Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Librat janë të rrezikshëm

Sëmundje ngjitëse, helm dhe nxitje. Ideja se librat janë të rrezikshëm ka një histori të gjatë, dhe ajo përmban një thelb të së vërtetës.

Në universitetet rreth botës, studentët po deklarojnë se leximi i librave mund t’i trondisë ata deri në pikën ku bien në depresion, traumatizohen apo edhe kanë mendime vetëvrasëse. Disa tregojnë sesi romani Zonja Dalloway [Mrs Dalloway] (1925) i Virginia Woolf, në të cilin ndodh një vetëvrasje, mund të nxisë mendime vetëvrasëse tek ata që janë të predispozuar ndaj vetëlëndimit. Të tjerë ngulmojnë sesi Gatsby i Madh [The Great Gatsby] (1925) i F. Scott Fizgerald, me ngjyrimet e tij të dhunës bashkëshkortore, mund të nxisë kujtime të dhimbshme të dhunës shtëpiake. Madje edhe tekstet klasike të lashta, siç pohojnë studentët, mund të jenë të rrezikshme: në Columbia University në New Jork, studentët aktivistë kërkuan që Metamorfozave të Ovidit t’i bashkëngjitej një vërejtje mbi bazën se ‘përshkrimet e gjalla të përdhunimit’ do të mund të nxisnin ndër studentë një ndjenjë pasigurie dhe dobësie.

Me gjasë, kjo është hera e parë në histori që vetë lexuesit e rinj po kërkojnë mbrojtje nga përmbajtja shqetësuese e teksteve të mësimit, por megjithatë të lexuarit është parë si kërcënim për shëndetin mendor për mijëra vjet. Në përputhje me etosin paternalist të Greqisë së lashtë, Sokrati thoshte se shumica e njerëzve nuk do të mund ta përballonin tekstin e shkruar më vete. Ai trembej se për shumë prej njerëzve – posaçërisht për të paedukuarit – leximi mund të shkaktojë çoroditje dhe çorientim moral po qe se lexuesi nuk është këshilluar prej dikujt që ka mençuri. Në dialogun e Platonit të quajtur Fedri [Phaedrus], të shkruar më 360 p.e.s., Sokrati paralajmëronte se besimi mbi fjalën e shkruar do të mund të dobësonte kujtesën e individëve, dhe të mënjanojë nga ta përgjegjësinë e të kujtuarit. Sokrati përdori fjalën greke pharmakon – ‘ilaç’ [drug] – si metaforë për të shkruarit, duke përçuar kështu paradoksin se të lexuarit mund të jetë shërim, por ka shumë të ngjarë të jetë helm. Për shekuj me radhë, alarmistët do të përsërisin paralajmërimin e tij se teksti është i ngjashëm me një lëndë toksike.

Shumë mendimtarë grekë dhe romakë ndanin brengat me Sokratin. Paralajmërimet për nxitje u nxorën në shekullin e tretë p.e.s. nga dramaturgu grek Menanderi, i cili deklaronte se vetë akti i të lexuarit do të kishte efekt shkatërrues mbi gratë. Menanderi besonte se gratë vuajnë nga emocione të forta dhe mendje të dobëta. Prandaj, ai ngulmonte që ‘t’i mësosh një gruaje shkrim-lexim’ ishte po aq keq sa ‘të ushqesh një gjarpër të lig me edhe më shumë helm’.

Në vitin 65, filozofi stoik romak Seneka këshillonte se ‘të lexuarit e shumë librave është shpërqendrim’ që e lë lexuesin ‘të çorientuar dhe të dobët’. Për Senekën, problemi nuk qëndronte te përmbajtja e një teksti të caktuar, por te efektet e paparashikueshme psikologjike prej të lexuarit të shfrenuar. ‘Ki kujdes,’ paralajmëronte ai, ‘se mos të lexuarit e shumë autorëve dhe librave të të gjitha llojeve, ka prirje që të të bëjë diskursiv dhe të pasigurt.’

Në Mesjetë, pasojat potencialisht të dëmshme të tekstit u bënë temë e përsëritur e demonologjisë së krishterë. Sipas ekspertit të fjalës së lirë në Universitetin e Washingtonit, Haig Bosmajian, autorit të Të Djegësh Libra [Burning Books] (2006), tekstet të cilat sfidonin doktrinën e Kishës u denoncuan si lëndë helmuese me pasoja shkatërruese për trupin dhe shpirtin. Të lexuarit pa mbikqyrje mund të ishte herezi, trembej kështu Kisha, dhe tekstet blasfemike, sikurse Talmudi hebre, u dërguan për t’u djegur ose ‘u metaforizuan në gjarpërinj vdekjeprurës, murtajë, dhe kalbje.’

Reprezentimi i të lexuarit si medium përmes të cilit lexuesit bëhen psikologjikisht të çorientuar dhe moralisht të kontaminuar, vazhdoi të influenconte kulturën letrare përgjatë secilës epokë historike. Më 1533, Thomas More, ish Kancelari i Lartë i Anglisë dhe kundërshtar i ashpër i Reformimit Protestan, denonconte publikimin e teksteve të shkruar prej teologëve të tillë si William Tyndale (1494-1536) si ‘helme vdekjeprurëse’ që kërcënonin të infektonin lexuesin me ‘murtajën e tyre ngjitëse’. Përgjatë shekujve XVII dhe XVIII, terma të tillë si ‘helm moral’ dhe ‘helm letrar’ përdoreshin shpesh për të tërhequr vëmendjen ndaj fuqisë së fjalës së shkruar për të kontaminuar trupin.

Me shfaqjen e romanit në periudhën e hershme moderne, rreziqet e parashtruara prej të lexuarit ndaj gjendjes mendore të lexuesit, u bënë burim i zakonshëm i frikës. Kritikët e romanit deklaronin se lexuesit rrezikonin që të humbnin sensin e realitetit dhe si pasojë të bëheshin të prekshëm ndaj sëmundjeve serioze mendore.

Eseisti anglez Samuel Johnson pohonte se realizmi i fiksionit, e në veçanti prirjet e tij për t’u marrë me çështjet e jetës së përditshme, kishte pasoja djallëzore. Duke shkruar në vitin 1750, ai paralajmëronte se ‘vrojtimi i saktë i botës së gjallë’ është edhe më i rrezikshëm se ‘romancat heroike’ pararendëse. Pse? Sepse, meqë merret drejtpërdrejt me përvojën e lexuesve, kishte fuqinë për të ndikuar mbi ta. Ajo që e tranzonte Johnson-in ishte që letërsia realiste e cila i drejtohej rinisë së ndikueshme dështonte që t’u ofronte atyre udhëzime morale. Ai e kritikonte fiksionin romantik për përzierjen e cilësive ‘të mira dhe të këqija’ të personazheve pa u treguar lexuesve se cilat duhet t’i ndjekin.

Nxitja e sjelljes imitative jofunksionale përbente një rrezik të veçantë ndaj virtytit të grave. Filozofi Jean-Jacques Rousseau, duke shkruar në romanin e tij Julie (1761), paralajmëronte se qysh në momentin që një grua hap një roman – çfarëdo romani – dhe ‘guxon që të lexojë një faqe të vetme’, ajo ‘është një vajzë e degraduar’.

Duke vazhduar në këtë mënyrë, The Lady’s Magazine e vitit 1780 paralajmëronte se romanët ishin ‘motorë të fuqishëm me të cilët joshësi sulmon zemrën femërore’. Romanet për të cilat bëhet fjalë ishin, sigurisht, bestsellerë të famshëm si Pamela e Samuel Richardson-it; apo, Virtyti i Shpërblyer [Virtue Rewarded] (1740) për një djalosh 15 vjeçar që i reziston joshjes dhe përdhunimit, dhe që në fund shpërblehet me martesë. Ata që lëshonin paralajmërime të tilla nuk kishin dyshim se meqë lexueset qenë posaçërisht të prirë ndaj ngritjeve të fuqishme emocionale, ato rrezikonin që të kaploheshin prej pasioneve të shfrenuara seksuale.

Romanet qenë fokus i një paniku moral në Anglinë e shekullit XVIII, ku u kritikuan për nxitje të traumave dhe çrregullimeve mendore si individuale, ashtu edhe kolektive. Në fund të shekullit XVIII termat si ‘epidemi leximi’ dhe ‘mani leximi’ shërbyen për të përshkruar dhe për të dënuar shpërndarjen e kulturës së rrezikshme të të lexuarit të shfrenuar.

Reprezentimi i leximit në masë si një ‘ngjitje djallëzore’ shpesh shihej në lidhje me pamjen e sjelljeve destruktive të paarsyeshme. Shpërfaqja më alarmante e epidemisë së leximit ishte potenciali i saj për të nxitur akte të vetëlëndimit, duke përfshirë vetëvrasjen mes të rinjve të ndikueshëm. Romani Vuajtjet e djaloshit Werther [The Sorrows of Young Werther] (1774) të Johann Wolfgang von Goethe-s – një tregim për një dashuri të pashpërblyer që çon drejt një akti të vetëshkatërrimit – u dënua gjërësisht për nxitje të një vale vetëvrasjesh të ngjashme në të dy anët e Atlantikut.

Edhe pse këto pohime nuk kishin fort bazë në realitet, ato gjeten mbështetje në veprën e teologut Charles Moore, i cili botoi një studim të madh prej dy vëllimesh, Një kërkim i plotë në çështjen e vetëvrasjes [ A Full Inquiry into the Subject of Suicide](1790). Në këtë kritikë dhe analizë, Moore supozonte se Werther-i qe përgjegjës për nxitje të një valë vetëvrasjesh mes shumë prej lexuesve të tij të rinj. Përkundër mungesës së dëshmive empirike, studimi i Moore ndihmoi që të krijohej një traditë që do të asocionte të lexuarit e fiksionit romantik me akte të vetëlëndimit. Përfshirja që i bëri Werther-it në literaturën ‘shkencore’ mbi vetëvrasjen, shërbeu si trashëgimi mbi të cilën do të bazoheshin shumë të tjerë.

Studimi masiv prej gjashtë vëllimesh, Sistem i Tërësishëm i Policisë Mjekësore [A System of Complete Medical Police], i botuar nga mjeku gjerman Johann Peter Frank prej 1779 deri më 1819, ravijëzonte një rishikim gjithëpërfshirës mbi problemin e vetëvrasjes. Ndër shkaqe të shumta të vetëvrasjes, Frank listonte ‘ireligjiziotetin, shthurjen, dhe përtacinë, luksin e tepruar dhe mjerimin e pamësuar që e shoqëron atë, por veçanërisht të lexuarit e romaneve helmuese’ sikurse Werther, që paraqiste vetëvrasjen si ‘shfaqje heroike të përbuzjes për punët e kësaj toke’.

Në fundin e shekullit XVIII dhe fillimin e shekullin e XIX, njerëzit thirreshin në shkencë për të legjitimuar paraljmërimet e shëndetit lidhur me të lexuarit. Në Kërkime Mjekësore dhe Vrojtime Mbi Sëmundjet e Mendjes [Medical Inquiries and Observations Upon the Diseases of the Mind] (1812) – teksti i parë amerikan mbi psikiatrinë – Benjamin Rush, njëri prej baballarëve të Sheteve të Bashkuara, vërente se shitësit e librave qenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj marrosjeve mendore. Duke i rimodeluar në gjuhën e psikiatrisë paralajmërimet e lashta të Senekës, Rush-i raportonte se librashitësit qenë të prirë ndaj sëmundjeve mendore sepse profesioni i tyre kërkonte ‘tranzicionin e shpeshtë dhe të shpejtë të mendjes nga një subjekt në tjetrin’.

Një nga pasojat e shfaqjes së publikut në masë të lexuesve në shekullin e XIX, qe shtimi i paralajmërimeve rreth pasojave të rrezikshme mjekësore dhe morale të letërsisë popullore. Në 1851, filozofi gjerman Arthur Schopenhauer përshkruante ‘librat e këqinj’ si ‘helm intelektual’, meqë ‘e shkatërronin mendjen’: Der Bastard (1826) i Karl Spindler-it, Godolphin (1833) i Edward Lytton Bulwer-it, Les Mysteres de Paris (1843) i Eugene Sue, të gjithë dukej së paraqisnin rrezik. Ishte vetë popullariteti i këtyre romaneve që tërbonte Schopenhauer-in. Ai asocionte popullaritetin me uljen e shijeve kulturore, të cilat nga ana e tyre kishin pasoja toksike mbi mendjen.

Gjatë shekullit XIX, kritikët konservativë të letërsisë popullore pohonin shpesh se lexuesit po infektoheshin drejtpërdrejt nga sentimentet të cilat po i thithnin përmes leximit të romanit. Modeli i ngjitjes nuk ishte thjesht metaforik: thithja e ndotësve pasqyrohej jo vetëm si vepër mendore por edhe aso fizike. Nga kjo perspektivë, sentimenti do të mund të merrej si një e ftohur e zakonshme dhe në shumë raste, do të mund të çonte te një sëmundje morale traumatike ose madje te një gjendjeje që përfundonte me aktin fizik të vetëshkatërrimit. Edhe pse i shkruar në 1774, Werther vazhdoi të fajësohej për nxitjen e lexuesve të rinj të ndikueshëm për të bërë vetëvrasje, deri në fund të shekullit XIX.

Gjatë pjesës së dytë të epokës Viktoriane, medikalizimi dhe moralizimi i leximit kërkonte një vrull të ri si përgjigje ndaj përhapjes dramatike të të ashtuquajturëve romane sensacionale, duke filluar me spektakolarin dhe shkatërrimtarin Madame Bovary (1856). Romani i jashtëzakonshëm i Gustave Flaubert-it ka për personazh gruan e doktorit, që ka afera jashtëmartesore në kërkim të pasionit dhe intensitetit, që përfundimisht i marrin jetën. Ajo që e pasoi këtë kryevepër ishte prodhimi masiv i romaneve të lira e popullore, që thuhej se shkaktonin sëmundje jo më pak serioze sesa ajo e sëmundjes fizike.

Më 1875, Shoqëria e Nju Jorkut për Ndalimin e Vesit [New York Society for the Suppresion of Vice] nxori një raport të shkruar nga moralisti amerikan Anthony Comstock, që dënonte shpërndarësit ‘mendjehollë e dinakë’ të materialit të turpshëm që ia kishin ‘arritur të injektonin një virus më shkatërrues për pafajësinë dhe pastërtinë e rinisë, sesa ç’mund të jenë shumica e sëmundjeve vdekjeprurëse të trupit… Ruani me vigjilencë të pandërprerë libraritë tuaja, banjot tuaja, korespondencat dhe shoqëritë e fëmijëve dhe shërbëtorëve tuaj, se mos i arrin sëmundja ngjitëse dhe e plagos ëmbëlsinë dhe pastërtinë në shtëpitë tuaja,’ këshillonte Comstock mësuesit dhe gardianët.

Thirrja që Comstock-u i bënte prindërve që të lexonin letrat e fëmijëve dhe të mbikqyrnin materialet që lexonin nuk qe thjesht një shprehje e manisë Viktoriane me ndotjen morale. Si avokimi bashkëkohor për paralajmëritet nxitëse, kërkesa e Comstock-ut kishte si premisë të saj bindjen se tekstet e dyshimta përfaqësonin një kërcënim serioz për shëndetin mendor të lexuesit.

Moralizuesit që u trembeshin ndikimeve keqdashëse të teksteve, nxorën përfundimin se censura shërbente si ekuivalent funksional i karantinës. Për shembul më 1929, James Douglas, redaktori i Sunday Express, autorët që promovonin ‘degjenerimin’ moral i përshkruante si lebrozë. Synimi i tij ishte që ta detyronte shoqërinë që të ndërmerrte ‘detyrën e spastrimit nga lebra e këtyre lebrozëve’.

Përkundër të qenit të bombarduar nga gjuha e frikës, lexuesit injoruan gëzueshëm paralajmërimet për shendetin, të lëshuara nga më të mirët prej tyre. Përgjatë të shumtës së epokës moderne, njerëzit anashkaluan censurën dhe demonstruan gatishmëri për t’u nisur në udhëtimin drejt së panjohurës përmes leximit. Qasja e tyre e mendjehapur drejt leximit ishte inkurajuar prej rrymave radikale humaniste dhe kulturore që afirmonin kapacitetin e lexuesve për të përfituar prej angazhimit me një gamë të tërë tekstesh.

Ngritja e tregut në masë, letërsisë serike jo të shtrenjtë dhe romaneve sensacionale, treguan se moralizuesit viktorianë nuk mund të frenonin kërkesën publike për fiksion argëtues, pa marrë parasysh paralajmërimet për shëndetin që ata mund të nxirrnin. Ndërkohë, në shekullin XXI, është vetë publiku lexues që kërkon mbrojtje nga efektet shqetësuese për shendetin nga të lexuarit. Dhe këtu qëndron dallimi.

Sot, nuk janë moralistët puritanë fetarë por studentët e universiteteve të cilët kërkojnë që poema e Ovidit do të duhej të vinte me paralajmërim për nxitje. Për të parën herë në karierën e tyre, kolegët e mi akademikë raportojnë se disa prej studentëve të tyre po kërkojnë të drejtën për të mos lexuar tekste të cilat ata i shohin si personalisht ofenduese apo traumatike. Kjo vetëdiagnozë e dobësisë është ndryshe nga thirrja tradicionale për karantinë morale nga lart. Një herë e një kohë, censuruesit paternalistë infantilizuan publikun lexues duke ngulmuar se leximi i letërsisë përbën rrezik serioz për shëndetin e tyre. Tash lexuesit e rinj infantilizojnë vetveten duke ngulmuar se ata dhe bashkëmoshatarët e tyre, duhet të mbrohen nga dëmi që shkaktojnë tekstet e hidhura.

Kampanja për paraljmërime për nxitje përfaqëson kauzën e saj si një përpjekje për të mbrojtur të cënueshmit dhe të pafuqishmit prej çfarëdo efekti potencialisht traumatik dhe të dëmshëm të të lexuarit. Ata që e kundërshtojnë ose janë indiferentë ndaj thirrjes për këto paralajmërime, dënohen si bashkëfajtorë në margjinalizimin e të pafuqishmëve. Paradoksikalisht, censura, e cila dikur shërbente si një instrument për dominim nga ata që ishin në pushtet, sot është rimodeluar si një armë që mund të shkrepet për të mbrojtur të pafuqishmit prej lëndimit psikologjik.

Shpesh, mbështetesit e paralajmërimeve për nxitje tërheqin vëmendjen drejt vetvetes dhe vetë gjendjes së tyre mendore dhe ndjenjave. Argumentet e tyre janë shumë më shumë deklarata për vetveten, sesa vlerësime lidhur me përmbjatjen e tekstit. Ç’është e vërteta, avokuesit e paralajmërimeve të tilla janë tërësisht indiferentë ndaj meritave letrare apo përmbajtjes së tekstit të cilit dëshirojnë të paralajmërojnë shëndetin. Ajo që agjiton brengën e tyre është bindja se, nëse lexuesit janë të papërgatitur për përvojat e papritshme dhe të pasigurta me të cilat ata përballen gjatë leximit, ata do të mund të shqetësoheshin deri në pikën e dëmtimit psikologjik.

Prapëseprapë, çfarëdo raportesh mbi dëmtimin psikologjik prej të lexuarit e teksteve tronditëse, duket të jenë të bazuara mbi dëshmi anektodale më shumë sesa në dëshmi rigoroze empirike. Siç raportoi psikologu Richard McNally i Harvard University në rishikimin që i bëri hulumtimeve të fundit për Pacific Standard: ‘përdorimi i paralajmërimeve për nxitje jo vetëm që e nënvlerëson aftësinë e ripërtëritjes të të mbijetuarve të traumës, ai mund të dërgojë porosinë e gabuar te ata që kanë zhvilluar PTSD [çrregullim i stresit post-traumatik].’

Problemi kryesor i ngritur në debatin për paralajmërim për nxitje nuk është psikologjik, por kulturor. Ai nënvizon sensibilitetin për cënueshmërinë dhe minimizon kapacitetin për ripërtëritje. Kjo është pse studentët e universitetit që shpesh kanë qenë në ballë të leximit dhe dematimit të letërsisë ‘së rrezikshme’, tash mund ta perceptojnë vetveten si të paaftë për t’u përballur me material trazues.

Ka vetëm një pikë ku kryqëzata për mbivendosjen e paralajmërimeve për nxitje është absolutisht në të drejtë. Nuk është për asgjë që leximit iu janë trembur gjithmonë përgjatë historisë. Është vërtet një aktivitet i rrezikshëm: të lexuarit posedon fuqi për të kapluar imagjinatën, për të krijuar rrëmujë emocionale dhe për të shtyrë njerëzit drejt krizës ekzistenciale. Ç’është e vërteta, për shumë njerëz, është ngazëllimi i të nisurit në një udhëtim drejt së panjohurës që i shtyn ata, pikë së pari, që të kapin një libër.

A mund të lexojë dikush Në Kërkim të Kohës së Humbur të Proust-it, ose Ana Kareninën e Tolstoy-t ‘pa përjetuar një dobësi të re ose një rast në vetë thelbin e ndjenjave seksuale?’ pyeste kritiku letrar George Steiner në Gjuhë dhe Heshtje: Esetë 1958-1966 [Language and Silence: Essays 1958-1966]. Është pikërisht, sepse na zë hutueshëm dhe na ofron një përvojë që është rrallë nën kontrollin tonë të plotë, që të lexuarit ka luajtur, dhe vazhdon të luajë, një rol aq të rëndësishëm në kërkimin e njerëzimit për kuptim. Kjo është poashtu arsyeja se pse shpesh shkakton edhe frikë.

_______

Frank Fured-i është sociolog dhe komentues social. Ai është ish profesor i sociologjisë në Universitetin e Kentit në Kantërbëri dhe është autor i 17 librave; i fundit prej tyre Çfarë i ka ndodhur Universitetit? [What’s Happened to the University?] (2016)

Artikulli origjinal i botuar në Aeon

Përktheu: Bardhi Bakija

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.