Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Deputeti: bindje apo gjykim

Të zgjedhësh dhe të zgjidhesh janë folje fonetikisht të afërta, por semantikisht me kuptime të ndryshme. Megjithëse shpesh ngatërrohen në përdorimin e përditshëm edhe nga ata që zgjedhin, por edhe nga ata që zgjidhen, të dy foljet përcaktojnë veprime të domosdoshme për demokracinë.

Ndërmjet këtyre dy nocioneve, Kosova sapo kaluar fazën e zgjedhjes së të zgjedhurve, atyre që ngarkohen me përgjegjësinë për ta lehtësuar jetën e qytetarëve.

Nga shkurti i vitit 2025, e deri në qershor të vitit 2026, kosovarët u detyruan të dalin në zgjedhje tri herë radhazi.

Shkalla e mosdaljes në zgjedhje, prej 63 për qind, ka prekur nivelin më të lartë në historinë zgjedhore të Kosovës.

Të pakënaqur, të irrituar apo të painteresuar, mund të jenë të tri gjendjet e sakta në raport me mosdaljen.

Për një muaj rresht kandidatët prezantuan më shumë foto se ide, propozime apo zgjidhje, më shumë like se sa që patën prezencë të qytetarëve të interesuar për takime të drejtpërdrejta.

Fushatat zakonisht prodhojnë zhurmë, por vota shpesh prodhon përfaqësues pa ide dhe jo inventiv.

Edmund Burke, politikan, filozof dhe mendimtar irlandezo-britanik në fjalimin para votuesve të Bristolit në vitin 1774, potencoi se deputeti nuk duhet të jetë vetëm një transmetues i dëshirave të elektoratit.

Sipas Burke, qytetarët zgjedhin një deputet jo vetëm për t’i dëgjuar, por edhe për të menduar.

Në këtë kuptim, mandati i deputetit nuk është mandat bindjeje, por mandat gjykimi.

Tashmë kur Kosova e ka legjislaturën e XI të Kuvendit, pyetja themelore që shtrohet është nëse zgjedhësit kanë votuar për ata që mendojnë, apo janë vetëm “zëdhënës”, të kërkesave të tyre?!

Tradita politike në Kosovë ka dëshmuar se në ulëset e Kuvendit zakonisht kanë zënë vend ata që kanë prezantuar kërkesa qytetare për ndonjë rrugë të paasfaltuar, mungesë të ujit të pijshëm, të barnave nga lista esenciale, apo gjëra të tilla bazike. Natyrisht kjo është gjë e mirë, porse në raport me numrin e zgjedhjeve që ka mbajtur Kosova deri tash, kërkesat e tilla duhej të avanconin.

Pra, thjesht në Kuvend të shtrohen ide dhe iniciativa  jotriviale dhe të cilat bëjnë dallimin në raport me të kaluarën.

Çfarë bën deputeti i zakonshëm kosovar? Merr pjesë në seancë, i gatshëm për ta ngritur dorën në sinkron me partinë, flet rrallë, propozon diçka edhe më rrallë, kundërshton gjithashtu rrallë dhe pothuajse kurrë nuk ka ndonjë propozim apo ide kreative. Të dhënat e organizatave që monitorojnë aktivitetin e Kuvendit për angazhimin e deputetëve janë shqetësuese.

Ka shumëçka për të bërë një deputet në Kuvend që të mos duket sikurse një marionetë.

Në kohën kur shumë vende evropiane tashmë kanë marrë vendim ose janë në proces të miratimit të ligjeve që ndalojnë përdorimin e platformës TikTok, apo të tjera të ngjashme për fëmijët deri në 18 vjeç, në shtëpinë e ligjeve të Kosovës, asnjëherë, askush nuk e ka bërë një propozim të tillë.

Dy vjet më parë, në Gjakovë, 13 nxënëse janë vetëlënduar pasi që janë bërë pjesë e një të ashtuquajture sfidë në TikTok.

Që prej asaj kohe, gjithçka i është kthyer rutinës dhe askush nuk flet për pasojat e përdorimit të këtyre rrjeteve sociale. Këtë gjë do të duhej ta bënin deputetët e rinj, për ta nisur punën me një nga çështjet më delikate në raport me shkollarët.

Ka çështje tejet me rëndësi për jetën tonë, saqë duhet vetëm pak të grishet mendja për të prodhuar propozim ide kreative apo nisma që shkojnë përtej replikave të zakonshme kuvendare me akuza reciproke për hiçgjë.

Derisa jetën tonë po e dominon inteligjenca artificiale, nevoja për një bazë ligjore që e rregullon atë është bërë imediate.

Një analizë e realizuar nga organizata joqeveritare Etea, nxjerr në pah se  93.2 për qind e nxënësve të anketuar të të tri niveleve të arsimit parashkollor në Kosovë, e përdorin inteligjencën artificiale për qëllime shkollore.

Kjo statistikë dëshmon nevojën që dikush nga deputetët e kësaj përbërjeje të Kuvendit, të propozojnë ndryshime në ligjet ekzistuese të arsimit, apo të propozojë ndonjë projektligj të veçantë që rregullon përdorimin e IA-së në sferën e arsimit në Kosovë.

Një raport i OECD-së për vitin 2026, tregon se AI-ja në shkolla tashmë është shndërruar në faktor strukturor, porse jo vetëm në mjet ndihmës. Prandaj një Kornizë Kombëtare për AI në shkolla është një nga detyrat e mundshme të deputetëve të rinj si një ogur i mirë për të ikur nga skema e zakonshme e funksionimit të përfaqësuesve të popullit.

Asgjë nuk mund të bëhet në këtë linjë pa vullnet dhe guxim të deputetëve.

Prej katër vjetësh, Projekt-Kodi Civil, mbetet dokument që pret miratimin e deputetëve. Deputetët duhet të tregojnë guxim politik dhe përgjegjësi shtetërore për ta miratuar atë, ngase sipas ekspertëve juridik, miratimi do ta rriste cilësinë dhe sigurinë juridike.

Një deputet nuk manifeston guxim vetëm kur voton për një çështje të caktuar, por edhe kur ka gatishmëri për të ndërmarrë iniciativa, për të propozuar ligje që i shërbejnë interesit publik dhe për t’i mbrojtur ato edhe kur janë politikisht të vështira.

Pasi që kishte refuzuar disa vjet radhazi dokumentet e qeverisë qendrore apo autoriteteve ndërkombëtare në Kosovës, me kërkesën që të hiqet nga përdorimi emërtimi famëkeq Gjeneral Jankoviq për Hanin e Elezit, kryetari Rufki Suma e fitoi betejën tek në verën e vitit 2012.

Në prill të këtij viti, Suma, tashmë në cilësinë e deputetit propozoi krijimin e një komisioni parlamentar për rishikimin dhe harmonizimin e emërtimeve të vendbanimeve në Kosovë, duke e lidhur këtë me çështjen e identitetit historik të vendit.

Kjo dëshmon se një deputet mund të jetë shumë më tepër sesa një votë në sallë. Ai mund të jetë iniciator i debateve të rëndësishme dhe nxitës i ndryshimeve që shkojnë përtej rutinës politike.

Kosova, e veçanërisht Prishtina, po përballet prej vitesh me problemin e pazgjidhur të qenve endacakë, të cilët krijojnë pasiguri në hapësirat publike, por edhe shpërfaqin dështim në menaxhimin urban të kafshëve.

Nëse ligjet aktuale nuk janë efikase në zbatim dhe nuk po sjellin rezultate konkrete në terren, atëherë është e domosdoshme që të fillohet një nismë legjislative, bazuar në dispozitat e Ligjit për Nisma Legjislative, për adresimin e këtij problemi.

Deputeti e ka obligim të kërkojë përgjegjësi nga institucionet kompetente për zbatimin e ligjeve në fuqi. Nëse konstatohet se ligjet ekzistuese nuk po zbatohen në mënyrë efektive ose nuk po e arrijnë qëllimin për të cilin janë miratuar, duhet të iniciojë procedurat për ndryshimin, plotësimin ose rishikimin e tyre, në mënyrë që ato të ofrojnë mbrojtje më të mirë dhe zgjidhje më efektive në praktikë.

Nga janari deri në qershor të këtij viti, vetëm në Prishtinë janë raportuar 44 raste të kafshimit të qytetarëve nga qentë endacakë, çka e bën këtë situatë një urgjencë institucionale për sigurinë qytetare.

Me ligjet aktuale, qentë endacakë janë nën përgjegjësinë e komunave, të cilat mbështeten edhe nga institucionet qendrore, por mungesa e zbatimit efektiv e ka bërë këtë kornizë ligjore të pamjaftueshme për zgjidhjen e problemit në terren

Përgjegjësia ndaj kësaj gjendjeje nuk është vetëm morale, por edhe politike dhe institucionale, e domosdoshme për të nxitur veprim konkret dhe zgjidhje të qëndrueshme.

Prandaj, zgjedhësit kanë nevojë për përfaqësues që guxojnë të mendojnë, të propozojnë dhe të marrin përgjegjësi. Deputetë që u paraprijnë sfidave të kohës me nisma që ndryshojnë jetën e qytetarëve dhe me guximin për të dalë nga rutina politike.

Fundja, ne zgjedhim përfaqësues jo sa për ta ngritur dorën, por të tillë që ngrenë standardin e shtetit.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.