Këto ditë shpërndarja më e madhe në rrjetet sociale që ra në sy më së shumti ishte një video-reklamë për kafenë. Video qesharake për dikënd dhe aspak e hijshme për dikënd tjetër. U parodizua dhe u tallën të gjithë me të. Të them të drejtën, siç bëhet në çdo vend.
Protagonist n? këtë video-reklamë është një burrë dhe një grua ashtu sikurse në video-reklamën origjinale. Në reklamën origjinale aktori që luan burrin është George Clooney, ndërsa në reklamën që është kopje, aktori është një burrë me emrin Enis Ujkani. Nuk e di nëse është aktor, sidoqoftë në këtë rast e bën punën e aktorit.
Kjo reklama e dytë, vërtet është e pahijshme të shihet. Nuk është profesionale dhe mbi të gjitha është edhe joligjore.
Por a do t’duhej të qeshnim dhe të talleshim poashtu edhe me 42 studentët e UP-së, që u kapën me plagjiaturë e që është poashtu një akt i pahijshëm? Sigurisht që po.
Rasti i plagjiaturës së studentëve edhe pse është më shqetësues për shoqërinë tonë, nuk bëri bujë aq sa bëri reklama e kafesë.
Sot tek ne ndodhin shumë plagjiatura në shumë fusha. Shumë prej tyre as që i dëgjojmë e as nuk i shohim por ata që bëjnë zhurmë gjithëmonë janë ata, që kanë të bëjnë me video-reklama, spote muzikore, seriale, filma.
Të dalësh në televizion sot nuk është një gjë e vështirë. Ka shumë mënyra se si njerëzit gjejnë formën të dalin në TV, se si të bëhen persona publik por një pjesë tjetër e njerëzve bëhen persona publikë dhe dalin në televizion për shkak të profesioneve të tyre. Në mesin e këtyre profesioneve është edhe profesioni i aktorit.
Në këtë shkrim, do ta lë pak anash rëndësinë kyçe që kanë skenaristi, regjisori, tonisti, kameramani, montazhieri, kostumografi, grimi, postproduksioni, etj., në një reklamë, pasi që objekti i talljes në video-reklamën e lartpërmendur është burri në fjalë që luan rolin e “aktorit”. Pra substanca e shkrimit, dua të jetë ajo që shohim në ekran, jo ajo që ndodh prapa kamerave, rëndësia e aktorit që ka derisa shfaqet para njerëzve.
Një aktor/e gjatë shkollimit të tij/saj, përgatitet që të jetë i gatshëm për punë në teatër, film, serial, radio, televizion, reklama, etj,, pra të jetë i gatshëm gjithmonë në përballje me publikun.
Shumë aktorë sot bëhen të famshëm gjithandej nëpër botë, duke inerpretuar heronjët dhe personazhe të ndryshëm dhe, si rrjedhojë njerëzit i adhurojnë. Por jo gjithmonë aktorët pëlqehen për atë që bëjnë. Është edhe ana tjetër e medaljes, ku aktorët urrehen, përqeshen për diçka që bëjnë sikurse rasti i kësaj video-reklamës së kopjuar, ku burri që aktronte u bë gazi i botës.
Pra rrisku në mes të suksesit dhe të dështimit është shumë i hollë.
Ky rrisk është në çdo profesion por në profesionet tjera dështimin e shohin vetëm një grup i vogël njerëzish. Natyrisht ngase nuk janë punë publike.
Prandaj puna e aktorit nuk është gjithmonë shumë argëtuese. Aq sa mendohet.
Tek ne, aktori në Kosovë shihet apo perceptohet prej shumë këndeve edhe pse shumica prej epiteteve janë kryesisht klishe, e si pasojë rrallë vlerësohet ose kuptohet saktësisht profesioni dhe misioni që bart.
Puna e aktorit lidhet shumë ngushtë me producentët, rrjedhimisht produksionet, e puna e produksioneve lidhet ngushtë me bizneset.
Produksionet janë ato që prodhojnë filmat, serialet, video-reklamat, spektaklet, videot muzikore. Thënë shkurt – bëjnë televizionin.
Edhe këtë video-reklamë, për të cilën po flasim sigurisht që e ka realizuar ndonjë produksion i yni. Por cila është viktima më e madhe e kësaj video-reklame?
Padyshim që është burri dhe gruaja që shfaqen në rolin e aktorit. Këta të dy janë ata, që do të përqeshen për një kohë të gjatë. Këta të dy janë ata, që do të tallen njerëzit me ta edhe kur do të ecin nëpër rrugët e qytetit dhe ndoshta më e dhimbshmja është se këta të dy nuk e di për sa kohë nuk do t’i ftojë kush për punë të llojit të tillë. Siç thuhet në zhargonin e kësaj fushe, digjesh si fytyrë dhe pamja jote nuk vlen më.
Ndërsa pronari i produktit dhe produksioni që e realizoi këtë “kryevepër” eventualisht mund të ndihen keq dhe kaq, ngase atyre askush nuk do t’ia drejtojë gishtin sepse nuk i sheh në reklamë dhe askush s’ka sesi t’i njohë. Pra rriskun kryesor për diçka që shfaqet në kësolloj vakish e bart ai/ajo që e shohim, pra aktorët. Nuk ka rëndësi që produksioni i caktuar ka përgjegjësinë kryesore.
Është poashtu e pahijshme po aq sa kjo video-reklamë, kur shikon sesi një pjesë shumë e madhe e produksioneve kosovare kanë devalvuar deri në atë shkallë sa për ta, nuk ka më pikë rëndësie regjisori, skenaristi e as aktori. Mos të flasim per tonin, grimin, ndriçimin, kostumet, montazhin, muzikën, etj. Duke mos respektuar këto lëmi që janë përbërësit kryesorë për të krijuar një video. Shumë nga produksionet tona, në fakt, ofendojnë çdo profesionist të fushave respektive dhe njëkohësisht edhe shikuesin duke i servuar produkte të tilla.
Prandaj kuadrot e pashkolluara që kanë hapur produksione, nuk e kuptojnë qartë rolin që ka një aktor në relacion me publikun. Kjo gjë ka shkuar deri aty sa tashmë kanë filluar të mos i thërrasin fare aktorët më, sepse mund të rritet çmimi i projektit ose nuk e kanë idenë dhe rëndësinë që ka puna e aktorit.
Janë këto disa nga arsyet që kur ndonjë biznes serioz, do që të bëjë vërtet një reklamë kualitative, gjëja e parë që u bie në mend është që kjo të ishte mirë të bëhet diku jashtë Kosovës.
Sepse nëse shohim në retrospektivë, reklamat më të rafinuara që janë realizuar tek ne, janë ato reklama që janë realizuar nga produksionet jokosovare. Përjashto këtu raste të rralla dhe përpjekje të disa individëve dhe produksioneve kosovare, që vazhdojnë dhe tentojnë të jenë origjinalë dhe me kualitet. Por që janë të paktë. Fatkeqësisht.
Sigurisht që në këtë diletantizëm janë pjesëmarrës edhe një pjesë e konsiderueshme e aktorëve, regjisorëve, skenaristëve, etj,, të cilët ndoshta pa vetëdijen e tyre nuk dinë të respektojnë profesionin e tyre për çka kanë investuar katër ose më shumë vite shkollim. Shkollim ky gjithmonë i diskutueshëm për nga cilësia. Prandaj edhe lëshohen në punë që kanë të bëjne me një grosh monedhash e që më shumë mund të quhet lëmoshë.
Është e kuptueshme që pasojë dhe faktor kryesor i gjithë kësaj dukurie është gjendja e rëndë ekonomike në Kosovë, fakt ky që i prek edhe këto shtresa.
Dhe për fat të keq këtë realitet të varfërisë dhe të papunësisë së këtyre profesioneve, produksionet po e shfrytëzojnë me një lloj shantazhi nën çdo normë të çmimit që do të duhej ishte në treg, sepse një pjesë e tyre detyrohen të pranojnë edhe oferta fyese, ndryshe nuk kanë nga t’ia mbajnë. Sakrifica dhe ideali për profesionin venitet kur vihet në pyetje ekzistenca. Kështu e ka kjo punë.
E kur gjithë kësaj i shtojmë mungesën e sindikatave të aktorëve, regjisorëve, skenaristëve, etj. I gjithë ky lloj tregu bëhet pa rregulla, pa kontroll, pa etikë, pa kualitet – i shthurur madje edhe kjo, ngaqë s’ka të bëjë as me treg të lirë e as me kapitalizëm. Thjesht mund të quhet një gjendje mjerimi, ku dinjiteti njerëzor humb; profesionet nënvlerësohen dhe gjykohen sipas qejfeve. Rregullat e punëtorit shkelen në mënyra bizarre e për shpagimin profesional as që bëhet fjalë.
Dhe kështu për sa kohë do të kemi biznese, ku fushatën dhe idenë e marketingut e bën pronari i saj dhe jo personi që është i thirrur për atë punë, për sa kohë kemi produksione të arnuara dhe më kuadro të pakualifikuar dhe për sa kohë kemi mungesë të një sindikate të fortë aktorësh, sindikatë regjisorësh, sindikatë skenaristësh, etj., do të shohim çdo ditë në televizionet tona video-reklama qesharake, neveritëse si kjo e fundit, dhe rrjedhimisht produktet vendore që po i reklamojmë me këso lloj marketingjesh, do të vazhdojmë t’i konsiderojmë ashtu siç po i konsiderojmë. Produkte të dobëta për nga kualiteti. E mbase nuk janë, por fatkeqësisht ashtu po na servohen në televizion nga reklamat që përcaktojnë gjykimet tona mbi vetë produktin.
E derisa ta kuptojnë biznesmenët që po aq sa kualiteti i produktit aq rëndësi ka edhe marketingu dhe reklamat e atyre produkteve, e poashtu perderisa produksionet kosovare ta kuptojnë përfundimisht që reklamat dhe punët e tyre serioze nuk mund të bëhen pa secilin profesionist që u përmend më lart, do të kemi shumë hallka të zgjidhura dhe amatorizëm në rritje në këto rrafshe!