Rron Gjinovci drejton Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në të cilën është bashkëthemelues. Aktualisht student i filozofisë, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës dhe aktivist i shoqërisë civile.
Ai filloi aktivitetin e tij në vitin 2010 si bashkëthemelues i organizatës studentore Studim Kritikë Veprim (SKV) e cila u angazhua për luftimin e korrupsionit në vitet 2010-2012 duke ndërmarrë një sërë aksionesh kundër menaxhmentit të kohës. Ai u bë i njohur për publikun në vitin 2011 kur hodhi ngjyrë të kuqe mbi rektorin e atëhershëm gjatë ceremonisë së shënimit të 41 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës (UP).
Deri në vitin 2012 ai ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 2012 deri më 2016 vazhdoi aktivizmin e pavarur qytetar në çështje të ndryshme e posaqërisht në protestat që ndodhën në Universitetin e Prishtinës me çrast pati shkarkim të një rektori.
Rroni poashtu angazhohet si vullnetar në Fushë Kosovë përmes organizatës The Ideas Partnership ku punon me një grup prej 20 nxënësish romë, ashkali dhe egjiptas me qëllim të përgatitjes së tyre më të mirë në shkollimin e mesëm si dhe për universitet.
Është marrë me gazetari investigative në kuadër të Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan (BIRN). Gjatë vitit 2016 ka hulumtuar korrupsionin akademik me ç’rast janë zbuluar raste të shkeljes së parimeve të integritetit akademik nga rektori dhe drejtues të tjerë të lartë në UP.
Është autor i disa raporteve dhe i dhjetëra shkrimeve autoriale dhe hulumtimeve për gazeta të ndryshme në Kosovë dhe në rajon si Gazeta JNK në Prishtinë, Prishtina Insight, Balkan Insight, Bilten (Kroaci), Zëri dhe Koha Ditore.