Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Një vit pas sulmit në Banjskë: pyetje pa përgjigje dhe tensione në rritje

Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit në Kosovë, të banuar me shumicë serbe, një sulm paramilitar shkaktoi vdekjen e një rreshteri të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e një zyrtari policor. Ndërsa, tre paramilitarë serbë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga Policia e Kosovës, të cilët më pas edhe u arrestuan. 

Edhe Uashingtoni, edhe Brukseli, u treguan të matur pas incidentit, ndërsa BE-ja bëri thirrje për një hetim të plotë para se të nxirrte konkludime. Në një konferencë për media, Qeveria e Kosovës prezantoi prova, përfshirë këtu edhe pamje, me të cilat identifikoheshin pjesëtarët e grupit paramilitar, veçanërisht Milan Radoiçiq, atëbotë nënkryetar i Listës Serbe dhe figurë e njohur e krimit të organizuar në veri të Kosovës. 

Radoiçiqi e pranoi se e ka orkestruar sulmin. Megjithëkëtë, edhe pas marrjes në pyetje nga autoritetet serbe në tetor të 2024-tës, ai u lirua pa akuza. Radoiçiq vazhdon të ketë lidhje të forta me Qeverinë serbe.

Pothuajse një vit pas sulmit, në shtator 2024, Kosova ngriti aktakuzë kundër Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për tentim-aneksimin e veriut të Kosovës. Përkundër këtyre akuzave, Radoiçiq vazhdon të mbesë i lirë në Serbi, e cila i ka injoruar kërkesat e autoriteteve kosovare për ekstradimin e tij.

Dështimi për ndjekjen penale, bashkë me mungesën e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për ekstradimin e Radoiçiqit, ngre shqetësime serioze lidhur me pandëshkueshmërinë dhe vullnetin politik për t’i mbajtur përgjegjës autorët.

Ky incident i dhunshëm shënon përshkallëzimin më serioz, tash e më shumë se një dekadë, në veriun e Kosovës, që rriti ndjeshëm tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke vënë në pah shqetësimet rreth stabilitetit dhe sigurisë.   

Përgjigjet divergjente ndërkombëtare

Që nga sulmi në Banjskë, BE-ja ka zgjedhur t’i presë rezultatet e hetimeve zyrtare para se të ndërmarrë veprime, edhe pse tashmë janë prezantuar provat.  

Kjo qasje e matur e ka frustruar Kosovën, ku shumëkush mendon se BE-ja ka marrë anë. Kosova u përball me masa ndëshkuese për hyrjen e kryetarëve në ndërtesat komunale në katër komunat veriore pas zgjedhjeve të bojkotuara, në të cilat u zgjodhën kryetarët nga partitë politike me shumicë shqiptare.  

Në anën tjetër, Serbia akoma nuk është përballur me ndonjë ndëshkim për sulmin paramilitar që u orkestrua nga brenda kufijve të saj dhe u krye me armatim serb. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë konfirmoi se Serbia i dha mbështetje logjistike grupit paramilitar të përfshirë në sulm. 

Hezitimi i BE-së mund të jetë rrjedhojë e ndarjeve të brendshme sa i takon dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjeve më të gjera gjeopolitike, siç janë: ruajtja e stabilitetit rajonal dhe mbajtja e Serbisë, përkundër marrëdhënieve të saj me Rusinë dhe Kinën, në një rrugë që çon te lidhjet më të forta me Perëndimin. 

Sulmi në Banjskë e ka stagnuar dialogun e nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë, kurse nga ana e BE-së nuk ka ndonjë qasje të qartë se si të tejkalohet kjo gjë. Për më tepër, ngurrimi i BE-së për të marrë një qëndrim më të prerë kundër Serbisë e ka shtyrë Qeverinë e Kosovës t’i rrisë përpjekjet e saj për t’i goditur aktivitetet e paligjshme në veri dhe për të mbrojtur sovranitetin e saj.

Goditja e Kosovës kundër strukturave dhe aktiviteteve të paligjshme në veri

Gjatë vitit të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë një qëndrim më kategorik për strukturat paralele në veri të vendit, duke ndërmarrë një varg veprimesh për të siguruar sundimin e rendit dhe ligjit. Këto veprime, ndër të tjera, përfshijnë: konvertimin e targave të automjeteve dhe patentë-shoferëve të paligjshëm në targa të automjeteve dhe patentë-shoferë të Kosovës, integrimin e nënstacionit të rrjetit të energjisë në Vallaq, ndalimin e përdorimit të dinarit serb për kryerjen e pagesave dhe mbylljen e zyrave postare dhe komunave paralele. 

Veprimet si integrimi i rrjetit të energjisë në Vallaq me Prishtinën erdhën si rezultat i Marrëveshjes së lehtësuar nga ana e BE-së. Ngjashëm, BE-ja e mirëpriti konvertimin e targave. Megjithatë, ndalimi i dinarit serb për pagesa dhe mbyllja e zyrave paralele u kritikuan ashpër, ndonëse në parim u pranuan si veprime të ligjshme. 

Pas sulmit në Banjskë, përgjigja e Serbisë ka qenë jashtëzakonisht e përmbajtur. Megjithëse më parë ajo kundërshtonte secilën lëvizje të Kosovës në veri, tensionet janë zbutur. Serbët e Kosovës i kanë zëvendësuar targat e paligjshme të automjeteve dhe, gjithashtu, Serbia i ka njohur vulat doganore të Kosovës. 

Fokusi i Serbisë duket të jetë forcimi i pozitës së saj rajonale dhe ndërkombëtare, siç dëshmohet me marrëveshjet me Gjermaninë për nxjerrjen e litiumit, kontratën me Francën për avionët luftarakë “Rafale”, si dhe rolin e saj në furnizimin e Ukrainës me municion.  

Kjo manovër diplomatike duket se e ka liruar Serbinë nga çdo përgjegjësi për sulmin në Banjskë. Një vit më vonë, vërehet qartë mungesa e mbajtjes përgjegjës të Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar, po sikur edhe roli i Serbisë. 

Kjo marrëdhënie e natyrës transaksionale në mes të Serbisë dhe Perëndimit, bashkë me mungesën e veprimeve ndëshkuese kuptimplote kundër Serbisë ose grupit paramilitar të saj, në të ardhmen mund ta trimërojnë Beogradin për agresion ndaj Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.