Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kriza pandemike dhe hakerët ideologjikë

Atyre individëve konfuzë, me situatën ku po jetojmë, të cilët përsërisin automatikisht se karantina po funksionon, nuk është e vështirë t’u vihet përpara pyetja “ku e di ti?”. Përkundrazi, rasti i Suedisë është evidencë e qartë e dështimit spektakolar të eksperimentit social të karantinës të frymëzuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) dhe pasuesit e tyre alarmistë anembanë botës.[1] Mbas dështimit të eksperimenteve të mëdha sociale të Shekullit të Njëzetë si komunizmi, fashizmi dhe teokracia, hakerët ideologjikë duket se nuk dorëzohen: bazuar mbi… praktikisht asgjë, asnjë fakt, asnjë studim, asnjë evidence, OBSh dhe tellallët e saj ushtruan presion mbi qeveri anembanë botës dhe ia dolën që t’i shtyjnë shumë prej tyre në ndërmarrjen e një politike publike, të paparë apo dëgjuar ndonjë herë. Ndryshe nga praktika e njohur e deritanishme e karantinimit të individëve të sëmurë, izolimi i tanishëm karantinon njerëz të shëndetshëm. Nuk ka nevojë të presim për të ardhmen dhe as të citoj këtu: evidenca e pasojave negative socioekonomike të karantinës rritet çdo ditë eksponencialisht.

Ithtarët e karantinës mbrojnë dështimin me moszbatimin e saj nga njerëzit. Ky qëndrim më çon pas te teoria engelsiane e “ndërgjegjes së keqe”. Në vitet 1880, rreth 40 vjet nga botimi i librit ‘Manifesti Komunist’ nga Karl Marksi në 1848, Engelsi përligji vonesën e revolucionit proletar me atë se tashmë proletarët kishin fituar një “ndërgjegje të keqe”, një “ndërgjegje borgjeze”, ishin bërë individualistë dhe kishin humbur motivimin për interesin e përbashkët. Në asnjë rast nuk i shkonte mendja këtij hakeri ideologjik se ndoshta teoria mund të ishte gabim. Në fakt, për të gabim ishte njeriu. Lindja e politikave ideologjike në Shekullin e Nëntëmbëdhjetë, u shoqërua me besimin purist në to. Ideologjia ishte e pagabueshme, por është natyra njerëzore ajo çka nuk po e lejon ideologjinë të mbërrijë rezultatet e premtuara. Zgjidhja e këtij problem u gjet te thirrja për ndryshim të njeriut në përputhje me pandehmat fillestare të ideologjisë. Kjo çoi në një ndërmarrje masive të inxhinierimit social, e cila kulmoi me përpjekjet për ndërtimin e Njeriut Sovjetik në Bashkimin Sovjetik, gjermanit të Pastër në Gjermaninë naziste apo Njeriut të Ri në Shqipërinë socialiste. Procesi socio-biologjik i përzgjedhjes së “farës së mirë” solli shfarosjen e miliona individëve të cilët nuk kishin trajtat fenotipike të Gjermanit të Pastër apo trajtat socioekonomike të Njeriut Sovjetik.

Për ideologët, nuk janë politikat publike ato që duhet t’i shërbejnë njeriut por është njeriu ai që duhet t’u shërbejë politikave publike. Enver Hoxha e pati përmbledhur këtë më së miri me thirrjen e tij surreale “edhe bar do të hamë dhe parimet nuk i shkelim”. Sipas këtij udhëheqësi, mirëqenia dhe madje edhe jeta e shtetasve të vet duhej të ishte në shërbim të disa “parimeve” abstrakte të formuluara në një papafingo gjithë lagështirë, prej një mikroborgjezi të zemëruar të Gjermanisë së mesit të Shekullit të Nëntëmbëdhjetë. Tipike e ideologëve është se kur një politikë publike u dështon, ata nuk tërhiqen (këtë do ta bënte një konservator pragmatik) por e shtrëngojnë atë edhe më shumë. Ideologët nuk kanë asnjë dyshim në ideologjinë e tyre dhe ndaj dështimeve ata kanë dy qëndrime: ose i propagandojnë ato si “fitorje” (dhe për këtë ata ngrenë makina propagandistike gjigande); ose fajësojnë rrethana të tjera për këtë mossukses. Zakonisht, njeriu është viktima e preferuar e sulmit të ideologëve: ai është fajtori që idetë e tyre abstrakte nuk po arrijnë të sjellin parajsën mbi dhé që ideologjitë premtojnë.

Ideologjia është antipodi i shkencës. Metoda e ndërtimit dhe e zbatimit të ideologjive është opozita e metodës shkencore. Ideologët bazohen mbi dijen me besim; shkenca bazohet mbi dijen empirike. Ideologët mbërrijnë në përfundime bazuar mbi spekulime mendore; shkencëtarët mbërrijnë në përfundime, bazuar mbi rezultate eksperimentesh dhe analizim të të dhënave. Ideologët besojnë se rruga e tyre është e drejtë dhe e vetmja; shkencëtarët janë vazhdimisht dyshues për gjetjet e tyre dhe të kolegëve të tyre. Ideologët duan ta ndryshojnë njeriun; shkencëtarët duan t’i shërbejnë atij.

Dështimi tragjik i ideologjive gjatë dy shekujve të fundit ka bërë që disa hakerë ideologjikë të veshin bluzën e bardhë të shkencëtarit. Mos u gënjeni nga kjo bluzë; dëgjoni vetë se çfarë thonë! E kanë inatin me njeriun sepse, sipas tyre, çdo e keqe vjen nga natyra e prishtë njerëzore. Ja disa shembuj. Një grup hakerësh të tillë ideologjikë të mbuluar me petkun e shkencëtarit propozojnë shfarosjen e një të tretës së njerëzimit të sotëm me qëllim të mbijetesës së dy të tretave të mbetura dhe mbi të gjitha, të planetit.[2] Të tjerë po kryejnë kompostimin e kufomave me qëllim luftën kundër ndryshimeve klimatike (u harrua shprehja “ngrohja globale” nën presionin e të dhënave kokëforta dhe kemi kaluar tani te fenomeni i pamatshëm i “ndryshimeve klimatike”).[3] Hakerë të tjerë fajësojnë njeriun që, duke shpyllëzuar planetin, ka shkaktuar koronavirusin.[4] E si ndryshojnë këta hakerë ideologjikë nga fanatikët fetarë që i shpjegojnë fatkeqësitë natyrore të njerëzimit me dënimin, që Zoti u dërgon njerëzve sepse kanë mëkatuar?

Pra, kur hakerët ideologjikë fajësojnë njeriun “e pabindur” për dështimin e politikës së karantinës, ata veçse vazhdojnë një traditë dyqindvjeçare të imponimit ideologjik përmbi natyrën njerëzore. Nuk është faji i njeriut që është një “kafshë sociale” dhe nuk mund të qëndrojë dot i izoluar, por është faji i hakerëve ideologjikë që nuk janë në gjendje apo nuk duan të ndërtojnë politika që t’i shërbejnë këtij njeriu. Politikën publike do ta ndërtosh për atë njeri që ke dhe jo për atë njeri që do të doje të kishe. Dhe kur politika publike dështon, ky është një sinjal i qartë se ajo duhet braktisur dhe jo purifikuar dhe zbatuar më rreptësisht. Këto janë prelude të shembjes së sistemeve politike nëpërmjet të cilave hakerët ideologjikë u imponojnë njerëzve idetë e tyre utopike dhe eksperimentojnë inxhinierimin social.

Karantinimi i popullsisë së shëndetshme, e para herë që ndodh në historinë e njerëzimit, ishte një politikë e paprovuar dhe tashmë empirikisht e dështuar. Këtë e dëshmojnë vende si Gjermania, e cila mbajti një qëndrim shumë të çlirët dhe Suedia, e cila qëndroi përgjithësisht e hapur. Këto vende mbërritën  rezultate shumë më të mira se shumë nga ato vende që e ngujuan popullsinë në arrest shtëpiak (policët i lanë rrugëve). Qasja ideologjike ndaj politikave publike antipandemike dështoi ashtu sikundër kanë dështuar më parë të gjitha politikat e ndërtuara mbi pandehma të gabuara apo empirikisht të patestuara (dhe për më keq, të patestueshme). Hakerët ideologjikë ndërtuan politikat e izolimit mbi pandehmën e gabuar se njeriu synon vetëm të mbrohet nga pandemia, ndërkohë që për miliona njerëz, ky mund të mos jetë prioriteti kryesor. Dhe kur politikat izoluese dështojnë pikërisht sepse janë ndërtuar mbi një kuptim të gabuar të natyrës njerëzore, hakerët ulërasin me të madhe: Më shumë izolim! Kjo tashmë nuk ka të bëjë më aspak me pandeminë.


[1] John Fund dhe Joel Hay. 2020. “Has Sweden Found the Right Solution to the Coronavirus?” National Review, 6 Prill. https://www.nationalreview.com/2020/04/coronavirus-response-sweden-avoids-isolation-economic-ruin/

[2] The Onion. 2012. “Scientists: ‘Look, One-Third Of The Human Race Has To Die For Civilization To Be Sustainable, So How Do We Want To Do This?’”, 26 Janar. https://www.theonion.com/scientists-look-one-third-of-the-human-race-has-to-di-1819573235

[3] Pallab Ghosh. 2020. “Human compost funerals ‘better for environment’”, 16 Shkurt. https://www.bbc.com/news/science-environment-51389084

[4] “Are humans to blame for the coronavirus? How deforestation gives rise to pandemics”. https://www.nbcnews.com/think/video/are-humans-to-blame-for-the-coronavirus-how-deforestation-gives-rise-to-pandemics-81840709547

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.