Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ‘masakron’ masakrat në Kosovë

Në vitin 2011 AShAK-u miratoi projektin ‘Enciklopedia e Kosovës’, i cili parashihej të realizohej në dy faza, me botimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës dhe mandej të Enciklopedisë së Kosovës. Gjatë vitit 2012 u emërua Bordi, Këshilli dhe Redaksia Qendrore, si dhe u konstituuan 24 redaksi të fushave, e më pas gjatë viteve 2014-2015 u angazhuan deri në 500 autorë profilesh të ndryshme të shkencës e të dijes, për hartimin e zërave, të cilët pastaj iu nënshtruan edhe procedurave të redaktimit në tri shkallë. Ndonëse paralajmërohej për vitin 2016, Fjalori Enciklopedik i Kosovës u botua vetëm në vitin 2018. Sido që të jetë, e rëndësishmja është se asnjëherë nuk u bë e qartë se cilat ishin kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të strukturave redaktoriale të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës dhe as cilat ishin kriteret e përfshirjes së individëve, të ngjarjeve, të fenomeneve ose të institucioneve në zërat e Fjalorit.

Kam vite që po punoj në një projekt dokumentimi të të gjitha masakrave të kryera në Kosovë midis viteve 1998-’99, i cili do të përmblidhet në një libër që i prezanton në mënyrë objektive masakrat, pavarësisht etnisë, fesë, gjinisë, moshës a bindjeve politike të të masakruarve. Për këtë projekt kam marrë për bazë gazetat vendore, rajonale e ndërkombëtare të kohës, raportet e organizatave joqeveritare vendore e ndërkombëtare, vendimet e gjykatave vendore e ndërkombëtare, si dhe librat e monografitë e ndryshme nga brenda dhe jashtë vendit. Kur jemi te librat dhe monografitë, veç të tjerash, shqyrtoj edhe si paraqiten masakrat në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës në periudhën 1998-1999. Nga gjetjet e mia u shokova nga mënyra se si paraqiten këto masakra në një publikim të institucionit më të lartë të shkencës në Kosovë. Këtu po i radhis disa prej vërejtjeve më të rëndësishme:

E para, në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të hartuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, figurojnë afërsisht vetëm 30 prej masakrave të kryera prej forcave ushtarako-policore sërbo-jugosllave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo do të thotë se mëse gjysma e masakrave të kryera nga këto forca nuk prezantohen fare. Sa për ilustrim, po i përmend dy komuna të Kosovës, Gjakovën dhe Rahovecin, në të cilat ka pasur më së shumti masakra dhe të vrarë.

Në Komunën e Gjakovës figurojnë vetëm tri masakra të kryera në fshatrat Mejë, Goden dhe Rogovë. Mungon masakra në fshatin Duzhnjë (27 mars 1999), ku u vranë 9 civilë të pafajshëm shqiptarë dhe masakra në Kralan (2-4 prill 1999), ku u vranë 84 civilë të pafajshëm shqiptarë. Mungojnë edhe të gjitha masakrat e kryera në vetë qytetin e Gjakovës, si ajo më 27 mars 1999, kur u vranë 20 civilë të pafajshëm shqiptarë, më 1 e 2 prill 1999, kur u vranë 20 civilë të pafajshëm shqiptarë në familjen Vejsa, më 7 maj 1999, kur u vranë 39 civilë të pafajshëm shqiptarë dhe më 10 maj 1999, kur u vranë 48 civilë të pafajshëm shqiptarë. Në Komunën e Rahovecit figurojnë vetëm tri masakra: në fshatrat Celinë, Krushë e Madhe dhe Pastasellë. Mungon masakra e kryer në fshatin Bellacerkë (25 mars 1999), ku u vranë 60 civilë të pafajshëm shqiptarë, masakra në Brestoc (25 mars 1999), ku u vranë 43 civilë të pafajshëm shqiptarë, e masakra në Nagavc (2 prill 1999), ku u vranë 34 civilë të pafajshëm shqiptarë.

E dyta, në pothuajse asnjërën prej masakrave të prezantuara në këtë fjalor nuk jepen të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve. Për ilustrim po marr vetëm katër masakrat që ky botim i prezanton më gjerësisht dhe i ilustron me fotografi: Reçakun, Izbicën, Mejën dhe Dubravën. Në këtë Fjalor, për masakrën e Reçakut thuhet “gjithsej të ekzekutuar ishin 42 civilë”, për masakrën në Izbicë thuhet “u ekzekutuan gjithsej 114 persona”, për masakrën në Mejë “u vranë, masakruan dhe zhdukën të paktën 376 civilë shqiptarë”, e për masakrën në Dubravë “u ekzekutuan afro 170 të burgosur shqiptarë”.

Mirëpo, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, që është organizata e vetme që ka bërë regjistrimin e të vrarëve në Kosovë, më 15 janar 1999 në fshatin Reçak figurojnë 51 shqiptarë të vrarë (37 civilë e 14 të armatosur), më 28 mars 1999 në fshatin Izbicë figurojnë 118 shqiptarë të vrarë (116 civilë e 2 të armatosur), më 27 prill 1999 në fshatin Mejë dhe fshatrat përreth figurojnë 372 shqiptarë të vrarë (353 civilë e 19 të armatosur), si dhe më 21-23 maj 1999 në Burgun e Dubravës figurojnë 103 shqiptarë të vrarë (53 civilë e 45 të armatosur).

E treta, në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës për masakrat e prezantuara mungojnë të dhënat relevante. Nuk shpjegohet kur dhe ku janë kryer saktësisht këto masakra, si kanë ndodhur, pse kanë ndodhur, kush i ka kryer (forcat policore, forcat ushtarake, forcat paramilitare apo edhe të gjitha së bashku), a ka pasur gjykime për to nga gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it, ose nga gjykatat vendore në Kosovë e në Sërbi, ose edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Jugosllavinë, e nëse ka pasur gjykime, a është dënuar ndokush, me çfarë dënimi, e kështu me radhë.

E katërta, në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës prej masakrave të prezantuara, vetëm 4 paraqiten me fotografi (Dubrava, Izbica, Meja dhe Reçaku). E kuptueshme që në një fjalor të këtillë nuk mund të ilustrohet me fotografi secila masakër, por edhe fotografitë e përzgjedhura për këto katër masakra nuk janë reprezentative, janë të cilësisë jashtëzakonisht të dobët dhe askund nuk figurojnë autorët e fotografive, gjë që përbën shkelje të të drejtave të autorit.

Për fund, ndonëse ka edhe një mori lëshimesh të tjera që cilat nuk mund të detajohen në një artikull si ky, duhet thënë se është e pafalshme që AShAK-u, si institucioni më i lartë i shkencës në vend, të këtë një prezantim kaq shkel e shko të masakrave të kryera në Kosovë më 1998-99 nga forcat policore e ushtarake sërbo-jugosllave. Po ashtu, AShAK-u do të duhej të zotohej publikisht se nuk do ta ribotojë kështu si është këtë fjalor, e lëre më ta përkthejë në gjuhën angleze. Nëse nuk e bën këtë zotim, atëherë institucionet relevante në Kosovë që e mbikëqyrin dhe e financojnë AShAK-un, duhet t’ia ndalojnë ribotimin.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.