Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Brexit: Britania para vendimit

Më 23 qershor Britania do të vendosë nëpërmes një referendumi popullor nëse mbetet në Bashkimin Evropian apo jo. Edhe pse Britania veç është pak e integruar në BE, sepse nuk e përdor Euron dhe nuk është pjesë e zonës Schengen, rezultati i referendumit do të ketë pasoja serioze politike, ekonomike, ligjore dhe kulturore për Britaninë dhe BE-në.

Vendimi do të jetë i vështirë sepse kërkon një analizë të kostove dhe përfitimeve, të cilat nuk kuantifikohen lehtë që të vihen në peshore. Kjo është njëra prej arsyeve pse të dy fushatat (pro dhe kundër BE-së) kanë zgjedhur rrugën e lehtë: nxit frikë tek votuesit.

Sado që të jetë e vështirë, megjithatë, një lloj analize është e nevojshme para votimit. Për ta bërë një gjë të tillë duhet të identifikohen kostot dhe përfitimet për Britaninë. Edhe pse ky artikull nuk ofron një listë të plotë, i identifikon disa faktorë që mund të ndihmojnë në vendimmarrje.

Të qenit në BE i ka patjetër përfitimet e saja. Më i rëndësishmi është tregu i përbashkët. Kjo nënkupton që njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitali mund të lëvizin lirshëm në 28 vendet anëtare, me kufizime të vogla dhe të përkohshme. Kjo është tejet e rëndësishme për ekonominë britanike. E bën atë dinamike, novatore dhe e rrit konkurrencën. Konkurrenca sjell llojshmëri dhe cilësi më të madhe të produkteve dhe shërbimeve si dhe çmime më të lira për konsumatorët. Tregu i përbashkët gjithashtu sjell investime që krijojnë vende pune dhe e rrit rendimentin e përgjithshëm ekonomik.

Një përfitim tjetër i BE-së është uniformiteti i standardeve në disa fusha. Për shembull, kompanitë britanike duhet ta ndjekin vetëm një standard në vend të 28 kur eksportojnë në BE. Kjo kursen kohë, energji dhe mbi të gjitha para.

Megjithatë, edhe përkrahësit më të mëdhenj të BE-së e pranojnë që ajo i ka dobësitë e veta. Të qenit në BE patjetër që ka edhe kosto.

Sigurisht kosto më e madhe duhet të jetë aparati i bezdisshëm i rregullave dhe direktivave. Rregullat dhe direktivat e kufizojnë mënyrën sesi bizneset veprojnë dhe janë të detyrueshme për vendet anëtare, që do të thotë ato nuk mund të mos i implementojnë. Kjo është e padëshirueshme sepse i kushton Britanisë në tri mënyra. Së pari, Britania duhet të ndajë para shtesë nga taksapaguesit për t’i financuar institucionet qeveritare që i zbatojnë këto ligje. Së dyti, bizneset britanike duhet gjithashtu të ndajnë para shtesë për auditorë, kontabilistë e avokatë në mënyrë që të veprojnë në përputhje me këto ligje. Së treti, rregullat dhe direktivat e zvogëlojnë rendimentin ekonomik, që përbën nj kosto për ekonominë në përgjithësi. Llogaritet që vetëm 100 rregullat dhe direktivat me barrën më të madhe i kushtojnë Britanisë £33.3 miliard çdo vit.

Një kosto tjetër për Britaninë është “pagesa e anëtarësisë”, një vlerë neto prej £13 miliard pasi të merret parasysh sa ia kthen BE-ja me shpenzimet e saja. Një studim i referohet edhe “tarifës së fshehur” që i vilet Britanisë nga burokracia, shpërdorimi, mashtrimi dhe faktorë tjerë që e çojnë koston e përgjithshme të anëtarësimit në £65.7 miliard. Jashtë BE-së Britania do ta kishte gjithashtu fleksibilitetin e përcaktimit të TVSh-së dhe reformimin e ligjeve të punës.

Se a është më mirë për Britaninë të mbetet apo ta lë BE-në varet nga shkalla sa ajo i ruan përfitimet e BE-së dhe sa i largon kostot. Nëse Britania mbetet në BE për t’i shijuar përfitimet, duhet të sigurohet që ato nuk tejkalohen nga kostot. Për më tepër, ajo duhet të bëj përpjekje të vazhdueshme për ta reformuar BE-në – diçka që mund të bëhet më mire përbrenda sesa nga jashtë.

Nëse Britania e lë BE-në, a mundet ajo të negociojë marrëveshje te tregtisë së lirë të mira aq sa është tregu i përbashkët? Me shumë gjasë jo. Por ndoshta një marrëveshje tregtare joideale do të arsyetohej nëse Britania nuk përballet më me kostot e BE-së.

Një marrëdhënie me BE-në ngjashëm si ajo e Zvicrës dhe e Norvegjisë është imagjinuar shpeshherë nga kundërshtarët e BE-së. Por Britania prapë do të përballej me ligjet e BE-së për standardet e eksportit, partnerit të saj kryesor tregtar, si dhe është e paqartë nëse BE-ja do ta lejonte Britaninë të zgjedhë cilat rregulla i pëlqejnë.

Sido që të ndodhë, pasojat do të jenë të thella për kontinentin kur BE-ja është në rrugë të vështirë në përpjekje për ta ruajtur ekzistencën.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.