Deri më tash, Angela Merkel dhe Vladimir Putin kanë kultivuar një marrëdhënie të karakterizuar nga pragmatizmi realpolitik. Duket sikur rasti Navalny do të ndryshojë thelbësisht atmosferën mes tyre.
Është një anekdotë që tregohet ngaherë dhe që është shumë e përshtatshme për të përshkruar marrëdhënien speciale mes Angela Merkelit dhe Vladimir Putinit. Së pari, është me rëndësi të dihet se Angela Merkel ka frikë nga qentë.
Qëkur u sulmua nga një qen gjuetie afër shtëpisë së saj në Uckermarck më 1995, ajo ka mbajtur distancë me kafshët. Ky incident nuk kaloi pa u vënë re nga presidenti rus.
Në janar të vitit 2007, plot një vit pas zgjedhjes kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel vizitoi presidentin rus në rezidencën e tij në Detin e Zi. Në momentin kur të gjitha kamerat ishin të drejtuara kah mysafirja, Putini hapi derën prej nga hyri labradori i tij Koni, i cili pasi i mori erë, u shtri poshtë këmbëve të saj.
Siç shihet edhe në foto të ndryshme, kancelarja dukej e tendosur dhe në siklet të madh. Që atëherë, kancelarja është siguruar që të mos ketë kafshë të pranishme saherë të shkojë nëpër vizita.
Keqdashja e qellimshme e presidentit rus ilustron gjithashtu edhe respektin politik mes: Merkel dhe Putin kanë pasur deri më tash mërrëdhënie të largëta por të respektit, ku secili ka ditur të vlerësojë mjaft mirë pushtetin dhe ndikimin e tjetrit.
Marrëdhënia e ndërlikuar mes dy krerëve të shtetit me gjasë do të pësojë ndryshime të mëdha pas rastit të Alexei Navalny-t dhe zbulimit të fundit se nuk ka fije dyshimi se në sulmin ndaj liderit të opozitës është përdorur helmi novichok.
Autoritetet në Berlin besojnë se ka mundësi të mëdha që agjencitë qeveritare të jenë të përfshira në sulm, duke ditur se ato kanë më së shumti gjasë të kenë patur qasje në agjentin nervor, edhe pse dëshmia përfundimtare për këtë ende nuk është gjetur dhe mund të mos gjendet kurrë.
Megjithatë, reagimi i saj ishte jashtëzakonisht i ashpër në raport me ato të mëparshmet. Në një deklaratë të shkurtër para kamerave, ajo tha se u desh që Navalnyt “t’ia mbyllnin gojën” dhe se tash shtrohen “pyetje shumë serioze,” që mund dhe duhet t’i sqarojë vetëm regjimi rus.
Nga ky moment mund të kuptohej se diçka është akumular në vitet e muajt e fundit dhe se ftohtësia e Merkelit është gjithashtu pasojë e një zhgënjimi të madh. Ajo ishte përpjekur vazhdimisht që të ndërtonte ura dialogu me Moskën, dhe sipas pikëpamjes së saj, këto përpjekje ishin nëpërkëmbur në mënyrë të vazhdueshme nga Putini.
Pikëpamja e Merkelit për Rusinë ka edhe një dimension emocional: Ajo e dashuron rusishten, lexon librat e Tolstoyt e Dostoievskyt, dhe albumin e parë të Beatles ‘Yellow Sumbarine’ e ka blerë gjatë një vizite në Moskë.
Megjithatë, kancelarja gjermane dhe presidenti rus qëndrojnë politikisht shumë larg njëri-tjetrit. Merkel iu gëzua shembjes së Murit të Berlinit më 1989, dhe që atëherë ajo u orientua kah vlerat perëndimore të lirisë dhe u distancua krejtësisht nga lindja – edhe sot ajo e ka të vështirë të përfshihet në disa prej ndjeshmërive të gjermanolindorëve. Në anën tjetër, Putini si njeriu kryesor i KGBsë në Dresden, do ta ketë përjetuar shembjen e RFGJsë dhe Paktit të Varshavës si dështim dhe turp të madh.
Në politikën e jashtme, kancelarja gjermane ndërtoi marrëdhëniet me Rusinë shumë ndryshe prej paraardhësit të saj Gerhard Schroder, cili shokun e tij të saunës Putinin dikur e quajti “demokrat pa të meta”.
Gjatë vizitave zyrtare në Rusi, kancelarja është shprehur gjithnjë me fjali të qarta rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut atje, dhe me raste edhe është përplasur me Putinin në konferenca të përbashkëta për shtyp. Para disa javësh, ajo telefonoi Putinin, në mënyrë që ta parandalonte ndërhyrjen e tij në Bellorusi. Ishte poashtu Merkel ajo që luftoi për të mbajtur sanksionet e Bashkimit Europian, edhe përkundër që përbrenda partisë së saj u shfaqën zëra që thirrën për lehtësimin e masave ndëshkuese ndaj Rusisë. Në lindje të Gjermanisë ekzistojnë lidhje të forta ekonomike me Rusinë.
Përkundër tensioneve, marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet e fundit janë karakterizuar nga pragmatizmi realpolitik dhe interesat ekonomike. Më 2008, Merkel kundshtoi planet e SHBAsë për të mundësuar anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO. Në këtë rast ajo kishte parasysh interesat e Rusisë. Ndërsa në rastin e projektit të gazsjellësit Nord Stream 2, që parashihet të furnizojë Gjermaninë dhe Europën me gaz nga Rusia, ajo luftoi gati e vetme për ta realizuar përkundër kundërshtive të mëdha të disa partnerëve në BE.
Kështu, ajo mbajti një marrëdhënie mirëbesimi me Putinin, gjë që i mundësoi Gjermanisë, shpeshherë krahas Francës, të vepronte si ndërmjetëse në konflikte të ndryshme, siç është rasti i Ukrainës, ku palët e përfshira në konflikt u takuan sipas të ashtuquajturit format të Normandisë. Poashtu, ndikimi gjithnjë e në rritje i Rusisë në Lindjen e Mesme është vlerësuar në mënyrë shumë pragmatike në Berlin; gjatë një vizite në Janar, ajo shfaqi qendrime të përafërta me Putinin.
Megjithatë, edhe para sulmit ndaj Navalnyt, gjatë një konference për shtyp në Bundestag, kancelarja dukej e dorëzuar, gati-gati e përhumbur. Prokurori i Përgjithshëm sapo kishte bërë të ditur se Shërbimi Inteligjent i Rusisë GRU ishte drejtpërdrejt përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Bundestagut më 2015, ku ishin sulmuar edhe email adresat e zyres se kancelares. “Më duhet të them sinqerisht: kjo më dhemb,” tha e tronditur kancelarja para deputetëve, – përkundër të gjithave ajo po përpiqej që “çdo ditë të përmirësonte marrëdhëniet me Rusinë”.
Merkel e cilësoi sulmin kibernetik, siç u shpreh, si vetëm një prej aspekteve të “strategjisë hibride të luftbërjes” të Rusisë. Nuk ishin vetëm hakerët që tronditën marrëdhëniet gjermano-ruse, por gjithashtu vrasja në Berlin në gusht të vitit 2019 e çeçenit me pasaportë gjergjiane Zelimkhan Khangoshvil-it, vrasje për të cilën Prokuroria e Përgjithshme në aktakuzën e saj e bën përgjegjëse Rusinë, me ç’rast Gjermania përjashtoi dy diplomatë rusë. Merkel kishte thënë atëherë se duhen të merren edhe masa të tjera.
Nuk ishte vetëm vrasja që indinjoi politikën gjermane, por mbase edhe më shumë mënyra se si u mor Rusia me rastin. Ministria e Jashtme dërgoi 17 kërkesa Kremlinit për kërkuar ndihmë në hetimin e vrasjes, por nuk mori as edhe një përgjigje. Në Berlin ekziston përshtypja se edhe në rastin e Navalnyt nuk do të ketë gatishmëri bashkëpunimi nga pala ruse.
Në thelb, në qarqet qeveritare thuhet se politika kundrejt Rusisë duhet të vihet në peshore, me të gjitha konsideratat rreth intersave ekonomike e gjeopolitike. “Në të ardhmen kjo nuk do të arrihet me përjashtimin e njërit a tjetrit diplomat,” thotë një zyrtar i lartë i qeverisë.
***
Artkulli origjinal në Der Spiegel.
***
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.