Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Çfarë iu bëjnë popullistët demokracive

A supporter of Jair Bolsonaro wears a mask of Donald Trump as he celebrates after Bolsonaro won Brazil's presidential election on Oct 28, 2018. (Miguel Schincariol / AFP / Getty)

Artikulli origjinal në The Atlantic

Në bazë të hulumtimit tonë, qeveritë populliste kanë thelluar korupsionin, kanë minuar të drejtat individuale dhe i kanë shkaktuar dëme serioze institucioneve demokratike

Kur Jair Bolsonaro fitoi zgjedhjet presidenciale në Brazil në tetor, duke shtangur elitën politike tradicionale të vendit, komentuesit qenë thellësisht të ndarë rreth asaj se çfarë do të ndodhte. Disa paralajmëronin se Bolsonaro, një popullist i ekstremit të djathtë, i cili ka shprehur haptas admirim për diktaturën brutale ushtarake që sundoi Brazilin prej 1964 deri më 1985, paraqiste kërcënim të qartë dhe të dukshëm ndaj demokracisë. Të tjerët pohonin se institucionet e forta të Brazilit, përfshirë shtypin agresiv dhe gjyqësorin shumë të pavarur, do të frenonin prirjet e tij autoritare.

Beteja rreth Bolsonaro-s i bën jehonë debatit akademik mbi të ashtuquajturit figura populliste rreth e përreth botës. Disa akademikë kanë paralajmëruar se popullistët priren të jenë jashtëzakonisht të koruptuar, të zgjasin pambarimisht mbajtjen e pushtetit duke çlegjitimizuar opozitën dhe duke  i shkaktuar dëme të mëdha institucioneve demokratike të vendit. Të tjerët, përfshirë historianin Niall Ferguson, kanë propozuar që qeveritë populliste janë zakonisht aq jokompentente sa që s’mund të kenë jetë të gjatë. Ndërsa të tjerët, përfshirë teoricienen politike Chantal Mouffe, kanë theksuar potencialin pozitiv të popullizmit, si dhe kanë lënë të kuptohet se kritikët e këtyre lëvizjeve janë veçse mbrojtës të statuskuosë së dështuar.

Tash për tash, katër prej demokracive më të mëdha në botë qeverisen prej popullistëve: Narendra Modi në Indi, Donald Trump në SH.B.A., Joko Widodo në Indonezi, Bolsonaro në Brazil. Kjo e bën edhe më të rëndësishme për të ditur se cilët akademikë kanë të drejtë: ose demokracia ëshët në mes të një zmbrapsjeje globale të paprecedentë, ose po shohim ndërrim të dobishëm kursi ku më në fund qytetarët po i mbajnë përgjegjës elitat globale për dështimet e tyre. (Ose, nëse Ferguson-i ka të drejtë, asgjë s’do të ndryshojë.)

Mënyra më e qartë për të zgjidhur këtë çështje urgjente është të shohim ndikimin që qeveritë populliste kanë pasur në demokracitë e së kaluarës. Për këtë qëllim, ne kemi themeluar një bazë gjithëpërfshirëse të dhënash të qeverive populliste. Kjo qe një punë e vështirë: po të pyesësh tre akademikë për natyrën e popullizmit, me gjasë do të merrni pesë përgjigje të ndryshme. Për më tepër, popullizmi nuk është si çelës drite që është o ndezur o fikur; disa liderë shfaqin disa (por jo të gjitha) karakteristika klasike të popullizmit.

Ja si e bëmë listën tonë: zgjodhëm 66 revistat më të mira të shkencave politike, sociologjisë dhe studimeve rajonale; identifikuam të gjithë artikujt të botuar në këto revista mbi temën e popullizmit, si dhe mbi liderët politikë të lidhur me popullizmin; pastaj shqyrtuam me kujdes secilin rast të mundshëm studimi, duke u konsultuar me ekspertë vendorë e rajonalë. Qeveritë populliste, në përkufizmin tonë, bashkohen në dy pohime themelore: (1) Elitat dhe “të huajt” punojnë kundër interesave të “popullit të vërtetë,” dhe (2) meqë popullistët i japin zë “popullit të vërtetë,” asgjë s’guxon t’iu dalë përpara.

Përfundimisht, identifikuam 46 liderë popullistë ose parti politike  që kanë qenë në pushtet përgjatë 33 vendeve demokratike mes viteve 1990 e 2018, që na e dha mundësinë që për herë të parë të zgjidhim debatin teorik rreth tensionit mes popullizmit dhe demokracicsë, në një mënyrë rigoroze dhe emprike dhe në shkallë globale. Rezultatet janë alarmuese  popullistët janë shumë të zotë që të mbesin në pushtet dhe  paraqesin rrëzik të rëndë për institucionet demokratike.

Mesatarisht, qeveritë e zakonshme demokratike mbesin në pozitë për një periudhë të shkurtër: tre vite. Gjashtë vite pas zgjedhjeve të para, katër nga pesë qeveritë jopopulliste do të jenë larguar tashmë nga pushteti. Qeveritë populliste, në anën tjetër, ia arrijnë të mbajnë kapjen e pushtetit për një periudhë dukshëm më të gjatë; mesatarisht, ata mbajnë pushtetin për rreth 6 vite e gjysmë, apo më shumë se dy herë më gjatë se rivalët e tyre jopopullistë.

Popullistët nuk kanë të ngjarë vetëm që të rizgjedhezën njëherë a dyherë; ata kanë gjithashtu më shumë të ngjarë të mbesin në pushtet për më shumë se një dhjetëvjeçar. Gjashtë vite pasi të jenë zgjedhur për herë të parë, liderët popullistë kanë dy herë më shumë të ngjarë që të mbesin ende në pushtet se sa liderët jopopullistë; ndërkohë që kanë pesë herë më shumë të ngjarë, dymbëdhjetë vite pasi të jenë zgjedhur për herë të parë.

Mund të thuhet se, në vetvete, këto gjetje nuk janë edhe aq brengosëse: shkalla më e gjatë e mbijetesës për popullistët mund të pasqyrojë thjesht efektshmërinë ose popullaritetin e tyre. Por mes liderëve popullistë që erdhen në pushtet mes viteve 1990 dhe 2015, vetëm një pakicë e vogël dorëzoi pushtetin si pasojë e procesit normal demokratik.

Në fakt, vetëm 17 përqind e popullistëve u larguan nga detyra pas humbjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme. 17 përqind të tjerë dorëzuan postet e larta pas përfundimit të mandatit. Megjithatë, vetëm 23 përqind lanë pushtetin nën rrethana më dramatike – ata ishin rrëzuar ose ishin sforcuar të jepnin dorëheqje. 30 përqind të tjerë të të gjithë liderëve popullistë në bazën tonë të të dhënave mbesin ende në pushtet edhe sot. Kjo është pjesërisht funksion i ngritjes së popullizmit në kohën e fundit: 36 përqind e atyre udhëheqësve popullistë që ende janë në pushtet janë zgjedhur gjatë pesë viteve të fundit. Por edhe më shumë prej tyre kanë qenë në pushtet mjaft gjatë sa për të zgjuar shqetësim: gati gjysma e tyre udhëhoqen vendin për së paku nëntë vite.

Sido që të jetë, çështja më e rëndësishme nuk është as sa gjatë rrinë në pushtet popullistët, as si largohen ata përfundimisht, por se çfarë bëjnë më pushtetin e tyre – dhe, në veçanti, se a shkakton mandati i tyre atë që shkencëtarët politikë e quajnë “prapashkuarje demokratike” [“democratic backsliding,”] keqësim i qenësishëm në nivelin në të cilin qytetarët gëzojnë të drejtat themelore.

Këtu, gjithashtu, gjetjet tona qenë kthjelluese: në shumë vende, popullistët rishkruan rregullat e lojës që ta kthejnë përherë fushën zgjedhore të lojës në favorin e tyre. Ç’është e vërteta, një përqindje marramendëse prej 50 përqind e popullistëve ose rishkruan ose ndryshuan kushtetutën e vendit të tyre me të ardhur në pushtet, shpesh me synimin për të eliminuar mandatet presidenciale dhe institucionet që kufizojnë pushtetet e ekzekutivit.

Për të marrë pjesë në politikë në mënyrë kuptimplote, një vend duhet të ketë lirinë e shtypit, në mënyrë që qytetarët të bëjnë zgjedhje të informuara; të mbrojë të drejtat civile, në mënyrë që qytetarët të jenë të lirë të shprehin parapëlqimet e tyre dhe të organizohen rreth interesave të tyre; dhe të mbrojë të drejtat politike, në mënyrë që të gjithë të rriturit të kenë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në të gjitha këto raste, qeveritë populliste dështojnë. Duke parë mënyrat e ndryshme në të cilat vendet që zgjedhin popullistët mund të dallohen prej vendeve që nuk i zgjedhin ata – përfshirë të ardhurat për kokë banori, performancën ekonomike të kohës së fundit, historinë e një vendi me institucionet demokratike, si dhe konfliktin civil –, kemi gjetur se qeverisja populliste asociohet me një rënie prej 7 përqind në lirinë e shtypit, rënie prej 8 përqind në liritë civile, si dhe rënie prej 13 përqind në të drejtat politike.

Në përgjithësi, 23 përqind e qeverive populliste nisin prapashkuarjen demokratike, e përkufizuar si rënie prej së paku një pike në rezultatin demokratik të një vendi siç përkufizohet nga projekti Polity IV . Për krahasim, vetëm 6 përqind e qeverive jopopulliste janë përgjegjëse për këtë lloj keqësimi. Në përgjithësi, një qeveri populliste ka katër herë më shumë të ngjarë të dëmtojë institucionet demokratike se sa një qeveri jopopulliste. (Ka të ngjarë që nuk po i numërojmë rastet aktuale të dobësimit demokratik për shkak të animeve drejt statuskuosë të organizatave që masin fuqitë e demokracive. Për shembull, përkundër fakteve të mjaftueshme të dobësimit të sundimit të ligjit dhe lirisë së medias në Hungari dhe Poloni, Polity IV nuk ka regjistruar ende prapashkuarjen demokratike në këto vende që nga viti 2017.)

Por a janë të gjithë popullistët njësoj të rrezikshëm? Sipas mendimtareve si Mouffe, akademikët duhet të bëjnë qartë dallimin në mes popullistëve të majtë dhe atyre të djathtë. Ndërkohë që popullistët e djathtë viktimizojnë pakicat jopopullore dhe e përdorin zemërimin publik si armë për qëllime të paligjshme, popullistët e majtë pretendohet se kanë shumë më shumë të ngjarë të ndreqin dështimet e elitave në emër të të varfërve dhe nëpërkëmburve. Përgjigjja më e mirë ndaj popullistëve të djathtë, sipas këtij kampi, nuk është parapëlqimi për partitë dhe kandidatët që respektojnë rregullat dhe normat tradicionale demokratike – por, në fakt, zgjedhja e popullistëve të majtë.

Të dhënat nuk e mbështesin këtë pohim. Që prej vitit 1990, janë zgjedhur 13 qeveri populliste të djathta; prej tyre, pesë shkaktuan prapashkuarje të konsiderueshme demokratike. Përgjatë së njejtës periudhë, u zgjodhën 15 qeveri populliste të majta; prej  tyre, po i njejti numër prej pesë shkaktuan prapashkuarje të konsiderueshme demokratike. Kjo do të thotë që popullistët e majtë nuk kanë të ngjarë të jenë ilaç për popullistët e djathtë; përkundrazi, ata kanë të ngjarë t’i japin vrull zjarrit në të cilin digjet demokracia.

Sido që të jetë, matjet ideologjike tradicionale mund të mos bëjnë një punë posaçërisht të mirë në të kuptuarit e natyrës së këtyre lëvizjeve. Poashtu, që prej vitit 1990, 17 qeveri populliste kanë ardhur në pushtet dhe të cilat nuk mund të cilësohen lehtë as si të majta as si të djathta. Përsëri, pesë prej këtyre qeverive nisen prapashkuarjen demokratike, që do të thotë se për dëmin që një qeveri ka të ngjarë t’i shkaktojë institucioneve demokratike, ngjyrimi ideologjik është parashikues më pak i rëndësishëm se sa masa në të cilën ajo është populliste.

Popullistët shpesh zgjedhen në bazë të premtimit për të çrrënjosur korupsionin. Në Brazil, popullaritet i Bolsonaro-s u ngrit në qiell duke shfrytëzuar zemërimin publik rreth skandalit “Autolarja”, një skemë gjigante e ryshfeteve nga kontratat e ndërtimeve që implikoi shumicën prej klasës politike të vendit, përfshirë edhe ish-presidentin Luiz Inacio da Silva. Në Itali, popullistja Lega Nord ka mallkuar për një kohë të gjatë politikanët e koruptuar në “Romën e hajnave.” Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Trump është zotuar që të “thajë moçalin” [“drain the swamp”].

Larg prej së thari moçalin, siç e ka thënë ekonomiste Barry Eichengreen, shumë popullistë thjesht kanë zevëndësuar krokodilët e njohur me të tyrët edhe më vdekjeprurës. Në fakt, kemi gjetur se 40 përqind e kryeministrave popullistë në fund të fundit paditen për korupsion. Meqë shumë popullistë grumbullojnë pushtet të mjaftueshëm për të penguar hetimet e pavarura ndaj veprave të tyre, ka të ngjarë që kjo figurë në fakt nënvleftëson shtrirjen e plotë të keqpërdorimeve të tyre.

Ky dyshim vërtetohet nga një informacion i dytë: të dhënat tona tregojnë se qeveritë populliste i kanë bërë vendet e tyre që të zbresin mesatarisht për pesë vende në Indeksin e Korupsionit të Transparency International. Disa raste janë shumë më ekstreme se aq: Venezuela, për shembull, ra për 83 vende nën udhëheqjen e Hugo Chavez-it.

Meqë popullistët shpesh lulëzojnë në zemërimin rreth problemeve shumë reale – elitat që vërtet janë shumë të distancuara, sistemet politike që janë pabesueshmërisht të koruptuara – është tunduese që të shpresohet se ato mund të ndihmojnë që të rigjallërojnë demokracitë e papërsosura nëpër botë. Për fat të keq, dëshmitë më të mira sugjerojnë se, të paktën deri tash, ato kanë bërë të kundërtën. Mesatarisht, qeveritë populliste kanë thelluar korupsionin, kanë dobësuar të drejtat individuale dhe kanë shkaktuar dëme serioze mbi institucionet demokratike.

Është gjithashtu kritike që të vihet re se çfarë nuk tregohet në rezultatet tona. Së pari, siç thuhet shpesh në reklamat për produktet financiare, performanca e kaluar nuk është domosdoshmërisht treguese për rezultatet e ardhshme. Është e mundur se ndryshimi i rrethanave, sikur se evolucioni ideologjik i lëvizjeve populliste ose ndikimi në rritje i mediave sociale, mund t’i bëjnë qeveritë populliste të kenë më shumë ose më pak të ngjarë që të minojnë institucionet demokratike në të ardhmen.

Së dyti, është e paqartë deri më tash sa lehtë mund të përkthehet përvoja e qeverive populliste të kaluara, të cilat në të shumtën kanë qenë të përqendruara në vendet me të ardhura të mesme me përvojë të freskët të sundimit autoritar, te vendet e pasura me tradita të gjata demokratike. Falë fuqisë së shoqërisë së saj civile dhe përkushtimet të gjërë ndaj rendit kushtetues, Shtetet e Bashkuara, për shembull, mund të dëshmohen si më të afta për t’i bërë ballë një presidenti popullist.

Së fundmi, mesataret nuk thonë shumë për rastet individuale. Qytetarët e vendeve që qeverisen nga popullistë autoritarë duhet të jenë vërtet të brengosur që qeveritë e ngjashme kanë dobësuar institucionet që kufizojnë pushtetin e ekzkekutivit, në një numër të madh rastesh. Megjithatë, kjo është arsye për të luftuar më shumë se sa arsye për t’u bërë fatalist.

—-

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.