Dilema që druej se bahet e pashmangshme për çdo mendimtar që preokupohet me çështjen e kultivimit të gjuhës së shkrueme nga ana e shqiptarëve, asht kjo: nëse kemi mbërri që çështjen me e shtrue në kontekstin e plotë nji herë e mirë! Ngjarjet e mëdha historike, e për rrjedhojë edhe kulturore, që janë shpallë “fajtore” për rrjedhën e fatit të kombit, megjithatë, kanë lanë vrragë të mëdha e të patrajtueme si duhet.
Dy referenca historike janë pa veç prej nji prizmi: atij historik, i cili në kontekstin shqiptar nënkupton edhe atë ideologjik. Fjalën e kam për Kongresin e Manastirit i vjetit 1908 dhe Kongresin e Drejtshkrimit i 1972. I pari i nxorri “analfabetë” tetanë ata që deri atëherë për me e shkrue shqipen e përdornin alfabetin arab dhe ndonji tjetër (veç atij latin), ndërsa i dyti, ata që nuk e njihnin tosknishten standarde.
Bash njikto referenca historianët, albanologët, gjuhëtarët, studiuesit e letërsisë etj, janë nxitue me i cilësue si akte përbashkimi kombëtar. Në nji mënyrë kështu na i rrëfen historiografia zyrtare, por pyetja asht: a i kishin “efektet e veta anësore” këto dy ngjarje të mëdha?
Shihni, tradita e shkrimit shqip me alfabet arab besohet të ketë dhanë e të ketë krijue elita kulturore, mbase të parat në historinë e letërsisë. Prej tyne letërsia u çlirue prej diktateve të jashtme, andaj edhe i këndohej kafes e trahanit serbes, krahas ndonji teme fetare. Kështu letërsia u mvehtësue për të bredhë e lirë ashtu siç e lypë natyra e vetë. Duhet vu theksin te fakti se historia e letërsisë, ajo që mësohet sot në universitetet shqiptare, asht rrudh te pak emna, të cilët, i kanë shpëtue harresës kolektive, por që janë të pamjaftueshëm për me e shfaq “mozaikun” e plotë. Tek tash së voni pritet me dalë në dritë studime të reja që rrokin periudhën prej shekullit të XIV-të e knej, të cilat, në nji mënyrë, “e rrënojnë” narracionin e deritanishëm zyrtar.
E veçanta e kësaj letërsie asht se nuk u kufizue në nji standard të veçantë gjuhësor, a në nji dialekt, por u ushqye me krejt varietetet e gjuhës prej jugut në veri, tue u shpërfaq me nji kolorit ngjyrash të mahnitshme. Kuptohet, shqipja e kësaj periudhe qe nën ndikimin e osmanishtes, arabishtes e persishtes, ndaj na vjen mjaft e kontaminueme barbarizmash orientalë. Përkundër kësaj vërejtje që mund ta bajnë sudiuesit, shpirti poetik asht i kandshëm, grishës dhe krejt i gjallë – në kuptimin e universalizmit të cilin e përcjell në rrafshet tematike, filozofike e estetike.
Me i marr vargjet e Zenel Bastarit, fjala vjen, i cili asht ndër brezat e mbramë që i përkasin kësaj letërsie, të bahet se i ka vargue nji poet i sotëm, aq aktuale që tingëllojnë:
Ymrin na e kanë shkurtue
Po na shtrydhin porsi rrush,
bytym kalbi na u coptue,
me vner shpirti u mbush.
Bukë pa bukë po rrojnë fakirat,
Pa opinga, zbathë e zhveshë;
vetë janë mbulue me gjithë të mirat
si katilët rrinë tue qeshë.
Nji premisë tjetër, për t’përmbushë nji silogjizëm – nji hipotezë
Ashtu sikundër e tham më sipër se nji pjesë e madhe e trashëgimisë shpirtnore, përkatësisht e Letërsisë Alhamiade Shqipe asht zhdukë dhe kjo përban në vetvete nji tronditje të madhe kulturore, ashtu nji pjesë e perlave letrare gege, janë përçmue, stigmatizue e “syrgjynosë” përbrenda (pa)vetëdijes sonë kulturore.
Merreni me mend, kur vdiq Sheh Ilmi Maliqi (1865 – 1928), Esad Mekuli (1916 – 1993) ishte veç 12 vjeç. Sheh Mala shënjon fundin e nji tradite letrare, ndërsa Mekuli fillimin e nji tjetre. Këto dy botë, për aq dekada sa qe “i gjallë” sistemi komunist, nuk u njohën me njana tjetrën për nji kohë, e për ma tepër, e dyta provoi me e harrue të parën. Për ma shumë, përgjatë kësaj periudhe literatura jonë asht kontaminue me nji propagandë të egër, nëpërmjet së cilës u ba përpjekje me u formue “njeriu i ri”.
Literatura jonë sot e kësaj dite ka mbetë e paçlirueme prej kësaj propagande dhe kjo mundet me u ilustrue krejt lehtë.
Fjalorë elektronikë që janë në shërbim sot nëpërmjet platformash onllajn, e që kanë trashëgue gjithë gjetjet e gjuhëtarëve komunistë, edhe sot e kësaj dite u shërbejnë me shpjegime të shtrembërueme përdoruesve virtualë. Shihni ç’thonë për fjalët “fe”, “besim” apo “Islam” këta fjalorë. Është interesant shpjegimi për kuptimin e dytë që e ofrojnë për fjalën “bejte”, ku thuhet:
- keq. Vargje pa vlerë, vjershë e keqe. Shkruante bejte.
Kjo domethënë që ideja ishte me e ngulitë thellë në kulturë nji konotacion negativ për nocionin.
Megjithëse Letërsia Alhamiade Shqipe pësoi ma shumë, as gegnishtja nuk e pati të lehtë prej ideologjisë komuniste. Figura të shqueme të kulturës e letërsisë, që i takonin traditës gege, u lanë në harresë. Me nji strategji oruelliane ajo u fshi sistematikisht prej literaturës, ndërsa përherë e ma fort u artikulua propaganda se, gegnishtja nuk ishte e aftë me i përmbush nevojat që i lypte teksti letrar, për me e jusifikue “atentatin” ndaj gegnishtes. Deri aty ka shkue ky konstatim sa që është vu në dilemë aftësia e saj për me i përmbush krejt funksionet e domosdoshme…:
“Atëherë, pra, cila dilemë mbetet? Le ta pranojmë si të mirëqenë idenë se Kosovës do t’i binte më mirë dhe do t’i shkonte më për shtat vendosja e gegërishtes në bazën e standardit të gjuhës shqipe, sepse një standard i tillë do të korrespondonte me lehtë dhe do të qëndronte më afër me Kosovën dhe me të folmen e saj. Kjo është rrethanë objektive dhe unë e pranoj si të tillë, megjithëse më parë më duhet t’i bëj të njohura disa dilema të mia rreth gegërishtes, nëse ajo do të ishte gjuhë-kornizë, e cila do të mund t’i merrte përsipër të gjitha funksionet e domosdoshme të gjuhës standarde.
Këto dilema m’u përforcuan, ndërsa tash së voni, në kontekst të shijimit të gjuhës, kam marrë të rilexoj letërsinë e autorëve gegë, në radhë të parë Mjedën, Fishtën, Koliqin, Camajn dhe Pashkun, si dhe vëllimet e shumta të letërsisë popullore, më së shumti përrallat, poezinë lirike dhe epikolirike. Në disa raste këtë poezi e kam krahasuar me poezinë popullore të Shqipërisë së jugut dhe me atë arbëreshe. Në përgjithësi, gjuha e vargnimit epik, njësoj si gjuha tradicionale e komunikimit, është gjuhë me nocione që kufizohen me bëmat e lidhura me trimërinë ose vdekjen, pra një gjuhë hijerëndë, e palakueshme, e vështirë për komunikim të shpejtë dhe racional (“Identiteti Kosovar”, M. Kraja).
Megjithatë, autorët e brezave të mbasluftës, në Kosovë, Shqipni e vise të tjera të banueme me shqiptarë, i janë rikthye vrullshëm këtij dialekti, tue e dëshmue krejt të kundërtën e konstatimeve si shembulli i masipërm.
Kjo e ka edhe nji domethanie tjetër: që vizioni i akademikëve ka qenë i mbështetun në nji taban të paqëndrueshëm. E tue qenë ideologjik ky taban, edhe joshkencor, për mos me thanë absurd e i pa-jetësueshëm.
Letërsia pa ideologji
Letërsia e kultivueme mbas luftës në Kosovë dhe ajo në Shqipninë post enveriste, i ka flakë tutje paragjykimet e periudhës komuniste. Gegnishtja asht rikthye vrullshëm në poezi e prozë, ndërsa autorë të shumtë kanë kapërcye kufijt e Shqipnisë etnike, tue i shpalue vlerat estetike të veprave të tyne, edhe për lexuesit e huej.
Natyrisht ende nuk asht ba nji evidencë për emnat e autorëve të post-indipendencës, por e rëndësishme asht që veprat e tyne janë nji argument i fortë se 1972-shi duhet çue tutje, tue qenë nji standard që nuk i përmbush ma teket e letërsisë.
Pavarësisht rrethanave në të cilat u mor ky vendim dhe pavarësisht efekteve anësore me të cilat u manifestue, duhet thanë se politikat gjuhësore asht mirë me e prodhue nji debat ma të gjanë që e rihap temën e reformimit të standardit të 72-tës. Jo veç me ia çelë derën paskajores së gegnishtes, e me e flakë tosknishten, por përkundrazi, me i ndih të dyja dialektet me u integrue në nji standard të ri gjuhësor. Kjo kish me qenë nji politikë kulturore përbashkuese, hap i madh drejt bashkimit kombëtar… Apo jo?