Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Prioritetet e politikës së jashtme kosovare: Cili duhet të jetë fokusi i qeverisë së re?

Qeveria e re përballet me sfida serioze, prandaj është e domosdoshme që të draftohet një strategji e politikës së jashtme në mënyrë që të nënvizohen prioritetet kyçe dhe të sigurohet përfaqësim dinjitoz dhe efikas bazuar në dispozitat ligjore

Dymbëdhjetë vite që nga shpallja e pavarësisë, Kosova mbetet shtet i pakonsoliduar. Mosanëtarësimi në organizata prominente ndërkombëtare, mungesa e njohjeve të reja, revokimi i njohjeve aktuale, dështimet për t’u anëtarësuar në Interpol dhe UNESCO, stagnimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe probleme tjera, janë indikatorë që Kosova ka ende punë për të bërë.

Kosova nuk mund të projektoj politikë të jashtme efektive në qoftë se nuk ka funksionim të brendshëm. Richard Haas, në librin e tij, Politika e Jashtme Fillon në Shtëpi, argumenton se politikat e brendshme efektive determinojnë funksionimin e politikës së jashtme. Prandaj, Kosova mund të ketë pëfaqësim të denjë ndërkombëtar dhe politika më të favorshme vetëm atëherë kur arrin që të krijoj unitet të brendshëm, respektim të rendit dhe ligjit dhe një qeverisje stabile.

Mungesa e strategjisë

Që nga shpallja e pavarësisë dhe themelimit të institucioneve, Kosova ka operuar pa një strategji të mirëfilltë të politikës së jashtme. Në vitet e para, përveç integrimit euro-atlantik, një ndër prioritetet kyçe kanë qenë anëtarësimet në organizata ndërkombëtare dhe njohjet ndërkombëtare, me fokus të veçantë pesë vendet e BE-së (Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja). Pas vitit 2012, listës së prioriteteve iu shtua edhe dialogu me Serbinë, kur edhe filluan zyrtarisht bisedimet Kosovë-Serbi të facilituara nga BE.

Shërbimi i jashtëm, në masë të madhe, ka qenë në shërbim të interesave të ngushta të qeverive përkatëse të cilat kanë politizuar në masë të madhe shërbimin e jashtëm diplomatik, me nepotizëm e gradime të përshpejtuara pa respektuar dispozitat ligjore. Për pasojë, kuota prej 50% për diplomatë të karrierës është shkelur vazhdimisht. Mirëpo, edhe pse Kosova nuk ka pasur ndonjë strategji, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe numri i njohjeve kanë ardhur si rezultat i përkrahjes ndërkombëtare.

Me ardhjen në pushtet të qeverisë së re, është krijuar një nevojë e domosdoshme për të draftuar një strategji të detajuar për përfaqësim më të denjë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në veçanti, Kosova duhet të thelloj koordinimin me shtetet mike, të inicioj bashkëpunim me shtetet mosnjohëse; të forcoj unitetin shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi dhe mbi të gjitha, të respektoj të gjitha dispozitat ligjore në mënyrë që të sigurohet respektimi i plotë i sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës.

Rishtazi, qeveria miratoi programin e saj qeverisës me fokus në shtatë shtylla kryesore. Në fushën dedikuar politikës së jashtme thuhet se integrimi në NATO dhe BE, dhe dialogu me Serbinë janë ndër prioritet kyçe të qeverisë për katër vitet e ardhshme.

Qeveria e re takon realitetin

Në tetor 2019, zgjedhjet parlamentare në Kosovë për herë të parë i fitoi Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy këto parti u pajtuan për koalicion qeverisës duke e bërë këtë një fitore opozitare. Njëkohësisht, pritshmëritë e qytetarëve u rritën dukshëm si pasojë e një stagnimi dhjetë vjeçar. Mirëpo, ardhja në pushtet e Vetëvendosjes u pasua me shumë sfida të mëdha qysh në ditët e para të qeverisjes. Një ndër fushat që vazhdon të gëzoj vëmendje enorme është politika e jashtme.

Qysh në ditët e para të qeverisjes, qeveria e re po përballet me presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. E gjithë kjo si rezultat i tarifave doganore të imponuara nga ish kryeministri Haradinaj, i cili e mori këtë vendim si rezultat i kampanjës agresive serbe për të bindur shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta rekovojnë një vendim të tillë. Fushata serbe e dëmtoi seriozisht pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Deri më tani, 15 shtete kanë tërhequr njohjet e tyre.

Tarifa ende vazhdon të mbetet në fuqi, mirëpo presioni politik ndërkombëtar ka marrë përmasa të mëdha. Edhe pse kryeministri Kurti u zotua për largim të pjesshëm të tarifave doganore dhe për reciprocitet të plotë me Serbinë, SHBA-të nuk po pajtohem me një gjë të tillë dhe kanë deklaruar se tarifat duhet të pezullohen në tërësi pa kushte. Emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Donald Trump Jr. dhe disa senatorë amerikan janë deklaruar publikisht se SHBA duhet të rikonsideroj prezencën e trupave amerikane në Kosovë. Kjo ka shkaktuar panikë mes qytetarëve dhe polemika mes përfaqësuesve të koalicionit qeverisës.

Ndryshimi i klimës politike ndërkombëtare

Kosova, në masë të madhe, ka gëzuar përkrahje ndërkombëtare, sidomos nga vendet perëndimore. Mirëpo, kjo përkrahje ka ndodhur në kohën kur rendi botëror përcaktohej nga unipolarizmi amerikan. Në vitin 2020, ky momentum ka ndryshuar. Kina është fuqizuar ekonomikisht dhe ushtarakisht, forca këto që sjellin ndikim politik në botë dhe zbehin ndikimin perëndimor nëpër botë, gjë që ndikon negativisht për Kosovën.

Gjithashtu, me ardhjen e Donald Trump në krye të SHBA, qasja konvencionale e politikës së jashtme amerikane ka ndryshuar dukshëm, duke u bazuar në qasje idiosinkretike me vendime të paparashikuara. Administrata Trump karakterizohet me politikë realiste dhe artin e arritjes së rezultateve në kohë të shpejtë, rezultate këto të cilat jo gjithmonë përkojnë me vlerat demokratike liberale.

Në këtë momentum të vështirë politik, Kosova ka një qeveri të re e cila ballafaqohet me shumë sfida. Në anën tjetër, që nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk ka pasur vëmendje amerikane, prandaj duhet të përdoret ky momentum politik. Dhjetë vite dialog nuk kanë prodhuar një marrëveshje përfundimtare, që shpërfaq moskapacitetin e BE-së për të finalizuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërkombëtare. Përfshirja e SHBA-së në dialog i jep fuqi dialogut Kosovë-Serbi dhe rrit aspiratat për finalizimin e një marrëveshjeje përfundimtare.

Kosova nuk mund ta vazhdojë dialogun me Serbinë pa përkahjen e vendeve mike të cilat kanë ndihmuar shpalljen e pavarësisë dhe konsolidimin e institucioneve në vazhdimësi. Pa përkrahje ndërkombëtare Kosova ka një pozicion të brishtë. Prandaj, Kosova duhet te fokusohet seriozisht në revitalizimin e marrëdhënieve me shtetet e QUINT-it. Gjithashtu, duhet të bëhet e qartë se dialogu Kosovë-Serbi është maksimalisht i rëndësishëm dhe se Kosova nuk është duke diskutuar statusin e shtetësisë së saj, por normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Fokusi i ri i politikës së jashtme

Në aspektin e brendshëm, Kosova ka nevojë urgjente që të kthej besimin e qytetarëve në institucionin e Ministrisë së Jashtme dhe përfaqësimin diplomatik. Kjo mund të arrihet duke bërë një inspektim të gjerë për të identifikuar sfidat dhe problemet. Nevojitet fokus në gradim kualitativ në mënyrë që të sigurohet zbatimi i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm dhe kthimin e kredibilitetit të institucionit.

Në fund, por jo nga rëndësia, Kosova duhet të ketë unitet dhe koordinim institucional. Politika e jashtme propozohet dhe zbatohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbikëqyret nga Kuvendi. Politika e jashtme është përgjegjësi dhe kompetencë e Qeverisë së Kosovës. Prandaj, është vitale që kushtetuta e vendit të respektohet në përpikmëri.

Në aspektin e jashtëm, Kosova duhet të gjej një alternativë për stopimin fushatës serbe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Edhe pse shtetet më të fuqishme perëndimore kanë njohur Kosovën si shtet, nevoja për njohje të reja nuk duhet të neglizhohet përderisa Kosova mbetet jashtë OKB-së. Tutje, duhet të thelloj marrëdhëniet bilaterale me shtetet njohëse dhe të krijohen mundësi për njohje të reja, me theks të veçantë pesë shtetet e BE-së. Gjithashtu, duhet një strategji nacionale dhe një koordinim i ngushtë me partnerët ndërkombëtar para se të procedohet me aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në mënyrë që të evitohen debaklet e radhës.

Më e rëndësishmja, dialogu Kosovë-Serbi duhet të ketë vëmendjen maksimale për shkak të efektit detrimental që ka. Kosova duhet të forcoj pozicionin e saj negociator të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës. Kjo mund të bëhet duke u koordinuar ngushtë me vendet evropiane dhe duke shfrytëzuar riangazhimin amerikan në dialog. Gjithashtu, Qeveria duhet të përkushtohet në transparencë dhe mbrojtje të sovranitetit duke anashkaluar negociatat sekrete.

—-

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmë- formal sipas rregullës Chatham House dhe pa prani të mediave. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Secili Sallon përcjellet me editorial që publikohet në faqen elektronike të D4D-së

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.