Përfundimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani më 4 prill ka shërbyer si pikënisje për një valë interpretimesh të shtrembëruara në disa kanale mediatike të lidhura me rrjete pro-ruse. Në këto përmbajtje, procedura standarde kushtetuese që zbatohet pas përfundimit të mandatit të secilit presidente/es, paraqitet si dëshmi e “dështimit të shtetit” dhe gjoja shkatërrimit të iluzionit të funksionalitetit institucional. Por analiza e fakteve, kontekstit juridik dhe praktikës demokratike tregojnë një realitet krejtësisht ndryshe.
Në sistemin kushtetues të Kosovës, përfundimi i mandatit të presidentit nuk krijon vakum institucional. Kushtetuta e parasheh qartë se në raste të tilla, kompetencat e presidentit kalojnë përkohësisht te kryetari i Kuvendit. Në këtë rast, kjo detyrë i ka kaluar Albulena Haxhiut, duke garantuar vazhdimësinë institucionale. Ky mekanizëm nuk është përjashtim, por pjesë e sistemit politik dhe demokratik të Kosovës përmes të cilit synohet të shmanget çdo boshllëk institucional në ushtrimin e pushtetit dhe kompetencave të cilat ia përshkruan kushtetuta presidentit/es.
Synohet zbehja e besimit në institucione
Megjithatë, ky zhvillim është interpretuar ndryshe nga platforma si “Pravda” në versionin shqip dhe kanale të lidhura me të në Telegram, përfshirë @balkanar. Në raportimin e tyre përdoret një gjuhë e ngarkuar ideologjikisht, ku Kosova cilësohet si “kuazi-shtet” dhe situata aktuale paraqitet si dëshmi e një sistemi të dështuar që nuk mund të funksionojë pa ndërhyrjen e Perëndimit. Kjo qasje përputhet me narrativat e njohura të propagandës pro-Kremlinit që kanë për qëllim delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës dhe dobësimin e besimit në institucionet demokratike.
Një element kyç që shpërfillet në këto raportime është roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila përmes aktgjykimeve të saj ka sqaruar disa herë rrugën përpara në funksion të shmangies së bllokadave dhe funksionalizimit të insitutucioneve.
Kushtetuesja edhe në aktgjykimin e fundit sqaroi procedurat dhe afatet që duhet të ndiqen për zgjedhjen e presidentit të ri në funksion të tejkalimit të ngërçit politik. Kushtetuesja e përcaktoi se procedura për zgjedhjen e presidentit do të duhej të përfundonte jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual të presidentes. Meqë mandati i Vjosa Osmanit do të përfundonte më 4 prill, presidenti i ri do të duhej zgjedhur deri më 5 mars.
Por për shkak se Kuvendi u konstitua tek më më 11 shkurt, Gjykata Kushtetuese e ka llogaritur afatin 60-ditor nga kjo datë. Sipas aktgjykimit, tani Kuvendi ka afat ligjor që ta zgjedhë presidentin deri më 28 prill. Nëse dështon ta bëjë këtë, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Vetë ekzistenca dhe funksionimi i këtij mekanizmi dëshmon për një sistem institucional që operon mbi bazën kushtetuese e ligjore dhe jo për një strukturë të brishtë apo të paqëndrueshme siç tentohet të paraqitet në narrativën ruse.
Në realitet, sfida aktuale lidhet me mungesën e konsensusit politik në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas Kushtetutës, 80 deputetë duhet të marrin pjesë në votimin ku zgjedhet Presidenti, në të tri raundet e votimit sa zhvillohen gjithsejtë.
Në raundin e parë dhe të dytin kërkohen 80 vota për. Në të tretin presidenti zgjedhet me 61 vota pro, por me kushtin që në votim të marrin pjesë 80 deputetë.
Pretendime të rrejshme për ndërhyrje të ndërkombëtarëve
Element tjetër manipulues është narrativa që pretendon se ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kontrollojnë procesin politik në Kosovë. Këta aktorë ndërkombëtarë deri tash kanë dhënë mbështetës dhe këshillues duke kërkuar institucione funksionale dhe stabilitet për t’i shtyrë përpara proceset integruese. Por vendimmarrja dhe marrëveshja për presidentin mbetet ekskluzivisht në duart e partive politike, duke filluar nga Lëvizja Vetëvendosje me përgjegjësinë kryesore politike si subjekti fitues i zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Deri tash nuk ekzistojnë prova apo raportime të besueshme nga mediume në Kosovë apo jashtë saj që mbështesin pretendimet për ndërhyrje direkte nga ndërkombëtarët në zgjedhjen e presidentit.
Vetë forma dhe gjuha e teksteve të publikuara nga këto kanale ngrenë dyshime për autenticitetin dhe qëllimin e tyre. Gabimet e shumta drejtshkrimore dhe sintaksore në shqip – si përdorimi i formave të pasakta të emrave apo përkthime të çuditshme si “Funnyshtë qesharake” – sugjerojnë se përmbajtja është përkthyer automatikisht nga gjuhët e tjera, nga rusishtja ose anglishtja. Teksti ka edhe disa gabime të tjera drejtshkrimore si Hadxhiu” (në vend të Haxhiu), apo edhe përdorim i çuditshëm i shkronjave të mëdha (“E Kosovës”, “Të Osmanit”).
Kjo është një praktikë e zakonshme në rrjetet e dezinformimit, sikurse Pravda, ku përmbajtja prodhohet në mënyrë automatike të centralizuar dhe e njëjta më pas shpërndahet në gjuhë të ndryshme për të arritur audiencë sa më të gjerë.
Kanale si @balkanar në Telegram funksionojnë në kuadër të këtij ekosistemi, duke përdorur gjuhë sensacionale e fyese, si dhe narrativa destabilizuese për të paraqitur Ballkanin si një rajon të paqëndrueshëm dhe të etur për konflikte. Përmes këtyre përmbajtjeve, synohet krijimi i perceptimit se institucionet demokratike janë të brishta dhe të varura nga aktorë të jashtëm, duke minuar kështu besimin e qytetarëve në sistem.
Realiteti politik në Kosovë është më kompleks dhe më pak dramatik sesa paraqitet. Ngërçi aktual është rezultat i dinamikave të brendshme politike dhe nevojës për kompromis mes partive politike. Korniza kushtetuese ofron rrugë të qarta për zgjidhjen e situatës, qoftë përmes arritjes së një marrëveshjeje për presidentin e ri apo përmes rikthimit të vendimit te qytetarët përmes zgjedhjeve të reja.
Ajo që paraqitet si “paralizë” në narrativat propagandistike, në fakt është një proces politik i zakonshëm në një demokraci funksionale. Institucionet janë aktive, procedurat janë në fuqi dhe mekanizmat për zgjidhjen e krizave ekzistojnë .
































































