Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Luftë e jorealitetit: Pse Rusia po kërcënon me përshkallëzim të konfliktit në Ukrainë

Përgjatë javëve të fundit lëvizjet dhe vendosja e ushtrisë ruse pranë kufirit me Ukrainën kanë tërhequr vëmendjen e Perëndimit. Në fund të marsit, lëvizjet e tilla po bëheshin në lindje, veri dhe jug të Ukrainës – përfshi vendosjen e disa trupave bjelloruse – por javën e kaluar, qendra e gravitetit të mobilizimit ushtarak të Rusisë u zhvendos drejt gadishullit të okupuar të Krimesë dhe rajonit të Krasnodarit, që kufizohet me Donbasin.

Ndërkohë që situata është akoma duke u zhvilluar, ka vlerësime të ndryshme për madhësinë e trupave ruse. Rusia ka dërguar në terren shumë prej brigadave dhe regjimenteve të Distriktit Ushtarak Jugor, ku secila ka dërguar të paktën nga një batalion (gjithsej 30). Ndërsa, më shumë se 16 janë dërguar në rajonet e tjera përgjatë Rusisë. Kjo është pak a shumë e ngjashme me fuqinë e trupave të Ukrainës (për krahasim, forcat për reagim të shpejtë të NATO-s përbëhen nga 30 batalione). Meqë zhvendosjet nga ajri janë shumë më vështirë të gjurmohen nga civilët, ka shumë pak informata publike për lëvizjet ajrore ruse. Sidoqoftë, janë regjistruar rritje të aktiveteteve ajrore ruse në rajonin e Baltikut gjatë kësaj periudhe, dhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se të gjitha njësitë e forcave ajrore dhe detare të Distriktit Ushtarak Jugor do të stërviten për detyrat e përbashkëta opeacionale. Ka shumë pak dyshim se Rusia po përgatit një forcë ushtarake, të aftë për të pushtuar Ukrainën. Deri ku është në gjendje të shkojë Rusia?

Në këtë mes, vërehet mungesa e një elementi të aparatit ushtarak rus: Rosgvardia (Garda Kombëtare). Më 2014, kur Rusia kërcënonte me pushtimin e plotë të Ukrainës, formacionet pararendëse të Gardës Kombëtare (atëherë nën Ministrinë e Brendshme) u dërguan në numra të shumtë përkrah njësiteve ushtarake. Ideja se Kremlinit do t’i duhet Garda Kombëtare për të instaluar regjimin okupator në Ukrainë dhe për të shtypur rezistencën lokale dhe jo të çrregullt të okupuesve rusë. Prandaj, çfarëdo të jenë planet e Rusisë, për momentin duket sikur nuk do të ketë pushtim të plotë të Ukrainës – si për shembull pushtimi i gjithë territorit në lindje të Denprit, të cilin mediat propaganduese ruse e quajnë ‘Novorossiya’ (Rusia e Re).

Prapëseprapë, ka gjasa që Rusia të angazhohet në forma të tjera të përshkallëzimit të kufizuar për të ndryshuar termat e luftës në Ukrainë. Janë disa arsye për këtë. Së pari, përshkallëzimi mund t’i ofrojë Moskës prektekst për të dërguar formalisht ‘paqëruajtësit’, ose për të ngritur nivelin e lidhjeve diplomatike me republikat separatiste të krijuara në Ukrainën lindore, duke ndryshuar kështu termat e mosmarrëveshjes ligjore rreth luftës së Donbasit. Edhe në rast të një provokimi rus në Donbas, zhvendosjet masive të trupave ruse në krahë do të shkatërronin rezervistët ukrainas që ruajnë brendësinë e vendit, duke privuar Kievin nga reagimi me dorë të hekurt.

Së dyti, përshkallëzimi i kufizuar rreth Krimesë për të shtënë në dorë një pozicion të vogël në Ukrainë – operacion që arsyetua formalisht nga mungesa e furnzimit me ujë në gadishull, por që në praktikë u dizajnua për të theksuar cenueshmërinë ushtarake të Kievit – është shumë i mundshëm. Dërgesa e fundit e mjeteve të zbarkimit prej Detit Kaspik në Detin e Zi krijon dyshime të mëtejshme në atë front. Rritja e fundit e propagandës së pafre ruse kundër Ukrainës mund të jetë thirrje mobilizuese për një operacion të tillë.

Sido që të jetë, Moska i sheh përpjekjet për të ekspozuar cenueshmërinë ushtarake të Ukrainës si tejet të vlefshime në përpjekjet për t’i bërë presion Kievit që të bëjë lëshime. Kremlini kërkon që Kievi t’i përmbahet Marrëveshjes së Minskut sipas kushteve të saj – duke integruar republikat e reja në Ukrainë ashtu siç janë, duke i ofruar Rusisë në këtë mënyrë një veto të përhershme mbi politikën vendore të Kievit. Që prej fillimit të luftës, Moska nuk ka qenë e gatshme të bëjë kompromis në lidhje me këtë. As Ukraina as Perëndimi nuk kanë lënë të kuptohet se do të pajtoheshin me kushtet e Moskës. Përkundrazi, presidenti amerikan Joe Biden shfrytëzoi telefonatën e parë me homologun rus Vladimir Putin, për të deklaruar qartë se sovraniteti i Ukrainës nuk është në shitje. Putin duket se po e teston se a do të qendrojë kjo edhe pasi të ketë ngritur çmimin.

Megjithëkëtë, ka një motivim edhe më shqetësues për lëvizjet ushtarake ruse se sa thjesht lojë gjakftohtë me zjarrin. Akuzat e Kremlinit se Kievi po kërkon zgjidhje ushtarake për konfliktin e Donbasit dhe se NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara po komplotojnë me Ukrainën për të rimarrë Krimenë, nuk janë vetëm vegla të propagandës. Pjesë të mëdha të establishmentit politik të Moskës – veçanërisht shërbimet e inteligjencës – besojnë sinqerisht në këto akuza. Prandaj, ata po e përdorin ushtrinë për të parandaluar përshkallëzimin, të cilën në realitet nuk po e planifikon askush në Kiev.

Ironikisht më 2019, presidenti Volodymyr Zelensky vendosi kufizime shtesë mbi ushtrinë ukrainase për të mos bërë as përparime minimale në Donbas (ndonëse fitoi disa përleshje të vogla mes viteve 2016 dhe 2018, duke lëvizur aty këtu vijen e frontit 50 metra përpara). Ai ishte shumë më i gatshëm se paraardhësi i tij Petro Poroshenko në lidhje me negociatat për çmilitarizim dhe ndarje të trupave – me shpresën se do ta siguronte Moskën që Kievi nuk dëshiron të sfidojë statuskuonë ushtarake. Për të njejtën arsye, Zelensky emëroi në ekipin e tij Andriy Yermak, një prej figurave më pro-ruse, si të dërguar të posaçëm për negociatat me Rusinë. Madje, Zelensky e vuri Yermak-un në krye të administratës presidenciale, për të larguar pengesat e komunikimit të drejtpërdrejtë mes Kremlinit dhe zyrës së tij. Më 2019, Zelensky u pajtua të përfshinte në një shkëmbim të burgosurish Volodymyr Tsemakh-un, dëshmitar kyç i incidentit MH17, duke synuar ta shpëtonte Rusinë nga turpërimi i hetimit holandez të rastit. Këto hapa kanë qenë shumë kundërthënëse në Kiev, por Zelensky i konsideroi si të domosdoshme.

Ukraina nuk mori asgjë në këmbim. Vetëm së fundmi, Zelensky dha shenja të pakënaqësisë me mosgatishmërinë e Moskës që të bëjë përparime për këto çështje, duke vënë sanksione ndaj aleatit më të besueshëm të Putinit në Ukrainë Viktor Medvedchuk. Ndonëse, ka shumë pak gjasa që një figurë pro-ruse si Medvedchuk ose Yuriy Boyko të fitojnë zgjedhjet kombëtare në Ukrainë, Kremlini ende beson se janë forcë e besueshme politike – një nga keqperceptimet themelore të politikës ukrainase. Prandaj, Putin-i u ndje i privuar nga “opsioni politik” për Kievin që nuk ishte aty fillimisht.

Si përgjigje ndaj kërcënimeve të fundit ushtarake nga Moska, Zelensky ka rritur përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO dhe ka eliminuar mundësinë e kthimit në negociata në Minsk, për shkak se Bjellorusia nuk është më neutrale në konflikt (lëvizja e kësaj të fundit është pritur gjërësisht që në gusht, kur Moska filloi të kontrollonte më ashpër regjimin e lodhur në Minsk pas protestave kundër zgjedhjeve të manipuluara presidenciale në Bjellorusi).

Zelensky ka qenë politikani më pajtues për të cilin mund të ketë shpresuar realisht Moska. Tash, Moska ka shtyrë Zelensky-n që të ndërmarrë pozicion të ngjashëm me Poroshenkon.

Qeveritë evropiane ende duhet të mësojnë mësimet e këtij ballafaqimi. Realiteti alternativ në të cilin jeton Kremlini – ndërtuar mbi fantazi sikurse NATO-ja dhe Ukraina po bashkojnë forcat për të pushtuar Krimenë – po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm. Nuk ka pasur ndonjë operacion ushtarak nga ana Ukrainës për të arsyetuar operacionet e tashme të Rusisë në kufijtë e Ukrainës. Përderisa frikat e Kremlinit bazohen në iluzione, ai beson se këto iluzione i japin të drejtë të ndërmarrë aksione ushtarake reale. Hiq ShBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar, shtetet perëndimore kanë qenë jashtëzakonisht të ngadalta dhe të kujdesshme në kritikat ndaj sjelljes së fundit të Rusisë. Për hir të sigurisë së saj, Evropa duhet t’ia bëjë të qartë Moskës se nuk do të pranojë deluzionet ruse për qëllimet e shteteve të tjera si arsyetim për luftë. Liderët evropianë duhet që publikisht t’i quajë të rreme akuzat ruse kundër Kievit dhe Perëndimit, si dhe të përdorë të gjitha veglat për masat e ndërtimit të mirëbesimit të OSBE-së për të diskredituar publikisht si të rreme argumentet e Kremlinit. Përmbajtja, indiferenca, dhe distanca diplomatike vetëm sa do të trimërojnë Kremlinin që të çojë jorealitetin në nivel tjetër dhe të veprojë në përputhje me të.

Sa më të cenueshëm fqinjtë e Rusisë, aq më i efektshëm tregimi i forcës ushtarake. Përforcimi i aftësive të tyre për t’u vetëmbrojtur dhe ngritja e çmimit për aveturizmin ushtarak rus është përpjekje afatgjate që evropianët nuk mund ta lançojnë pa qenë të përgatitur – në një krizë në të cilën e kuptojnë papritmas se duhet të kishin vepruar shumë më herët. Ka shumë propozime rreth asaj se si duhet që Bashkimi Europian të përforcojë qendrueshmërinë e partnerëve të tij lindor. Është koha që të veprojë sipas tyre.

***

Artikulli origjinal në European Council on Foreign Relations, më 14 prill 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.