Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Ballkani Perëndimor: dallime të thella ndaj shërbimit të detyrueshëm ushtarak mes vendeve anëtare dhe joanëtare të NATO-s

Photo from Shutterstock.

Pushtimi rus i Ukrainës ka riformësuar peizazhin gjeopolitik të Europës dhe mënyrën se si shtetet e perceptojnë sigurinë dhe kapacitetet e tyre mbrojtëse. Një ndër temat kryesore që ka ngjallur debat është mundësia e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Këto zhvillime janë veçanërisht të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, një rajon i karakterizuar historikisht nga konflikte etnike dhe tensione të pazgjidhura ndërshtetërore.

Por, si po e perceptojnë vendet e rajonit këtë prirje? A po rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak në vendet e Ballkanit Perëndimor?

Ekziston një dallim i thellë në mënyrën se si vendet anëtare të NATO-s, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, e perceptojnë sigurinë dhe mbrojtjen, krahasuar me vendet joanëtare, si Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Kosova mes transformimit ushtarak dhe mungesës së kapaciteteve

Kosova përbën një rast specifik për shkak të statusit të saj politik, tensioneve të vazhdueshme me Serbinë dhe mungesës së anëtarësimit në NATO. Për më tepër, deri në vitin 2018, Kosova nuk kishte një ushtri të rregullt.

Me zgjerimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) më 2018, ku u përfshinë edhe detyra të mbrojtjes kombëtare, ajo u afrua më shumë me funksionet e një force ushtarake konvencionale.

FSK-ja aktualisht ka rreth 4.000 pjesëtarë, ndërsa pas përfundimit të periudhës dhjetëvjeçare të tranzicionit, e cila pritet të zgjasë deri në vitin 2028, ky numër synohet të rritet në mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

FSK-ja ka evoluar nga një strukturë kryesisht e fokusuar në menaxhimin e krizave dhe mbrojtjen civile, drejt kapaciteteve të plota ushtarake, duke reflektuar ndryshimet në nevojat e sigurisë së vendit dhe zhvillimet në mjedisin rajonal.

Megjithatë, Kosova endet mbetet larg kapaciteteve të plota për mbrojtjen e vendit, për shkak të numrit relativisht të kufizuar të pjesëtarëve dhe fazës ende të papërfunduar të transformimit.

Përtej luftës në Ukrainë, sulmi terrorist në Banjskë më 2023, nga forca paramilitare serbe, e përforcoi tutje perceptimin se mjedisi i sigurisë në Kosovë mbetet i brishtë dhe se nevoja për forcimin më të madh të kapaciteteve mbrojtëse është urgjente.

Në këtë kontekst, në Kosovë janë zhvilluar debate për mundësinë e futjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kryeministri Albin Kurti, në mandatin e tij të parë, kishte shprehur mbështetje për një formë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Më pas ai u tërhoq nga kjo qasje, duke u dhënë përparësi zgjerimit të rekrutimit vullnetar, forcimit të FSK-së dhe zhvillimit të koncepteve më gjithëpërfshirëse të mbrojtjes totale. Ky model, i ngjashëm me atë të Finlandës dhe vendeve baltike, sipas tij, synon t’u përcaktojë qytetarëve funksione dhe detyra konkrete në rast të fatkeqësive natyrore apo konflikteve të armatosura.

Prandaj, në këtë fazë, shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk duket të jetë pjesë e ndonjë nisme konkrete institucionale, por mbetet në nivel të deklarimeve politike dhe si mundësi e hapur për të ardhmen.

Serbia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Serbia përbën rastin më të rëndësishëm në rajon sa i përket ndryshimit të politikave të shërbimit ushtarak, jo vetëm sepse është i vetmi shtet që ka rivendosur shërbimin e detyrueshëm, por edhe për shkak të rolit të saj destabilizues në sigurinë rajonale.

Në vitin 2010, Asambleja Kombëtare në Serbi vendosi pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke kaluar në një ushtri profesionale të bazuar në rekrutim vullnetar. Ky ndryshim u paraqit si pjesë e modernizimit të forcave të armatosura dhe përshtatjes me trendet e pas-Luftës së Ftohtë.

Lufta në Ukrainë e ndryshoi ndjeshëm kontekstin strategjik në të cilin Serbia e vlerëson politikën e saj të mbrojtjes. Kështu, në vitin 2024, presidenti Aleksandar Vuçiq nënshkroi dekretin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në kohëzgjatje prej 75 ditësh.

Vendimi i Serbisë nuk mund të shihet vetëm si masë teknike për rritjen e kapaciteteve ushtarake. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh lidhjet e Serbisë me Rusinë, refuzimin e saj për t’u rreshtuar me sanksionet perëndimore kundër Moskës dhe politikën e saj të balancimit midis Perëndimit dhe Lindjes.

Për më tepër, me veprimet e saj, Serbia nuk ndikon vetëm në politikat e saj mbrojtjes, por edhe në mënyrën se si vendet fqinje i vlerësojnë rreziqet dhe nevojat e tyre ushtarake.

Kjo vlen sidomos për Kosovën, ku Serbia vazhdon të shihet si burim kryesor kërcënimi për shkak të mosnjohjes së pavarësisë, pretendimeve territoriale dhe episodeve të dhunshme si sulmi në Banjskë. Në Bosnjë-Hercegovinë, ndikimi i Serbisë lidhet ngushtë me mbështetjen politike për akterët secesionistë në Republikën Srpska, gjë që e bën çdo forcim ushtarak të Beogradit pjesë të një dileme më të gjerë sigurie rajonale.

Për këtë arsye, rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi nuk perceptohet vetëm si çështje e brendshme e modernizimit të ushtrisë, por edhe si sinjal që mund të nxisë vendet fqinje të rishikojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse.

Bosnjë-Hercegovina e ngujuar në një paradoks sigurie

Bosnjë-Hercegovina përfaqëson rast të veçantë për shkak të strukturës komplekse institucionale, etnike, si dhe trashëgimisë së luftës të viteve 1992–1995.

Në vitin 2006, Bosnja e hoqi rekrutimin e detyrueshëm ushtarak, duke kaluar në një ushtri profesionale. Ky transformim ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera për të modernizuar forcat e armatosura, për të siguruar përfaqësim shumetnik dhe për të zvogëluar tensionet e brendshme dhe për t’u përshtatur me normat e NATO-s.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar ndjeshëm në politikat mbrojtëse dhe orientimin gjeopolitik të Bosnjës, njëkohësisht duke thelluar përçarjet brenda tij. Ndërsa institucionet qendrore në Sarajevë kanë synuar forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe afrimin me NATO-n dhe BE-në, Republika Srpska, nën udhëheqjen e Milorad Dodik-ut, ka ndjekur një linjë më të afërt me Rusinë.

Bosnja përballet me një paradoks sigurie. Nga njëra anë, nevoja për forcim institucional dhe gatishmëri mbrojtëse është bërë më e dukshme. Në anën tjetër, çdo përpjekje për forcim ushtarak mund të interpretohet ndryshe nga akterët e brendshëm, duke rritur mosbesimin dhe tensionet politike.

Prandaj, Bosnja nuk ka lëvizur drejt rikthimit të rekrutimit të detyrueshëm, por mbetet e ekspozuar ndaj dilemave të sigurisë që lidhen me ndarjet e brendshme dhe ndikimet e jashtme.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ndihen më të sigurta si vende anëtare të NATO-s

Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në vitin 2009 dhe hoqi përfundimisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Anëtarësimi në NATO ka kontribuar në rritjen e ndjeshme të stabilitetit të sigurisë së vendit, i cili, me përjashtim të Kosovës, tashmë është i rrethuar nga vende fqinje anëtare të Aleancës.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar politikat e mbrojtjes së Shqipërisë, por nuk ka ndikuar në rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Debati nuk është përqendruar te rikthimi i shërbimit të detyrueshëm, por te rritja e gatishmërisë mbrojtëse, forcimi i kapaciteteve ushtarake dhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes.

North Macedonia hoqi zyrtarisht rekrutimin e detyrueshëm në vitin 2006 dhe kaloi në një forcë të armatosur profesionale. Ky ndryshim synonte të rriste ndërveprimin me forcat e NATO-s dhe të përgatiste vendin për anëtarësim të plotë në Aleancë, qëllim i cili u realizua në vitin 2020.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar në perceptimet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka sjellë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ngjashëm me Shqipërinë, anëtarësimi në NATO ka luajtur rol stabilizues në politikat e mbrojtjes.

Montenegro u anëtarësua në NATO në vitin 2017, duke konfirmuar orientimin e tij strategjik drejt strukturave euroatlantike të sigurisë.

Lufta në Ukrainë ka shtyrë Malin e Zi të rivlerësojë mjedisin e tij të sigurisë, veçanërisht për shkak të ndikimit rus në rajon dhe ndarjeve të brendshme politike lidhur me orientimin gjeopolitik të vendit. Megjithatë, nuk ka pasur nisma formale për rikthimin e rekrutimit të detyrueshëm. Përkundrazi, përgjigjja e Malit të Zi është përqendruar në rritjen e gatishmërisë ushtarake, forcimin e kapaciteteve ekzistuese dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

Këto zhvillime në Ballkanin Perëndimor tregojnë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak lidhet ngushtë me perceptimet e kërcënimit, orientimin gjeopolitik dhe marrëdhëniet ndërshtetërore.

Në këtë kontekst, vendet anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor e konceptojnë sigurinë e tyre kryesisht përmes garancive kolektive të Aleancës, duke i dhënë përparësi bashkëpunimit ushtarak në vend të rikthimit të mobilizimit të detyrueshëm ushtarak.

Megjithatë, situata paraqitet krejtësisht e kundërt në shtetet joanëtare të NATO-s në rajon, ku debati për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak mbetet më i theksuar dhe i lidhur drejtpërdrejt me perceptimet e pasigurisë dhe rreziqet rajonale.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.