Shprehur më saktë, masa, si fakt psikologjik, mund të definohet pa e pritur fare paraqitjen e individit brenda formacionit të masës. Në prezencën e një individi ne mund të vendosim nëse ai është “masë” apo jo. Masë është çdo njeri që nuk i jep vlerë vetes – të mirë a të keqe – mbi çfarëdo baze, por i cili e ndjen veten të jetë “sikur gjithë të tjerët” dhe nuk shqetësohet prej këtij fakti. Ai është, në fakt, shumë i lumtur që është si të gjithë të tjerët.
Masa beson se ka të drejtë të imponojë dhe t’i japë forcën e ligjit vendimeve të marra në kafene. Dyshoj nëse përgjatë historisë ka pasur ndonjë periudhë tjetër, kur shumica ka qeverisur më drejtpërdrejtë se në kohën tonë.
Fenomeni më karakteristik i kohës sonë është se mendja e rëndomtë, duke e njohur veten si të rëndomtë, ka vetëbesim që t’i kërkojë të drejtat e njeriut të rëndomtë dhe t’i imponojë ato kurdo dhe kudo që dëshiron. Siç thonë në SHBA: “të jesh i ndryshëm do të thotë të jesh i papërshtatshëm”. Masa shtyp përfundi saj çdo gjë që është e ndryshme, çdo gjë që shkëlqen, që është individuale, e aftë dhe e veçantë. Kushdo që nuk është si të gjithë të tjerët, që nuk mendon si të tjerët, rrezikon që të eliminohet.
Është iluzore të përfytyrosh sesi njeriu-masë i sotëm do të mund t’i japë drejtim procesit të civilizimit. E quaj proces, dhe jo progres. Procesi i ruajtjes së civilizimit tonë të tanishëm është tepër i ndërlikuar, dhe kërkon fuqi të pallogaritshme dhe delikate. Nuk është i përgatitur për ta drejtuar këtë proces njeriu mesatar, i cili ka mësuar shumë për makinerinë e civilizimit, por është thellësisht injorant për parimet që e përbëjnë boshtin e këtij civilizimi.
Sundimi i intelektualëve vulgarë mbi hap?sirën publike është ndoshta risia më e madhe e ditës së sotme, dhe kjo është një diçka e papërjetuar ndonjëherë në histori. Përgjatë historisë së Europës e deri më sot, njeriu vulgar asnjëherë nuk ka besuar se ka “ide” mbi gjëra. Ai ka pasur besime, tradita, përvoja, proverba, shprehi mendore, por kurrë nuk e kishte paramenduar veten si dikush që posedon mendime teorike mbi atë sesi gjërat janë dhe si duhet të jenë.
Sot, në anën tjetër, njeriu mesatar mendon se i ka “idetë” më precize dhe matematike për çdo gjë që ndodh apo që duhet të ndodhë në univers. Prandaj edhe e ka humbur nevojën për të dëgjuar. Përse duhet të dëgjojë nëse i di të gjitha që i duhen? Sot nuk ka arsye për të dëgjuar, por për të gjykuar, deklaruar, vendosur. Nuk ka çështje që ka të bëjë me jetën publike, në të cilën ai nuk ndërhyn, i verbër dhe i shurdhër siç është, duke i imponuar “mendimet” e tija.
Por a nuk është kjo rrethanë një përparim në krahasim me kohët e mëparshme? A nuk është shenjë e përparimit të madh fakti se masat duhet të kenë “ide”, pra se duhet të jenë të kulturuara. Në asnjë mënyrë. “Idetë” e njeriut mesatar nuk janë ide të vërteta, dhe as nuk është pasja e k?tyre ideve shenjë e pasjes së kulturës.
Kushdo që dëshiron të ketë ide së pari duhet të përgatisë veten që ta dëshirojë kërkimin e të vërtetës dhe t’i pranojë rregullat e lojës të përcaktuara prej saj. Çfarë vlere ka që të flasësh për ide, kur nuk e pranon asnjë autoritet më të lartë për ta moderuar një debat, dhe asnjë standard të cilit duhet t’i referohemi?
Pikërisht këto standarde janë themelet e kulturës. Nuk më intereson se çfarë forme e marrin ato standarde. Ajo që po them është se nuk ka kulturë e cila nuk ka standarde mbi të cilat njerëzit mund të mbështeten. Nuk ka kulturë aty ku nuk ka parime të ligjshmërisë, në të cilat mund të thirresh. Nuk ka kulturë aty ku nuk ka pranim të njëfarë pozicioni përfundimtar intelektual, tek i cili mund të referohet një debat. Nuk ka kulturë aty ku marrëdhëniet ekonomike nuk janë subjekt i parimeve të rregullimit dhe mbrojtjes së interesave të përfshira. Nuk ka kulturë aty ku prodhimi i estetikës kontraverse nuk e sheh të nevojshëm arsyetimin e veprës së artit.
Kur të gjitha këto mungojnë në një vend, atëherë aty nuk ka kulturë, por ka barbarizëm, në kuptimin më të ngushtë të fjalës. Dhe mos ta mashtrojmë veten, pikërisht kjo gjë po ndodh tani në Europë në kohën e rebelimit progresiv të masave. Për një udhëtar të përhershëm territoret nuk kanë parime sunduese, tek të cilat mund të thirresh. Apo, thënë më qartë, nuk ekzistojnë standardet barbare! Barbarizmi është mungëse e standardëve drejt të cilave mund të thirresh!
Në regjimet fashiste në Europë për herë të parë, po shfaqet një lloj njeriu i cili nuk dëshiron që të japë arsye ose të ketë të drejtë, por thjesht e sheh veten të vendosur që t’i imponojë mendimet e tij. Kjo është gjëja e re: e drejta për të qenë i paarsyeshëm, “arsyeja e paarsyes”.
Këtu e shoh shpërfaqjen më të prekshme të mentalitetit të ri të masave, për shkak të vendimit të tyre për të sunduar mbi shoqërinë pa i pasur kapacitetet për këtë gjë. Struktura e mentalitetit të ri bëhet e dukshme në formën e vet më të pastër dhe më të bindshme në sjelljet e tyre politike. Njeriu mesatar zbulon se ka “ide” në kokën e tij, por i mungon aftësia e “krijimit të idesë”. Ai nuk ka kapacitet ta përfytyrojë madje as atë atmosferën ku idealet jetojnë. Ai dëshiron të ketë mendime, por nuk dëshiron që t’i pranojë kushtet dhe presupozimet që e ndërtojnë një mendim. Prandaj idetë e tij nuk janë asgjë më shumë se apetite fjalësh.
Të kesh një ide do të thotë të besosh se i ke arsyet për pasjen e kësaj ideje, dhe rrjedhimisht, do të thotë të besosh se ekziston diçka që mund të quhet arsye, apo një botë e të vërtetave të njohshme. Të kesh ide, të krijosh mendime, do të thotë të thirresh ndaj një autoriteti të tillë, të pranosh nënshtrimin tënd ndaj tij, t’ia pranosh kodet dhe vendimet, dhe për rrjedhojë të besosh se forma më e lartë e komunikimit të ndërsjellët është pikërisht dialogu mbi arsyet që qëndrojnë prapa ideve tona.
Por njeriu-masë do të ndihej i humbur nëse do t’i pranonte këto diskutime. Prandaj ai në mënyrë instinktive i mohon detyrimet ndaj një autoriteti suprem që ndodhet jashtë tij. Prandaj trendi i ri në Europë është që të thuhet se “mbaroi koha e diskutimeve”. Prandaj shprehet urrejtje ndaj çfarëdo forme të komunikimit të ndërsjellët e cila kërkon pranim të standardeve objektive – prej diskutimeve në Kuvend, e deri te pranimi i autoritetit të shkencës. Sepse këto do të mund ta zhvlerësonin jetën e rëndomtë të barbarizmit.
Te shoqëria barbare të gjitha proceset normale shtypen për të arritur drejtpërdrejt te imponimi i asaj që dëshirohet. Te hermeticizmi i shpirtit i cili, siç kemi parë edhe më herët, e shtyn masën që të ndërhyjë në tërësinë e jetës publike.
_______________________
* Fragmente nga libri i autorit (“Revolta e Masave”) i botuar në vitin 1930 në kohën e ngritjes së ekstremizmave në Europë. Jose Ortega y Gasset ka qenë filozof, eseist dhe intelektual publik spanjoll.
Përktheu: Agon Maliqi