Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

A ka çarje në raportet në mes të Rusisë dhe Serbisë?

Ish-shefi i shërbimit sekret të Rusisë (FSB), sot sekretar i Këshillit të Sigurisë, Nikolai Patrushev,  para dy javësh vizitoi Beogradin. 

Në rrethana normale një vizitë e tillë e zyrtarit më të lartë të aparatit rus të sigurisë në një vend tradicionalisht aleat nuk do të përbente lajm. Por momenti dhe konteksti i vizitës mund të shihen edhe si tregues i një lëkundjeje të momentit në raportet në mes të Putinit dhe qeverisë së Aleksandar Vuçiçit.

Ky i fundit ka vite që e ka nisur njëfarë afrimi gradual me perëndimin, përkundër historisë së tij nacionaliste dhe pro-ruse. Por në ndërkohë që sytë i ka pasur drejt Brukselit, vazhdimisht ka refuzuar që të shkëpusë aleancën e fortë dhe tradicionale me Rusinë.

“Kriza” e fundit në raportet ruso-serbe ndërlidhet me zhvillimet e fundit në Mali të Zi, këtë shtet të vogël por kohëve të fundit me sherr të madh në marrëdhëniet rajonale. Para dy javësh këtu në blog raportuam për rëndësinë që kishin zgjedhjet në Mali të Zi në betejën mes NATO-s dhe Rusisë për zgjërimin e sferave të tyre të interesit, si dhe për rolin aktiv të kësaj të fundit për të rrëzuar Millo Gjukanoviqin nga pushteti. 

Në ditën e zgjedhjeve ky tension shpërtheu deri në pikën ku, sipas qeverisë malazeze, një grup prej rreth tridhjetë personash, të prirë nga ish-shefi i policisë së Serbisë, kishin bërë plane për të organizuar sulm të armatosur ndaj pushtetit të Gjukanoviqit.

Disa ditë më vonë, krejt befasisht, kryeministri i Serbisë pranoi se kishte ekzistuar edhe një grup tjetër i cili nga Beogradi kishte përgatitur komplot kundër Gjukanoviqit. Në këtë grup, sipas Vuçicit, kanë qenë të përfshirë njerëz nga Serbia dhe nga “shërbime të huaja”.

Se cilat shërbime të huaja mund të kenë qenë të përfshira në komplotin kundër Gjukanoviqit, këtu nuk ka shumë vend për dyshime. Gjukanoviq prej kohësh ankohej për një përpjekje të Rusisë për ta hequr qafe. I çuditshëm mbetet megjithatë fakti se edhe Vuçiç e mbrojti këtë tezë publikisht, ndonëse (natyrisht) nuk e akuzoi drejtpërdrejtë Rusinë.

Vizita e paplanifikuar e shefit të shërbimit rus në Beograd erdhi vetëm dy ditë pas deklaratës së Vuçicit. Shkaku zyrtar i vizitës u tha të ketë qenë “arritja e një memorandumi të bashkëpunimit në fushën e sigurisë”. Ky arsyetim është i palogjikshëm marrë parasysh natyrën krejt të parëndësishme të një marrëveshjeje të tillë dhe nivelin tashmë të lartë dhe historik të afrisë mes shërbimeve të sigurisë – sidomos mes shërbimit ushtarak të Rusisë (GRU) dhe shërbimit ushtarak të Serbisë (VBA).   

Revista britanike The Econmist shkruan, në bazë të raportimeve të mediave serbe, se gjatë vizitës zyrtari rus kishte siguruar lirimin e tre rusëve të dyshuar si të përfshirë në këtë aferë. Ideja se dikush brenda sistemit të sigurisë së Serbisë e ka dekonsipiruar skenarin rus nuk është larg mendsh (sidomos pasi Vuçiç u deklarua publikisht për këtë). Në anën tjetër, gazeta ruse Komersant ishte më diplomatike në raportin e saj, teksa theksonte se vizita kishte për synim thjesht evitimin e një skandali apo çarjeje më të madhe në marrëdhëniet mes aleatëve tradicionalë pas deklaratës publike të Vuçicit.

Sidoqoftë, ndërkohë që shumëçka mbetet e mbuluar në mister “në këto lojëra spiunësh” – përfshi edhe raportimet për një plan për atentat ndaj Vuçicit, apo raportet e mediave pro-ruse në Beograd për ekzistencën e spiunëve të CIA-s në policinë serbe – njëfarë problemi në marrëdhëniet e Rusisë me Vuçicin megjithatë është i dukshëm. 

Nga jashtë duket sikur Aleksandar Vuçic po përpiqet që, të paktën publikisht, të krijojë imazhin e dikujt që raportin me Rusinë nuk e ka në nivel vasaliteti. Ai gjithashtu duket sikur dëshiron të distancohet nga përpjekjet për ta përfshirë Serbinë si aktor shtytës të telasheve në Malit të Zi (“e bëri Rusia duke i përdorur njerëzit tanë” duket sikur dëshiron thotë Vuçiç). Me gjasë me këtë edhe dëshiron që t’i tregojë Rusisë se, përkundër ndikimit të saj të madh në strukturat e sigurisë në Serbi, ai si kryeministër megjithatë mbetet shefi politik i vendit.

Por mbetet e dyshimtë se cilat janë synimet e vërteta të politikës së Vuçiqit në raport me Rusinë. A është shkëputja e tij graduale praj qëndrimit tradicionalisht të nënshtruar të Serbisë ndaj Rusisë thjesht një taktikë cinike për të forcuar pozicionin e Serbisë përmes neutraliteti, duke e rritur kështu pazarin me të dyja palët për interest strategjike të Serbisë? Apo është shenjë e një përpjekjeje afatgjate për ta orientuar gradualisht Serbinë drejt perëndimit, siç kanë dëshirë të besojnë kancelaritë perëndimore (dhe shpesherë naïve) të dashuruara me retorikën e Vuçicit? 

Serbia gjithsesi nuk është homogjene dhe mbetet thellësisht e përçarë në orientimet lindje-perëndim. Linja pro-ruse mbetet shumë më e fortë në skenën politike. Në anën e majtë pishtarë janë SPS-i Daçiqit dhe Lëvizja e Socialistëve e Vulinit (që janë në qeveri), ndërsa në të djathtë DSS-i, Dveri dhe natyrisht radikalët e Sheshelit. Presidenti Nikoliq, i zgjedhur në këtë post nga Partia e Përparimtare e Vuçicit, është gjithashtu flamurtar i ashpër i linjes pro-ruse. Kjo rrymë ka mbështetje të fortë brenda strukturave të sigurisë që kanë vazhdimësi qysh prej kohës së Millosheviqit.

Vuçic viteve të fundit në mënyrë të shkathët ka manovruar në mes të dy kampeve si kryeministër dhe ka fituar pikë për Serbinë si menaxhues i kësaj përçarjeje. Në Bruksel e Uashingon ai (me sukses) e luan pro-perëndimorin dhe stabilizuesin e rajonit për të nxjerrë koncesione, ndërkohë që e lë Daçiqin që ta luajë lojën e policit të keq të Moskës.

Duke qenë në këtë pozicion, Vuçiç nuk e ka aspak problem, ta zëmë, që publikisht të kundërshtojë referendumin e serbeve të Bosnjes dhe të përfitojë pikë në Bruksel e Uashingon, por që njëkohësisht të mos e pengojë Moskën për t’ia kryer Serbisë punët e pista dhe destabilizuese në rajon, që e forcojnë rolin e saj rajonal.

Por edhe Vuçic e di se kjo lojë nuk mund të zgjasë edhe shumë kohë, sidomos në kontekstin e polarizimit gjithnjë e më të thellë mes Rusisë dhe perëndimit. Shenja më e madhe e pasigurisë së tij u pa  pas zgjedhjeve të fundit, kur iu deshën gjashtë muaj që të vendoste për partnerin e koalicionit. U duk sikur u tundua që t’i përfshinte në qeveri liberalët (Tadic-Jovanovic-Canak) dhe të bënte kërcim më të shpejtë drejt BE-së, që do të nënkuptonte edhe njëfarë heqjeje dorë prej politikës së tashme ndaj Kosovës. 

Por në fund hoqi dorë nga flirtimet, me gjasë i frikësuar nga reagimi I Rusisë dhe i rrymave pro-ruse në ushtri, media dhe polici, apo edhe nga çarjet në partinë e tij, ku një numër i konsiderueshëm deputetsh janë besnik të presidentit Nikolliq. Duke e çuar gjithë kampin pro-rus në opozitë dhe duke e çarë partinë, Vuçic e rrezikonte kontrollin e tij tashmë të plotë politik mbi vendin, apo në rastin më të keq fatin e kryeministrit Gjingjiqit  (të cilin këtë javë ia përkujtoi si mundësi presidenti Nikolliq). 

Prandaj iu rikthye edhe për një mandat koalicionit me Daçiqin dhe vallëzimit “herë këndej e herë andej”, gjithmonë i gatshëm për të ndërmarrë hapa kontradiktorë njërin pas tjetrit, për ta mbajtur Serbinë të rëndësishme për të dyja palët, e për të pozicionuar veten si lidere të rajonit përmes shantazhit.

Kështu, disa ditë pasi publikisht pranoi rolin e “shërbimeve të huaja” në ngjarjet në Mal të Zi dhe vizitës së Patrushev në Beograd, mediat serbe njoftuan për organizimin në muajin nëntor të ushtrimeve të përbashkëta ushtarake në Beograd në mes të forcave të Rusisë dhe të Serbisë, nën moton “Vëllazëria sllave”.

Aleksandar Vuçic gjithsesi mbetet një politikan dinak dhe i aftë që parapëlqen të mos rrënojë ura. E ka nisur Serbinë drejt perëndimit, por edhe e ka nuhatur krizën e tij – prej mundësisë së një fitoreje të Trump në SHBA që do e ndryshonte raportin e forcave në Ballkan, e deri te kriza institucionale e BE-së. Ai ngjan si një njeri i vendosur për të pritur dhe për të blerë kohë, për të parë se ku po fryen era, ndërkohë që e konsolidon pushtetin e tij autokratik.

Në të ardhmen serish mund të bëhet pro-rus. Por për momentin, përmes provokimeve si ky i fundit, me gjasë ka vendosur që t’i tregojë carit të Rusisë se për fatin e Serbisë e vendosë ai, cari i Serbisë .

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.