Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ani çka që kemi deficit të thellë tregtar?

Është shqetësim i përjetshëm i shumë kosovarëve që deficiti tregtar i Kosovës është shumë i thellë. Zakonisht shqetësimi qëndron tek ideja që deficiti po tregon se ekonomia e Kosovës bazohet kryesisht në importe dhe shumë pak në prodhim. Argumenti vazhdon që prodhimi është shtylla kryesore e një ekonomie. Ndërsa, importi është shenjë e dobësisë së saj. Gjithashtu është edhe shqetësimi që përmes importeve, ne po i lejojmë paratë tona të dalin nga vendi.

Por edhe ky shqetësim, si shumë e shumë shqetësime tjera, nuk është unik kosovar. Pothuajse të gjitha vendet në botë ballafaqohen me shqetësime të tilla. Mjafton një kërkim në google, dhe e gjitha bëhet e qartë. Nëse rastësisht nuk je njeri i ‘teknologjisë’, mjafton të dëgjosh lajmet ndërkombëtare. Kandidati republikan për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë gjithë kohës luan me kartën që SHBA po humb shumë nga deficiti tregtar. Zgjedhja sipas tij? Zvogëlimi i deficitit tregtar duke rinegociuar marrëveshjet tregtare (lexo: duke penguar importin dhe stimuluar eksportin).

Por nuk kam çfarë të merrem me Amerikë. As Donald Trump as amerikanët nuk do ta lexojnë këtë shkrim. Le t’i kthehemi Kosovës, me shpresë që dikush këtu do të jetë lexues. Pa dyshim, deficiti tregtar në Kosovë është shumë i madh, dhe mbi të gjitha në rritje e sipër. Grafika e mëposhtme e tregon këtë në mënyrë mëse të qartë.

Zakonisht edhe këtu përfundon diskutimi për deficitin tregtar. Konkluzioni është definitiv dhe pa asnjë dyshim: deficiti po rritet, e bashkë me të edhe ekonomia po zhytet thellë e më thellë në krizë. Atë çfarë dua te argumentoj në këtë shkrim është që ky, normalisht, nuk është fundi i diskutimit. Sa për fillim, po deficiti mund të duket i thellë, por në fakt ai nuk është duke u rritur. Vetëm se për këtë konkluzion, duhet të përdorim nivelin e mbulimit të importeve nga eksportet. Në vitin 2005 Kosova kishte importuar pak më shumë se 20 herë sesa kishte eksportuar. Kjo shifër në 2015 është ‘vetëm’ 8. Në pesë vitet e fundit, shihet njëlloj normalizimi i këtij raporti. Ndërsa si konkluzion të parë mund të themi që matja e deficitit tregtar në vlera absolute është definitivisht matje e cila shpie në drejtim të gabuar. Edhe sikur të funksionojmë me logjiken që deficiti tregtar duhet të ulet në minimum, apo të kthehet në suficit, matja e tij në vlerë absolute është gabim i cili nuk thotë gjë për ekonominë (edhe pse thotë shumë për përdoruesin). Në fund të fundit, aq sa importojmë duhet të eksportojmë (nëse jo më shumë eksport), dhe këtë të dhënë na e jep raporti ndërmjet këtyre dyjave dhe jo vlera absolute.

Në paragrafin më lart, fjalën vetëm e futa në thonjëza. Arsyeja për këtë është se fjala vetëm ka kuptim në kontekst ku diferenca ka rënë nga 20 në 8, por megjithatë deficiti tregtar i matur edhe si mbulueshmëri vazhdon të jetë tejet i lartë që të thuhet ‘vetëm 8’. Por prapë, këtu nuk përfundon diskutimi. Kur flasim për raport tregtar në Kosovë, zakonisht marrim parasysh vetëm tregtinë e mallrave por jo edhe të shërbimeve. Nuk ka arsye pse të mos futen edhe shërbimet në të njëjtën shifër me mallrat. Kur e bëjmë një gjë të tillë, marrim një pamje tjetër për deficitin tregtar.

Pra, duke llogaritur edhe shërbimet si pjesë të tregtisë, shohim që në fakt deficiti është pak më i vogël se ç’shpesh paraqitet. Ndërsa nëse i shohim vetëm shërbimet në pesë vitet e fundit, atëherë shohim se bilanci është pozitiv dhe Kosova eksporton prej 1.7 deri ne 2 herë më shumë sesa ç’importon shërbime.

Mirë, kjo na jep një pamje më të mirë të balancit tregtar, por ende nuk iu kemi përgjigjur pyetjes në titull: ani çka që deficiti tregtar është i thellë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, më lejoni të marrim një shembull. Supozoni që një vend (Kosova) është një person. Ai person punon dhe në këmbim për punën merr para, pra ‘eksporton’ një shërbim dhe ‘importon’ para. Me ato para, ky person blen mallra – pra ‘eksporton’ para dhe ‘importon’ mallra. Zakonisht, bilanci është zero – pra aq sa merr (importon), aq jep (eksporton). Ka raste që njëra është më e madhe se tjetra. Rast ideal për këtë është edukimi. Gjatë shkollimit, ai person është në deficit tregtar për shkak se nuk është duke punuar (eksportuar) por është duke konsumuar dhe duke paguar shkollimin. Nga vjen ky financim? Ose nga kursimet (që nuk janë më shumë sesa borxhi që të tjerët të i kanë atij), nga kreditë, apo vullneti i mirë i dajës nga Gjermania që vendos të paguajë për shkollimin. Sido që të jetë, në këtë disbalanc prapë bilanci i pagesave është njëjtë – pra zero – të hyrat dhe të dalat janë të njëjta.

Të kthehemi në nivel shteti. E njëjta që u aplikua tek personi më lart aplikohet edhe në nivel shteti, me një dallim të vetëm që terminologjia është ndryshe dhe pak më komplekse. Në vend të parave, në nivel shteti flasim për kapital. Në vend të pagesave nga daja në Gjermani, flasim për remitanca apo pjesërisht të ardhura sekondare (të ardhurat primare janë nga vetë qytetarët që punojnë jashtë dhe i kthejnë të ardhurat në Kosovë). Në vend të investimit në arsim, flasim për investime të huaja direkte, investime të portfolios, e të tjerë.

Njëjtë si balanci i pagesave i personit fiktiv, edhe për Kosovën balanci i pagesave është zero. Duhet të jetë zero për çdo vend, në fakt. Meqë balanci tregtar është vetëm një ndër komponentët e balancit të pagesave, deficiti në bilanc tregtar do të thotë suficit në komponentët e tjerë. Më të përmendurat/rëndësishmet e këtyre komponentëve të tjera në Kosovë janë remitancat dhe investimet e huaja direkte – dhe në të dyja këto Kosova është në suficit. Pra, kemi rreth 695 milion euro net remitanca vetëm në vitin 2015 dhe rreth 271 milion euro në net investime kapitale.

E meqë kemi më shumë para që hyjnë në Kosovë seç dalin prej saj, domosdoshmërisht do të kemi më shumë mallra që hyjnë në Kosovë seç dalin prej saj. Është matematikë e thjeshtë e kontabilitetit. Dhe kjo shihet më së miri nëse shohim deficitin tregtar të ndarë në terme tremujorësh në vend se në vite. Nga grafiku më poshtë, shihet qartë që tremujorin e tretë (Korrik – Shtator) është deficiti më i lartë për shkak të vizitave të shumta të diasporës dhe si rrjedhojë edhe e remitancave; ndërsa në tremujorin e parë (Janar – Mars) deficiti tregtar është më i cekti, për shkak se në atë periudhë nuk ka shumë remitanca.

Të kthehemi edhe një herë tek pyetja e titullit dhe të konkludojmë: ani çka që kemi deficit të thellë tregtar? Deficiti tregtar na tregon shumë për ekonominë dhe është indikator shumë i rëndësishëm, por në vetvete nuk thotë asgjë. Pra, deficiti tregtar nuk është asgjë për t’u shqetësuar. Çfarë është për t’u shqetësuar është ajo çfarë ne bëjmë me kapitalin që hyn në Kosovë apo formës së tij. Deficiti tregtar nuk është aspak shqetësues; shqetësues është fakti që ne eksportojmë punëtorë jashtë vendit, të cilët pastaj kthejnë në Kosove para të gatshme apo remitanca. Pra, shqetësues është fakti që Kosova nuk mund t’i ofrojë popullsisë së saj: një jetë më të mirë dhe vende pune. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me deficitin tregtar.

Gjithashtu, shqetësuese është fakti që një pjesë e madhe e këtyre remitancave përdoren për konsum në vend se të përdoren si investim. E kjo na redukton neve në parazitë që konsumojmë me para të punëtoreve tanë jashtë vendit përderisa ne nuk mendojmë të investojmë ato para që të krijojmë mundësi më të mira për gjeneratat e ardhshme. Edhe kjo s’ka të bëjë asgjë me deficitin tregtar. Shqetësues është fakti që investimet e huaja direkte nuk janë edhe aq shumë investime produktive. Shqetësues është fakti që në vitin 2015, 61% e investimeve të huaja direkte ishin investuar në patundshmëri, ndërsa minus 1% ishin investuar në bujqësi, miniera, industri dhe energjetikë së bashku. Minus për faktin se jo vetëm që nuk ka pasur investime, por ka pasur disinvestime. E kjo pra nuk ka të bëjë asgjë me deficitin tregtar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.