Politika energjetike e Qeverisë Kurti është karakterizuar nga refuzimi i projekteve strategjike, pa ofruar alternativa të zbatueshme, duke e bërë Kosovën gjithnjë e më të varur nga importi i energjisë, ndërsa çmimi i energjisë elektrike është rritur dukshëm.
Përderisa kërkesa për energji rritet dhe importi bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm, Qeveria Kurti nuk ofron zgjidhje të reja dhe refuzon projektet e reja siç është gazi i lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.
Importi dhe çmimi i energjisë elektrike rriten skajshëm
Që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit, energjia elektrike është shtrenjtuar tri herë. Fillimisht, në shkurt 2022, ZRRE-ja ndryshoi tarifat për konsumatorët që shpenzojnë mbi 850 kWh në muaj.
Më pas, në mars 2023, çmimi i energjisë u rrit me 15.4%, ndërsa në prill 2025 u shtrenjtua sërish me 16.1%.
Ndërkohë, në katër vitet e fundit, importi i energjisë ka kapur vlerën prej 735 euro milionë euro. Një shumë e konsiderueshme dhe barrë e madhe për qytetarët.
Mungesë e strategjisë dhe vendime ad-hoc
Për t’u përballur me krizën energjetike, Qeveria Kurti pati lansuar politikën për subvencionimin për pajisje efiçiente ngrohëse, duke nxitur qytetarët që t’i përdorin ato.
Vetëm disa muaj më pas, gjatë sezonit të dimrit, Qeveria pati kërkuar të kursehet energjia sa më shumë. Në disa momente ka pasur edhe tallje me qytetarët, se kinse ata kanë qejf t’i mbajmë dhomat shumë nxehtë.
Kjo politikë kontradiktore simbolizon punën e një qeverie e cila nuk ka strategji të mirëfilltë në fushën e energjisë. Përderisa qytetarët vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike në dimër, njerëzit e pushtetit përfitojnë nga kjo gjë, duke u zhytur në skandale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Skandalet në sektorin e energjisë dhe dyshimet për kapje politike
Sektori i energjisë ka qenë një nga fushat më të kontestuara të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, i shoqëruar me dyshime për korrupsion dhe ndikim politik.
Rasti më i njohur lidhet me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili më 2025 ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet për shpëlarje parash, shmangie tatimore dhe mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë. Pavarësisht seriozitetit të këtyre dyshimeve dhe ndikimit të tyre në kredibilitetin e shtetit, Qeveria nuk e shkarkoi atë nga detyra, ndërsa zyrtarë të saj vazhduan ta mbrojnë publikisht.
Një tjetër rast ishte ai i ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ndaj të cilit u ngrit aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Publikimi i mesazheve të tij me zyrtaren e LVV-së, Dejona Mihali, ku diskutoheshin takime të fshehta dhe udhëzime për veprimet e tij, ngriti dyshime serioze për ndërhyrje politike në menaxhimin e ndërmarrjes publike.
Pikëpyetje janë ngritur edhe për importin e energjisë. Në vitin 2024, rreth 90 për qind e energjisë elektrike të importuar u sigurua përmes kompanisë shqiptare Noa Energy Trade, një kompani e themeluar vetëm në vitin 2021. Përqendrimi i pothuajse të gjithë importit te një operator i vetëm shtoi kërkesat për transparencë dhe hetim të procedurave të prokurimit.
Refuzimi i projekteve
as a “Rruga drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën” ishte editoriali i Anu Prattipati-t, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, botuar më 4 qershor 2026. Në emër të SHBA-së, ajo kërkoi nga Kosova që t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit LNG në Ballkanin Perëndimor.
Prattipati theksoi se Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin amerikan.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk e ka aprovuar interesimin e Kosovës në këtë iniciativë. Në vend të kësaj, ai tashmë ka filluar të flasë për një alternativë tjetër, investimin në ndërtimin e një terminali në Vlorë, për gazifikimin e thëngjillit.
Kjo u konfirmua edhe nga brenda ombrellës së argumentit të Kurtit, por me një sqarim më të gjerë doli ministrja në detyrë Artane Rizvanolli, e cila deklarativisht tha se “Kosova nuk refuzon gazin amerikan”, por kemi një alternativë tjetër, gazifikimin e thëngjillit.
Në katër vitet e fundit, politika energjetike e Qeverisë Kurti është karakterizuar nga rritja e çmimit të energjisë, varësia në rritje nga importi, mungesa e investimeve strategjike dhe skandale të korrupsionit.
Refuzimi i projekteve si gazi LNG, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pa paraqitur një alternativë të zbatueshme dhe të financuar, e thellon pasigurinë energjetike të Kosovës, në një kohë kur vendi ka nevojë për diversifikim të burimeve dhe rritje të kapaciteteve prodhuese.
Mungesa e një vizioni afatgjatë rrezikon ta bëjë Kosovën edhe më të varur nga importi dhe më të ekspozuar ndaj krizave energjetike.






























































