Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Të fajësosh popullin

A është demokracia vërtet problemi?

Sa rezultate bizarre zgjedhjesh do të duhen për të tundur besimin tonë në demokraci? Me sa duket, një mjafton. Edhe para zgjedhjeve presidenciale [në SHBA] nëntorin e kaluar, Andrew Sullivan nga revista New Yorker i druhej së ashtuquajturës “hiperdemokraci”, ku njerëzit shpërfaqin etje të pashuar për barazi dhe refuzojnë që të pranojnë kufizime ndaj vullnetit popullor. Këtë verë, duke shkruar për Los Angeles Times, James Kirchik, komentonte për votën Brexit dhe zgjedhjet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar dhe konkludonte se “përfaqësuesit tanë të zgjedhur” duhet të kenë kurajon për të injoruar “opinionin e paditur të masave.”

Shkencëtarët socialë si dhe filozofët politikë kanë shprehur gatishmëri për të mbështetur këtë opinion: Që prej studimeve fillestare të Philip Converse-it në vitet 1950, shkencëtarët politikë amerikanë kanë grumbulluar fakte të shumta që konfirmojnë sesa pak dinë votuesit – dhe sa jokoherente apo thjesht jologjike mund të jenë zgjedhjet e tyre politike. Këto studime empirike kanë vajtur në varg me atë të teoricienëve politikë që brengosen më pak për padijen e votuesve sesa për jotolerancën e tyre. John Rawls, filozofi liberal më me ndikim në Shtetet e Bashkuara, argumentonte se për të pasur një shtet liberal të qëndrueshëm, qytetarët e “paarsyeshëm” do të duhej të “frenohen” ashtu si “lufta dhe sëmundja.”

Do të ishte e arsyeshme të mendohet se përgjigjja e qartë ndaj padijes së votuesve është edukimi, dhe përgjigjja ndaj problemit të posaçëm të paarsyeshmërisë së votuesve është mbase një formë e riedukimit qytetar. Por filozofi politik Jason Brennan nuk do asnjë lidhje me këtë argument. Në librin e tij Kundër Demokracisë [Against Democracy], Brennan përmend faktin se ngritja e përgjithshme e nivelit të edukimit në Shtetet e Bashkuara nuk i ka bërë qytetarët me të ditur rreth politikës. Si shumë shkencëtarë socialë, ai mendon se ka një shpjegim të thjeshtë pse amerikanët mbesin kaq në errësirë: Padija është zgjedhje e arsyeshme. Meqë një votë individuale ka një shans pakufishmërisht të vogël për të vendosur vërtet rezultatin e zgjedhjeve, nuk ia vlen barra qiranë të përpiqesh që të edukohesh në politikë – apo madje as të lexosh Kushtetutën. Siç argumenton Brennani në një shkrim tjetër mbi këtë temë, “e meta thelbësore” e demokracisë është se e zgjeron gjërësisht pushtetin, duke hequr kështu çdo incentivë për votuesit individualë që të përdorin mençurisht pushtetin e tyre më të shpërndarë.

Natyrisht, pa marrë parasysh këtë, disa votues duken të lumtur të marrin pjesë në këto procese; ata megjithatë shpërfaqin një interes të zjarrtë në çështjet politike, e madje edhe kushtetuese. Por shumica prej tyre, sipas Brennanit, e trajtojnë politikën si një sport spektatorësh ose, madje edhe më keq, një sport fizik brutal. Tërësisht të paditurit janë ata që ai i quan “hobitë” [shën. i përkth: “hobbits”, krijesa fiktive të ngjashme me miniatura të njerëzve]; për kontrast, ata që bëjnë tifo për një skuadër ndërsa urrejnë tjetrën janë “huliganët.” Për huliganët, pak dije është një gjë e rrezikshme: Ata kuptojnë aq për të qenë thellësisht të bindur se ekipi i tyre është në anën e engjëjve dhe se në anën tjetër janë djajtë (vini re sesi 40 përqind e përkrahësve të Trumpit në Florida mendonin se Hillary Clinton kishte ardhur drejt e prej ferrit). Por ata janë të paaftë për të matur racionalisht opsioniet politike apo madje edhe për të kuptuar interesat e veta më bazike. Për huliganët, gjithçka ka të bëjë me identitetin.

Në tipologjinë e pazakontë të Brenannit, seç ka edhe një lloj tjetër të votuesve, të cilët ai i quan “vullkanët.” Vullkanët shqyrtojnë me ftohtësi faktet dhe pastaj, përkitazi me to, formojnë gjykimet e tyre politike. S’ka nevojë të thuhet, kjo është një pakicë e vockël, dhe, ajo që nuk duket sheshit është se ata nuk mund të konsiderohen as për afër si modele që duhen ndjekur: Mbi të gjitha, shumica e njerëzve thjesht nuk e kanë mundësinë për t’u bërë vullkanë – siç thoshte dikur Oscar Wilde për socializmin, se duhen shumë e shumë netë. Edhe më brengosëse se kjo, hobitët janë aq injorantë dhe të painformuar sa të mos dallojnë arsyeshmërinë superiore të vullkanëve dhe të marrin sugjerime nga ta. Për këta votues me informacion të paktë, pohon Brennan, kur vjen puna te reputacioni dhe besueshmëria, ekspertët e vërtetuar janë pak a shumë në të njëjtin nivel me prezantuesin e radios të së të djathës ekstreme dhe teoricienin konspirativ Alex Jones.

Përgjigjja e Brennanit ndaj kësaj të “mete thelbësore” të demokracisë është po aq drastike sa edhe dukshëm logjike: Kufizo të drejtat e votimit mbi baza të ndonjë testi themelor të dijes. Duke ndjekur filozofin David Estlund, Brennan e pagëzon këtë me emrin “epistokraci” – sundimi i të diturve – e cila ka një histori të gjatë dhe të dalluar në mendimin politik Perëndimor: Platoni avokonte për të, sikurse edhe, në një formë më të zbutur, një liberal i shekullit 19 si John Stuart Mill, i cili donte që ata me shkollim universitar të kenë një votë shtesë. (Atij iu plotësua dëshira: Në Mbretërinë e Bashkuar, “zonat zgjedhore universitare” – që u lejonte të diplomuarve nga Oxbridge që të hidhnin nga dy vota – u anuluan vetëm në vitin 1950, nga një qeveri laboriste.)

Edhe pse Republikanët vazhdojnë të jenë të zënë me punën e kufizimit të së drejtës së votës në Shtetet e Bashkuara mbi bazat e pohimeve thelbësisht të pavërteta rreth “mashtrimit të votuesve,” as Republikanët e as partia demokratike nuk ka avokuar haptas për përjashtimin e votuesve mbi baza të jokompetencës – një nocion që është ende tabu për demokracitë bashkëkohore.

Edhe kështu, përjashtimi i fëmijëve dhe i të sëmurëve mendorë nga e drejta e votës është një praktikë kryesisht e pakundërshtueshme nëpër po këto demokraci; dhe në shumë shtete amerikane, kriminelëve të dënuar u hiqet përgjithmonë e drejta e votës.

Sigurisht, Brennan është i vetëdijshëm se kufizimi i të drejtës së votës përmes testit ka qenë i përdorur një kohë në Shtetet e Bashkuara për qëllime të diskriminit racor. Por ai do që të mos i vë re përdorimet e kaluara dhe rendit një sërë argumentesh abstrakte pse epistokracia meriton të konsiderohet seriozisht. Për një gjë, pohon ai, qytetaria demokratike nuk është si tifozeri për një ekip sporti. Edhe nëse vota juaj personale nuk ka gjasë që të bëjë ndryshimin, të lësh njerëz të paditur që të hedhin votën për “ekipin” e tyre të preferuar sjell pasoja dramatike: zgjedhjet e tyre fuqizojnë ligjvënësit që të kalojnë ligje të cilat përfundimisht autorizojnë zyrtarët policorë që të ushtrojnë dhunë ndaj kujtdo që nuk është i gatshëm t’u bindet idealeve të “ekipit.” Këtu “tifozëria” gjithsesi do të rezultojë me dhunë. Brenan poashtu ngulmon se shkallët e ndryshme të injorancës dhe të paragjykimit që shpërfaqen nga qytetarë të ndryshëm nuk është së përfundojnë së neutralizuari njëra-tjetrën. Të paditurit, thotë ai, nuk votojnë rastësisht; përkundrazi, ata do t’i fuqizojnë ata të cilët mbështesin poltika të paarsyeshme ekonomike ose që kërkojnë të shkelin liritë tona civile. Dhe thua se kjo të mos ishte boll keq, politikat e demokracisë së masave i kthejnë njerëzit në “armiq civilë” të njëri-tjetrit, kjo sipas pikëpamjes së Brennanit. Duke refuzuar nocionin moralist se pjesëmarrja politike mëton të “edukojë, ndriçojë, dhe fisnikërojë,” Brennan argumenton se më shumë përfshirje politike ka gjasë t’i kthejë hobitët në huliganë. Vetëm të mendosh për polarizimin në Shtetet e Bashkuara sot, të shohësh argumentin e tij se “politika na jep baza të qarta për të urryer njëri-tjetrin.” Ose ashtu mund të duket.

Një përgjigje e qartë ndaj thirrjes së Brennanit për heqje të së drejtës së votës është se çdo koncept kuptimplotë i demokracisë është i predikuar jo vetëm mbi një ideal të lirisë, por mbi një nocion të barazisë politike. Epistokratët duhet të përballen me faktin se ata po avokojnë për një pabarazi themelore në të drejtat tona fundamentale. Brennan mendon se kjo nuk është vërtet ndonjë problem: Ato që ndonjëherë quhen funksionet “shprehimore” të demokracisë, thotë ai, janë tepër të mbivlerësuara. Po të duan njerëzit të shprehen, ata do të duhej të shkruanin poezi në vend se të turren drejt vendvotimit; dhe po deshi shteti që t’iu komunikojë qytetarëve se brengoset për ta, ai duhet të sigurojë rezultate të denja politike – e jo barazi formale politike të kombinuar me pabarazi të tmerrshme sociale, siç është puna me demokracitë e sotme. Epistokracia, me fjalë tjera, do të ishte paternaliste – por, kështu pohon Brennan, edhe ata që sot janë në situatën më të keqe do të përfitonin nga praktikimi i saj.

Ashtu siç kanë vërejtur kritikët, Brennani zgjatet në identifikimin e të metave të demokracive ekzistuese sot dhe është i mangët në detajet institucionale të një epistokracie madje edhe ideale. Kush do të përpilonte testin për të vlerësuar se kush voton e kush jo? Kush do të ishte vërtet kompetent për të gjykuar kompetencën e njerëzve – dhe, për më tepër, si matet kompetenca? Si do të projektohej dhe justifikohej tranzicioni për në epistokraci? A do të duhej që njerëzit të votonin për t’i hequr vetes të drejtën e votës? E në rast se politikat rezultuese do të gjykoheshin si pamjaftueshëm racionale, a do të duhej që e drejta e votës të kufizohej edhe më tej? A do të ishte pika përfundimtare ajo çfarë shkencëtarët socialë i referohen si “autoritarizëm burokratik” – që do të thotë, sundimi i disave, me pretendimin se bëhet në emër të mirëqenies kolektive?

Lënë anash pyetjet praktike, këtu është edhe pyetja se a i bëhet shenjë me dorë kaq lehtë njërit prej kushteve themelore të demokracisë – të drejtës universale të votës. A mundet që heqja e së drejtës së votës të bëhet në mënyrë “të pastër” që nuk vë në rrezik trajtimin e barabartë dhe statusin në sfera të tjera? Po të hynte në efekt, epistokracia do të përfundonte si një lloj i karantinës politike: Ne, bartësit e dijes, duhet të mbrojmë vendin prej “tyre.” Është e vështirë të shihet sesi nuk do të stigmatizoheshin njerëzit që hynë në kategorinë e kësaj të fundit, edhe po të realizohej me dashamirësi heqja e së drejtës së votës. Politika simbolike nuk është asnjëherë thjesht simbolike; perceptimet kanë pasoja. Të trajtosh heqjen e të drejtës së votës sikur të ishte fillimisht çështje e “vetëvlerësimit,” apo e lëndimit të ndjenjave të qytetarëve, është bukur si mendjelehtë.

Vetë Brennani duket i parehatshëm me këtë mundësi dhe prandaj ai ndihet i cytur që të propozojë një mënyrë që të gjithë të afirmojnë epistokracinë dhe kështu të kontrabandojë përsëri në sistem një nocion të barazisë. Ai shkruan se “nuk është e vështirë të imagjinohet një shoqëri epistokratike ku secili e konsideron njëri-tjetrin se ka të njëjtin status. Mbase ata e përkrahin epistokracinë sepse ata mendojnë se ajo mëton të prodhojë rezultate të paanshme, dhe për këtë arsye mendojnë se zotimi i tyre ndaj epistokracisë shpreh një zotim për barazinë.” Por miratimi i vullnetshëm i epistokracisë me gjasë do të shkatërronte pikë së pari vetë shkakun themelor të kërkimit të një skeme të tillë elitiste: po të ishin qytetarët mjaftueshëm të sofistikuar për të kuptuar arsyet e përjashtimit të tyre prej proceseve zgjedhore dhe po të jepnin pëlqimin e tyre ndaj një përuljeje të tillë, ata me gjasë do të kuptonin poashtu protë dhe kontrat e kandidatëve dhe politikave, gjëra të cilat edhe do t’i kualifikonin ata si votues.

Pra epistokracia nuk duket se përputhet me vlerën e brendshme të demokracisë në afirmimin e barazisë dhe në dhënien e shansit që secili të çojë përpara interesat e tij apo të saj, sado i idealizuar që mund të jetë ai term. Por avokimi i Brennanit bazohet gjithashtu mbi një mënyrë bukur si jorealiste të të kuptuarit sesi dështojnë demokracitë në nivelin instrumental. Sipas tij, demokracitë moderne janë të gjymtuara, sepse ato nuk përmbushin qëllime racionale. Por procesi demokratik nuk ka të bëjë me votuesit individualë që bëjnë zgjedhje të arsyeshme a të paarsyeshme – një perspektivë e cila s’mund të bëjë tjetër pos prodhimit të variacioneve mbi thumbat e H.L. Menckenit se “demokracia është një besim patetik në mençurinë kolektive të injorancës individuale.” As nuk ka të bëjë demokracia me arsyeshmërinë a paarsyeshmërinë; vetëm teknokratët mendojnë asisoj për politikën. Në fakt, ajo është një sistem që i lejon udhëheqësve të fitojnë pushtet mbi bazat e pohimeve të tyre të përfaqësimit të ideve, interesave dhe identiteteve të ndryshme. Është e qartë se këto të fundit janë përfundimisht individuale, por ato përfundojnë së kombinuari në forca më të mëdha politike. Këto nuk janë të mirëqena objektivisht; ato formohen në një proces dinamik dhe të hapur të betejës lidhur me atë se kush dhe çka do të përfaqësohet, si dhe nga kush. Përfaqësimi demokratik pra, nuk ka të bëjë me gjetjen e përgjigjeve politike e as me riprodhimin mekanik të identiteteve e interesave që tashmë ekzistojnë. Blloqe të reja të interesit dhe format e identifikimit janë vetë rezultat i politikës.

Të trajtosh demokracinë vetëm në terma të votuesit individual dhe kompetencës së tij a të saj është sikur të kesh mikroekonomi pa pasur makro. Një qasje e tillë dështon të vërejë se cilësia e demokracisë varet ç’është më e rëndësishmja nga hapësira mes votuesve individualë dhe vendimeve politike që i lidh ngushtë ata së bashku. Institucione të ndryshme – që prej gjykatave, te mediat e deri te rregullat e fushatave zgjedhore – bëjnë ndryshim të madh këtu. Siç e ka thënë shkencëtari politik amerikan E.E. Schattschneider, “problemi nuk është sesi mund të udhëheqin 180 milionë Aristotelë një demokraci, por sesi mund të organizojmë një komunitet të 180 milionë njerëzve të zakonshëm në mënyrë që të ruajë ndjeshmërinë ndaj nevojave tona. Ky është problem i lidershipit, i organizimit, i alternativave, dhe i sistemeve të përgjegjësisë dhe i konfidencës.”

Termat “lidership” dhe “përgjegjësi” – sado tmerrësisht elitistë që mund t’u tingëllojnë disave – duhet të na përkujtojnë se padija dhe keqinformimi nuk janë vetëm fakte të jetës; ato shpesh janë poashtu rezultat i vendimeve tërësisht të vetëdijshme të elitave politike të cilat do të donin që të mbrojnë dhe të zgjerojnë edhe më tej interesat e tyre. Për shembull, amerikanët janë të polarizuar dhe shpesh i trajtojnë bashkëqytetarët e tyre si “armiq civilë”, jo sepse demokracia ka në vetvete një natyrë “gladiatoriale” dhe nxjerr më të keqen prej nesh; as pse vendi është natyrshëm i ndarë në shtete të kuqe dhe shtete blu. Polarizimi është një projekt që sjell përfitime të mëdha politike dhe ekonomike; paarsyeshmëria mund të jetë biznes i madh.

Në vend se të fajësosh popullin për paarsyeshmërinë e tyre, ne mund të qesim në pyetje “lidershipin” e një figure si David Cameron, i cili thirri referendumin mbi anëtarësinë e Britanisë në Bashkimin Europian thjesht për të paqësuar kritikët e partisë së tij. Në vend se të përmenden statistika të pafundme rreth asaj se sa tmerrësisht pak dinë amerikanët për politikën, ne do të mund të pyesnim për “përgjegjësinë’ e një figure si udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, i cili mund të riformatojë tërë lojën politike duke vendosur se interesat e tij dhe partisë së tij do të ruhen më së miri duke mbajtur një gjendje të konfliktit të përhershëm, dhe asnjëherë bashkëpunimit, me demokratët.

Vërtetë, atë që analistët e kanë përshkruar si një “valë” të vonshme, e disi të pandalshme të popullizmit mund të miratojë ato brengat për demokracinë të cilat i artikulon Brennani e shumë gazetarë të tjerë. Por është me rëndësi të kujtojmë se një figurë si Nigel Farage, ish udhëheqësi i Partisë së Pavarësisë në Mbretërinë e Bashkuar, nuk e solli vet Brexitin; atij iu desh mbështetja e figurave të rëndësishme si Michael Gove nga Partia Konservatore. Ishte Gove, në fund të fundit, i cili, përkundër vërejtjeve të shumë ekspertëve për Brexitin, paralajmëroi se “njerëzit e këtij vendi boll i kanë duruar ekspertët.” Ironia këtu është se vetë Gove foli qartazi me autoritetin e ekspertit: Ai gjithmonë është konsideruar si njëri prej “intelektualëve” më me nam të Partisë Konservatore. U desh hiç më pak se një ekspert për të bindur popullin se ekspertiza nuk vlen shumë.

Fitorja e Trumpit, në anën tjetër, nuk duhet të kuptohet si një “revoltë e masave” e shtyrë kryesisht nga një klasë punëtore e paedukuar, raciste dhe e bardhë. Në fakt, ky është një ngadhënjim i hiperpartishmërisë: Trumpit i duhej bekimi i figurave populliste si guvernatori i Nju Xhersit Christ Christie, ish kryetari i Nju Jork Sitit Rudy Guliani, dhe ish udhëheqësit të Senatit, Newt Gingrich. Kur ky i fundit i tha CNN-it verën e kaluar se nuk i besonte statistikave mbi krimet por në vend të tyre i besonte asaj se çfarë ndjenin njerëzit, ai luajti të njëjtin truk si Gove që kishte bërë në MB: Çfarëdo që mund të mendosh për Gingrichin, ai konsiderohet si një intelektual mes konservatorëve amerikanë. Kështu, si në Britani, u desh një ekspert i njohur për të zhvlerësuar rëndësinë e ekspertizës.

Me të marrë bekimin e republikanëve të rëndësishëm, Trumpi u bë, mbi të gjitha, kandidat i vetë partisë – dhe 90 përqind e republikanëve i dhanë votën. Për më tepër, shumë prej tyre i shprehën haptas dyshimet e tyre lidhur me komptencën e kandidatit – por në një botë të polarizuar ku njëra anë refuzon të pranojë legjitimitetin e anës tjetër, ishte e pakonceptueshme për këta votues që të hedhin votën për Hillary Clintonin. Çështja nuk është se, siç thotë Brennani, të urresh është argëtim, por më shumë është se më t’u bërë njëherë demonizimi, është vështirë të ndryshosh mendjet e qytetarëve.

Politika demokratike mund të jetë një spektakël i pahijshëm. Edhe idealistët ndonjëherë priren të pajtohen se argumenti më i mirë kundër saj është një bashkëbisedim pesëminutësh me një votues mesatar. Por nuk është rastësi që demokracia është poashtu sistemi i cili ofron me së shumti hapësirë për liri, sado të papërsosur, dhe i mbron më së miri të drejtat themelore. Siç ka demonstruar ekonomisti Amartya Sen, demokracia është regjimi i cili shmang urinë; dhe siç thekson filozofi politik Thomas Christiano, institucionet demokratike ende ofrojnë mjetet më të mira për anëtarët më të brishtë të popullatës për të shtyrë përpara interesat e tyre.

Mbi të gjitha, kur gjërat shkojnë ters, demokracia është sistem që i lejon njerëzve të flakin bastardin – dhe ndryshe nga propozimi i Brennanit, “të dish se a po bëjnë punë të keqe bastardët” nuk kërkon “një sasi të pamasë të dijes së shkencave sociale.” Siç ka vërejtur shkencëtari politik Martin Gilens, shumë votues kanë një sens mjaft të mirë lidhur me atë sesi kanë performuar politikanë të caktuar dhe, në fakt, janë në gjendje që t’u kushtojnë vëmendje këshillave që u ofrojnë zyrtarët e zgjedhur – sikurse edhe analistët e kandidatët rivalë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se problemet e identifikuara nga Brennani janë tërësisht të trilluara; por shumë prej tyre kanë të bëjnë më shumë me sjelljen e elitave të caktuara sesa me popullin injorant e të paedukuar. T’u japësh njerëzve të pushtetshëm edhe më shumë pushtet duke kufizuar ndikimin e më të brishtëve nuk duket si mënyra më e mirë për t’iu qasur problemit.

__________

Jan-Werner Müller ligjëron politikë në Universitetin Princeton. Libri i tij Çfarë është Popullizmi?[What is Populism?] doli vitin e kaluar.

Recension i librit Against Democracy nga Jason Brennan

Artikulli origjinal

Përktheu: Bardhi Bakija

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.