Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Provinca e iluzioneve

Kritikë Shfaqjes “Tri Motrat”

Përmes liftit tavolina e madhe e mbushur me trëndafilë u ngjit në podium. Përreth saj qëndrojnë të gjithë aktorët. Skena gjigante dhe e thellë e teatrit të Shkupit nxjerr në pah madhështinë karshi vogëlsisë së aktorëve në të. Tatëpjeta e vendosur në fund së sallës krijon imazhin e një kodre të butë dhe jep një efekt tjetër largësie dhe e zmadhon akoma më shumë podiumin e teatrit. Kostumografia përkatëse e shekullit XIX-XX, moda e shtresave të kamura, ushtarakëve, viktorianizmi, mimikat e ngrira të aktorëve, që në fillim të shfaqjes, emuluan emocionet dhe përjetimin e viteve depresive dhe të fundit të një sistemi monarkik.

Çehovi në këtë drame paraqet ngujimin e një familjeje në një vend provincial, gjedjen e shoqërisë e katandisjen e mbretërisë dhe depresionin e përgjithshëm shoqëror.  Sado që ecejaket individuale të personazheve janë të ndryshme, megjithatë, ata ndajnë diçka thellësisht të përbashkët: arratisjen. Për dallim nga ikja, arratisja është përpjekje për të shpëtuar nga një gjendje e ndrydhur robërie apo privimi lirie. Arratisje do të thotë çlirim dhe kthim në gjendjen e origjinës. Ajo gjendje është situata e shprehur në formë alegorike nga Eric Fromm, bazuar në tregimin biblik ku burri dhe gruaja e parë pas një vendimi të vullnetshëm lirie ishin përjashtuar nga parajsa. Ai dhe ajo ishin shprangosur dhe të zhytur në ëmbëlsinë e ankthit të lirisë. Për Ollgën (Amernis Nokshiqi), realiteti është përsosmëri dhe racionalitet në përllogaritjen përfundimtare të veprimeve, kurse arratisja është parashikim dhe shmangie nga devijimet e pandreqshme. Për Mashën (Xaka Jonuzi), arratisja drejt lirisë është një dashuri e re, një prehje e ngrohtë dhe mundësi e re përmbushjeje. Për Irinën (Sabina Memishi) arratisja është kapërcim i dashurisë së dëlirë fëminore ose amnore në përjetim të një dimensioni më subjektiv dhe vetëreflektiv për jetën. I vëllai Andrei (Arben Rasimi) është karakteri i gjeniut, i cili duke besuar në gjenialitetin e vet dhe jo në punën për t’u bërë akademik, ngec në histori duke iu dhënë qejfit e kënaqësive. Shpagimin shpirtnor, për ëndrrën e këputur të tij, përpiqet ta mbulojë përmes arratisjes në dehje dhe arritjes në njëfarë pushteti në nivel lokal, të cilin synon ta arrijë përmes gruas e cila shkon me kryetarin e komunës.

Image

Personazhe si Kyligini (Hamdi Rashidi), Natasha (Sara bajrami) dhe Çebytikin (Adem Karaga) janë personazhe të gjallë që mund t’i rastisim në rrethet tona sociale. Kyligini është një person i mahnitur me pushtetin e tij të dijes dhe lidhjet me të parin e komunës. Çebytikin është një mjek i verbër dhe pothuajse i braktisur nga jeta dhe rrethi shoqëror. Neglizhenca e shfaqur ndaj tij e ka zbritur poshtë në pragun e ekzistencës njerëzore. Erudicioni i tij është produkt i kësaj shpërfilljeje dhe mëshirimi që i bëhet. Natasha, një grua e bukur, e cila favoret e saj për veten dhe heshtjen e burrit i blen duke i shërbyer të fuqishmëve politik. Aleksandër Vershinini (Fisnik Zeqiri) është një ushtarak i cili çdo ditë përballet me dramën e jetës familjare, por që karakteri i tij i fortë dhe shpresa për një ‘dashuri të vërtetë’ gjithmonë e mban të gjallë.

Kjo shfaqje ka enterier dhe eksterier. Ajo luhet sa brenda dhe jashtë teatrit. Vëmendje tërheq  lëshimi i kostumeve nga pllafoni i teatrit me lift poshtë në podium dhe ndërrimi i kostumeve në shfaqje, simoblizmi i balonave dhe asocimi i tyre me spermën, gjeneratat e reja dhë fëmijët. Lëvizja e një pjese të skenës në formë qarkore apo ruleti dhe vërtitja e aktorëve brenda saj paraqet një alegori të qëlluar në kumtimin e kërkimit të vazhdueshëm ontologjik si pluskim mbi shpresat e rreme për një të ardhme që nuk shihet gjëkundi në optikën e Çehovit.

Image

Në aktin e tretë qytetin e merr flaka. Lajmëtari lëshohet nga podiumi për ta lajmëruar trupën e teatrit se po digjet teatri. Ai thërret publikun ta lirojë sallën. Tym gjithandej. Alarmi dhe sirenat bien pa pushiml. Nën përkujdesjen e zjarrëfikësve regjisori zhvendos publikun nga brendësia e teatrit në ballkonin e tij. Nga enterieri kalohet në eksterier. Përfshirja e regjisorit në mesazhin e Çehovit ndodh në këtë pikë. Zhvendosja e publikut jashtë teatrit mund të shihet si kontekstualizim i ikjes së rinisë drejt perëndimit. Mbase flaka ishte një paralajmërim profetik dhe eskatologjik i Çehovit në parashikimin e revolucionit dhe një përmbyesjeje pingule të sistemit dhe rendit politik. Këtu vërehet edhe madhështia e Çehovit dhe pohimi i saktë i Çesllav Milloshit se shtresa intelektuale cariste punoi në të mirë të revolucionit duke shkruar për madhshtinë e kombit të vet dhe ndjekjen e një trajektoreje karshi asaj të perëndimit. Në kontekst të shfaqjes, regjisori ka ngërthyer mesazhin tij në formën e një proteste estetike dhe thirrjeje për reflektim mbi fatin individual si pjesë të pashmangshme të sistemit dhe trajektores kolektive.

Përformanca është e gjallë dhe mbresëlënëse, por megjithatë eklipsohet nga ideja dhe mesazhi i shfaqjes. Shfaqja dënon indiferencën dhe fton për vigjilencë ndaj përfundimit fatal të saj. Indiferenca e jonë shpërfaqet në vështrimin indiferent të ngjarjeve politike dhe sociale. Gjersa fundi i një shoqërie vjen si pasojë e intrigave dhe lojërave të ulta për pak pushtet, konformizmit intelektual dhe shpërfilljes elitare. Përshpejtimi i kësaj entropie vjen si rezultat i akterëve pasivë, të cilët, të mbështjellë në rahatinë e privacisë së tyre, vëzhgojnë në qetësi kataklizmin e madh të vendit.

Image

Tri motrat është një profetizim i përsëritur. Ajo ngre alarmin për një mësim të pa mësuar që mund të shndërrohet në lëvizje ciklike ku shpresat e mëdha mund të kthehen në vrer e mëri dhe njeriut i duhet të notojë në akuj që një ditë do të shkrihen tërësisht.

Shfaqja “Tri Motrat” e Çehovit me regji të Qëndrim Rijanit, është shpallur shfaqja më e mirë në festivalin e teatrit shqiptar “Moisiu” në Shkup. Festivali organizohet çdo vit nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqipëtar në Shkup dhe Teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ky festival do të organizohet në rotacion në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, njëherit ka mbështetjen e ministrive të kulturës të shteteve përkatëse.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.