Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Riarmatimi në Ballkanin Perëndimor të paqëndrueshëm kërkon mbikëqyrje më të madhe të sigurisë nga BE-ja

Picture from Shutterstock.

Zhvillimet globale të sigurisë ndryshuan ndjeshëm pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2022. Shtetet europiane përshpejtuan prokurimin dhe grumbullimin e armëve, rritën prodhimin e armatimit vendor dhe, në disa raste, si Kroacia dhe Gjermania, e rikthyen ose fuqizuan shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Ndonëse ekonomikisht më pak të zhvilluara sesa homologët europianë, shtetet e Ballkanit Perëndimor ndoqën të njëjtat trende.

Serbia konsiderohet në masë të madhe si fuqia kryesore ushtarake në rajon, marrë parasysh madhësinë e forcave të armatosura të saj, arsenalin, kapacitetet operacionale dhe, së fundmi, rritjen e buxhetit për mbrojtje.

Megjithatë, kjo rritje e kapaciteteve ushtarake po bëhet nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiqit, i cili po përballet me protesta të konsiderueshme të brendshme. Kritikët argumentojnë se zgjerimi ushtarak, përveç mbrojtjes kombëtare, mund t’u shërbejë edhe qëllimeve politike.

Me riarmatimin e shpejtë të Serbisë që po zhvillohet në një kontekst të brishtë politik dhe rajonal, është e nevojshme një mbikëqyrje e udhëhequr nga BE-ja, për të parandaluar minimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor nga ky zgjerim ushtarak, dhe mosmarrëveshja Kosovë-Serbi ofron një pikë hyrëse strategjike për një angazhim të këtillë.

Riarmatimi i Serbisë

Përgjatë dekadës së fundit ka ndodhur një ndryshim i konsiderueshëm në ushtrinë e Serbisë. Në vitin 2026, ajo miratoi buxhetin më madh që e ka pasur ndonjëherë, që mbërrin shifrën prej 2.7 miliardë dollarësh, duke e trefishuar buxhetin e saj nga një dekadë më parë. Një lëvizje e madhe në politikën e mbrojtjes së Serbisë është rikthimi i planifikuar i shërbimit ushtarak të detyrueshëm në fund të vitit 2026.

Mirëpo, më shqetësuese lidhur me stabilitetin rajonal, fqinjët e Serbisë, por edhe komunitetin ndërkombëtar, krahas shërbimit ushtarak, është ajo që quhet “ushtria Frankenstein.”

Forcat e Armatosura të Serbisë janë një përzierje e pajisjeve të trashëguara jugosllave dhe sovjetike të viteve të ‘80-a, me blerjet moderne e të shumëllojshme nga Kina, Rusia, Izraeli dhe Franca, teksa njëkohësisht zhvillohen platforma vendore ushtarake. Për shkak të politikës së jashtme të balancuar të saj dhe neutralitetit ushtarak, Serbia shfrytëzoi mundësinë për të blerë pajisje nga furnizues të shumëfishtë globalë.

Për më shumë, Serbia mban një kompleks vendas të fuqishëm industrial ushtarak, trashëgimi e Jugosllavisë, që është modernizuar viteve të fundit. Eksporti i armëve është bërë sektor shumë fitimprurës.

Përveç dërgesave në Ukrainë, që i siguruan Serbisë një reputacion shumë të nevojshëm te qeveritë perëndimore, disa nga blerësit më (jo) të famshëm përfshijnë: Izraelin gjatë luftës me Hamasin, Armeninë dhe Azerbejxhanin gjatë konfliktit të vitit 2020, si dhe disa shtete afrikane.

Kjo e vendos Serbinë si faktor kyç të sigurisë në rajon, me kapacitete të konsiderueshme ushtarake, të zhvilluara në radhë të parë për mbrojtje. Megjithëkëtë, shumë mbikëqyrës frikësohen se mbrojtja mund të mos jetë objektivi i vetëm i kësaj rritjeje të kapaciteteve ushtarake të Serbisë.

Ky zgjerim i shpejtë i kapaciteteve ushtarake po ndodh në mes të trazirave të thelluara sociale në Serbi dhe të tentimeve të presidentit Aleksandër Vuçiq për ta konsoliduar pushtetin.

Në një kohë që po karakterizohet me institucione të dobësuara demokratike, kufizim të lirisë së mediave dhe protesta të shpeshta publike, forcimi i forcave të armatosura ngre shqetësime rreth asaj se si mund të ndërveprojë kjo rritje e kapaciteteve ushtarake me presionet e brendshme politike dhe zhvillimet rajonale të sigurisë.

Roli i BE-së në kontrollin e armëve

Organizatat kryesore ndërkombëtare me ndikim të konsiderueshëm politik në Ballkanin Perëndimor janë: OSBE-ja, NATO dhe BE-ja.

OSBE-ja ishte përgjegjëse për monitorimin e mekanizmit të kontrollit të armëve – Marrëveshja Nënrajonale e vitit 1996 (që ndryshe njihet si “Marrëveshja e Firencës”), e nënshkruar nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, ish-Jugosllavia (Serbia dhe Mali i Zi). Megjithatë, në vitin 2015, OSBE-ja ndaloi monitorimin, teksa vetë organizata po përballet me sfida të ekzistencës dhe në masë të madhe konsiderohet si e tepërt.

Në anën tjetër, NATO konsiderohet si partneri i parë i sigurisë për të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë. Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Serbisë kanë qenë të tendosura që nga viti 1999. Ndonëse ka bashkëpunim, Serbia është fuqishëm kundër bashkimit me Aleancën dhe, në vend të kësaj, ka shpallur një politikë të neutralitetit ushtarak.

Kjo e lë BE-në si faktorin më të përshtatshëm për trajtimin e dilemës së sigurisë në rajon. Ndonëse jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrëdhënie të fuqishme me NATO-n, të gjitha aspirojnë të anëtarësohen në BE. Në këtë kontekst, mosmarrëveshja Kosovë-Serbi është mundësi e shkëlqyeshme që BE-ja të përfshihet, të propozojë një marrëveshje të sigurisë dhe të vendosë veten si institucion vendimtar i kontrollit të armëve në Ballkan.

Pas sulmeve të vitit 2024 në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, kanë ndodhur disa përplasje të intensitetit të ulët në Zonën e Sigurisë Tokësore midis Kosovës dhe Serbisë. Në vitin 2025, një grup i shqiptarëve të Kosovës sulmoi ushtrinë e Serbisë afër Debela Gllavës dhe, në vitin 2026, policia e Serbisë ishte zënë në pritë afër Banjës së Lukovskës. Këto incidente nxjerrin në pah nevojën për trajtimin urgjent të shqetësimeve të sigurisë.

BE-ja mund të bazohet në qasjen aktuale të integrimit gradual, duke filluar më herët me Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP). Më konkretisht, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfshihen hap pas hapi në Bashkëpunimin e Përhershëm të Strukturuar (PESCO) dhe Fondin e Mbrojtjes së Europës (EDF).

Ulja në tavolinë e përfaqësuesve politikë të Ballkanit Perëndimor krahas atyre të vendeve anëtare të BE-së do të ndihmonte të forcoheshin besimi dhe bashkëpunimi. Njëkohësisht, kjo do të mund t’i zbuste tensionet e sigurisë dhe të mbështeste krijimin e mekanizmave shtesë të monitorimit.

Trajtimi i sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor do ta fuqizonte kredibilitetin e BE-së dhe do të shfaqte se ajo mund ta menaxhojë në mënyrë efektive stabilitetin në lagjen e saj më të afërt. Kontributi i suksesshëm në sigurinë e qëndrueshme në rajon do ta rriste reputacionin e BE-së si faktor i besueshëm gjeopolitik dhe do ta përforconte imazhin e saj si partner serioz dhe i aftë në përpjekjet për paqendërtim, përfshirë atë në Ukrainë.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.