Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe sulmuan fshatin Reçak në komunën e Shtimes në Kosovë. Brenda disa orëve, 45 civilë shqiptarë të paarmatosur u ekzekutuan në mënyrë brutale, duke shënuar një nga mizoritë më tronditëse të luftës në Kosovë. Ky akt, i njohur si Masakra e Reçakut, tronditi opinionin ndërkombëtar dhe nxiti mbështetjen për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.
Por, 26 vjet më vonë, Masakra e Reçakut vazhdon të sulmohet, jo për mungesë provash, por nga një fushatë e pandalshme dezinformimi e ndjekur nga zyrtarët dhe mediat serbe. Përmes tyre synohet rishkrimi i historisë, duke e paraqitur masakrën si një trillim dhe pretekst për ndërhyrjen e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.
Më 15 janar 2025, disa media serbe, publikuan artikuj që rikthyen narrativat e rreme për Masakrën e Reçakut. Përmes këtyre artikujve u pretendua se masakra nuk ishte gjë tjetër veçse një përplasje midis policisë serbe dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Mediumi publik serb “RTS.rs”, publikoi artikullin me titull, ”Reçak, 26 vjet më vonë – William Walker dhe raporti i diskutueshëm që ndryshoi të vërtetën“. Aty pretendohet se në fshatin Reçak më 15 janar 1999, pati një konflikt të armatosur në mes të policisë serbe dhe pjesëtarëve të UÇK-së. “Pas konfliktit mes policisë serbe dhe ekstremistëve shqiptarë, në fshatin Raçak janë gjetur kufomat e 45 shqiptarëve. Kjo u pasua nga akuza, për të cilën këmbënguli veçanërisht William Walker, se kishte ndodhur një ’masakër e civilëve‘, shkruan ky medium, tek i mohon faktet dhe fotografitë e prezantuara nga media si dhe organizata kredibile ndërkombëtare që patën konstatuar se ai ishte një krim mbi popullatën civile.
Narrativa të ngjashme u përforcuan nga politikanë serbë. Milovan Dreçun, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të Serbisë, përsëriti pretendimet se Masakra e Reçakut ishte një “operacion kundër terrorizmit” që kishte në shënjestër një brigadë të UÇK-së dhe akuzoi autoritetet kosovare për propagandë të rreme. “Ishte e qartë se nuk kishte krime ndaj civilëve, por një përballje dhe aksion kundërterrorist në një fshat ku ndodhej shtabi i brigadës terroriste,” deklaroi Dreçun.
Edhe mediume tjera serbe si: Sputnik.rs, Euronews.rs, Vesti-online.com, publikuan artikuj që e mohojnë krimin në Reçak.
Cila është e vërteta për Reçakun?
Në kundërshtim me këto pretendime, hetime të gjera nga organizata ndërkombëtare kanë konstatuar se ngjarja në Reçak përbënte një masakër ndaj civilëve të paarmatosur.
Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe ishin futur në fshatin Reçak, ku brenda pak orësh ata vranë 45 civilë shqiptarë. Atëkohë, “Human Rights Watch” kishte hedhur poshtë pretendimet e qeverisë jugosllave se viktimat ishin ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Siç ka ndodhur në shumë raste në konfliktin e Kosovës, pasi UÇK-ja u tërhoq, forcat policore hynë dhe kryen mizori kundër banorëve të fshatit. Ndërsa është e mundur që disa banorë mund të kenë mbrojtur shtëpitë e tyre në mëngjes, shumica e tyre nuk ishin të përfshirë në ndonjë rezistencë të armatosur. Së paku njëzet e tre persona u ekzekutuan pasi u grumbulluan nga policia duke mos bërë asnjë rezistencë – një shkelje e qartë e ligjeve të luftës dhe një krim i dënueshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) “, shkruan në raportin e Human Rights Watch. Sipas kësaj organizate,sulmi ndaj civilëve në Raçak ishte pjesë e një serie të gjatë të krimeve të luftës të kryera nga ushtria dhe policia e ish-Jugosllavisë.
Në mëngjesin e 16 shkurtit, në Reçak kishte shkuar William Walker, asokohe shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale dhe të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet një mizori e papërshkrueshme”, – kishte thënë Walker pasi pa trupat e të vrarëve. Walker edhe këtë herë ishte cak i akuzave dhe sulmeve nga Serbia.
Mohimi i Masakrës së Reçakut nuk është i ri. Zyrtarët dhe mediat serbe kanë ndjekur prej kohësh një strategji për të minuar besueshmërinë e provave dhe dëshmive, duke e portretizuar masakrën si një trillim perëndimor.
Duke e paraqitur masakrën si një trillim, udhëheqësit serbë në vazhdimësi kanë shmangur përgjegjësinë për krimet e luftës të kryera nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit.
Narrativat e mohimit përdoren gjithashtu si një mjet për të delegjitimuar shtetësinë e Kosovës dhe ndërhyrjet ndërkombëtare që e mbështetën atë.
Përpjekjet e koordinuara në rrjetet sociale, të amplifikuara nga mediat e lidhura me pushtetin në Serbi e Rusi, synojnë të dezinformojnë si opinionin vendor ashtu edhe atë ndërkombëtarë.
Kjo bëhet me qëllimin për ta kundërshtuar dhe paraqitur si “agresion” ndaj Serbisë edhe intervenimin e NATO-s në vitin 1999, pa e përmendur faktin se Serbia u bombardua për shkak të krimeve të Millosheviqit mbi civilët e pafajshëm, jo vetëm në Reçak por edhe pjesë të tjera të Kosovës
Për familjet e viktimave në Kosovë këto narrativa përbëjnë sfidë të vazhdueshme për të siguruar drejtësi për krimet e luftës.
Shtrembërimi i të vërtetave historike në shoqëritë e pas luftës përmes dezinformimit dhe narrativave sikur kjo për Reçakun, rrezikojnë të minojnë edhe përpjekjet për pajtim.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”