Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ambiciet hegjemoniste të Iranit në Lindjen e Mesme: Koheziviteti politik

Ndonëse pritet që marrëveshja për programin bërthamor të Iranit do t’i hapte rrugën një epoke balancimi më paqësor të fuqisë në Lindjen e Mesme, fitorja e Trumpit në ShBA mund të sjellë paqartësi. Marrëveshja përbën triumf të doktrinës së internacionalizmit liberal të rendit ndërkombëtar, të mishëruar konceptualisht në sistemin e OKB-së. Përkundër frikës se populizmi ‘anti-elitë’ në Perëndim mund ta minojë, ky rend edhe më tej do të determinojë institucionalizimin e rendit ndërkombëtar dhe të raportit të fuqisë mes shteteve në rajon dhe me fuqi të tjera. Së këndejmi, i qeverisur nga një regjim joliberal, Irani vepron në një mjedis më kompleks në synimet e tij për të thyer izolimin dhe për ta shfrytëzuar fuqinë e tij për t’u kthyer në hegjemon rajonal. Sipas konceptimit të Saul Bernard Cohen, koheziviteti politik si burim fuqie kërkon qeverisje kohezive, e cila të shihet si model i suksesshëm që ia vlen të ndiqet. Bazuar në këtë përkufizim dhe në historinë politike të Iranit, ku qëndrojnë dobësitë e ambicieve të tij hegjemoniste?

Në nivel global të analizës, doktrina e internacionalizimit liberal ka në thelb të saj ndërhyrjen në sovranitetin e një shteti. Që nga rënia e Perandorisë Osmane, rendi ndërkombëtar në Lindjen e Mesme karakterizohet me ndërhyrje nga fuqi liberale e joliberale, me objektiva përfundimtare të ngjashme. Liberalët, të motivuar kryesisht nga vlera, synojnë liberalizimin politik dhe ekonomik. Joliberalët, të motivuar ekskluzivisht nga interesa, ndjekin objektiva liberalë vetëm ekonomikë, të tregtisë së lirë. Irani vepron në rajon kryesisht në shpërputhje me të dyja këto. Revolucioni Islamik, si reaksion i dhunshëm antiPerëndimor, ka zëvendësuar një regjim autoritar laik që synonte modernizimin e shpejtë me një regjim teokratik, të udhëhequr nga një elitë fetare radikale, thellësisht konservatore, që ndjek objektiva ekskluzivisht ideologjikë: dominimin shiit, përjetësimin dhe përhapjen e sundimit sipas sheriatit, të portretizuar si ‘demokraci islame’. Megjithatë, Irani ka krijuar aleanca politike kundërthënëse – me shtete shiite dhe sunite, Sirinë dhe Irakun, të dy shtete të dobët; dhe me joshtete të dhunshëm, Hezbollahun në Liban, Hamasin në territoret palestineze dhe Huthit në Jemen – por gjithashtu marrëdhënie të mira me shtetet arabe përveç Arabisë Saudite dhe Bahrejnit.

Në rrugën e daljes nga izolimi, Irani ka dy opsione. Nëse zgjedh ambiguitetin në marrëdhëniet me fuqi globale të përfshira në rajon, pra afrimin politik e ekonomik me ShBA-në duke ruajtur marrëdhëniet e ngushta politike e ekonomike me fuqitë autoritare si Rusia e Kina, fuqia potenciale që i ka sjellë marrëveshja mbi programin bërthamor mund të kthehet në dobësi. Kjo pasi që ambiguiteti do të mund të sillte përplasje modelesh të kundërt konceptualë të rivendosjes së rendit ndërkombëtar në rajon dhe ashpërsimin e konkurrencës mes vendeve të tij dhe mes fuqive globale liberale e joliberale rreth tij.

Në anën tjetër, nëse ruan status quo-në në marrëdhëniet me vendet e rajonit, fuqia potenciale e Iranit do të mund të kthehej në dobësi, pasi që qasja e deritanishme utopike drejt hegjemonisë, në një rajon të dominuar nga teokraci sunite, përmes konfrontimit të dhunshëm me to dhe me superfuqinë globale, e ka izoluar politikisht e ekonomikisht. Më tej, thjesht si një teokraci më shumë që ndjek objektiva antiliberalë – sundim autoritar brenda vendit dhe politikë të jashtme konfrontuese – Irani do të vazhdojë të mos shihet si model i suksesshëm që ia vlen të ndiqet. Ndjekja e objektivave antiliberale është parë si dobësi drejt arritjes së hegjemonisë, kurse marrëveshja, e bazuar në objektiva liberale (me pjesëmarrjen e dy fuqive që mbeten kategorikisht për mosndërhyrje në sovranitet) të parandalimit paqësor të konfliktit dhe liberalizimit ekonomik, do t’i mundësonte Iranit rrugëdalje nga izolimi politik, investime të jashtme në resurset natyrore e transferim teknologjie për zhvillim, dhe rrjedhimisht më tepër ndikim në rajon.

Politikisht, të qenit shoqëri kulturalisht më e emancipuar se të tjerat në rajon, përbën një fuqi të pashfrytëzuar për të, por një Iran i ardhshëm më demokratik dhe më liberal mbase do të kthehej në një ‘hegjemon emancipues’ atje. Por, regjimi islamik mund ta shohë këtë lloj evoluimi si dobësi, pasi që mund të rrezikojë sundimin e tij. Kjo na sjell te tensioni mes shoqërisë dhe regjimit iranian: sa më e hapur shoqëria, aq më pak i garantuar do të jetë sundimi i elitës islamike. Ky evoluim gjithashtu mund të rrezikojë, për një kohë, kohezionin ekzistues politik, të mbajtur me forcë nga regjimi, në këmbim të kohezionit afatgjatë. Ekonomikisht, liberalizimi do të duhej të përbënte përparësi për përpjekjet e Iranit për hegjemoni në rajon, por mund të jetë dobësi në një ekonomi të dominuar nga sektori publik, nën kontrollin e elitës sunduese islamike.

Përcaktuese në nivelin rajonal të analizës janë siguria, kalimi nga kaosi aktual në njëfarë rendi ndërkombëtar dhe shtetndërtimi, përfshirë parandalimin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, demokratizmin, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e tregut të lirë. Duke qenë të pashkëputshme nga njëra-tjetra, asnjëra nga këto tri objektiva nuk arrihen dot jashtë kornizave të doktrinës së internacionalizmit liberal dhe sistemit ndërkombëtar të ndërtuar mbi të, pasi që shtetet e dobët, akterët joshtetërorë të dhunshëm dhe rendi ndërkombëtar anarkik atje e bëjnë ndërhyrjen të domosdoshme. Të qenit fuqi rajonale politikisht më kohezive se Arabia Saudite rivale përbën për Iranin një element fuqie, por natyra teokratike e regjimit dhe qasja e konfrontimit të dhunshëm ka rezultuar në dobësi që as e ka bërë hegjemon rajonal e as ka ndikuar në dobësimin e regjimeve rivale sunite. Ajo ka sjellë fragmentimin e mëtejshëm të disa shteteve përreth, gara armatimi, një luftë që ka vrarë rreth një milion iranianë, dhe dy organizata rajonale (Liga Arabe dhe Këshilli i Gjirit për Bashkëpunim) që përdoren më tepër si levë rivaliteti dhe izolimi në dëm të tij sesa për të ndërtuar një arkitekturë sigurie dhe një rend ndërkombëtar.

Brenda vendit koheziviteti politik varet nga ndjenja e përkatësisë së iranianëve ndaj shtetit të qeverisur nga regjimi islamik, stabiliteti politik dhe sa përfaqësuese janë institucionet: sa më të avancuara këto, aq më koheziv mund të jetë Irani. Vetëm rreth 61% e popullsisë së tij janë persianë, ndërsa pjesa tjetër kryesisht azerë, kurdë dhe arabë. Në anën tjetër, 89% janë shiitë, e pjesa tjetër kryesisht sunitë. Përveç synimeve ideologjike për ‘revolucion botëror panislamik’, sa më tepër që del Irani nga izolimi, aq më tepër mund të dalë në pah mungesa e kohezionit politik që lidhet me ndjenjën e përkatësisë. Kjo pasi që shiizmi është fe zyrtare e shtetit, si dhe për shkak të mosnjohjes së plotë të pakicave etnike e fetare dhe konflikteve të armatosura me kurdët. Dobësitë e kësaj kanë të bëjnë me stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve. Përtej ndarjeve etnike, një tjetër dobësi është se regjimi islamik nuk përfaqëson vullnetin e shprehur nga populli, por është rezultati i një revolucioni ku elitat radikale islamike kishin shfrytëzuar pakënaqësitë e një mase të gjerë të popullsisë ndaj regjimit të Shahut, përfshirë këtu të tregtarëve dhe klasës së mesme që kërkonin më shumë liri politike dhe ekonomike, për të marrë pushtetin.

Prandaj, sa më të paqartë ta ketë Irani si fuqi rajonale se si të adresojë dobësitë e tij – në nivel të përputhshmërisë së vlerave të shoqërisë së tij me ato të shoqërive mbi të cilat synon të shtrijë hegjemoninë; të marrëdhënieve politike e ekonomike, të bazuara në interesa, me shtetet e rajonit; të ndërthurjes më të gjera të marrëdhënieve të veta dhe rivalit kryesor, Arabisë Saudite, me fuqi globale të përfshira në Lindjen e Mesme, dhe të kohezionit të brendshëm politik – aq më tepër ka të ngjarë që dy objektivat – dalja nga izolimi dhe arritja e hegjemonisë në rajon – të shndërrohen në një dilemë ku këto dy objektiva bëhen reciprokisht përjashtuese.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.