Pas më shumë se një viti protestash në shkallë të gjerë, të udhëhequra nga studentët në Serbi, Qeveria është e tronditur në palcë. Në fillim të vitit 2025, Serbia formoi një qeveri të re, pas dorëheqjes së kryeministrit Vuçeviq.
Me gjithë thirrjet përherë e në rritje për zgjedhje të parakohshme, presidenti Vuçiq këmbënguli se Qeveria e Serbisë mbetet e qëndrueshme dhe se zgjedhjet e parakohshme ishin të panevojshme. Kërkesa kryesore e lëvizjes për zgjedhje të parakohshme mbetet akoma e pandryshuar.
Teksa lëvizja studentore vazhdoi të ushtrojë presion gjatë vitit 2025, Vuçiqi dha shenjë se zgjedhjet e parakohshme janë të mundshme në fund të vitit 2026.
Ndonëse presidenti Vuçiq ka lënë të nënkuptohet për zgjedhjet e parakohshme, fjalët e tij duhet të trajtohen me kujdes. Ai edhe më parë kishte ndryshuar qëndrim dhe nuk ka asnjë detyrim ligjor që i kërkon atij ta zbatojë atë qëndrim. Nëse Vuçiqi nuk vepron kështu, zgjedhjet e ardhshme të rregullta parlamentare janë të planifikuara të mbahen në shkurt të vitit 2028.
Mbetet e pasigurt nëse Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme në vitin 2026, teksa vendimi i Vuçiqit do të varet nga disa faktorë, ndër të cilët katër janë më kryesorët:
1. Mbështetja publike dhe koha e mbajtjes së zgjedhjeve
Niveli i mbështetjes për Vuçiqin dhe SNS-në është faktori kryesor. Nëse Vuçiqi beson se mbështetja publike dhe ajo brenda partisë janë mjaftueshëm të fuqishme për të siguruar shumicën parlamentare, atëherë ka më shumë gjasa që ai të shpallë zgjedhjet.
Për momentin, sondazhet nuk janë në favor të Vuçiqit. Mbështetja për të ka rënë në nivelin më të ulët që nga vitit 2012 dhe, sipas shumë sondazheve, ajo tani është diku 30%, me një trend negativ.
Është vështirë e besueshme se mbështetja për Vuçiqin do të rritet, nëse ai pret edhe më gjatë. Marrë parasysh trendin aktual të rënies, shtyrja e zgjedhjeve mund të rrisë gjasat për humbje.
Prandaj, koha nuk është në anën e tij dhe zgjedhjet e parakohshme më 2026 mund të jenë opsioni i vetëm i qëndrueshëm nëse ai shpreson të mbesë në pushtet edhe për disa vite. Sfida për të do të jetë identifikimi i momentit që u shërben më së miri interesave të tij.
2. Presioni i brendshëm
Presioni i qëndrueshëm nga protestuesit është shkaku kryesor pas mundësisë për zgjedhje. Nëse ky momentum humbet, nxitja për të shpallur zgjedhje të parakohshme zvogëlohet, teksa Qeveria do të kishte pak arsye për të ndërmarrë një rrezik të tillë politik.
Megjithatë, protestat tashmë kanë goditur rëndë Vuçiqin dhe SNS-në, një goditje nga e cila do ta kenë të vështirë të rikuperohen plotësisht.
Mediat e lidhura me Qeverinë tashmë kanë nisur ta përdorin një taktikë të njohur: margjinalizimin e protestuesve, duke tentuar ta ndërtojnë një narrativë për ndarjet e brendshme midis studentëve, profesorëve, aktivistëve, udhëheqësve opozitarë dhe figurave të tjera me ndikim.
Qëllimi i kësaj është të përçohet ideja se lëvizja studentore është e përçarë dhe e paaftë për ta sfiduar seriozisht Qeverinë, duke demotivuar mbështetësit e mundshëm dhe duke dobësuar ndikimin më të gjerë politik të protestës.
3. Tensionet gjeopolitike
Vuçiqi mund t’i shfrytëzojë tensionet globale gjeopolitike në favor të tij. Nëse BE-ja është e preokupuar me çështje të tjera më urgjente, ai mund të shtyjë përpara zgjedhjet e parakohshme, që potencialisht mund të karakterizohen me parregullsi, të ngjashme me ato që janë parë në vitin 2023.
Megjithatë, marrë parasysh marrëdhëniet e përkeqësuara me Brukselin, nuk pritet që BE-ja t’i lejojë edhe një palë zgjedhje vërtet të kontestuara.
Ky rrezik shtohet edhe më shumë, me BE-në që po e debaton ngrirjen e fondeve të para-anëtarësimit për Serbinë, teksa SNS-ja mbetet nën hetim nga grupi i EPP-së, duke e bërë çdo manovër të tillë të rrezikshme në aspektin diplomatik dhe politik.
4. Sinkronizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale
Vuçiqi duket i përqendruar në garën presidenciale të vitit 2027. Meqë nuk mund të kandidojë për mandatin e tretë dhe nuk ka një pasardhës të qartë në SNS, ai mund të japë dorëheqje më 2026 dhe të kandidojë për kryeministër.
Mbajtja e vetëm zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të ishte e rrezikshme politikisht, kështu që ai ka shumë gjasa që, për ta zbutur rrezikun, t’i sinkronizojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Në këtë skenar, Vuçiqi do t’i portretonte zgjedhjet si zgjedhje ekzistenciale me rrezik të lartë për publikun, duke kërkuar ta polarizojë shoqërinë serbe me rritjen e propagandës që i paraqet studentët si tradhtarë, agjentë të huaj dhe armiq të vendit.
Është ende herët të dihet nëse Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme më 2026. Megjithatë, dy zhvillime të mëdha me gjasë do ta ndikojnë vendimin e Vuçiqit. Rezultati i zgjedhjeve lokale më 29 mars në nëntë qytete, që do ta testojë mbështetjen e SNS-së, dhe formimi ose jo i një fronti të përbashkët nga partitë opozitare.




























































