Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ku janë feministet?

Në një panel para disa muajve një grup burrash u ftuan që të bisedojnë rreth pikëpamjeve të tyre mbi barazinë gjinore. Njëri prej panelistëve deklaroi se është keq që nuk është bërë ndonjë studim mbi barazinë gjinore dhe prezencën e stereotipeve gjinore në sistemin arsimor në Kosovë. Ky ishte një pohim i gabuar, meqë një studim i tillë është bërë nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në 2007. Dhe si shumë studime tjera, është harruar shumë shpejt pas lansimit të tij. Prandaj, gjatë diskutimit askush nuk e kundërshtoi këtë pohim, dhe biseda vazhdoi pa këtë korrigjim bazik të fakteve. Ky është problemi kyç i feminizmit në Kosovë: përkundër që të gjitha të dhënat tregojnë se gratë në Kosovë abuzohen fizikisht dhe seksualisht, nuk trashëgojnë pasuri, nuk punësohen dhe nuk përfaqësohen politikisht, kjo situatë rrallë merr vëmendje të vazhdueshme kombëtare. Pse?

Një prej arsyeve është besimi i gabuar se përgjegjësia totale në eliminimin e seksizmit në Kosovë, apo “punët e grave”, i takon organizatave të grave. Në rast se një grua vritet nga burri i saj pas vite të tëra të abuzimit, bashkë me burrin dhe policinë fajësohen edhe organizatat e grave për çfarëdo mosreagimi apo reagimi që perceptohet si i cunguar. Nuk mund të hidhet përgjegjësia e diskriminimit të gjysmës së popullatës vetëm në krahë të OJQ-ve. Edhe në qoftë se bëhen reagime sistematike për çdo rast të dhunës ndaj grave në Kosovë, reagimet nuk parandalojnë gjë. I vetmi parandalim adekuat është aplikimi i ligjit dhe çrrënjosja e praktikave seksiste në sistemin e drejtësisë, praktika të cilat janë monitoruar, hulumtuar dhe kritikuar publikisht me vite nga organizatat e grave në Kosovë.

E dyta, dështimi i perceptuar i organizatave të grave shpesh i atribuohet lakmisë së tyre për fonde – “punojnë veç për paret e donatorëve.” Organizatat e grave, mu për shkak se janë OJQ, mbijetojnë pikërisht prej pareve të donatorëve. Notojnë në ujërat e njëjta si çdo organizatë tjetër të shoqërisë civile, dhe si të tillë nuk duhet të shihen si alfa dhe omega të lëvizjes feministe në Kosovë. Prandaj numri i tyre është zvogëluar masovikisht prej vitit 2005, dhe vetëm një numër i vogël i cili ka treguar rezultate kuantitative, në vijë me interesat e donatorëve, kanë vazhduar të marrin fonde. OJQ-të e grave nuk janë fitimprurëse. Por po të mos ishte për këto organizata, nuk do të kishim asnjë organizatë që do të ndërmerrte monitorimin e trajtimit të rasteve të dhunës familjare, apo shërbime psikologjike për gratë të cilat janë përdhunuar gjatë luftës, apo hulumtime rreth reformimit të pushimit të lehonisë, e as shtyrje të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në institucionet publike. Këto janë iniciativa që kërkojnë buxhet dhe staf, dhe po, pare.

Pyetja e natyrshme është, ku janë feministet jo të lidhura me OJQ-të? Ku janë ato feministe të Facebookut? Pse nuk po bëjnë ato diçka për të ndaluar abuzimin e grave në shtëpitë e tyre, diskiminimin e tyre në punësim, ngacmimin e tyre në rrugë? Ky shfajësim është tejet elegant, dhe e zhvendos krejt çështjen e barazisë gjinore mbi krahët e do njerëzve “atje dikund”. “Ato që po ankohen le të merren me këtë punë, se diskriminimi i grave nuk është punë e imja.” Dhe natyrisht, kur grupe feministe organizojnë protesta, pjesëmarrja e përgjithshme është e mjerueshme. A e mbani në mend protestën për Sabile Krasniqin, gruaja e cila lindi fëmijën e saj në korridorin e QKUK-së? Unë e mbaj në mend, për shkak se pjesëmarrëset e pakta kanë qenë pikërisht këto “feministet e Facebookut” dhe disa miq tjerë. A e mbani në mend librin Kriminalistika? Ishte pikërisht një grup qytetarësh feministe të cilat kanë arritur të largojnë librin nga përdorimi, por pa ndonjë reagim të organizuar nga studentët e Fakultetit Juridik apo publiku i gjerë. Dhe ky është kurthi: organizoni ju feministet protesta, por ne, shoqëria, nuk marrim pjesë. Mandej kur protestat dështojnë apo nuk ndodhin përsëri, prapë e lëmë fajin te ju.

Kjo nuk është fantashkencë: për momentin feminizmi thjesht nuk gjen përkrahje në Kosovë, prandaj mos prisni progres radikal në të drejtat e grave. Kjo është arsyeja pse grupe aktive feministe janë të pakta, pse organizatat e grave e marrin primatin në avokimin e barazisë gjinore, pse partitë politike nuk i adresojnë kurrë votueset e tyre gra. Në Kosovë ne nuk merremi me struktura te diskriminimit gjinor, dhe i injorojmë hulumtimet të cilat na dëshmojnë pa fije dyshimi se këto struktura ekzistojnë. Në Kosovë e praktikojmë një kuazi-feminizëm të bazuar në narrativa patriarkale, ku konsiderohet arritje nëse një vajzë e kryen një shkollë dhe gjen një punë – dhe megjithatë martohet e krijon familje (paramendo!). Në Kosovë i kritikojmë kuotat gjinore ditë e natë, por nuk i votojmë gratë në mungesë të tyre. Në Kosovë qajmë lot për gratë e dhunuara gjatë luftës, por ligji për njohjen e tyre kalon me shumë zvarritje. Në Kosovë, ku 8 në 10 gra janë ekonomikisht jo aktive për shkak te diskriminimit në punë dhe familje, ne ju themi atyre “Lean In.” Në këtë Kosovë, ku gjysma e popullatës nuk i gëzon të gjitha të drejtat e saj civile, është “agresive” në qoftë se pohojmë se gratë në Kosovë diskriminohen nga burrat. Dhe pas katër vite në Kosovë, e kam parë se si ky pohim shpesh ngjall pezmatim, mohim dhe përbuzje – por jo revoltë.

“Jo, në Kosovë gratë janë vet fajtore për diskriminimin e tyre.” Përralla që shitet në Kosovë është që mund të jetosh e paprekur nga mizogjinia në qoftë se se ke vetëbesim dhe punon mjaftueshëm. Edhe pse të gjitha statistikat thonë se të lindurit vajzë në Kosovë nënkupton mosdhënie të trashëgimisë familjare, gjasa më të mëdha për të mos vazhduar fakultetin pas gjimnazit, dhe gjasa shumë më të mëdha të mos punësohesh për shkak të gjinisë (sa për rikujtim, 80% të grave në Kosovë janë ekonomikisht jo aktive). Në mungesë të politikave që insistojnë në pavarësimin e plotë të vajzave dhe grave, ato martohen apo hyjnë në 12 përqindëshin e grave që hapin mikrobiznese. E pastaj? Të varura nga familjet e tyre, gratë në Kosovë navigojnë një shoqëri e cila hesht në raste sikur ato të Zejnepe Bytyqit dhe Diana Kastratit. Dhe duke ditur këtë kontekst, përgjigja jonë kolektive ndaj grave tona është: duhet të keni më shumë vetëbesim, nuk protestoni mjaftueshëm, protestoni tepër, po heshtni, po ankoheni shumë. Dhe e kuptoj, është shumë më lehtë të flasim për faje individuale se sa për struktura gjithëpërfshirëse të diskriminimit. Po në ndërkohë, ju lus, mos pyetni “ku janë feministet”, sa për ta shfajësuar veten.

 

___________________

Ky tekst është mbështetur nga United Nation Democracy Fund –  Am I equal in Kosovo society

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.