Cunami i korrupsionit e ka shkatërruar Maqedoninë për dekada. Thirrja për veprim nga Shtetet e Bashkuara trazoi publikun vendas, duke rritur pritshmëritë deri në shkallë euforie.
“Lajm i jashtëzakonshëm: Uragani Anxhela bëri kërdi në sistemin gjyqësor dhe politik maqedonas. Dëme të mëdha i janë bërë edhe sistemit arsimor. Shumë zyrtarë u kositën, kurse strehimoret e tyre u shkatërruan. Qindra gjyqtarë, prokurorë e drejtorë, ministra e disa kryeministra, mbetën pa çati politike mbi kokë…”
Ne do të donim që të gjithë ta lexonin këtë lajm, të themi, në vitin 2024. Pa metafora si ato me të cilat nis ky tekst, por pikërisht me një përfundim të tillë: strehë të shkatërruara politike të zyrtarëve të korruptuar dhe një mendim i ri se korrupsioni është domosdoshmërisht një e keqe që sulmon dhe shkatërron institucionet e sistemit.
Dhe që kjo të ndodhë, viti 2023 duhet të shpallet viti i luftës kundër korrupsionit. Por një luftë e vërtetë, jo kozmetikë për të mashtruar opinionin. Pra, kemi parë shumë të tilla kozmetike, komisione, strategji dhe plane veprimi, por me rritjen e tyre, u shtua edhe korrupsioni, i cili tashmë në Maqedoni ka marrë përmasa dramatike.
Korrupsioni po lulëzon në të gjitha nivelet
Në konstatimet kryesore të raportit evropian për Maqedoninë e Veriut të vitit 2022, thuhet se vendi është mesatarisht i përgatitur për parandalimin e korrupsionit. Sipas definicionit, kjo nuk është problematike në vetvete derisa të shikoni raportin për vitin paraprak 2021, i cili përmban saktësisht të njëjtin formulim, që do të thotë se në mes të dy raporteve, Maqedonia e Veriut nuk ka bërë asgjë për t’u ngritur në një nivel më të lartë të gatishmërisë, ndërkohë që korrupsioni lulëzonte në të gjitha nivelet.
Në raportin e fundit për indeksin e perceptimit të korrupsionit të organizatës ndërkombëtare Transparency International, Maqedonia u rendit e 87-ta nga 180 vende, që është afërsisht rezultati mesatar, por nëse e dini se sa më i lartë të jetë numri në renditje, aq më i madh është korrupsioni, kjo është një tjetër në një seri rezultatesh dekurajuese kur bëhet fjalë për çrrënjosjen e kësaj të keqeje shoqërore. Në fakt, kur shkruhet për korrupsionin, atëherë realisht ka një problem se nga ku të fillohet dhe ku të përfundohet me shembujt. Sepse ato nuk mund të numërohen, madje fillimi nuk i kujtohet askujt, sepse sa kohë dimë për shtetin tonë, që atëkohë ka pasur edhe korrupsion.
Pikërisht për këtë dhe paralajmërimet e ambasadores amerikane, Angela Ageler, se do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe veçanërisht në vënien para drejtësisë të aktorëve të korrupsionit, janë pritur thuajse me eufori. Si dhe lajmi se Uashingtoni u përfshi me një ekip sanksionesh, i cili është një precedent, të paktën nga ajo që e di opnioni publik, për bashkëpunimin në partneritetin e deritanishëm midis Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuaratë Amerikës.
Prandaj, është e qartë se Maqedonia mori një thirrje zgjimi (wakeup call) nga miku dhe mbështetësi i saj tradicional, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerikanët nuk e fshehin zhgënjimin e tyre që miliona, në mos miliarda dollarë që investuan në ndërtimin e institucioneve shtetërore maqedonase, u fundosën në rërën e gjallë të mentalitetit korruptiv ballkanik. Po flasim për investime dekadash, për miliona e miliona dollarë në gjyqësorin e Maqedonisë, na ktheni me një gjyqësor që do të punojë në interes të qytetarëve”, porositi ambasadorja amerikane Ageler.
Pra, a do të zhduket korrupsioni në vitin 2023 në kapelën e “Uncle Sam-it”? Viti 2023 është një vit parazgjedhor, duke qenë se vendi i pret zgjedhjet presidenciale në pranverën e vitit 2024, të cilat ka gjasa të kombinohen me zgjedhjet parlamentare, afati i rregullt i të cilave është në muajt qershor-korrik të të njëjtit vit. Pa dyshim, kjo do të thotë se do të kemi një vit jashtëzakonisht interesant, në të cilin partitë në pushtet do të përpiqen të pastrojnë të gjitha njollat që do t’i kërcënojnë në zgjedhje, kurse opozita do të rrisë presionin me snimin për të fituar dhe për të marrë pushtetin.
Vetingu si një “letër atu” e pushtetit
Është gjithnjë e më e sigurt se letra atu e pushtetit do të jetë vetingu si instrument kundër korrupsionit, për të cilin po përgatitet një ligj për të cilin kryeministri Kovaçevski paralajmëroi se shumë shpejt do të dërgohet për miratim në Kuvend. Vetingu do të vlejë për bartësit e ardhshëm të funksioneve dhe verifikimin e integritetit të tyre, por nëse mbetet vetëm me këtë, do të mbetet vetëm një pllakë gramofoni e kthyer në anën tjetër, duke ditur se testi i integritetit bëhet në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë që prej vitit 2013, dhe nuk do të jetë as risi dhe as një armë e re në luftën kundër korrupsionit.
Burimi: freepik.com
Kurse për nëpunësit administrativë, testi i integritetit u bë detyrim në vitin 2011, i cili më pas u abrogua në vitin 2018. Megjithatë, fakti që vetingu do të jetë pjesë e vitit parazgjedhor 2023, nga ana tjetër mbart rrezikun e një raundi të ri pazaresh dhe amnistish të ndërsjella individuale dhe grupore për të ruajtur paqen brenda koalicionit.
Maqedonia, për fat të keq, tashmë ka një përvojë mjaft të gjatë në luftën kundër korrupsionit, dhe prej andej frika se vitin e ardhshëm “gjuetia” do të jetë me shumë plumba boshe dhe huqje në qitje. Ne kemi përvojë në luftëra të rreme. Cunami i korrupsionit shkatërroi Maqedoninë jo me vite, por me dekada. Problemi ishte i dukshëm që në fillim, por aktorët e tij, me pak përjashtime, mbetën të padukshëm.
Kujtojmë se 17 vjet më parë, më 9 dhjetor 2005, në Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Korrupsionit, në Maqedoni u nënskrua Deklarata e parë për zero tolerancë ndaj korrupsionit. Boja nga nënshkrimet e presidentit të shtetit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, partive politike, drejtuesve të biznesit, organizatave joqeveritare… ka kohë që është tharë, kurse lufta që iu shpall atëkohë korrupsionit përfundoi me disfatë.
Për ta bërë ironinë më të madhe, në të njëjtin vit u dëgjuan boritë e betejës, në të cilat, siç njoftoi Komisioni Shtetëror Amerikan për Tregti të Sigurt, Magyar Telecom i pagoi 4,875 milionë euro ryshfet një “pale të tretë” në Maqedoni, me një marrëveshje që do t’i transferonte paratë zyrtarëve të lartë të qeverisë për të vonuar ose parandaluar dhënien e licencës një operatori konkurrent, si dhe për të parandaluar futjen e dispozitave “armiqësore” në legjislacionin e ri të telekomunikacionit. Në të njëjtën kohë, Magyar Telecom i kishte premtuar një partie politike në Maqedoni marrëveshje biznesi nëse do të mbështeste legjislacionin në interes të këtij operatori të telekomunikimeve.
Për këtë rast, si dhe për një rast të ngjashëm në të njëjtën periudhë në Mal të Zi, Komisioni Amerikan ngriti një padi që përfundoi me marrëveshje – Magyar Telecom për të paguar tre gjoba, prej 31.2 milionë dollarë, 59.6 milionë dollarë dhe 4.36 milionë dollarë, për të mos u proceduar rasti në gjykatë. Praktikisht, me këto marrëveshje, Magyar Telecom pranoi se ka dhënë ryshfet në Maqedoni, por protagonistët mbetën larg dorës së hekurt të drejtësisë maqedonase.
Prandaj, duke e ditur këtë përvojë të hidhur, sot për askënd nuk është i çuditshëm mesazhi i ambasadorit britanik në vend, Matthew Lawson, se korrupsioni në Maqedoni po përkeqësohet. Kjo deklaratë e diplomatit britanik, si dhe paralajmërimet amerikane, shkaktuan një reagim karikaturash të korit nga zyrtarët maqedonas, sikur korrupsionin po e bëjnë dhe tolerojnë të huajt dhe jo ata
Lajmi që ka mbërritur për skandalin e madh të korrupsionit në Parlamentin Evropian me shumë gjasë do të shkaktojë një ndjenjë lehtësimi te përfaqësuesit tanë të lartë politikë se korrupsioni nuk është i pranishëm vetëm këtu, por edhe në vendet e zhvilluara. Por përkundrazi, prania në një institucion kaq të lartë si Parlamenti Evropian tregon se sa një kërcënim serioz është korrupsioni për shoqëritë dhe për qytetarët e ndershëm, të cilëve institucionet duhet t’u shërbejnë.
Dhe le ta pranojmë, në këtë rast, si dhe në rastin e eurodeputetit slloven, të Ballkanit dhe të Italisë fqinje (zyrtarët e së cilës janë përfshirë edhe në këtë rast së bashku me nënkryetaren greke të Parlamentit Evropian), Austri, Rumania, si dhe Spanja, i qëndruan besnike “traditës” së përdorimit të ryshfetit. Kujtojmë se vitin e kaluar edhe kancelari i qeverisë austriake humbi postin e kryeministrit në një skandal korrupsioni. Megjithatë, dallimi është i dukshëm: në Evropë gjuhen edhe politikanë të rangut të lartë, ndërsa në Maqedoni ata mbeten të paprekshëm.
Nuk ka asnjë reagim për masat e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit
Gjithashtu, zyrtarët tanë vazhdojnë të ndërmarrin hapa që janë në kundërshtim me indikacionet për rrezikun e korrupsionit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Strategjinë Kombëtare 2021-2025, për shembull, vlerësoi se financimi i mediave dhe organizatave të shoqërisë civile mund të jetë bazë për tregtimin e ndikimit, gjë që është shumë domethënëse në krijimin e opinionit publik.
Mirëpo, qeveria sot nuk heq dorë nga synimi i saj për t’i kthyer fushatat në media, me arsyetimin se ato janë me interes publik, edhe pse të gjithë e kemi parë tashmë se çfarë ndodhi në periudhën e qeverisjes së Gruevskit, ku bashkëpunimi financiar me mediat e shkatërroi shoqërinë dhe se çfarë ndodhi me median.
Në të njëjtën Strategji, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit paralajmëroi ndikimin e fortë politik në sektorin publik, problemet në sundimin e ligjit dhe shkallën e ulët të sanksionimit të sjelljeve korruptive në nivel shoqërie, si dhe vuri në dukje rregulloren që lë hapësirë për abuzime dhe korrupsion. Por edhe kjo nuk e ndezi alarmin. Përkundrazi, vetëm 20 për qind e masave të kërkuara nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nga ministritë dhe institucionet janë realizuar në vitin 2021, kurse në fushën e ndërtimit dhe urbanizmit, ku u miratua termi “mafia e ndërtimit”, masat u shpërfillën plotësisht.
Në vend të fundit, në këtë artikull për sagën maqedonase të korrupsionit, le të pyesim: a do t’i bashkohet dikush ish-kryeministrit Gruevski dhe ish-shefit të kundërzbulimit Mijalkov në listën e zezë amerikane për përfshirje në korrupsion, të publikuar në prill të vitit 2022? Ky do të ishte rezultati më logjik i lëvizjes së alarmit të SHBA-së, e cila trazoi publikun vendas, duke rritur pritshmëritë në nivelin e margjinalizimit të forcave dhe institucioneve vendase, detyra e të cilave është të frenojnë korrupsionin.
Dhe a do të mundet Maqedonia të dalë nga rëra e gjallë e quajtur korrupsion. Deklaratat e mëparshme ishin padyshim të motivuara vetëm nga nevoja për publicitet, ndërsa lufta e vërtetë pothuajse mungonte, nëse përjashtojmë disa shembuj si ish-sekretarët e përgjithshëm Muhamed Zeqiri dhe Dragi Rashkovski, dhe çifti Gruevski e Mijalkov, si dhe ministrat e Gruevskit, Gordana Jankulloska dhe Mile Janakieski.
Për momentin, barra është mbi supet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por pa institucione të forta dhe të pavarura – Prokuroria, gjyqësori dhe policia, duket se do të jemi në zonën gri të korrupsionit për një kohë të gjatë.
Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit “Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dezinformimin në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut” me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.