Ekskurs mbi filozofinë e artit sipas Friedrich Nietzsche-s
Konsekuenca kryesore në filozfinë e Nietzsche-s që edhe e kishte si qëllim “Vdekjen e Zotit”, por edhe të gjitha besimeve dhe idhujtarive të tjera, është vullneti për fuqi. Kjo bëri që njeriu të orientohet drejt vetës, drejt forcave të tij të brendshme. Prandaj, Nietzsche mendonte se “Koncepti i ‘Perëndisë’ paraqet një largim nga jeta” (Vullneti pë Pushtet, fq. 26), pra, një largim nga realliteti. Kështu që, në mungesë të një demiurgu (qëllimshëm), si një rregullator i botës, tani njeriu i Nietzshce-s do të fokusohet drejt jetës konkrete dhe përgjegjësive që ajo kërkon prej tij. Sepse siç edhe ritheksonte pambarim vetë ai, se jeta është një dhuratë e dështimit dhe se njeriut i mbetet që të merret me të. Mirëpo, jeta manovron në mes të kënaqësisë dhe pakënaqësisë, dhe ne nuk mund të zgjedhim vetëm njërën prej tyre. Çdo zgjedhje njërës nga njeriu në këtë rast nënkupton edhe zgjedhjen e tjetrës, sepse për Nietzsche-n, njeriu nuk ka mundësi ta zgjedhë p.sh., vetëm kënaqësinë, por varësisht sa zgjedhë nga njëra, merr edhe nga tjetra. Andaj, Nietzsche është i mendimit se ne duhet ta duam jetën me tërë fuqinë që kemi. “Po: ne e duam jetën, jo se ne jemi mësuar me jetën, por se jemi mësuar të duam” (Kështu fliste Zarathrustra, fq. 50). Me këtë Nietzsche na bën me dije se jeta është e vështirë dhe e mundimshme, por vullneti për fuqi i dyzuar me dashurinë krijon parakushte për jetën. Është dashuria ajo e cila neve na jep fuqinë dhe kurajon për jetë. Koncepti i dashurisë tek Nietzsche është i mbrujtur nga një shpirt pohues, i cili synon ta kënaqë egon, por që nuk bie në humnerën pesimiste.
Kur thërriste i marri se “Zoti ka vdekur”, ai nuk klithte me përdëllimin se tani kemi humbur rrugën, siç e besonin të pafuqishmit, por me këtë ai na bënte me dije për prishjen e një rendi i kinse barazisë në mes njerëzve, për faktin se tani po u shkapërderdhëshin para këmbëve të tyre themelet e të vërtetave absolute. Me dekompozimin e këtyre të vërtetave, po rrënohej edhe një jetë e ndërtuar mbi themelet e metafizikës transcendentale, e cila i kishte bërë të ditura kapacitetet e njeriut si dhe destinacionin e tij. Mirëpo, tani çdo gjë futet në një paqartësi, me të cilën njeriu modern nuk ishte i mësuar, sepse ai prej kohësh vet kishte krijuar mure brenda vetës, duke u paraqitur si i pafuqishëm karrëshi botës që e rrethonte dhe njohjes së saj, andaj dalja nga një realitet i tillë krijoi pasiguri dhe frikë tek ai.
Por, Nietzsche pohonte se ndjenja se e kemi gjetur shpjegimin për botën dhe se Zoti është ai i cili do të na shpie drejtë rrugës së duhur, ishte një kredhje në iluzione, por edhe që ta ndrydhnin vullnetin për fuqi brenda njeriut. Kjo nuk do të thotë se me automatizëm do të krijohet një gjendje lirie dhe kënaqësie, por kjo është një mundësi që njeriu të mund (e kjo tani varet vetëm nga vullneti i tij), të bëjë hapin cilësor drejt njohjes së vetvetes. Përndryshe, nëse njeriu nuk mund ta tejkalojë një botë me Zot, atëherë, ai edhe më do të kredhet në të shkuarën dhe do të jetojë për të ardhmen, pa e shijuar asnjëherë momentin, e që është vetë jeta. Këtë gjendje pasigurie që njeriu mund ta ketë pasi janë shembur të gjitha të vërtetat metafizike dhe të vërtetat morale, e thekson edhe tek dilemat që na i paraqet përmes personazhit Zarathrustra. Në fakt në këtë pikë shpërfaqet raporti i njeriut me botën pasiqë tani bota ka mbetur pa forcën supreme.
Ja në çfarë mënyrë Nietzsche na e paraqet raportin e njeriut me të kaluarën nëpërmes hijes së tij që vazhdimisht e ndjek nga pas: (…)pas shpinës së vet, dëgjoj një zë të ri që bërtiste: Ndalu, Zarathrustra! Ndalu, kur po të them! Unë jam, o Zarathrustra, unë, hija jote!” Por, Zarathustra nuk donte të ndalej, sepse papritmas e kishte kapur zemërimi nga sulmi i madh dhe shtyrja në malet e tij. “Ku humbi vetmia ime?” tha. (…)Hija ime po më thërret? Çka ka mbetur nga hija ime! Le të ikë me mua! Unë – do të iki prej saj. (…) Kush je ti? pyeti Zarathustra me zemrimë, çka po kërkon këtu? Dhe pse po quhesh hija ime? Ti nuk po më pëlqen. Më fal u përgjigj hija, që unë jam unë: e në qoftë se nuk të pëlqej, aq më mirë, o Zarathustra! (…)Unë jam udhëtari që tash shumë e shumë kohë eci pas teje, këmba këmbës: gjithmonë jam në rrugë, por pa qëllim, e besa edhe pa shtëpi.(Po aty, fq. 284-285). Nietzsche këtu nëpërmes na paraqet ndikimin e fuqishëm që e kaluara ka mbi ne, se sa pranë ajo na shfaqet dhe sa e vështirë është shkëputja prej saj. Hija që na ndjek nga pas në fakt është zbrasëtia tanimë në botën krijuar.
Mirëpo, për Nietzsche-n është e qartë se komoditeti që kjo e kaluar kishte ngulitur thellë në mendjen e njeriut modern, kishte bërë pikërisht që kjo mendje që jetonte në një botë transcendente, dhe që e kishte të vështirë të shkundej nga ky gjumë i arsyes. Dalja nga një format i tillë reflektimi është një fushë me plot të panjohura. Por, për Nietzsche-n është tani e qartë se ne assesi nuk mund të shkojmë drejt vetvetës, drejt natyrës njerëzore pa bërë hapin drejt ballafaqimit së asaj bote që vet e krijuam dhe u bëmë pastaj robër të saj. Gjithashtu, duhet ta kemi të qartë se, edhe pse Nietzsche e konsideron se ballafaqimi me veten është një nga format më të vështira të njeriut, ai mendon se kjo nuk është e mjaftueshme që ne të mund ta njohim vetveten. Te libri Udhëtari dhe hija e tij, në seksionin 223, ai pohon kështu: “Vëzhgimi i dretpërdrejt i vetës nuk mjafton dhe është mjaft larg nga njohja e vetes. Kemi nevojë për historinë sepse e shkuara rrjedh te ne me njëqind valë, ne vetë nuk jemi gjë tjetër veçse ajo që në çdo çast ndjejmë nga ky vështrim i vazhdueshëm. Dhe këtu nëse duam të zhytemi në lumin e qenies sonë, në dukje vetëm yni dhe personal, vlen fjala e Heraklitit: nuk lundron dot dy herë në të njëjtin lumë. (…)Kështu njohja e vetes bëhet njohje e të gjithës në raport me gjithë të shkuarën, ashtu si, sipas një ndërlidhjesh konsideratash të ndryshme dhe vetëm të prekura këtu, përcaktimi dhe edukimi i vetës, te shpirtërat më të lirë dhe largpamës, mund të bëhej një ditë përcaktimi i së tërës, në raport me çdo shoqëri njerzore të ardhshme” (Udhëtari dhe hija e tij, fq. 92). Këtu ai vë në spikamë horizontin e gjerë dhe koloritin e pafundëm të mundësive që krijohet dhe që njeriu duhet të jetë në gjendje që përmes vullnetit për fuqi t’iu japë edhe kuptim, por edhe që fatin e tij ta lidhë jo me njohjen e botës objektive, por me botën e brendshme të tij ku është edhe burimi i artit.
Pikërisht për t’i ikur një gjendje të tillë, Nietzsche kishte shpallur “Vdekjen e Zotit”, e që botën, por edhe mendimin i hedhë në pozitat e hiçit. Në këtë rend nihilist që krijohet vjen në shprehje vullneti për fuqi si një rend i qenësishëm, i cili për Nietzsche-n paraqet edhe shtysë e cila shkatërron dhe rikrijon po ashtu. Këto vizione hapin horizonte të reja të cilat pothuajse gjithnjë janë në rikthimin e përhershëm të së njëjtës. Ky moment konsiderohet edhe si forma më e lartë në filozofinë e Nietzsche-s, sepse në këtë pikë filozofia hyn në një rend jo të domosdoshëm ciklik, por në një rend që është përcaktues i një forme përmes shprehjes artistike e cila shprehje kalon nga “Vdekja e Zotit” përmes vullnetit për fuqi dhe arrin në stadin artistik, që edhe njihet si filozofia e jetës. Kushtimisht të themi, bota në këtë frymë të të filozofuarit përfaqësohet nga artisti, i cili nëpërmes artit dhe estetikës (jo estetikës si disiplinë, por estetika si shprehje e brendshme artistike), i cili do t’i japë formë botës ku tani mbretëron hiçi. Pra, artisti me anë të shkathtësive dhe fuqisë së tij nxjerr artin nga brendësia shpirtërore dhe e vë atë në skenë pa ndjerë nevojën e përjetësisë, por vet të jetë brenda një momenti të amshueshëm, moment i cili përbrenda ka nevojën edhe për shkatërrim. Shpirti i njeriut duhet ta njohë të kaluarën si pjesë të tij, por pa e vendosur atë si një udhërrëfyese.
Gjithashtu, sikur ta transformonim frazën e Nietzsche-s kur pohon se jeta pa muzikë do të ishte një gabim, dhe këtë ta zgjerojmë përgjithësi në art, atëherë, lirisht do të mund të themi se jeta pa art nuk do të kishte kuptim, dhe më tutje, mbi jetën, Nietzche shprehet : “Çfarë vlejnë në vetvete vlerësimet tona morale? Cili është rezultati i sundimit të tyre? Për kë? – Përgjigja: për jetën,. Por çfarë është jeta? Këtu është i nevojshëm një kuptim i ri dhe më i vendosur i konceptit jetë. Formula ime për jetën është: Jeta është vullnet për pushtet” (Will Durant, Friedrich Nietzsche – Vullneti pë Pushtet, fq. 14).
Pra, këtë vullnet për fuqi e ka mbinjeriu nietzschean, i cili artin e përdorë në frymën e jetës dhe jetën po ashtu në frymë artistike. Kjo krijimtari artistike për artistin nietzschean, është origjinale, është diçka që vjen lehtësisht në shprehje, pa ndjerë nevojën e hakmarrjes apo frikës. Kjo ndjenjë që del nga brendia e shpirtit artistik ëshë burimi që mundëson vetë jetën. (Mbi)njeriu i Nietzsche-s ndjenë vetëm momentin e krijuar dhe të cilit i përkushtohet dhe po ashtu për të cilin krijon. Njeriu i Nietzsche-s bëhet mbinjeri atëherë kur jetën e kupton dhe përjeton si një mundësi e shprehjes artistike.