Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

A janë ata ne?

Të strukur, të vetëkënaqur, të huaj. Elitat politike të Kosovës u prijnë ndasive etnike, sociale dhe fetare në Kosovë me zjarrin i cili do ta turpëronte edhe Stiv Xhobsin. Pa kurrfarë konsistence dhe forme të sjelljes, politikani kosovar, mjeshtër i arteve dramatike, mund të na servojë gjithçka: të mos e pranojë institucionin të cilit i shërben (më falni, me të cilin shërbehet), që Kuvendin të cilit i shërben ta shfrytëzojë si mjet shantazhi ndaj gjykatës e cila nuk mbikëqyr, që popullin të cilit i shërben (më falni, me të cilin shërbehet) ta akuzojë për kushtet socio-ekonomike në të cilat jeton, t’i kërcënojë gazetarët, ta vetëvrasë dëshmitarin, ta eksterritorializojë qeverinë së cilës konsideron se nuk i përket, që në televizionin me shtrirje nacionale të kërcënojë me spastrim etnik, të ngrihet, të shkrihet, të ngrihet, të shkrihet, të hedhë gaz lotsjellës, ta blejë gjykatësin. Nga politikani kosovar mund të pritet gjithçka, krejt përveç qasjes metodologjike në kryerjen e obligimeve dhe përgjegjësive të tij për dështimin në kryerjen e tyre.

Jokompetenca, fjalët boshe dhe korrupsioni i politikanit kosovar nuk janë kolerë e cila i shfaros vetëm qytetarët kosovarë, infeksioni u përhap dhe u bë pandemi, por në shoqërinë johomogjene kosovare ku je ose “UNË” ose “JO UNË” të gjithë me këmbëngulje i përmbahen unësisë së vet, sepse “NE” jemi koncept i frikshëm, tradhëtues i të së kaluarës jugosllave, përbindëshi i cili duhet të zhduket nga rrënjët. E nga na vjen kjo bindje? Pjesërisht nga përvoja, e pjesërisht edhe nga ajo që na është thënë në lidhje me marrëdhëniet tona ndëretnike. Marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë maten në dy mënyra.

Së pari, marrëdhëniet ndëretnike janë “më të dukshmet” në nivel të elitave politike të cilat i përfaqësojnë. Mënyra se si politikanët sillen me njëri-tjetrin, fjala dhe ndjenjat me të cilat shërbehen për ta përshkruar komunitetin, këta janë tregues në bazë të të cilëve masim gjendjen e marrëdhënieve tona. Në Kosovë incidentet me motive etnike janë faktikisht incidentet ndëretnike të cilat nuk duhet ta shqetësojnë asnjërin, ligjet janë fenomenale – vetëm zbatimin duhet përmirësuar pak, problemet e një komuniteti nuk duhet trajtuar si institucionale por me to duhet të merren vetëm përfaqësuesit politikë të atij komuniteti,  të gjithë duan dialog por vetëm nëse ai i kontribuon qëllimeve të politikës së jashtme. Në Kosovë gjithçka është relative përveç asaj që udhëheqësit politikë përcaktojnë si normë të sjelljes.

Së dyti, cilësinë e marrëdhënieve tona, kujdesshëm, metodologjikisht, por me logjikën e vlerave të filozofisë perëndimore e mat bashkësia ndërkombëtare.  Ato përfundime të bazuara në supozimin e komuniteteve të decentralizuara, të sistemit efikas dhe të përgjegjshëm, dhe të standardit të kënaqshëm jetësor, ata i shfrytëzojnë në krijimin e politikave të tyre në Kosovë të cilat domosdoshmërisht shkaktojnë veç më shumë probleme sepse Kosova nuk mund t’u përgjigjet supozimeve të lartpërmendura.

Le t’i hedhim një vështrim këtyre dy pohimeve te simboli më i ngarkuar i marrëdhënieve etnike në Kosovë, ura e Ibrit.

Ura e Ibrit për politikanët është mjet serioz i mobilizimit të masës dhe poen i lehtë politik; ajo edhe fizikisht tregon ku janë “ATA” e ku jemi “NE”. Ajo ka qenë edhe një shpërqëndrim dhe mjet i polarizimit të komuniteteve të cilave nuk u duhet shumë që frustrimet e tyre t’i orientojnë drejt njëri-tjetrit. Kujt do t’i shkojë mendja te pasiguria, papunësia, ujërat e zeza në Ibër, deponitë e egra dhe investimet e padukshme kur “ATA” duan ta hapin urën, e “NE” nuk i lejojmë.

Ura në Ibër për Bashkimin Europian është mishërimi i vlerave të tyre themelore: lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. I konsideruar si e tillë, simboli tashmë i politizuar i kësaj vlere europiane tash u bë karrem i padukshëm i zyrtarëve europianë të cilët me përfundimin e misionit të tyre do të kenë dëshminë më të matshme të pajtimit: pamjet e veturave të cilat kalojnë urën e cila i lidh dy pjesët e qytetit.

E çka në të vërtetë do të duhej të ishte kjo urë për qytetarët? Të jetë njëra prej gjithsej tri urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë nga të cilat dy janë të hapura edhe për këmbësorët edhe për trafikun? Vendi rreth të cilit nga viti 1999 e deri në vitin 2015 janë shënuar më shumë se 1000 incidente ndëretnike? Edhe njëra prej shumë urave në botë e cila është e hapur vetëm për këmbësorët? Vendi në të cilin u ndal spastrimi etnik i serbëve? Vendi përtej të cilit nuk është e sigurtë të jesh serb/shqiptar? Vendi për shkak të të cilit Mitrovica është e ndarë? Ndoshta krejt këto ngapak, por tekefundit, kjo urë është e parëndësishme. E parëndësishme për standardin jetësor, e parëndësishme për cilësinë e shërbimeve, e parëndësishme madje edhe për lirinë e lëvizjes. Për të hyrë në Mitrovicë nga Prishtina apo nga Kushtova janë dy ura nga të dyja anët të cilat mund të kalohen për të shkuar në veri të Mitrovicës, me mjet të motorizuar transporti, dhe kështu do ta shmangnit trafikun mu në qendër të dy pjesëve të qytetit.  Kjo urë ka qenë e parëndësishme për gjithçka që është e rëndësishme. Ajo u bë e rëndësishme në momentin kur politikanët e polarizuan, ndërsa Bashkimi Europian e internalizoi dhe në atë çast u bë edhe e rrezikshme.

Ura tash u bë gjëja më e keqe që e shohim te njëri-tjetri, frika jonë, frustrimet tona, inati ynë. Si e tillë, ajo tani tërheq këmbësorë të tillë dhe prandaj Mitrovica e ka pritur ditën e parë të pranverës në hije të rritjes së ashpër të incidenteve ndëretnike si kurrë më parë. Kemi grumbulluar një varg veprash penale: rrahje, therrje, shkatërrim të pronës publike dhe private, zjarrvënie, rrëmbime të pakonfirmuara, fyerje e thirrje të lëvizjeve radikale fetare. Dhe për çudi, me heqjen e pengesave për qarkullim të veturave nga ura, komunitetet nuk janë përafruar, qyteti nuk u bashkua, efekti, për tani, është vetëm shpartallues dhe kjo mund të ishte vërejtur ashiqare gjatë ditëve të murit.

Dhe në vend se ura mbi Ibër të mbetet gjë e parëndësishme, veç një prej shumë gjërave të cilat në Mitrovicë nuk funksionojnë, por e cila do të mund të funksiononte në një moment në të ardhmen kur për këtë të krijohen kushtet, në vend se të ishte temë lehtë e zgjidhshme, ajo u bë një prej fokuseve të imponuara të dialogut Beograd-Prishtinë, tregues i dhembshëm, fizik se sa shumë dallojmë dhe sa shumë nuk i besojmë njëri-tjetrit.

Pse e gjithë kjo? Sepse ATA janë të huaj dhe nuk dinë se ç’na duhet NEVE, sepse ATA janë të sigurtë pasi që NE nuk kërkojmë më mirë, sepse ATA janë shpresëdhënës pasi që NE nuk konsiderojmë se ata janë të zëvendësueshëm.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.