Kosova nuk ka nevojë për më shumë doktorë shkencash; Kosova ka nevojë për më shumë shkencëtarë. Shkencëtarët zakonisht mbajnë titullin doktor shkence, por jo të gjithë doktorët e shkencave janë shkencëtarë.
Në Kosovë jemi të obsesionuar me tituj shkencorë. Merrni e shihni vizitkartat që ua kanë dhënë, shihni biografitë e politikanëve, dëgjoni prezantimet e folësve në tubime apo media, gjithkah, do të shihni tituj të shumtë shkencorë. Madje jo rrallë i shohim të kenë shënuar në vizitkartë edhe faktin se qenkan kandidatë për një titull akademik. Thuajse të gjithë u përkasin shkencave shoqërore. Dhe ky obsesionim me tituj akademikë shpesh na duket apo qëllimisht e përceptojmë si obsesionim me shkencën, gjë që nuk është.
Sa herë që flas me miq e kolegë, qofshin ata profesionistë por sidomos njerëz të botës akademike, një prej ankesave më të shpeshta që dëgjoj është “mbeta pa e regjistru doktoraturën!” Kjo ankesë vjen sikur ato ankesat e stilit ‘mbeta pa u martu’ pra, në stilin e të arriturit të diçkaje që domosdoshmërisht duhet arritur, si normë shoqërore. Këtë tashmë mund ta pagëzojmë me emrin “Obsesive Compulsive Doctorate Syndrome” sepse vërtetë duket si një instinkt i pakontrollueshëm i profesionistëve i cili mund ta çorodisë gjithë sistemin.
Shumë prej këtyre miqve e kolegëve kanë studiuar nëpër universitetet më të mira në botë dhe me t’u kthyer në Kosovë janë angazhuar në profesionet e tyre. Disa punojnë në institucione shtetërore, kanë firma të tyre private të avokatisë, kanë filluar të ndjekin rrugën për t’u bërë gjyqtarë etj. Por sa herë vi në Kosovë e shoh që po i mundon një gjë: doktoratura. Fakti që shumë prej tyre, për arsye krejtësisht të gabuara, po ndihen disi gjysmakë në profesionet e tyre sepse ‘mbetën vetëm magjistra’ më shtyu të shkruaj këtë shkrim që e thotë vetëm një gjë: doktoratura është grada shkencore më e keqkuptuar në Kosovë.
Pikënisja e këtij keqkuptimi, besoj unë, qëndron pikërisht në faktin se nuk e kemi kuptuar mirë çka do të thotë të jesh akademik, të jesh doktor shkence e çka do të thotë të jesh profesionist i një fushe. Unë nuk mëtoj të sqaroj këtë dallim në këtë shkrim, por dua që ky shkrim të shërbejë të paktën për t’i informuar disa që këto janë kategori të ndyshme njëra nga tjetra.
Këtë influksin e profesionistëve të rinj që duan të doktorojnë fillova ta vërej kryesisht nga kërkesat e shpeshta që më vijnë mua dhe miqve të mi doktorantë për të na kërkuar këshilla rreth proceseve të aplikimit. Frekuenca e lartë e këtyre kërkesave nuk është gjëja më shqetësuese në këtë mes. Po, do të kemi inflacion doktorësh në shkenca shoqërore po nejse, i rehaton tregu, themi. Për mua parehatia filloi të ndihet kryesisht pas komunikimeve me këta aspirues të shkencës, kur po mundohesha të informohem më shumë rreth asaj që duan të hulumtojnë dhe çfarë po i shtyen ata drejt një dedikimi kaq të madh. Fatkeqësisht, janë të rrallë ata që më kanë dhënë përgjigje të qartë se çfarë duan të hulumtojnë dhe, më me rëndësi, pse duan ta hulumtojnë atë. Me sa po e shoh, shumica thjeshtë duan t’i ‘kryejnë’ doktoraturat sepse duan të dëshmojnë se janë një nivel më lart se të tjerët, magjistrat. Folja e përzgjedhur është gjithmonë ‘kryej’, sepse gjason me një obligim që u është shtruar atyre e që këta thjeshtë duhet ta kryejnë sa s’u bë vonë.
Për këtë ndjej keqardhje. Andaj, do të doja që gjithë këta aspirantë doktoraturash t’i kenë dy gjëra të qarta: e para, se të kesh doktoraturë nuk do të thotë se do të jesh më i miri i një fushe profesionale; dhe e dyta, se të zgjedhësh të bësh doktoraturë do të thotë, në parim, të kesh zgjedhur që t’i përkushtohesh akademisë me mish e me shpirt, për tërë jetën tënde. Kjo e fundit, në fakt, edhe mund të bie ndesh me ushtrimin e profesionit.
Doktoratura nuk të bën profesionist më të mirë të një fushe. Thënë thjesht, të jesh doktor shkence në Drejtësi nuk do të thotë se je jurist më i mirë se dikush që e ka kryer vetëm Fakultetin Juridik dhe punon si gjyqtar, avokat a zyrtar ligjor diku. Doktoraturat e mirëfillta që kryhen sot janë hulumtime të thella e të thukta të një problemi (kryesisht teorik), të një segmenti shumë të ngushtë, në kuadër të një fushe më specifike të shkencës që ti i përket. Po, TI do ta njohësh këtë çështje specifike kokë-e-këmbë dhe, në rastin ideal, askush në botë nuk do të jetë më kompetent sesa ti në këtë problem. Por kjo nuk do të thotë se tash e zotëron gjithë lëminë profesionale më mirë se të tjerët që kanë gradë më të ulët shkencore sesa ti.
Duhet sqaruar këtu që kjo tezë e imja mund të mos vlejë për ata që doktorojnë në shkencat ekzakte, ku shpesh doktoraturat financohen jo vetëm nga universiteti por kryesisht nga kompanitë më të fuqishme në treg, dhe detyra e doktorantit është ta zgjedhë një problem praktik, të zbulojë diçka a të vërtetojë diçka sipas udhëzimeve. Meqë jam juriste, po e analizoj këtë problematikë në kuadër të profesionit tim. Tek juristët, ky influksi i aspiratës për të doktoruar është cytur kryesisht nga zbatimi i sistemit të Bolonjës në Kosovë. Gjenerata ime, për shembull, kreu Fakultetin Juridik për 3 vjet dhe dolëm të diplomuar si “Bachelor të drejtësisë”. Diploma jonë nuk vlen gjë në treg pa e kryer të famshmin master, për ta gjetur një punë të hajrit. Prandaj, normalja e re tash është të jesh magjistër shkencash dhe, diku në këtë mes, dikush na e dha idenë se për t’u dalluar nga të tjerët për kah kompetenca profesionale u deshka që të kemi një gradë tjetër shkencore. Problemi qëndron në faktin se shumë mendojnë se doktoratura tash do t’ua japë atyre një epërsi profesionale, e një avantazh në treg të punës. Duke përjashtuar doktoraturat në shkenca ekzakte, ku tregu e ka bërë thuajse të domosdoshme këtë gradë shkencore, kjo rrallëherë ndodhë në fushat tjera.
Në vend se të zgjedhin të qëndrojnë në këtë treg të punës, të profesionalizohen më shumë në praktikë në fushën që kanë zgjedhur, shumë të rinj në fakt shpërqendrohen dhe e rivendosin vëmendjen e tyre në diçka krejtësisht tjetër, e cila në rastin më ideal do t’i zhvendosë ata nga Kosova për një kohë, duke i tërhequr edhe nga tregu i punës. Një trajektore e tillë e karrierës do të ishte krejtësisht në rregull sikur ata të kishin qëllim t’i përkushtohen akademisë si zgjedhja e tyre e vetme në karrierë. Megjithatë, shumë prej tyre, në fakt, nuk e shohin të këtillë, por thjesht duan ta kenë këtë gradë ‘për çdo rast’.
Ndoshta pjesë e madhe e këtij problemi është se nuk kemi mjaft doktorë shkencash të cilët kanë doktoruar kështu mirëfilli dhe prandaj s’është se kemi parë me të vërtetë çfarë do të thotë të bësh shkencë. Duke përjashtuar akademikët që tek më vonë vendosën t’i përkushtohen politikës, ne kemi parë rreth nesh politikanë e fytyra të tjera publike të cilët i shohim çdo ditë duke kryer një funksion publik e ndërkohë marrim vesh se doktoruan. Dhe në logjikën banale që është krijuar, në mendjen e çdo profesionisti të ri lakohet mendimi se kur munden ata të kryejnë doktoratura, pse s’mundem edhe unë? E përderisa s’kam as idenë më të vogël se si ta shërojmë këtë obsesionin e politikanëve tanë me doktoratura, ndoshta zgjidhja mund të gjindet tek grupi tjetër- tek shkencëtarët. Sikur t’u japim më shumë hapësirë publike shkencëtarëve të mirëfilltë të flasin më në thelb për procesin e të bërit shkencë, ndoshta edhe të rinjtë do të kuptojnë më mirë çfarë përmban ky proces në të vërtetë dhe kështu të shohin a e duan atë vërtetë apo jo.
Lidhur ngushtë me këtë të parën, duhet sqaruar se nëse zgjedhni t’i përkushtoheni doktoraturës në mënyrë të mirëfilltë do të thotë, në parim, të kesh zgjedhur që t’i përkushtohesh kryesisht akademisë me mish e me shpirt, për tërë jetën tënde. Eh, kjo pikë është më thellë e prekur nga konteksti/diskursi kosovar i akademisë dhe prandaj këtij keqkuptimi i dihen rrënjët më lehtë. Ne jemi mësuar t’i shohim profesorët tanë universitarë duke dhënë mësim e edhe duke kryer punë të tjera në fushën praktike. Kjo sigurisht ngeli si traditë që nisi nga vitet e 90-ta e sidomos nga periudha e pasluftës kur profesorët paguheshin shumë pak dhe prandaj ju duhej punë shtesë për të plotësuar të ardhurat sa për të mundur të kenë një jetë normale që mund ta arrinin madje edhe të rinjtë e pashkolluar që punin për institucione jo-publike. Si rezultat i kësaj, akademia në sytë tanë u kuptua thjesht si mësimdhënie, por në nivel universitar. Në mungesë të revistave të mirëfillta shkencore që edhe sot s’i kemi ngase s’i kemi themeluar vet, përcjellë me faktin se nuk i zbatojmë kriteret për zgjedhje e rizgjedhje në mënyrë rigoroze, për shumë prej akademikëve sot akademia vazhdon të shihet kryesisht si mësimdhënie. Në fakt, shpesh edhe ky perceptim i mësimdhënies nuk është ai bashkëkohor, por më shumë ai klasik, pra mësimdhënia në stilin ku profesori e transmeton njohurinë tek studiuesi, thuajse mekanikisht. E duke qenë kryesisht popull me komplekse inferioriteti, cili prej nesh nuk ka qef t’i japë mësim dikujt tjetër? Por, kjo është çështje që duhet studiuar [lexo: doktoruar] nga sociologët.
Shumë pak profesionistë, madje fatkeqësisht edhe nga ata që janë të futur me të dyja këmbët ne akademi, e kuptojnë se akademia është shumë më tepër se kaq. Shumë pak prej tyre e kuptojnë se akademia kërkon hulumtime dhe publikime të vazhdueshme. Se akademia është njëra nga ato drejtimet kur librat nuk duhet të të hiqen kurrë nga duart- as ata që i lexon e as ata që duhet t’i shkruash. Thjeshtë, akademia do të thotë të prodhosh dije ne mënyrë të vazhdueshme, e jo vetëm ta akumulosh atë. E më e rëndësishmja, duhet kuptuar që dija s’është një gjë që fitohet një herë, kur ti e more çfarëdo grade shkencore, por është diçka evolutive, që ndryshon dita ditës dhe që duhet t’i vraposh pas gjatë gjithë kohës.
Për ta përmbyllur: Kosova nuk ka nevojë për doktorë shkencash. Sidomos jo të tillë që po i prodhojmë në Kosovë. Kosova ka nevojë për shkencëtarë. Shkencëtarët zakonisht mbajnë titullin doktor shkence, por jo të gjithë doktorët e shkencave janë shkencëtarë. Dhe këtë nuk po e them me qëllim që t’i dekurajoj të rinjtë të ndjekin tituj akademikë, po e them për t’i inkurajuar ata që ta kuptojnë mirë dhe ta dinë pikë së pari se pse po e bëjnë një gjë të tillë.
Prandaj, nëse ke pasion që ta studiosh një temë shumë specifike, të ngushtë, të caktuar mirë, të gjesh përgjigjen për një pyetje që s’i është përgjigjur dikush më parë, duke ia përkushtuar kohën dhe mundin tënd të plotë për katër a më shumë vitet e ardhshme, bëje. S’ka ndjenjë më të mirë sesa të sfidosh veten në zanatin më të vjetër të shkencës, atë të krijimit të njohurive. Por ky zanat të bën veç argat të shkencës, jo më të mirë në profesionin e ushtruar.