Mbyllja e institucioneve paralele serbe nga autoritetet e Kosovës është lidhur pa fakte nga zyrtarë e media serbe edhe me narrativën e krijimit të “Shqipërisë së Madhe”, krahas asaj për gjoja dëbimin e serbëve nga Kosova.
Kjo narrativë është një prej elementeve kryesore të propagandës serbe, e cila synon të nxisë tensione etnike, të delegjitimojë qeverisjen e Kosovës dhe të minojë dialogun për normalizim mes dy vendeve. Përveç tentativës që Kosova të paraqitet si një shtet agresor me ambicie për t’u bashkuar me shtete të tjera ku jetojnë shqiptarët, me këtë politikanët serbë synojnë ta paraqesin Kosovën kërcënim për stabilitetin rajonal.
Më 19 janar 2025, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka dhënë një intervistë për mediumin informativ Newsmax Balkans, e qasshme në Youtube, me titullin: “PETKOVIQ: Kurti dëshiron të pastrojë Kosovën dhe M nga serbët dhe të krijojë një Shqipëri të Madhe | QËNDRIMI I JAVËS.”
Intervista u shpërnda edhe nga mediume të tjera në Serbi dhe media lokale serbe në Kosovë, si “Kosovo Online” dhe “Danas.rs”, ku theksi u vu te narracioni i “Shqipërisë së Madhe.”
Mbylljen e 35 institucioneve paralele serbe, Petkoviqi e ka cilësuar si lëvizje tjetër përshkallëzuese të Kurtit. Pa ofruar të dhëna të cilat mbështesin këtë pretendim, ai ka shtuar se nuk është hera e parë që Kurti, qoftë para dialogut, qoftë në ditën e dialogut, shkakton trazira të reja përshkallëzuese. “Ajo që i intereson Kurtit dhe që është pjesë e politikës së Vetëvendosjes është Kosova e pastër etnikisht dhe krijimi i një “Shqipërie të Madhe”, ka thënë Petkoviqi.
Mungesa e provave se si po tentohet “Shqipëria e Madhe” dhe analogjia e tërhequr me situatën në veri, ndikojnë në krijimin e një perceptimi të pasaktë dhe nxisin ndasi etnike mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.
Më 15 janar 2025, disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe Zyra Postare dhe Tatimore, u mbyllën. Aksione policore u ndërmorën në Komunën e Lipjanit, atë të Obiliqit, Prishtinës, Fushë-Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt. Policia e Kosovës ka shkruar në “Facebook” se “qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka asistuar zyrtarët e kësaj ministrie si dhe të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme të këtyre institucioneve”. Sipas tyre, të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, “ku, varësisht nga të gjeturat, do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.”
Zyrtarë e media kanë shpeshtuar deklaratat me pretendimin pa fakte se Qeveria e Kosovës ka për qëllim krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, të pastër etnikisht pa serbë. Kështu e interpretuan edhe seancën e përbashkët të mbajtur më 20 dhjetor 2024 mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Ata pretenduan se ky tubim kishte për qëllim krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke mos potencuar qëllimin e vërtetë të kësaj seance. Në deklaratën e përbashkët, e cila u lexua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Kosova dhe Shqipëria zotohen të bashkërendojnë “agjendën kombëtare për arritjen e synimeve të përbashkëta strategjike”. Në deklaratë nuk thuhet se angazhohen për krijimin e “Shqipërisë Së Madhe”, ashtu siç pretendojnë pa fakte zyrtarë e media serbe.
Realizimi i “Shqipërisë së Madhe”, siç pretendojnë zyrtarët serbë, është praktikisht i pamundur për shkak të një sërë pengesash kushtetuese e ligjore. Kushtetuta e Kosovës, e hartuar dhe miratuar me mbështetjen ndërkombëtare, e përkufizon Kosovën si një shtet i pavarur dhe sovran, “që nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”. Çdo përpjekje për t’u bashkuar me një shtet tjetër, përfshirë Shqipërinë, do të kërkonte ndryshime kushtetuese, për të cilat nevojiten edhe votat e komuniteteve joshumicë që jetojnë në Kosovë, përfshirë serbët.
Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, janë të përqendruara në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Bashkimi i dy vendeve në një shtet do të binte ndesh me këtë objektiv dhe do të pengonte përparimin drejt anëtarësimit.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”