication, u analizua ekspozimi ndaj gjashtë narrativave më të zakonshme të dezinformimit. Rezultatet nga anketa me 600 qytetarë të Kosovës tregojnë se besimi në media nuk ka ndikim domethënës nëse njerëzit besojnë apo jo në informacione apo narrativa të rreme. 47.5% e të anketuarve thanë se kanë besim të ulët në media, ndërsa vetëm rreth 20% besim të lartë. Megjithatë, kjo nuk ndikoi ndjeshëm në nivelin e besimit ndaj dezinformimit.
Studimet tregojnë se dezinformimi në Kosovë është më shumë problem njohës dhe sjellor sesa thjesht problem mediatik.
Njerëzit kanë tendencë të besojnë informacionin që përputhet me bindjet e tyre ekzistuese dhe shumë më rrallë e verifikojnë atë. Kur paragjykimi i konfirmimit kombinohet me arsyetimin e motivuar, qytetarët jo vetëm që e pranojnë më lehtë informacionin që i përshtatet botëkuptimit të tyre, por edhe e mbrojnë atë ndaj kundër argumenteve. Pra, përputhshmëria me bindjet personale bëhet përcaktuese nëse qytetarët e besojnë apo jo një informacion.
Gjetje tjetër në studimin e ekspozimit ndaj dezinformimit është përgjigjja e qytetarëve se rrallë, ose asnjëherë, nuk konsultojnë platformat e kontrolluesve të fakteve. Kjo tregon se kontrolluesit e fakteve në Kosovë duhet të ndryshojnë strategjinë e arritjes te publiku, në mënyrë që puna e tyre të jetë më efektive.
Ekspozimi: faktori më i fuqishëm
Gjetja më e rëndësishme në këtë studim lidhet me ekspozimin. Sa më shumë që njerëzit ekspozohen ndaj një narrative të rreme, aq më shumë rritet mundësia që ta besojnë atë. Në disa raste, besimi është rritur me gati 20% vetëm për shkak të përsëritjes. Pra, në Kosovë, dezinformimi nuk ka nevojë të jetë bindës, por mjafton të përsëritet. Me kalimin e kohës, përsëritja krijon familjaritet dhe familjariteti krijon perceptimin e së vërtetës. E gjithë kjo krijon një efekt të njohur në psikologji si “efekti i iluzionit të së vërtetës”. Në këtë situatë, media sociale luan rol të rëndësishëm, sepse shpesh është kanali kryesor i ekspozimit, megjithatë nuk është faktor që përcakton besimin, sepse amplifikimi nuk nënkupton domosdoshmërisht bindje. Problemi nuk qëndron vetëm te përmbajtja që qarkullon, por te mënyra se si qytetarët e interpretojnë, e përdorin dhe e bëjnë pjesë të përditshmërisë së tyre. Kjo përsëritje nga qytetarët dhe ky normalizim i narrativave është problemi kryesor.
Një studim tjetër shkencor i publikuar në vitin 2022 kishte treguar se si qytetarët nuk kishin arritur të dallonin informacionin e saktë nga ai i rremi. Qytetarët me nivel më të ulët arsimor, apo me gjendje më të vështirë ekonomike, gjenden më shpesh në situata kur nuk janë në gjendje të bëjnë këtë dallim. Rrjedhimisht, këto grupe më të cenueshme janë më të prira të besojnë informacion të pasaktë. Kjo e bën dezinformimin një sfidë që lidhet edhe me pabarazitë sociale në shoqëri, përtej komunikimit dhe teknologjisë.
Çka duhet bërë?
Në Kosovë ka iniciativa të ndryshme për të adresuar çështjen e dezinformimit. Me gjithë këto orvatje, mungesa e koordinimit ndërmjet akterëve të ndryshëm është pengesa kryesore. Përpjekjet janë të fragmentuara dhe të izoluara, pa një strategji të përbashkët që lidh identifikimin e dezinformimit me reagimin dhe komunikimin publik. Prandaj, duhet ndryshuar qasja për të përmirësuar situatën në të cilën dezinformimi nuk funksionon sepse njerëzit janë të painformuar, por për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm, përsëritjes dhe përputhjes me bindjet ekzistuese. Rrjedhimisht, luftimi i dezinformimit duke ofruar informacion të saktë është vetëm zgjidhje e pjesshme dhe e paqëndrueshme.
Për t’u zgjidhur problemi i ndikimit nga dezinformimi, Kosova ka nevojë të mbjellë kulturën që nxit mendimin kritik, që do të ndihmonte të adresoheshin dimensioni njohës dhe mënyra si mendojnë dhe marrin vendime qytetarët për atë që e besojnë. Gjithashtu, duhet të bëhet edhe shtrirja e edukimit medial në mënyrë sistematike në shoqëri, nëpërmjet arsimimit formal dhe atij joformal. Kjo do t’i ndihmonte qytetarët të kuptonin se si funksionon dezinformimi përpara se të ekspozohen ndaj tij. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme të ndërtohet një komunikim institucional më i besueshëm, më i qartë dhe më i shpejtë, i cili mbërrin te qytetarët në kohë dhe në mënyrë efektive. Njëkohësisht, kjo do të minimizonte terrenin që dikush tjetër të ndërtojë dhe të manipulojë perceptime e bindje të qytetarëve për çështje të ndryshme.




























































