Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Një pikëpamje për Kosovën nga Jerusalemi

Gjashtë muaj pas njohjes së Republikës së Kosovës nga Izraeli dhe një palë zgjedhje më vonë që prodhuan një reliev të ri në skenën politike kosovare, në Kosovë mbesin paqartësi se ku duhet të vendoset ambasada e saj në Izrael. Zakonisht hapjet e ambasadave janë një standard tashmë rutinor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, vendosja e ambasadës së Kosovës në Izrael shkon përtej teknikalitetit. Si rrallëherë, lokacioni i ambasadës do të jetë përcaktues i cilësisë së marrëdhënieve me njërën nga demokracitë e rralla në Lindje të Mesme, që është qendër botërore inovacioni dhe po ashtu vatra e njërit nga konfliktet më të gjata dhe më polarizuese të shekullit të fundit.

Si pjesë e një rajoni të shndërruar në fushëbetejë gjeopolitike, Kosova është vënë para një presioni të panevojshëm dhe të pahijshëm, që ka pak të bëjë me të e shumë me kredibilitetin, qëllimet dhe interesin e të tjerëve. Bashkimi Evropian, i cili rrallëherë arrin të ketë konsensus për politikë të jashtme, ka pajtueshmëri që shtetet anëtare dhe ato që synojnë të bëhen shtete anëtare të unionit në një të ardhme, të ndjekin një politikë të përbashkët karshi konfliktit izraelito-palestinez, në kontekstin e të cilit qyteti i ndarë i Jerusalemit ka statusin e veçantë, deri në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme nga palët në konflikt. Turqia, ndërkaq, e fundit në vazhdën e vendeve që ushtruan trysni ndaj Kosovës, përkundër marrëdhënieve bilaterale të shkëlqyeshme me Izraelin, tash e një kohë është në betejë për primatin rajonal në përfaqësimin e myslimanëve. Për Ankaranë zyrtare, e cila nën udhëheqjen e presidentit turk Erdogan ka investuar në shtrirjen e ndikimit në Ballkanin Perëndimor, për ta pozicionuar subjektivitetin e vet si forcë globale në njërin nga kontestet ku testohet ndikimi për koncesione në politikë të jashtme diku tjetër, kjo do të ishte një fitore diplomatike që dëshmon që relacionet dhe përcaktimi i “myslimanëve të Evropës” do të kalojë nëpër kryeqytetin turk.

Ndërkohë, pas entuziazmit fillestar dhe hezitimit të mëvonshëm kosovar, Izraeli në cilësinë e nikoqirit ka ndërmarrë hapat e parë – qoftë me inaugurimin e pllakës që shkruan Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem në ditën e vendosjes së marrëdhënieve bilaterale me Kosovën, qoftë me letrën e kryeministrit izraelit Netanyahu dërguar kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit – që të sigurohet se Kosova nuk do të zmbrapset nga vendimi për ta vendosur ambasadën në Jerusalem, meqë njohja e Kosovës ishte lidhur me këtë premisë.

Rëndësia e njohjes nga Izraeli

Njohja nga Izraeli është njohje për të cilën Kosova ka lobuar në forma të ndryshme për 13 vite. Arsyet e vonesës së saj kanë qenë të ndryshme, por më kryesorja ishte frika e Izraelit që me njohjen e shtetësisë së Kosovës do të krijonte precedent që do t’i hakmerrej në rast të deklarimit të njëanshëm të pavarësisë së Palestinës dhe kundërshtimit eventual të një shkëputje të tillë unilaterale. Me gjithë mirëpritjen e njohjes nga i gjithë spektri politik edhe përkundër njohurive sipërfaqësore për rrjedhat politike të dy dekadave të fundit rreth Kosovës, zërat që kundërshtuan këtë vendim të Izraelit erdhën kryesisht nga njohës të Ballkanit, të cilët argumentuan kundër njohjes së Kosovës në bazë të kësaj politike të etabluar në establishmentin izraelit.

Natyrisht, pengesë në njohjen e Kosovës ishin edhe marrëdhëniet e kultivuara një kohë të gjatë mes Izraelit dhe Serbisë, si produkt i një historie të gjatë mes dy shteteve.

Njohja në Kosovë është parë kryesisht si një akt që e vazhdon konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, por edhe si një marrëdhënie e re politike me një shtet shpesh të referencuar si shembull të ruajtjes së kujtesës kolektive dhe shtetndërtimit të suksesshëm. Nga inovatorët dhe afaristët vendosja e marrëdhënieve ka hapur mundësi për bashkëpunim.

Megjithatë, rëndësia e njohjes nga Izraeli shkon përtej konfirmimit të realitetit të ri në Ballkanin Perëndimor. Për Kosovën, njohja nga Izraeli vjen pas një periudhe të vështirësuar te veprimit diplomatik si rezultat i zhvillimeve të brendshme, por edhe ndërrimit të kontekstit global dhe thellimit të ndarjeve ideologjike në rendin botëror. Ajo është njohja e fundit në ciklin e shteteve pro-perëndimore dhe pro-amerikane të cilat njohën pavarësinë e shpallur më 2008.

Me aktin e njohjes, Izraeli ka tejkaluar pengesën që njohja e pavarësisë së Kosovës të paraqes precedent për shtetet të cilat ndajnë shqetësime të ngjashme me konteste territoriale dhe që sfidojnë sovranitetin dhe integritetin e tyre. Rëndësia e saj është në shfuqizimin e argumentit të përdorur deri tash nga pesëshja evropiane dhe shtetet e tjera, të cilat janë arsyetuar se hezitojnë ta njohin Kosovën për shkak të çështjeve të ngjashme brenda shteteve të tyre.

Ky është argument i fuqishëm për Kosovën, e cila ndër vite ka provuar të argumentojë që rasti i shpalljes së pavarësisë së saj është i posaçëm dhe i izoluar nga lëvizjet e tjera secesioniste. Nëse Izraeli, i cili është në gjendje lufte dhe okupimi me Palestinën që 70 vjet, e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, atëherë shtrohet pyetja: Sa është i qëndrueshëm argumenti i Spanjës – njërit nga shteteve më problematike për të ardhmen evropiane të Kosovës – për mosnjohjen e shtetësisë së saj?

Konteksti që e rrethon njohjen

Pavarësisht që Kosova definohet si shtet laik në Kushtetutën e saj, fakti i të qenit shtet me shumicë myslimane për Izraelin mjafton që ta vargojë Kosovën në mesin e shteteve arabe me popullatë myslimane, me të cilat Izraeli i ka normalizuar marrëdhëniet në vitin e fundit.

Si pjesë e Marrëveshjeve të Abrahamit, Izraeli këtë vit ka arritur ta konsolidojë praninë e vet politike, të mohuar për shtatë dekada. Përkundër marrëdhënieve dhe negociatave sekrete që janë zhvilluar në prapavijë, qëndrimet zyrtare të shteteve myslimane të Gjirit Arab ishin kundër Izraelit dhe të drejtës së tij për të ekzistuar.

Çështjet politike në Izrael janë të lidhura ngushtë më ato të sigurisë. Izolimi i mëtutjeshëm i Iranit, kërcënimit më serioz të sigurisë së Izraelit nga shtetet me shumicë myslimane sunite është edhe një faktor tjetër po aq i rëndësishëm në përcaktimin e Izraelit për ta njohur Kosovën. Paraprakisht, përmes një akti që sikur kishte trazuar rrugën e kësaj njohjeje. Kosova në qershorin e vitit të kaluar kishte shkuar përtej vendimit të Bashkimit Evropian për t’i shpallur si organizatë terroriste dy krahët e organizatës militante Hezbollah, që vepron në Libanin fqinj, por që konsiderohet si dorë e zgjatur e Iranit.

Vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës i parapriu një kontekst i ri në Lindjen e Mesme. Vitin e fundit shtetet myslimane të prira nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Sudani e së fundi edhe Maroku e Omani i kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, përkundër një historie të gjatë të rreshtimit të tyre me çështjen palestineze. Në ditët kur në Prishtinë po debatohet rreth vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë akredituar ambasadorin e tyre të parë në Izrael dhe qysh sot kryeministri izraelit Netanyahu pritet të zhvillojë vizitën e parë historike dhe të takojë Princin e Kurorës Mohammad bin Zayed.

Këto shtete, sikur Egjipti e Jordania shumë dekada më parë, e kanë tejkaluar ngrirjen e marrëdhënieve me Izraelin për shkak të natyrës së konfliktit izraelito-palestinez, duke e njohur realitetin e krijuar pas shumë tentimesh për të gjetur një zgjidhje të balancuar dhe negociuar mes dy popujve. Për më shumë, shtetet që me ndërmjetësimin e administratës amerikane nënshkruan marrëveshjet e normalizimit me Izrael, konsiderojnë që me këtë përparim politik dhe diplomatik me Izraelin u është zgjeruar mundësia për ta artikuluar çështjen palestineze përmes kanaleve zyrtare. Në një kontekst të këtillë, pse duhet Kosova të mbajë bajrakun e një mirazhi të politikës ndërkombëtare?

Ku dallon Kosova nga të tjerët?

Vendimet e Kosovës nuk duhet të përcaktohen nga marrëdhëniet e të tjerëve me shtetin e Izraelit, sepse ato ndjekin trajektore krejtësisht të ndryshme në kontekste që rrënjësisht dallojnë nga njëra-tjetra. Historiku i vendosjes së ambasadave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Tel Aviv, qytetin më prominent izraelit pas Jerusalemit, është i ndërtuar mbi rolin e fuqive botërore në krijim e shtetit të Izraelit pas Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, gjatë të cilit u persekutuan dhe vranë nga forcat nazifashiste në Evropë rreth 6 milionë hebrenj. Përpjekja botërore për të frenuar Izraelin në okupimin e territorit palestinez gjatë shtetndërtimit e më tutje e prodhoi konsensusin e derivonshëm ndërkombëtar rreth qytetit të kontestuar historik në bazë të Rezolutës 478 të Këshillit  të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1980. Kjo rezolutë anuloi vendimin e parlamentit izraelit për ta ndryshuar statusin e Jerusalemit dhe u bë parimi bazë i ruajtjes së neutralitetit dhe mbajtjes së status quo-së në Jerusalem, deri në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme nga dyja palët e konfliktit izraelito-palestinez. Me gjithë vazhdimin e okupimit në dekadat e mëvonshme, zhvillimet e tilla politike nuk i kanë kufizuar shtetet anëtare të BE-së, si dhe Turqinë, që të ndjekin interesat e tyre dhe të forcojnë marrëdhëniet bilaterale me Izraelin. I vetmi parim që i ka bërë ballë katër dekadave ishte statusi special i Jerusalemit. Ky konsensus tashmë është thyer me vendimin e Presidentit Trump, për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për ta zhvendosur ambasadën amerikane në Jerusalem, vendim që do të mbetet në fuqi edhe me urdhër të presidenti aktual, Biden.

Kosova hyn në skenën botërore në një realitet të ri karshi Izraelit. Kosova nuk kishte rol, histori dhe as nuk ishte pjesëmarrëse në konfliktin izraelito-palestinez. E krijuar në një themel moral sikur Izraeli, Kosova e ndan një përvojë të ngjashme të krijimit dhe të kontestimit të së drejtës për të ekzistuar. Kosova, e cila ende mbetet jashtë organizatave ndërkombëtare si OKB-ja dhe është vetëm aspiruese e konventave ndërkombëtare, nuk po e zhvendos ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem si akt të veprimit politik. Në rast të vendosjes së ambasadës në Jerusalem, Prishtina zyrtare vepron në përputhje me nenet 21 dhe 25 të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike, që e obligojnë shtetin nikoqir që të përcaktojë akomodimin e misionit diplomatik të një shteti tjetër. Meqë ligji izraelit i cili e përcakton Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit është i kontestuar nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, Kosova mund të detyrohet që ta shpjegojë pozicionin e saj, se ambasadën në Jerusalem do ta vendosë pa paragjykim për statusin final të qytetit të kontestuar.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara është parimi mbi të cilin shtetet e ndërtojnë kredibilitetin e tyre dhe konsiderohet si një nga kriteret kryesore të konsolidimit të subjektivitetit shtetëror në rrafshin ndërkombëtar. Tërheqja eventuale e Kosovës nga një përkushtim i tillë do ta dobësojë edhe më tutje shtetin tonë në rrafshin diplomatik, duke i forcuar argumentet e shteteve që tashmë kanë tërhequr njohjen për Kosovës, apo që janë në mëdyshje për ta bërë një gjë të tillë.

Autorja ka shërbyer si këshilltare për politikë të jashtme dhe siguri e Presidentes Atifete Jahjaga (2011-2016)

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.11 mars 2021

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.